13.5 C
Tirana
E hënë, 25 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS

ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS

0
Sabile Keçmezi-Basha

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

TRAKTET QË I MBIJETUAN KOHËS DHE ERRËSIRËS (1)

Teksa po lëvizte disa materiale të vjetra, të strehuara dikur në heshtje nga koha dhe kujtesa, djali im, Agoni, më thirri me një ngazëllim të veçantë në zë. Në duar mbante një zarf të vjetër, të zverdhur nga vitet, sikur mbi të të kishte rënë pluhuri i një epoke të largët. Me kureshtje dhe entuziazëm më tha se gjatë rregullimit kishte gjetur atë zarf të mbushur me dokumente dhe se, sipas tij, ato duhej të ishin diçka shumë e rëndësishme për mua, sepse mbi të shkruhej me germa të thjeshta, por me një peshë të madhe kujtimesh: “Trakte, Ftesa, Thirrje, Apele (Të viteve të ndryshme)”.

Kur e mora zarfin në duart e mia, ndjeva një emocion të çuditshëm, një përzierje mallëngjimi, kureshtjeje dhe drithërime të lehta. Ishte sikur koha të më kishte trokitur papritur në derë. Me një padurim që mezi e përmbaja, e hapa ngadalë, ndërsa në heshtje pyeta veten: çfarë vallë do të fshihej brenda këtij zarfi misterioz, të mbijetuar nga harresa dhe vitet?

Dhe aty, përpara syve të mi, u shpalos një botë e tërë kujtimesh të fjetura. Zarfi ishte i mbushur me trakte, thirrje, apele, shënime dhe dokumente të rëndësishme — copëza të një kohe të trazuar, zëra të një epoke që kishte jetuar mes frikës dhe shpresës, mes heshtjes së detyruar dhe guximit për të folur. Secila letër dukej sikur mbante ende aromën e viteve kur ishte shkruar; sikur nëpër të ende të frymonte ankthi, idealizmi dhe etja për liri e atyre ditëve.

I shikoja një nga një me habi dhe mall. Çdo fletë më dukej si një derë e hapur drejt një kohe që dikur e kisha jetuar me gjithë qenien time, por që tani më dilte përpara si një ëndërr e mjegullt. Përpiqesha të kujtoja momentin kur i kisha futur në atë zarf, vendin ku i kisha fshehur, arsyen pse i kisha ruajtur me aq kujdes — por kujtesa, e lodhur nga pesha e viteve dhe e ngjarjeve, nuk më jepte përgjigje të qarta. Për çudi, nuk më kujtohej as viti, as dita, as çasti kur ato dokumente kishin hyrë në atë strehë të heshtur letre.

Dhe ndoshta pikërisht kjo e bënte atë zbulim edhe më të thellë. Ishte sikur koha vetë të kishte vendosur t’i ruante ato dëshmi larg harresës, për t’i kthyer një ditë sërish në duart e mia. Ato nuk ishin thjesht letra të vjetra; ishin gjurmë të jetës sonë kolektive, fragmente të një historie të shkruar me ankth, sakrificë dhe ideal. Në atë bibliotekë të qetë, mes librave dhe heshtjes, unë nuk po lexoja vetëm dokumente — po rilexoja një pjesë të shpirtit tim dhe të kohës që kishte kaluar mbi ne si një stuhi, por që kishte lënë pas zërin e saj të pashuar në ato fletë të zverdhura.

Më vonë, kur ia tregova Tefikut (bashkëshortit tim) atë zarf të vjetër, të mbushur me kujtime dhe copëza historie, ai buzëqeshi lehtë, sikur edhe vetë po rikthehej në një kohë të largët e të trazuar. Me qetësi më kujtoi se ato dokumente, diku në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, dikush m’i kishte sjellë fshehurazi dhe m’i kishte dorëzuar. Më vjen shumë keq që sot nuk më kujtohet emri i atij zotërie, ose vitet ta kenë bërë të vetën dhe ai emër të më ketë ikur nga kujtesa.

Atëherë ishin vite të rënda, vite kur frika ecte nëpër rrugë bashkë me njerëzit, kur çdo letër mund të ishte një rrezik dhe çdo trokitje nate ta ngrinte zemrën pezull. Në atë kohë të errët, kur besimi dhe dyshimi jetonin pranë njëri-tjetrit, ruajtja e dokumenteve të tilla kërkonte jo vetëm kujdes, por edhe guxim.

