QENTË NË PEDONALEN E BENETIT

0
229
Qentë në pedonale
Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

Vëzhgim

Qentë në Pedonale – kështu i thonë italisht shkodranët modernistë këmbësores Kolë Idromeno në qendër të Shkodrës – janë banorë të zakonshëm, si edhe njerëzit. Ata i sheh aty përditë, ndoshta të njohin, ndoshta jo.

Janë shtuar qentë endacakë, thonë disa, e kjo ka mundësi. Por gjatë verës janë shtuar edhe njerëzit, e qentë janë irrituar… Nga njerëzit e shumtë, por edhe nga të nxehtit. Po irritohen njerëzit, e jo më qentë. Kujdes me qentë, se ndonjë prej tyre është tinzar dhe ndodhë që edhe të kafshon. Mua më kanë kapur dy herë për pantallona, dje gati sa s’më rrëzoi një kapje qeni…

U mbështeta pas në tavoline, që kanë zënë sheshin e Pedonales gjatë sezonit, ku ishin dy turistë të huaj. Ajo gruaja tha: “Hera e parë që në Shqipëri, më bie një burrë nga qielli në tavolinë…” – duke qeshur. Unë u kërkova ndjesë dhe u thashë se qeni më kapi në befasi, ashtu si pa të keq, në heshtje të plotë, tinëz, pantallonat… i kishte ngulur dhëmbët pak…

Para disa ditësh, një vajzë e vogël me familjen e saj, të ulur në një nga ato tavolinat bregu murit aty në Pedonale, u ngrit në këmbë, e si duket shkeli bishtin e qenit, që ishte shtrirë sa gjerëe gjatë aty poshtë tavolinës së tyre, dhe u ngritën me vrap dy qen duke lehur, e njëri prej tyre kapi tinëz vëllain në pulpën e këmbës, ia nguli dhëmbin, por pantallonat e fortë e nuk i nxorri gjak, vetëm i la shenjë…

Një gazetar lokal aty, më tregoi dje, se para disa kohësh, e kishte kafshuar njëri prej qenve aty në Pedonale, dhe kishte shkuar deri në spital, ku kishte bërë edhe një gjilpërë kundër tërbimit, se e kishte gërvishtur këmbën pak. “Më ka dhembur dy javë plaga” – më tha. Por ky u hakmor më pas, në mënyrë primitive, me qenin në fjalë. Nuk ia fali si unë. Sipas tregimit të tij, ai kishte marrë pak bukë dhe i kishte hedhë flebol, helm, në bukë dhe i kishte thënë njërit prej jevgjve aty, që t’ia hidhte qenit, që e kishte kafshuar. Qeni i lumtur sa s’ka, e hëngri bukën e helmuar dhe shkoi në parajsë.

Por ju kujdes, ashtu si dhe unë tani e tutje, kur të kaloni në Pedonale. Edhe pse qentë e Benetit mund të duken paqësorë e miqësorë aty, rrini larg tyre, se del ndonjë tinzar prej tyre dhe ju kafshon. Benet Beci është kryetari i ri i Bashkisë Shkodër. E ka marrë punën seriozisht. Ai ka premtuar se do të bëjë shumë punë të mira dhe shumë ndryshime për Shkodrën, që ne shpresojmë se do i bëjë. Ndoshta u gjen një strehë edhe qenve endacakë, se ka një projekt për të rregulluar një shtëpi për qentë diku në Oblikë, dhe për t’i grumbulluar atje, se është turp dhe siç shihet e rrezikshme, që ato të sillen aty në Pedonale, e nga stresi e mërzia, ndodhë që edhe kafshojnë.

Beneti shpresoj se do i rregullojë punët gradualisht në Shkodër, pak durim, në shtator e mbrapa, se deri tani, është përpjekur të rregullojë situatën e parkimit aty rreth Colosseos, në qendër të qendrës, dhe nuk është ngjitur ende më lart, se sezon është dhe lokalet e Pedonales, duan klientë tani, duan të fitojnë pak, se paguajnë edhe taksa.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.