ARISTIDH KOLA – STUDIUES DHE VEPRIMTAR ARVANITAS

0
614
Aristidh Kolias - Nderi i kombit

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Aristidh P. Kola lindi në Thiva (Teba) të Greqisë qendrore, më 8 korrik të vitit 1944, ndërsa ndërroi jetë më 11 tetor të vitit 2000. Zona ku lindi, banohet kryekëput prej arvanitasve. Studioi drejtësinë në Athinë. Pas kryerjes së studimeve universitare, u mor me përkushtim me traditat kombëtare të shqiptarëve në Greqi. Ishte studiues, atdhetar dhe arvanitas i shquar.

Në vitin 1983 botoi veprën me vlerë “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”. Libri pati një jehonë të madhe në Greqi, por edhe ndër grekët që jetojnë jashtë saj.

Prejardhjen shqiptare të bashkëkombësve të tij e mbrojti me përkushtim. Vdekja e tij para dy dekadave, krijoi një zbrazësi në hapësirën arvanitase. Vepra e tij është model i mbrojtjes së të drejtave të arvanitasve në Greqi. Me fjalë të tjera, është vepra që e lartëson këtë personalitet.

Aristidhi botoi edhe revistën e njohur “Besa” si dhe revistën periodike “Arvanon”. Këtu publikoi thirrjen e shqiptarëve të Greqisë, të bërë në fund të shekullit XIX, që hidhte dritë mbi lidhjet e shqiptarëve të gadishullit, të cilët kërkonin një shtet të bashkuar që fillonte nga veriu i Shqipërisë së asaj kohe, në Nish e deri në Selanik. Vepër me interes, i Aristidhit është edhe “Greqia në çarkun e Jugosllavisë së Millosheviqit”. Ky libër u botua edhe në gjuhën shqipe.

Aristidhi mbante lidhje dhe bashkëpunonte me shqiptarët e ShBA-së. Mbante lidhje të ngushta me patriotin arbëresh Antonio Bellushi*, me intelektualë të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Turqisë etj.

*   *   *

Në vitin 1999, në studiot televizive greke dhe në mjetet greke të informimit, Aristidh Kola mbrojti trimërisht luftën e UÇK-së kundër pushtuesve serbë. Iu kundërvu propagandës   antishqiptare të qarqeve shoviniste greko-serbe. Demaskoi masakrat barbare serbe në Kosovë dhe mbështeti ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe paramilitare pushtuese serbe. Duke e mbrojtur të vërtetën për Kosovën qarqet ultranacionaliste greke e fajësuan dhe e quajtën agjent të Shqipërisë, të ShBA-së dhe të NATO-s. Aristidhi ishte kryetar i Shoqatës “Marko Boçari” të arvanitasve të Greqisë.

Aristidh Kola - Nderi i kombit

Në kuadër të saj, ai e mbronte të vërtetën për shqiptarët në Greqi. Shovinistët grekë i kanoseshin Aristidhit me vdekje. E hodhën edhe në gjyq. Në maj të vitit 2000, Aristidhi u sëmur. Ndërroi jetë më 11 tetor të atij viti. Me gruan Nansi pati dy fëmijë – vajzën Polikseni dhe djalin Pano. Veprat që la pas, e bëjnë atë të pavdekshëm në historinë e arvanitasve, që është pjesë e historisë së kombit.

*   *   *

Sipas atyre që e kanë njohur nga afër si dhe bazuar në veprën e tij, Aristidhi ishte një tribun i madh i arvanitasve. Përkundër trysnive që ushtronin mbi të, të qenët shqiptar e bënte të krenohej. Nuk nguronte për ta thënë të vërtetën dhe për të mbrojtur ndër arvanitasit e Greqisë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare. E donte atdheun e të parëve dhe shqiptarët në gadishull dhe në diasporë, pa i harruar kurrë arbëreshët e Italisë. Si një intelektual i ndërgjegjshëm, u vu në shërbim të ruajtjes dhe të afirmimit të identitetit të arvanitasve. Me veprimtaritë që i zhvillonte, përpiqej të mbante gjallë kulturën dhe traditat e popullit të vet.

Për mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve në Greqi, e la edhe profesionin e avokatit. U mor me studime dhe kërkime në lëmin e kulturës popullore dhe të historisë. Veprat e këtij studiuesi krijojnë histori. Vepra e tij “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” ka njohur mbi 14 botime. Me faktet dhe argumentet historike, ajo të ngjallë krenarinë e të qenit shqiptar. Vepra tjetër “Gjuha e perëndive” flet për shqipen si vazhdim i ilirishtes. Si nj publicist i shquar, ishte mbrojtës i palëkundur i kauzës shqiptare në Ballkan. Për çështjen e Kosovës shkroi veprën “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviqit”, Athinë 1995.

Vepra është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Si njeri i paqes, dëshironte që midis dy popujve më të vjetër të gadishullit të mbizotëronte miqësia dhe mirëkuptimi. Popujt nuk janë shkaktarë të luftërave. Ata e pësojnë nga politikat hegjemoniste të kastave dhe të qarqeve ekstremiste. Për kauzën të cilës i besonte, flijoi çdo gjë. Ndonëse i kanoseshin me vdekje, ai nuk u spraps dhe s’u mposht dot. Njeri me dinjitet dhe integritet, ai është burim frymëzimi për shqiptarët në Greqi dhe më gjerë.

Të dhëna më të hollësishme për Aristidhin mund të gjenden te grupimi “Miqtë e Aristidh P. Kolës”.