Dhe unë, për t’i shpëtuar nga duart e pushtetit dhe nga syri i kohës, i kisha fshehur në një vend të sigurt, mes disa gazetave të kohës, në një qoshe që në pamje të parë nuk të linte ndonjë përshtypje të jashtëzakonshme. Vitet kishin kalua mbi to si stuhitë mbi gurët e vjetër, por ato mbijetuan. Lagështia, pluhuri, harresa dhe koha nuk arritën t’i zhdukin. Fletët e zverdhura, të heshtura për dekada, i kishin rezistuar harresës sikur të ruanin brenda tyre një betim të pathënë: se një ditë do të flisnin përsëri.

Dhe tani, pas gjithë atyre viteve, vendosa ti shpalos para jush. Jo më si letra të fshehura në errësirë, jo më si dëshmi që duhej të ruheshin në heshtje nga frika e ndëshkimit, por si fragmente të gjalla historie. Secila prej tyre bart mbi vete frymën e një kohe të vështirë, aromën e ankthit dhe të rezistencës, dridhjen e duarve që i kanë shkruar dhe shpresën e atyre që besonin se fjala mund të mbijetojë edhe kur njeriu hesht.

Teksa i prek sot ato dokumente, më duket sikur prek vetë kohën. Ato më rikthejnë në një epokë kur jeta zhvillohej në fshehtësi, kur idealet mbroheshin në heshtje dhe kur edhe një copë letër mund të kishte peshën e një kryengritjeje. Dhe ndoshta pikërisht kjo ua shton vlerën: fakti se ato nuk janë vetëm dokumente, por dëshmi të shpirtit të pathyeshëm të një kohe dhe të njerëzve që, mes errësirës, vazhduan të besonin te drita.

Dokumentet që dolën nga ai zarf i heshtur i kohës ishin kryesisht në gjuhën shqipe — në gjuhën e zemrës sonë, të dhimbjes dhe të qëndresës sonë. Nëpër ato fletë të zverdhura frymonte shqipja e një kohe të trazuar: një shqipe e shkruar me ngut e me frikë, por edhe me besim të madh; një gjuhë që nuk ishte vetëm mjet komunikimi, por strehë identiteti dhe armë shpirtërore kundër harresës e shtypjes. Çdo fjalë dukej sikur mbante mbi vete peshën e rrezikut, sepse në ato vite edhe vetë gjuha shqipe shihej me dyshim nga pushteti, e çdo shkrim i saj mund të konsiderohej akt kundërshtimi.

Por mes atyre dokumenteve kishte edhe trakte në gjuhën gjermane, kishte parulla të shkruara në gjuhë të huaja, të cilat koha m’i kishte ruajtur, por që unë sot nuk arrij t’i kuptoj plotësisht, sepse nuk e njoh atë gjuhë. Megjithatë, edhe pse nuk mund t’ua zbërthej çdo fjalë, ndiej se ato mbartin të njëjtën frymë kohe, të njëjtin ankth dhe të njëjtën etje për liri që përshkon edhe dokumentet shqip. Është sikur gjuha e tyre të mos jetë vetëm ajo e shkruar me germa, por gjuha universale e qëndresës, e thirrjes për dinjitet dhe e përpjekjes njerëzore për të mos u nënshtruar.

Pikërisht për këtë arsye vendosa t’i botoj ashtu siç janë — si faksimile të një kohe të rëndë, si dëshmi autentike të një epoke që jetonte në kufirin mes frikës dhe guximit. Nuk dua t’i ndryshoj, as t’i zbukuroj, sepse vetë zverdhja e letrës, njollat e kohës dhe shkrimi i tyre mbartin më shumë se fjalët: ato mbajnë frymën e historisë. Janë relikte të heshtura të një periudhe kur edhe një copë letër mund të konsiderohej krim, kur një trakt kishte fuqinë të trondiste pushtetin dhe kur fjala e shkruar ndiqej si armik.

Ishin vite kur dënohej jo vetëm autori që i shkruante ato dokumente, por edhe vetë dokumenti si objekt “i ndaluar”, si dëshmi e mendimit të lirë. Madje, ndëshkohej edhe ai që guxonte ta strehonte një trakt, ta fshihte në shtëpi, ta ruante mes librave apo ta mbante në xhep. Frika kishte hyrë deri në muret e shtëpive, në raftet e bibliotekave dhe në heshtjen e familjeve. Një fletë e vogël letre mund të bëhej shkak për burg, përndjekje apo shkatërrim të jetës. Dhe megjithatë, njerëzit vazhdonin t’i shkruanin, t’i shpërndanin, t’i ruanin ato me kujdes, si të ruanin një copë të së ardhmes.

