Sallaks: Mallkim apo Privilegj?

0
189
Eva & Magdalena Kaili

Dhimiter Mosko

QatarGate. Eva Kaili, arkitekte. Left wing. Ndofta nga eurodeputetet femra me popullaritetin më të madh në BE. Kishte një të ardhme të shkëlqyer nga më premtueset për karierë politike në hierarkinë drejtuese të Bashkimit Europian. E mbështetur dhe e promovuar nga të gjitha instancat e Brukselit dhe Strasburgut. Pothuajse kishte një botë nën këmbët e saj. U zgjodh dhe një nga zëvendëset e presidentes Ursula me pothuajse maksimumin e votave, gati me unanimitet. Të gjithë të duan, të gjithë të ftojnë andej e këndej. Eva njëri… Eva tjetri.. Dhe Eva jeton ëndrrën e jetës. Të duket sikur je bërë zot dhe çdo gjë e ke me meritë, ndofta mendon se mund të ta kishin edhe borxh. Por kështu ndofta bën dhe armiq të heshtur. Dhe vjen një moment, kaq papritur kur të gjitha shemben e shkërmoqen. Bie nga shkëlqimi në errësirë. Ja futën Evës? Apo ja futi vetes? Më e besueshme e dyta. Me shumën që bëhet fjalë nuk mund të blinte shtëpi as në Rolling Hill-in e Tiranës, siç bëri Vllahutin. Mentaliteti europian i jugut mesdhetar ka rëndësinë dhe peshën e vet, nuk anashkalohet. Aq më tepër mentaliteti mashtrues ballkanas që aq lehtësisht të korruptueshëm i ka kultivuar njerëzit e vet, historikisht.

Në qarqet e Brukselit, sigurisht tek të djathtat dhe ato të pavarurat, qarkullon si anekdotë që kriteri kryesor për të patur korrupsion është bashkekzistenca e një socialisti xhepmadh me një NGO, pra jepja këtë ta drejtojë ai. Dihet që këto NGO duhet të financohen nga privati dhe parimisht si të tilla nuk do kontrollohen nga shteti. Por Brukseli, i kontrolluar tashmë prej dy-tre dekadash nga e majta neomarksiste, i lujti fenë, bëri “inovacion”. Filloi të financojë NGO sidomos ato me karakter social, pra me aktivitet në të drejtat e njeriut, të pakicave kombëtare, të pakicave kulturore, të atyre fetare, për refugjatët, të pakicave me orientim të ndryshëm seksual etj.. etj.. Të parët që e kuptuan këtë ndryshim në drejtim, këtë okazion fatlum, patjetër që do ishin ata më afër këtyre vendimeve, pra eurodeputetët. Dhe këta filluan të krijojnë NGO pa fund, si kërpudhat mbas shiut, në vendet e tyre përkatëse, nëpërmjet familjarëve dhe njerëzve të tyre. Në vëndet e tjera i krijuan ambasadat e vendeve të BE-s. Motra e Evës, Magdalena drejtonte dy NGO. Financimet nga BE-ja për këto organizata.. pa fund, rridhnin e rrjedhin lumë. Njihni ndonjë administrator NGO-je që nuk është pasunar? Të krijon sistemi dhe të ha vetë sistemi, por me selektivitet!

Bile filluan të krijohen edhe media sociale të vockla, si psh në fcb shqyptar, pasi i duhen për të promovuar edhe politikat e tyre sociale kudo, me çdo mjet, në çdo skutë. Financimet kanalizohen nëpërmjet qeverive, sigurisht jo nga buxheti, por nga “ndihmat” e BE-s dhe nga ambasadat e huaja. Nuk i di këto Brukseli? As nuk i merr me mënd që këto organizata jo qeveritare administrohen nga familjarët e politikaneve? Sigurisht që i di! Bën kinezin, sikur s’di. Ndofta është gjetur një mënyrë për të kënaqur një pjesë të njerëzve kudo nëpër Europë për ti patur si detashmentet e tyre të sigurta për mbështetje e përkrahje në votime dhe vendimmarrje, konsiderohen “njerëzit tanë”. Një shembull: Greqis i dha BE-ja mbi 2 Miliard euro për çështjen e emigracionit dhe refugjatëve. Nga këto qeveria greke menaxhon vetëm 350 Milion euro, të tjerat i morrën NGO-t. Nuk jepen paratë ashtu kot pa një qëllim. Eva dhe italianët e tjerë të arrestuar, janë vetëm maja e ajsbergut. Infantino në fjalimin e hapjes së botërorit i thuri himne Qatar-it. Do mësoj gjuhën e bukur arabe tha, akoma vazhdon! I dyshimtë? Jo.. të tjerë nuk do zbulohen. Kush i përlau.. ti gëzojë! KapÇatKapësh! BE-ja nuk i pëlqen skandalet.

Majtistët e Brukselit janë kthyer në një Kastë Mandarinësh, në një Cartel që po sundon Europën! Ku janë mekanizmat realë të auditimit për ta mbikqyrur këtë kastë. I kanë për të tjerët? Shumica urojnë që kurrë të mos hapen akuzat e kontratave të “turbullta” për marrjen e vaksinave të covid-it. Skandalet korruptive të Brukselit, për ata që i njohin, tregojnë që Bashkimi Europian është i kalbur deri në palcë. Ju kujtohet ish presidenti i BE-s Juncker, ai para Ursulës, i merreshin këmbët kur ecte nëpër konferenca, nga alkooli. Dinjitet? Apo kush jam unë ti gjykoj, duhet ti përkëdhel! Ky Cartel politik që sot zotëron pushtetin në BE me siguri nuk do të jetë i interesuar për asnjë ndryshim të rëndësishëm të “status quo” aktuale, sepse kjo gjë do ta shkatërronte. Centralizimi i jetës politike të BE-s prej krijimit 29 vite më parë, ka ndikuar në rritjen galopante të korrupsionit. Pa shkak ndodhi Brexit? Rikthimi i decentralizimit do të mund ta minimizonte atë. Në Bruksel gjënden zyrtarisht dhe kanë aktivitet rreth 14.000 aktorë lobues për çështje dhe interesa të tyre nga më të ndryshmet dhe që kontaktohen me ligjvënës e vendimmarrës të Brukselit, pra edhe me eurodeputetët. A ka lobing pa para? Atëherë? Korrupsion i institucionalizuar?!

#Corruption #EuropeanUnion

PS: Sa më tepër fuqi dhe pushtet të centralizuar të marrë Brukseli, aq më kollaj e ka të mbulojë skandalet e veta korruptive. Megjithatë Europa mbetet akoma lagjja më luksoze e planetit, mendërisht dhe shpirtërisht. Zoti e ruajt!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.