Rexhep Çullhaj
Sapo përfundova së lexuari librin “Historitë e çmendura të Tiranës”, një roman historik që të tërheq nëpër rrjedhat e një historie rreth katërqindvjeçare të qytetit tonë. Për mua, libri është shkruar mirë dhe trajton një mori temash historike, duke sjellë përpara lexuesit një Tiranë jo gjithmonë të njohur. Ai na njeh me jetën e qytetit në periudha të ndryshme, me mënyrën si jetohej para Pavarësisë, me zhvillimin e tij dhe me ndryshimet që kanë shoqëruar etapa të caktuara të historisë. Mendoj se ky libër meriton të lexohet veçanërisht nga të rinjtë, sepse historia nuk duhet parë vetëm si një varg datash dhe ngjarjesh, por edhe si mënyra se si kanë jetuar, menduar dhe vepruar njerëzit në kohë të ndryshme.
Megjithatë, duke ruajtur vlerësimin tim për veprën, mendoj se në disa pjesë autori e tepron me dramatizimin e ngjarjeve. Episodet si ai i kryeministrit që fshinte djersën në kostumin e tij, apo pesë ditët e Esatit me mbretin e rremë, djalin e sulltanit, më duken të trajtuara me një frymë disi të tepruar. Ndonjëherë krijohet përshtypja sikur Tirana e atyre kohëve ishte vetëm një skenë intrigash, çmendurish dhe ngjarjesh të pazakonta. Por ky qytet ka pasur edhe një jetë tjetër: njerëz të zakonshëm, tradita, kulturë, mikpritje, dashuri, zhvillim dhe bukuri, që e kanë bërë Tiranën një qytet të veçantë. Më duket se këto vlera të qytetit tonë janë lënë disi në hije.
Dhe, sinqerisht, do të kisha dëshiruar që krahas historive të pazakonta, të kishte më shumë vend edhe për anën e bukur, njerëzore e qytetare të Tiranës. Tirana është kryeqyteti ynë i dashur, një qytet që ka mbartur mbi supe histori, ndryshime dhe kontradikta, por që vazhdon të jetë zemra e vendit tonë, ku është përqendruar një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare. Në përfundim: Një libër që ia vlen të lexohet, që të njeh me të kaluarën dhe të nxit të reflektosh. Por historia e një qyteti nuk përbëhet vetëm nga çmenduritë e tij; ajo përbëhet edhe nga bukuritë, njerëzit dhe vlerat që e kanë mbajtur gjallë ndër vite..