Sot, kur i shoh ato dokumente të dalin nga errësira e fshehtësisë dhe të vendosen përpara syve tanë, më duket sikur ato nuk janë vetëm trakte e parulla, por zëra të mbijetuar të historisë. Janë dëshmi të asaj kohe kur fjala kishte çmimin e sakrificës dhe kur guximi matej me aftësinë për të ruajtur një copë letër pa e dorëzuar shpirtin. Në heshtjen e tyre të vjetër, ato ende flasin. Dhe ndoshta flasin më fuqishëm sot se kurrë më parë, sepse mbi to nuk rëndon më frika e burgut, por drita e kujtesës dhe e së vërtetës historike.

Këtë seri shkrimesh dua ta nis me një trakt të veçantë, një copëz të vogël letre që mbart mbi vete frymën e një kohe të trazuar dhe jehonën e një epoke kur fjala shkruhej me guxim dhe shpërndahej me rrezik. Ai është shkruar më 10 qershor të vitit 1982 dhe ishte shpërndarë në Bon të Gjermanisë — larg trojeve shqiptare, por me zemrën të kthyer kah Kosova dhe plagët e saj. Vetë data e tij duket sikur bart një simbolikë të thellë historike: 10 qershori, një ditë që në kujtesën shqiptare lidhet me ngjarje të mëdha kombëtare, me përpjekje për liri dhe me idealin e bashkimit shpirtëror të kombit.

Kur e mora në duar atë trakt, ndjeva sikur po prekja jo vetëm një dokument të vjetër, por një zë të mbijetuar nga mërgimi, një thirrje që kishte udhëtuar përmes kufijve, frikës dhe kohës për të mbërritur deri në ditët tona. Ai ishte shkruar në një kohë kur shqiptarët e Kosovës jetonin nën hijen e represionit të rëndë pas demonstratave të vitit 1981, kur burgjet mbusheshin me të rinj, kur fjala “liri” trajtohej si krim dhe kur mërgata shqiptare në Evropë ishte shndërruar në një tribunë të zëshme rezistence.

Në qytetet e largëta të Gjermanisë, larg maleve të Kosovës dhe rrugëve të Prishtinës, zemrat shqiptare rrihnin me të njëjtin ankth dhe të njëjtën dhimbje. Mërgimtarët, të ndarë fizikisht nga atdheu, e jetonin edhe më thellë mallin dhe padrejtësinë. Ata nuk kishin armë tjetër përveç fjalës, protestës dhe traktit të shtypur fshehurazi. Dhe pikërisht nga ai mërgim, nga Boni i Gjermanisë, lindi kjo thirrje që mbante në vete zjarrin e revoltës dhe besimin se zëri i shqiptarëve nuk mund të shuhej.

Titulli i traktit është i shkruar me forcën e një britme kolektive:

“SA MË SHUMË NË DEMONSTRATË KUNDËR IMPERIALIZMIT!”

Vetë këto fjalë tingëllojnë sot si jehonë e largët e një kohe kur rrugët mbusheshin me njerëz që kërkonin drejtësi, kur protestat nuk ishin vetëm akte politike, por rituale shprese dhe dinjiteti. Në ato vite, demonstrata ishte më shumë se dalje në rrugë, ajo ishte mënyra për të dëshmuar se populli shqiptar ende jetonte, ende besonte dhe ende nuk ishte nënshtruar. Çdo parullë e ngritur në ajër ishte një sfidë ndaj heshtjes që kërkonte pushteti. Çdo trakt i shpërndarë ishte një dëshmi se mendimi i lirë nuk mund të burgosej.

Ky trakt, i shkruar dhe i shpërndarë në mërgim, bart mbi vete frymën e solidaritetit ndërkombëtar dhe të vetëdijes politike të kohës. Ai është një dëshmi se shqiptarët, edhe larg atdheut, e ndienin dhimbjen e Kosovës si plagë personale. Ata e shihnin veten si pjesë të një përpjekjeje më të madhe historike, ku liria e popullit të tyre ishte e lidhur me rezistencën kundër shtypjes dhe padrejtësisë.

