ARGJIRA LLUKA
Dy fotografi që zgjuan një luftë të fjetur brenda meje
Disa fotografi i shohim dhe i harrojmë. Të tjera na presin në heshtje me vite, derisa një ditë na kthejnë papritur aty ku kishim menduar se nuk do të ktheheshim më.
Mbi dy javë kam që po i shoh këto fotografi dhe ndjenjat që më vijnë janë tepër të rënda.
Në njërën është babi, ditën e kthimit nga burgu i Serbisë, në përqafim me vëllain tim. Në tjetrën është shtëpia jonë, pasi jemi kthyer nga Shqipëria.
Në atë kohë, unë dhe vëllai, si fëmijë, pothuajse nuk e njihnim babin fizikisht. Mirëpo, letrat e tij nga burgu dhe poezitë që na i shkruante ishin të mjaftueshme që ta ndienim, në gjak e në palcë, se babi ishte ende i fortë.
Gjithmonë e kam ditur që babi është i fortë. Që babi i mbijeton çdo gjëje.
Mirëpo, këto dy javë, duke i mbajtur këto fotografi në duar, po e kuptoj se pamjen e babit, të stërlodhur, vetëm 40 kilogramë, me shumë plagë ende të hapura, e kisha vendosur diku në një pjesë të mendjes ku ruhen traumat e fjetura.
Ndoshta kam tentuar t’i iki së vërtetës.
Po, babi ka qenë i fortë. Më i fortë se guri.
Por ajo që ka kaluar nuk ka qenë kurrë e lehtë. Ka plagë që koha nuk i mbyll dhe kujtime që nuk harrohen.
Kjo fytyrë më kujton se Serbia ka kryer krime. Se Serbia ishte okupatori. Se ne kemi kaluar nëpër gjëra që asnjë fëmijë nuk duhet t’i përjetojë.
Këto dy fotografi më kujtojnë edhe diçka tjetër: se ne kemi bërë atë që do ta bënte çdokush në vendin tonë — kemi mbrojtur veten, shtëpinë dhe familjen.
Unë isha vetëm shtatë vjeçe.
E mbaj mend shumë qartë ditën kur forcat serbe na larguan nga shtëpia. Gjyshi nuk lëvizte nga dhoma. E vetmja gjë që përsëriste me mendje dhe me gojë ishte:
“Jo. Më kthehet djali nga burgu dhe s’na gjen në shtëpi.”
Rrugës për Shqipëri, në disa vende na ndaluan forcat serbe. Nga autobusi, në disa vende, pamë rreshtime burrash shqiptarë që ekzekutoheshin nga forcat serbe.
Në atë rrugë na i morën të gjitha.
Shqipërinë e arritëm në këmbë.
Çdo ditë kishte heshtje mes nesh. Askush nuk e dinte nëse babi ishte ende gjallë.
Çdo ditë vinte nga një lajm:
“Është gjallë.”
“Jo, e kanë vrarë.”
Derisa nga Ulqini erdhi lajmi se babi ishte gjallë dhe se kishte dërguar letra për ne, me mendimin se do të ishim atje.
Ajo ditë ishte dita më e lumtur, por edhe më e frikshme e jetës sime.
Sepse, pas asaj dite, çdo ditë jetoja me të njëjtin mendim:
“A thua është babi ende gjallë?”
Kur erdhi koha që babi të lirohej, qëndrova me orë të tëra në kufi bashkë me Kryqin e Kuq. Deri në momentin kur e pashë të dilte, nuk e besoja se ishte vërtet gjallë.
Për atë ditë kisha veshur rrobat më të mira që kisha. I kisha bërë flokët me gërsheta, që babi të më shihte të lumtur, të rregulluar, të gëzuar.
Por, edhe vite më vonë, e mbaj mend atë dridhje që e kisha brenda trupit.
Kam shumë trauma nga ato ditë të luftës, të cilat i kam mbajtur brenda vetes për vite.
Ndoshta këto dy fotografi më kanë detyruar, për herë të parë pas shumë vitesh, t’i shikoj në sy.
Dhe sot, kur i shoh, nuk shoh vetëm babin tim.
Shoh një baba që mbijetoi.
Shoh një fëmijë që priti.
Shoh një familje që nuk e dinte nëse do të bashkohej përsëri.
Dhe, mbi të gjitha, shoh çmimin e lirisë që e kemi sot.
Për ditët e mia në liri, unë i falënderohem UÇK-së dhe SHBA-së.
Prandaj, sot them:
JO NË EMRIN TIM.
Dërgoi për publikim, Ajete Zogaj










