Lutfi Coka
Një ditë, vajza iu ankua të atit lidhur me problemet dhe hallet e shumta. “Nuk di çfarë të bëj për ti përballuar këto probleme. Ndonjëherë më duket sikur po dorëzohem. Ndihem e dërmuar nga lufta me vështirësitë dhe telashet. Pa e mbyllur një problem, shfaqet një tjetër akoma më i madh.” i tha ajo.
I ati, pa folur gjë tjetër rreth shqetësimit të bijës së tij të dashur, i kërkoi të shkojnë në kuzhinë. Ai mbushi tre tenxhere të vogla me ujë dhe i vendosi mbi zjarr. Kur uji filloi të vlojë, në njërën tenxhere hodhi një karotë, në të dytën një vezë dhe në të tretën kafe të bluar. Teksa i bënte këto veprime, i ati nuk fliste fare, gjë e cila filloi ta zemërojë të bijën. Disa minuta më pas, babai e fiku zjarrin e sobës dhe pastaj nxori karotën dhe e vuri në një pjatë, vezën në një pjatë dhe kafen e zier në një pjatë tjetër. Mandej, ai iu drejtua të bijës dhe e pyeti:”Çfarë sheh?”
E bija, e inatosur ngaqë i ati gjer atëherë s’kishte nxjerrë asnjë fjalë, i tha:”Një karotë, një vezë dhe kafe e zier, çfarë duhet të shikoj tjetër?”
I ati i kërkoi që ta marrë karotën dhe ta prekë, pastaj të qërojë vezën dhe të nxjerrë kafen nga pjata. Kur e mori në dorë karotën, vajza pa që karota ishte zbutur. Kur qëroi vezën, pa që ajo ishte mpiksur dhe ngurtësuar nga brenda. Kurse tek kafeja, pa që ajo ishte shkrirë në ujë duke e ndryshuar ngjyrën, shijen dhe aromën e tij.
“Çfarë do të thuash me këtë babi?” pyeti vajza.
I ati iu përgjigj:”Dëgjo moj bijë! Si karota, veza dhe kafeja, u përballën me të njëjtin kundërshtar, ujin që valon, por secili prej tyre reagoi në mënyrë të ndryshme. Karota që ishte e fortë, pasi u zhyt në ujë që valon, u zbut dhe e humbi ngurtësinë e saj. Nxehtësia e ujit ia humbi një nga tiparet dhe karakteristikat e saj.
Veza, e cila nga brenda është e lëngshme, kur u përball me temperaturën e lartë të ujit, u ngurtësua. Sakaq, reagimi i kafesë së bluar ishte krejt i rrallë, pasi ajo arriti ta ndryshojë vetë ujin.
Po ti moj bijë, kujt i ngjan nga këto të treja?
Mos je si karota e cila e humbi fortësinë e saj kur u përball me dhimbjen dhe problemet?
Apo je si veza, të cilën vështirësitë dhe telashet e bëjnë të ngurtë dhe zemërgur, edhe pse nga jashtë dukesh po ajo?
Apo je si kafeja, e cila e ndryshoi ujin e nxehtë, burimin e dhimbjes, duke i dhënë një ngjyrë, aromë dhe shije krejt tjetër? Nëse je si kafeja, do arrish ti bësh gjërat përreth teje me të bukura.