Sot, kur e lexoj atë titull të zverdhur nga vitet, më duket sikur dëgjoj zërat e atyre demonstruesve të largët, hapat e tyre nëpër rrugët e Bonit, frymëmarrjen e një mërgate që nuk kishte harruar rrënjët. Dhe kuptoj se këto trakte nuk janë thjesht dokumente politike; ato janë fragmente të gjalla të kujtesës sonë kolektive, dëshmi të kohës kur fjala kishte peshën e sakrificës dhe kur shpresa shpërndahej fshehurazi, nga dora në dorë, si një dritë që nuk duhej të shuhej kurrë.

Është tepër interesante që sot, kur e lexon këtë trakt pas kaq shumë dekadash, ai të krijon ndjesinë sikur vjen nga një botë tjetër, nga një realitet që nuk përputhet plotësisht me konturat politike dhe ideologjike të Kosovës së sotme apo me zhvillimet e botës bashkëkohore. Disa prej fjalëve, parullave dhe toneve të tij mund të tingëllojnë të largëta, madje herë-herë të huaja për mendësinë e kohës sonë. Por historia nuk mund të gjykohet me sytë e së tashmes pa kuptuar errësirën dhe dritën e epokës në të cilën ajo ka lindur. Çdo dokument është bir i kohës së vet, dhe çdo fjalë që është shkruar atëherë ka pasur peshën, kuptimin dhe domosdoshmërinë e asaj periudhe.

Duhet të kemi gjithmonë parasysh se kur është shkruar ky trakt, bota jetonte nën hijen e Luftës së Ftohtë, e ndarë në kampe ideologjike, ku çdo popull dhe çdo lëvizje politike kërkonte mbështetje brenda boshtit të madh të përplasjes globale. Ishte një kohë kur ideologjitë nuk ishin thjesht bindje politike, por mënyra të të jetuarit, forma identiteti dhe shpesh edhe mjete mbijetese kombëtare. Në atë realitet të tensionuar, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi ndiheshin të vetmuar, të shtypur dhe të lënë në margjinat e një federate që gjithnjë e më shumë po e zbulonte fytyrën e saj represive.

Përballë kësaj gjendjeje, i vetmi zë që shqiptarët ndienin si mbështetje morale, politike dhe kombëtare ishte shteti amë — Shqipëria. Pavarësisht izolimit të saj dhe sistemit komunist që e sundonte, Shqipëria për shumë shqiptarë jashtë kufijve përfaqësonte simbolin e vetëm të identitetit kombëtar të papërkulur. Ajo shihej si një strehë shpirtërore, si një flamur që ende valonte për shqiptarët në kohën kur shumë dyer të tjera ishin të mbyllura për ta. Për këtë arsye, mbështetja ndaj Shqipërisë nuk ishte gjithmonë vetëm mbështetje ideologjike; shpesh ajo ishte një lidhje emocionale dhe kombëtare, një nevojë për të ndier se diku ekzistonte ende një shtet që fliste shqip dhe që, të paktën në retorikë, i mbronte interesat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të tij.

Duke qenë se Shqipëria e asaj kohe ishte një shtet komunist, ishte e natyrshme që një pjesë e madhe e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos rinia ilegale dhe mërgata politike, të ndikonin nga ajo frymë ideologjike dhe të përkrahnin sistemin që ekzistonte atje. Në sytë e tyre, Shqipëria nuk shihej vetëm si regjim politik, por si simbol i rezistencës kombëtare dhe i mbijetesës shqiptare në një botë të mbushur me armiqësi. Ata shpesh nuk shihnin izolimin, varfërinë apo ashpërsinë e sistemit komunist, përkundrazi, shihnin një atdhe që kishte ruajtur gjuhën, flamurin dhe krenarinë kombëtare.

Sot, kur e lexojmë këtë trakt nga distanca historike, duhet të kemi mençurinë për ta kuptuar dhe jo për ta gjykuar me lehtësinë e kohës moderne. Duhet të dimë të dallojmë frymën e epokës nga realiteti i sotëm. Fjalët e tij janë pasqyrë e një kohe kur idealet politike përziheshin me etjen për liri kombëtare, kur ideologjia dhe atdhedashuria shpesh ecnin dorë për dore në mendjet e njerëzve që jetonin nën shtypje.