*   *   *

Për kontributin e dhënë për kauzën shqiptare, Aristidhi u dekorua nga presidentët Sali Berisha dhe Rexhep Mejdani. Në vitin 2004, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, gruas së Aristidhit, Nansi Kola, ia dha mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës, për mbrojtjen e kauzës kosovare nga burri i saj, Aristidhi. Kuvendi Komunal i Skënderajt i akordoi Aristidhit titullin “Qytetar Nderi i Skënderajt”.

Me Dekretin Nr. 13816 të datës 18.07.2022, kryetari Ilir Meta i akordoi Aristidh P. Kolës – pas vdekjes – titullin “Nderi i Kombit”. Ky akt i z. Meta u mirëprit në mbarë botën shqiptare – në Shqipëri, në Kosovë, ndër arvanitët në Greqi, ndër arbëreshët e Italisë dhe gjetkë. Dekorimi iu dha Aristidhit me arsyetimin e poshtëshënuar:

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm, si personaliteti më i madh arvanitas i shekullit të XX dhe një nga njerëzit më të ndritur të kombit tonë, mbrojtës i zjarrtë i rrënjëve të lashta të identitetit arvanitas dhe arbëror. Me mirënjohje për vullnetin, këmbënguljen, sakrificën dhe kurajën e lartë, duke u bërë model i intelektualit të pashembullt kurajoz, thënës unik i të vërtetave, luftëtar dhe mbrojtës i kulturës, gjuhës, prejardhjes dhe historisë shqiptare.”

Shënim:

Marko Boçari (1790-1823) – komandant suljot, hero i luftës për pavarësinë e Greqisë. Luftoi në shërbim të Ali pashë Tepelenës dhe në vitet 1821-1822 mori pjesë në mbrojtjen e Janinës. Pas shembjes së pashallëkut të Janinës dhe rënies së Sulit në duart e turqve (1822), u lidh me kryengritjen greke. U emërua kryekomandant i forcave ushtarake të Greqisë. U vra në gusht të vitit 1823 nga kapedani i Mirditës, me rastin e sulmit në kampin e ushtrisë së Mustafa pashë Bushatlliut pranë qytetit Karpenisi. U varros në Misolongj.

Poeti anglez Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, Londër, 1788 – Misolongj / Missolonghi, 1824) mbajti një fjalim mbi varrin e tij. Poetë të mëdhenj evropianë, ndër të cilët edhe poeti, romancieri dhe dramaturgu francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885) i kënduan trimërisë së Marko Boçarit, në luftën për pavarësinë e Greqisë. Marko Boçari njihet edhe për fjalorin greqisht-shqip me 1494 fjalë, i regjistruar nga dora e tij në Korfuz, në vitin 1809.

Antonio Bellushi lindi në vitin 1934 në Frashinetë të Kozencës, Itali. Është prift, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog arbëresh. Studioi filozofinë dhe teologjinë në Universitetin Gregorian të Romës. Diplomoi në vitin 1962. Në këtë kohë u miqësua me Ernest Koliqin* (1903-1975). Botoi shkrime në revistën “Shejzat” të drejtuar nga Koliqi. Ka shërbyer si prift famullitar arbëresh. Themeloi revistat “Vatra Jonë”, “Lidhja”, shoqatën kulturore dhe shtëpinë botuese “Gjergj Kastrioti”, Bibliotekën ndërkombëtare “Bellusci”. Botoi studime në periodikët “Shejzat”, “Zgjimi”, “Katundi Ynë”, “Studime Filologjike”, “Përparimi”.

Prej vitit 1962 bëri udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme. Mori pjesë në veprimtari shkencore, në kuvende, në kongrese – në Itali, në Shqipëri, në Kosovë, në Tetovë, në ShBA, në Australi. Botoi librat “Këngë fetare arbëreshe”, “Argalia në tekstet popullore arbëreshë në Frasnitë”, “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshë”, “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi”, “Blegtoria në Frasnitë”, “Kërkime dhe studime ndër arbërorët të Elladhës”, “Antologjia Arbëreshe”, “Arbërorët-Arvanitë”. Është nderuar nga Qeveria e Italisë, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga presidenca e Shqipërisë, nga Qeveria e Kosovës, etj.

Ernest Koliqi (Shkodër, 1903 – Romë, 1975) është poet, prozator, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, albanolog, mësues, botues. Bashkë me Mitrush Kutelin* (1907-1967), konsiderohet themelues i prozës së shkurtër në letërsinë shqipe. Themeloi dhe drejtoi disa revista, midis tyre edhe periodikun “Shejzat”. Në Romë drejtoi Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Pas vitit 1057, mbi këtë bazë u ngrit në Romë Instituti i Studimeve Shqiptare.

Mitrush Kuteli (Pogradec, 1907 – Tiranë, 1967) – emri i vërtetë Dhimitër Pasko. Është shkrimtar, ekonomist, kritik letrar, përkthyes dhe folklorist. Sipas të dhënave të caktuara, paraardhësit e tij rrjedhin nga Arta e Çamërisë. Më 16 maj 1947 u shpall nga regjimi komunist armik i popullit dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. U lirua, me falje, në maj të vitit 1949. Pas kësaj punoi si përkthyes në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Bashkë me Ernest Koliqin, konsiderohet themelues i prozës së shkurtër – moderne, në letërsinë shqipe. Në vëllimin poetik të Kutelit “Sulm e lot”, Tiranë 1944, është botuar poema “Poem kosovar”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.