Anton Nikë Berisha: “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”

0
Anton Nik ë Berisha - Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore

Anton Nikë Berisha Këto ditë doli nga shtypi libri i Anton Nikë Berishës (foto) “Mbi disa kryevepra të letërsisë botërore”, i vetmi i natyrës së këtillë i botuar tek ne, ku autori ka përfshirë disa nga vëzhgimet dhe interpretimet për disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, në poezi ose në prozë, duke filluar nga ajo sumere babilonase “Epi i Gilgameshit”, të shkruar me kunja rreth 4000 vjet më parë, pastaj për “Psalmet”, për “Këngën e këngëve”, për “Gjeorgjikat” e Virgjilit e të tjera, për ta përmbyllur librin me interpretimin e romanit së Ekzyperisë, “Princi i vogël”.

Po botojmë shënimin hyrës të autorit, që i prin kësaj vepre prej 340 faqesh të botuar nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës.

SHËNIM HYRËS

Në vitin e largët – 1968 në revistën atëherë të shquar “Fjala” të Prishtinës botova punimin “Analogji e porosive të fantazmave”, ku krahasoja porositë e fantazmave të tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit dhe të “Istori e Skënderbeut” të Naim Frashërit[1].

Nga fundi i qindvjetshit të kaluar, shkrova edhe për disa vepra të letërsisë kroate, serbe e malazeze.

Në 20 vjetet e fundit, sidomos gjatë kohës që punova në Universitetin e Kalabrisë (Itali), botova një varg punimesh e parathëniesh për vepra të letërsisë italiane dhe franceze[2], mes tyre dhe një studim[3].

Në këtë vëllim kam përfshirë vetëm ato punime – interpretime që vështrojnë disa nga veprat më të njohura të artit të fjalës në rrafshin botëror, që, siç cilësohen edhe nga studiuesit më të shquar, janë kryevepra poetike si “Epi i Gilgameshit”, “Pslamet”, “Gjeorgjikat” e Virgjilit, “Kënga e këngëve”, “Silvia” e Nervalit, “Princi i vogël” i Ekzyperisë, “Manteli” i Gogolit, “Sytë e vëllait të përjetshëm” të Cvajgut, “Histori të mërzitshme” të Çehovit etj.

Këto punime – interpretime janë fryt i një pune disa vjeçare, i leximeve, i qasjeve dhe i mënyrave të ndryshme të vëzhgimit dhe të veçimit të cilësive poetike të teksteve të veprave përkatëse; vetëm leximi i vëmendshëm dhe i disa hershëm, njësimi shkallë – shkallë me tekstet dhe me kumtet poetike që dilnin prej tyre, bëri të mundur komunikimin e duhur me to dhe ndriçimin e vlerave shprehëse poetike të mirëfillta që i cilësonin.

Besoj se vepra do të jetë e dobishme për studiuesit e letërsisë, për studentët dhe për profesorët e letërsisë të universiteteve tona.

Prishtinë, shkurt 2022


[1] Shih “Fjala”, Prishtinë, n. 10, dhjetor 1968, f. 6. Shih botimin e dytë me disa ndryshime në librin tim Larmi vëzhgimesh letrare. Faik Konica, Prishtinë 2012, f. 117 – 125.

[2] Shih sidomos dy veprat e mia “Paanësia e fjalës poetike” (Libri i parathënieve), Faik Konica, Prishtinë 2017 dhe “Qenësia e kumtit poetik”. Libri i parathënieve 2. Faik Konica, Prishtinë 2019.

[3] Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror. Mbi poezinë e Daniele Giancane-s. La poesia come un viaggio esistenziale. Della poesia di Daniele Giancane. Shtëpia botuese Milosao, Sarandë 2020.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.