Në fund të fundit, ky trakt nuk është vetëm një tekst politik; ai është një dëshmi emocionale dhe historike e një brezi që kërkonte shpëtim, mbështetje dhe shpresë aty ku mendonte se mund ta gjente. Dhe pikërisht për këtë arsye ai mbetet i rëndësishëm edhe sot — jo sepse na jep përgjigje për kohën tonë, por sepse na ndihmon të kuptojmë shpirtin, frikën, idealet dhe ëndrrat e një kohe që tashmë ka hyrë në kujtesën e historisë.

Duhet thënë gjithashtu se lidhja shpirtërore dhe politike e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë me shtetin amë ishte aq e fortë, saqë ata shpesh e shihnin botën me të njëjtin sy me të cilin e shihte Tirana zyrtare. Në atë kohë të ndarjeve të mëdha ideologjike, kur bota ndahej në aleatë dhe kundërshtarë, edhe shqiptarët e mbetur në ish-Jugosllavi apo të shpërndarë në mërgatë e bartnin në vetvete këtë frymë politike dhe emocionale. Ata që ishin miq të Shqipërisë konsideroheshin natyrshëm edhe miq të shqiptarëve jashtë saj, ndërsa ata që Shqipëria i shihte si armiq, perceptoheshin po ashtu me mosbesim dhe kundërshti edhe nga shumica e shqiptarëve të atyre viseve.

Kjo nuk ndodhte vetëm për arsye ideologjike, por mbi të gjitha për shkak të nevojës së thellë psikologjike dhe kombëtare për t’u lidhur me një qendër identitare. Shqipëria, ndonëse e izoluar dhe e mbyllur brenda kufijve të saj politikë, për shqiptarët jashtë saj ishte më shumë se një shtet — ishte simboli i ekzistencës kombëtare. Ishte flamuri që ende valonte lirshëm në gjuhën shqipe, ishte emri i një atdheu që, pavarësisht sistemit politik, mbante gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

Në ato vite, shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi jetonin në një realitet të mbushur me pasiguri, diskriminim dhe represion. Për këtë arsye, ata kërkonin një pikë orientimi shpirtëror dhe politik, dhe atë e gjenin te Shqipëria. Kështu, qëndrimet politike të saj shpesh përvetësoheshin edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të saj, jo domosdoshmërisht sepse ata i analizonin në mënyrë të thellë raportet ndërkombëtare, por sepse e ndienin veten pjesë të së njëjtës plagë historike dhe të së njëjtës ëndërr kombëtare.

Në këtë mënyrë, miqtë e Shqipërisë bëheshin automatikisht miq të shqiptarëve në mërgim dhe në Kosovë, sepse çdo mbështetje ndaj Shqipërisë shihej si një formë mbështetjeje edhe ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi. Ndërsa armiqtë e saj perceptoheshin si kërcënim jo vetëm ndaj shtetit shqiptar, por edhe ndaj vetë ekzistencës kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodheshin. Ishte një kohë kur kufijtë politikë nuk arrinin ta ndanin ndjenjën kombëtare, përkundrazi, shpesh represioni dhe izolimi e forconin edhe më shumë atë lidhje emocionale me shtetin amë.

Sot, nga distanca e kohës, kjo mund të duket si një mënyrë romantike ose e idealizuar e të menduarit politik. Por duhet kuptuar se atëherë shqiptarët nuk jetonin në komoditetin e informacionit të lirë dhe të analizave të shumanshme që kemi sot. Ata jetonin në një botë ku identiteti kombëtar mbrohej me emocion, me besnikëri dhe me instinkt mbijetese. Shqipëria për ta nuk ishte vetëm një realitet politik; ajo ishte një simbol shprese, një vend ku ata projektonin dëshirën për liri, dinjitet dhe bashkim shpirtëror.

Prandaj, kur lexohen sot dokumentet, traktet dhe thirrjet e asaj kohe, ato duhet të kuptohen brenda këtij universi emocional dhe historik. Nuk mund të shkëputen nga konteksti i kohës së tyre, sepse ato janë fryt i një epoke kur kombi shqiptar jetonte i ndarë nga kufijtë politikë, por i bashkuar në ndjenja, në frikë, në ëndrra dhe në besimin se Shqipëria, me gjithë të metat dhe kufizimet e saj, mbetej drita e vetme që ndriçonte në horizontin e tyre të errët historik.

