UJVARA HIDHËRUESE E VAJTIMIT TË TRE REZAVE NËNË, BIR, NIP TË VENDLINDJES SIME KROPISHT VLORË

0
Familja Malaj

Me dhimbje shkruajë për tragjedinë e trefishtë të humbjes së jetës të nënës të katër fëmijëve Shqiponja Ferik Malaj, e djalit të ri Haxhi Bilbil Malaj dhe nipit fëmijë engjellor Flavio Haxhi Malaj. Edhe shkronjat e fjalëve në këtë shkrim sikur më shprehin dhimbjen trishtuese të shuarjes të jetës tragjikisht të tre pjestarëve të familjes, Nënë-Bir-Nip. Nëna Shqiponja ishte Themeli familjes, djali saj Haxhi Bilbil Mala ishte shtylla e familjes, Nipi Favio Haxhi Malaj ishte e ardhmja e familjes, por fati në mënyrën mizore u mori jetën në mënyrën më tragjike. U shuan në të njëjtën kohë, në të njëjtën vënde.

U shuan me egërsinë e fatit të emigracionit vrastar. U shuan në dheun e huaj me dhimbjen e vetmisë pa shprehur një fjalë për të dashurit e tyre të familjes Bilbil Beqir Malaj. Endërra e tyre për një jetë më të mirë u dogjë prej aksidentit në udhëtim duke larguar me dhimbje Nënën Shqiponja, të cilën e prisinin me dashuri fëmijët e tjerë, nipër e mbesa. E priste kryefamijari Bilbil Malaj se jeta e burrit të martuar është gruaja, jo vetëm si themeli familjes, por si shoku jetës, si mish e thua.

Endërat e djalit Haxhi Bilbil Malaj për një jetë më të mirë u dogjën pamëshirë nga aksidenti tragjik duke ja grabitur jetën në moshën e rinisë. Atje në atë vend të mallkuar ju ndërpre jeta së bashku me krijesën engjellore Flavio Haxhi Malaj dhe gjyshen e tij të shtrenjtë Shqiponja, e cila së bashku me bashkshortin shëmbullor Bilbil Beqir Malaj i kishin rritur e arsimuar me shume sakrifica e mundime.

Kur dëgjon gjëma tragjike edhe për ata që nuk i njeh ndjen dhimbje se ikën një jetë njeriu,por kur dëgjon tragjedinë e familjes të vëllait të vendlindjes, të shokut e mikut familjar të prindit Bilbil Beqir Malaj të drithërohet shpirti, të ngrijnë fjalët për të shprehur ngushëllimin sipas traditës mortore. Të përcjellës për në banesën e fundit tre jetë të shtrenjta të famijes është dhimbje e padurueshme, është helëm hidhërues që lotojnë edhe gurët, edhe qielli që i mban atje lartë shpirtërat e tyre, të nënë Shqiponjës, birit Haxhi, nipit Flavio.

Kjo tragjedi e humbjes së jetës të tre pjestarë të familjes shkaktoi rrufeshëm hidhërimin përcëllues në zemrën e gjakun e prindit Bilbil Beqir Malaj, të gjyshes së helmuar Hanëme Haxhi Malaj, të motrës, vëllait, nipër e mbesa, të fisit Malaj dhe të gjithë miqësisë e kropishtjotëve.

Prindi Bilbil Malaj u goditë nga vetëtima helmuese në shpirtin e tij duke ndjerë hidhërim të shumëfishtë që i helmoi kockën e gjakun dhe sot prehet së bashku me të shtrenjtët e jetës së tij, bashkshorten, djalin e nipin.

Duke shkruar këtë memorial mortor për vëllan e vendlindjes dhe mikun tim familjar Bibili Beqir Malaj dua të theksoi disa veti e tipare të këtij djali të bukur të vendlindjes sime.Kur isha mësues në vendlindje takoheshim vazhdimisht. Trupi tij si lastar, i drejtë, i fortë si Lisi. Fytyra e tij e bukur e qeshur, sytë e tij që rrezatonin dashuri për jetën, për prindërit e tij, për familjen e tij, për vëllazërinë, fisin Malaj, miqësinë, shoqërinë e kropishtjotë të impononin ta shikoje me admirim, me respekte e dashuri vëllazërore.

Në mes të shokëve të tij ishte i qeshur e i gëzuar. Me fjalën e qetë,me zerin e embel melodioz si violina të ftonte në biseda me shumë dashamirësi. Bilbil kishte emrin edhe zërin e kishte si zërin e bukur të zogjëve, të mbretit të cicërimave Bilbilit. Edhe rrugës kur ecte këndonte, edhe në punë kënga ishte në buzët e tij.

Në dasmat e familjeve kropishtjote do ta dëgjoje kur këndonte këngë me grupet që krijoheshin me dasmorët në dhomën e burrave. Ulur këmbëkryq mbi shilte ja merrte këngës duke shpërndarë buzëqeshjen e tij të bukur.

Në dasmat e vëllazërisë ,të fisit të tij krijoheshin dy grupe që konkuronin me njeri tjetrin. Këndoheshin këngë të ndryshme labe e himarjote. Kënga himarjote kërkonte zëra të harmonizuar, melodioz. Lagja Janaj e vendlindjes së tij kishte djem këngëtar që e zbukuronin dasmën me zërat e tyre melodioz.

Në grupin e djemve që këndonte Bilbil Malaj këndohej vargu i parë i këngës, ndërsa në grupin tjetër që ishte Latif Alikaj, Mete Alikaj, të cilët këndonin bukur këngën himarjote dhe përsëritej vargu i kënduar nga grupi ku ishte Bilbil me djem të tjerë. Ishte një festival pa juri, por me shumë dashuri për këngën, për jetën.

I ndjeri Bilbil Malaj ishte duar artë në punën ndërtuese. Që në moshë të re kishte punuar në ndërmarrjen e ndërtimit. Kur isha mësues në Kropisht, Bilbili punonte në brigadën e ndërtimit të koperativës. Shkoja shpesh kur kishja pushim te ustallarët. Në brigadën e ndërtimit punohej me shpejtësi për realizimin e normës. Bilbili ishte mjeshtër i të gjitha llojëve të mureve. Me shkathtësi përkulej te stiva e gurëve dhe me duart e tij të fuqishme godiste me çekanin duke përpunuar formën e gurit me qoshe.

Punonte dhe këndonte këngë. Me duartë e tij me kallo vendoste gurin në qoshen e murit dhe lidhte gurët e tjerë me njëri-tjetrin. Trupi tij i gjatë, elegantë ulej dhe ngrihej si një fizarmonikë gjatë procesit të punës. Ai kishte shumë respekte e dashuri për shokët e tij të punës. I shikoja që edhe kur kishin pushim mblidheshin bashke me shumë humor e hanin bukën e drekës, atje mbi gurë.

Kur ka ndodhur tragjedia e humbjes së tre pjestarëve të familjes Bilbil Malaj, kam qenë në Nju Jork dhe nga lajmet mësova gjëmën e humbjes së tre jetëve, Nënë, bir, nip, një tragjedi që nuk harrohet kurrë. Tre breza, Nëna, djali ri, nipi pesë vjeçarë u përvëluan nga aksidenti tragjik. Dhimbje të tilla nuk ngushëllohen dot me fjalë.

U prehshin në Paqe! Qoftë i paharruar kujtimi tyre.

Qatip Mara
North Carolina, USA

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.