Protestat e shqiptarëve në mërgim nuk ishin thjesht tubime njerëzish nëpër rrugët e qyteteve evropiane, ato ishin britma të një populli të heshtur me dhunë, ishin zëri i Kosovës së robëruar që kërkonte të dëgjohej përtej kufijve të Jugosllavisë. Çdo demonstratë organizohej me një qëllim të vetëm dhe të shenjtë: të sensibilizohej bota për fatin tragjik të Kosovës dhe për vuajtjet e popullit shqiptar që jetonte nën shtypje, pa të drejta dhe pa liri.

Në ato vite të rënda, kur brenda Kosovës fjala kontrollohej, protesta ndalohej dhe çdo kërkesë për dinjitet kombëtar shpallej armiqësi ndaj shtetit, mërgata shqiptare u shndërrua në një tribunë të gjallë të rezistencës. Shqiptarët e shpërndarë në Gjermani, Zvicër, Austri e vende të tjera të Evropës, megjithëse larg atdheut, e ndienin mbi supe barrën e dhimbjes së Kosovës. Ata nuk mund të rrinin të heshtur, sepse çdo lajm që vinte nga vendlindja sillte histori burgimesh, përndjekjesh, rrahjesh dhe mohimi të të drejtave më elementare njerëzore e kombëtare.

Prandaj demonstratat për ta nuk ishin vetëm akt politik; ato ishin detyrim moral dhe kombëtar. Nëpër rrugët e Bonit, Cyrihut, Vjenës apo Brukselit, shqiptarët ngrinin pankarta dhe brohorisnin jo për lavdi personale, por për të zgjuar ndërgjegjen e botës. Ata donin që Evropa dhe opinioni ndërkombëtar të shihnin se pas fasadës së “vëllazërim-bashkimit” jugosllav fshihej një realitet i hidhur: një popull i tërë që jetonte pa liri, pa barazi dhe nën një regjim represiv.

Vetëm përmes demonstratave dhe organizimeve të tilla, mërgimtarët shqiptarë arrinin ta çanin murin e heshtjes që përpiqej të ngrinte propaganda jugosllave. Ata bënin një punë të jashtëzakonshme atdhetare, shpesh pa mjete, pa mbështetje dhe nën rrezikun e përhershëm të ndjekjes nga shërbimet sekrete. Ishin punëtorë fabrikash gjatë ditës, por në mbrëmje shndërroheshin në organizatorë protestash, shpërndarës traktesh dhe zëdhënës të dhimbjes së Kosovës. Ata jetonin mes dy botëve: fizikisht në Evropë, por shpirtërisht në Kosovën e tyre të robëruar.

Në ato demonstrata, flamuri shqiptar valonte si simbol i identitetit të mohuar. Çdo brohoritje ishte një akt sfide ndaj padrejtësisë. Çdo pankartë mbante mbi vete ankthin dhe shpresën e një populli që kërkonte vetëm atë që popujt e tjerë e kishin të natyrshme: të drejtën për të jetuar të lirë në gjuhën, kulturën dhe dinjitetin e vet.

Mërgata shqiptare arriti ta bëjë Kosovën çështje të diskutimit ndërkombëtar në një kohë kur shumëkush në botë dinte pak ose aspak për vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Përmes protestave, memorandumeve, trakteve dhe thirrjeve publike, ata ua bënë të ditur mediave, institucioneve dhe opinionit të gjerë se Kosova nuk ishte një krahinë “e qetë” siç e paraqiste propaganda zyrtare, por një vend ku shqiptarëve u mohoheshin të drejtat më themelore njerëzore dhe kombëtare.

Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia morale e asaj mërgate shqiptare: ata nuk lejuan që heshtja ta mbulonte Kosovën. Edhe pse larg, ata e mbajtën të gjallë zërin e saj. Ata u bënë ura që lidhte dhimbjen e Kosovës me ndërgjegjen e botës. Nëpër demonstratat e tyre nuk dëgjohej vetëm zëri i individëve, por frymëmarrja e një populli të tërë që kërkonte të mos harrohej.

Sot, kur i kujtojmë ato protesta, ato na duken si lumenj njerëzorë të mbushur me mall, revoltë dhe shpresë. Ato ishin më shumë se tubime politike; ishin rituale të kujtesës kombëtare, ku mërgimtari shqiptar, larg vendlindjes, përpiqej ta mbronte Kosovën me të vetmen armë që kishte: zërin e tij të lirë.

Prandaj, dalja sa më masive në demonstrata nuk shihej thjesht si një akt proteste politike, por si një domosdoshmëri historike dhe kombëtare. Për shqiptarët e mërguar, çdo demonstratë ishte një dritare e hapur drejt botës, një mundësi për ta bërë të dëgjueshme dhimbjen e Kosovës dhe për ta nxjerrë nga errësira e heshtjes një popull që jetonte i robëruar nën regjimin jugosllav. Sa më shumë njerëz të dilnin në rrugë, aq më i fuqishëm bëhej zëri i shqiptarëve dhe aq më e vështirë ishte që bota të mbyllte sytë përballë padrejtësive që ndodhnin në Kosovë.

Në ato vite të rënda, demonstrata ishte më shumë se një tubim. Ajo ishte një formë ekzistence kombëtare. Ishte mënyra me të cilën shqiptari i mërguar i thoshte botës: “Ne jemi këtu, dhe populli ynë po vuan.” Çdo pjesëmarrës në protestë ndiente se po mbante mbi supe jo vetëm fatin e vet, por edhe dhimbjen e familjeve të mbetura në Kosovë, ankthin e të burgosurve politikë, heshtjen e studentëve të përjashtuar, lotin e nënave dhe shpresën e brezave që ëndërronin lirinë.

Dalja në demonstrata kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët që jetonin nën robërinë e ish-Jugosllavisë, sepse ajo u jepte atyre ndjenjën se nuk ishin vetëm. Në një kohë kur kufijtë politikë dhe represioni përpiqeshin ta izolonin Kosovën, protestat e mërgatës krijonin një urë shpirtërore mes shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut. Ishte sikur çdo brohoritje në rrugët e Evropës të jehonte deri në qytetet dhe fshatrat e Kosovës, duke u thënë njerëzve të shtypur se dikush po fliste për ta, dikush po ngrinte zërin në emrin e tyre.

Demonstratat kishin edhe një forcë tjetër të madhe: ato e thyenin propagandën zyrtare jugosllave. Regjimi përpiqej ta paraqiste Kosovën si një vend të qetë, ku shqiptarët gëzonin të drejta dhe jetonin në harmoni. Por mijëra shqiptarë që mbushnin rrugët e qyteteve evropiane dëshmonin të kundërtën. Prania e tyre ishte provë e gjallë se në Kosovë ekzistonte një plagë e thellë politike dhe kombëtare, një padrejtësi që nuk mund të mbulohej më me parulla boshe ideologjike.

Sa më të mëdha bëheshin demonstratat, aq më shumë rritej shpresa se çështja shqiptare do të dëgjohej nga institucionet ndërkombëtare, nga mediat dhe nga ndërgjegjja demokratike e Evropës. Për mërgimtarët, pjesëmarrja në protestë ishte një akt sakrifice dhe krenarie. Shumë prej tyre rrezikonin vendin e punës, ndiqeshin nga shërbimet sekrete, fotografoheshin dhe regjistroheshin si “armiq politikë”, por megjithatë nuk tërhiqeshin. Ata e dinin se heshtja do të ishte tradhti ndaj Kosovës.

Në të vërtetë, demonstratat e mërgatës shqiptare u shndërruan në një formë moderne të rezistencës kombëtare. Ato nuk zhvilloheshin me armë, por me pankarta, flamuj dhe fjalë; megjithatë, fuqia e tyre morale ishte e jashtëzakonshme. Në ato rrugë të huaja, shqiptari i mërguar nuk protestonte vetëm kundër shtypjes politike, por edhe kundër harresës. Ai kërkonte që bota ta njihte ekzistencën dhe vuajtjen e popullit të tij.

Sot, kur i kujtojmë ato demonstrata, ato na shfaqen si lumenj njerëzish të mbushura me mall për atdheun, me revoltë ndaj padrejtësisë dhe me besim të pashuar te liria. Ato ishin çaste kur mërgata shqiptare bëhej zëri i Kosovës së heshtur, zemra e saj që rrihte larg, por për të njëjtën ëndërr. Dhe pikërisht për këtë arsye, dalja sa më e madhe në demonstrata konsiderohej jo vetëm e nevojshme, por jetike për fatin dhe të ardhmen e shqiptarëve që jetonin të robëruar në ish-Jugosllavi.

Vijon

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.