Nga Gjon Marku
- tregim
Ishte nata e fundit e dhjetorit dhe kudo ndihej atmosfera e Vitit të Ri, por Arbëri ishte aq i vetmuar sa nuk dinte as ku të shkonte, as çfarë të bënte.
Prindërit e tij ishin divorcuar në maj të atij viti dhe ai e ndjente veten pjesë të atij divorci. Babai ishte ai që e kishte kërkuar ndarjen dhe nuk kishte bërë më asnjë hap pas. Arbëri, me shpresën se mund të ndryshonte diçka, ishte vënë në krah të nënës, edhe pse ajo ishte fajtorja e gjithçkaje. Por çdo ditë që kalonte ndihej më bosh dhe më fajtor, derisa e kuptoi se kishte gabuar dhe se i ati kishte pasur gjithë të drejtën e zotit me vete.
Shokët e shkollës kishin ikur të gjithë nga Tirana, secili drejt qytetit të vet. Shokët e skuadrës po ashtu. Atë vit ishte shpallur lojtari i vitit, por për të nuk kishte sjellë asnjë kënaqësi, sepse e kishte përjetuar shumë keq divorcin e prindërve.
Ishte vetëm 19 vjeç. Pasi kaloi sheshin para Akademisë së Arteve, u drejtua nga stadiumi kombëtar, ku e kishte lënë makinën. Mendja i shkonte herë te i ati dhe herë te e ëma. Po i afrohej makinës kur u takua me një shok të skuadrës, që kishte dalë me të dashurën dhe dukej aq i lumtur.
– Arbër, nuk ke shkuar në shtëpi? – e pyeti shoku.
Por në vend që të përgjigjej, Arbëri i shtroi pyetjen:
– Ku do ta kaloni sonte natën e Vitit të Ri?
– Ne do të jemi bashkë – tha tjetri dhe bëri me shikim nga e dashura. – Në Hotel Mondial, që organizon festën për çifte të reja. Po ti?
Arbrit i ishte tharë pështyma në gojë dhe nuk dinte çfarë të thoshte. Shoku e kuptoi gjendjen e tij dhe i bëri shenjë të dashurës ta linte vetëm. Por sapo ajo u largua, Arbërit i filloi t’i dridhej mjekra.
– Do të shkoj në Kosovë. Kam nevojë të rri vetëm. Do të jem në Hotel Sharri, në Luginën e Lumëbardhit, pak para se të mbërrish në malin e Sharrit.
– Po më ke vetëm? – tha tjetri, dhe i zgjati dorën para se të nisej.
U ndanë, dhe Arbëri mori rrugën drejt Kosovës. Gjatë gjithë udhës i vinte të qante.
I ati i kishte thënë se nuk do të shkonte askund dhe se do të ishte vetëm. E ëma i kishte thënë se Vitin e Ri do ta kalonin bashkë. Motra do të rrinte në Vjenë, po ashtu vetëm, sepse pas një muaji kishte mbrojtjen e temës së diplomës.
Asnjëra nga këto mundësi nuk i dukej e pranueshme. Të gjitha ishin një formë tjetër e së njëjtës zgjedhje.
Nuk donte të kalonte natën me të ëmën duke menduar se i ati ishte vetëm. Nuk donte të shkonte te i ati duke ndier se po braktiste të ëmën. As nuk donte të shkonte te motra, sikur largimi i tij të mund ta zgjidhte atë që nuk kishin arritur ta zgjidhnin prindërit.
Ishte vonë kur mbërriti në hotelin bosh, në shpatin e malit të Sharrit, ku ishte vetëm pronari me familjen e tij, që me sa dukej do të festonin aty pa asnjë mysafir tjetër. Nuk deshi të hante e të pinte asgjë. E parkoi makinën dhe u ngjit në dhomën e tij, në katin e dytë. Nga dritarja shihte vetëm errësirën e malit dhe flokët e borës që binin ngadalë. Diku larg dëgjoheshin krisma të izoluara fishekzjarrësh. Ishte një natë feste për të tjerët, por për të dukej sikur gjithçka kishte ndaluar.
⁂
I ati i kishte rënë disa herë telefonit për ta uruar për Vitin e Ri, por telefoni ishte jashtë mbulimit. Kështu, pas mesnate, i ra njërit prej shokëve më të ngushtë të Arbërit, pikërisht atij djali që me të dashurën do të festonte në Hotel Mondial.
– Gëzuar, babi i Arbërit! Po mos u merakos: Arbëri ka shkuar në Kosovë dhe do të jetë në Hotel Sharri, në Luginën e Lumëbardhit.
– Po me kë ka shkuar?
– Më vjen keq, por ka shkuar vetë. Më tha se kishte nevojë të rrinte vetëm.
E uli telefonin dhe i tronditur mendoi për atë që po ndodhte. Ah, si qenka jeta! Vetëm, në malin e Sharrit. E njihte atë hotel, sepse sa herë që kthehej nga Universiteti i Tetovës, ndalonte aty për një kafe ose për darkë.
Përsëri provoi t’i binte telefonit, por më kot. Doli para pallatit, ku shpërthenin me madhështi fishekzjarrët, dhe pasi ndezi një cigare, mori rrugën drejt parkingut ku e kishte lënë makinën. U nis drejt Kosovës. Tashmë ishte 1 janar dhe Viti i Ri kishte nisur vetëm një orë më parë.
Ishte një i ftohtë që të priste si brisk.
⁂
Pasi kaloi tunelin e Kalimashit, bora kishte mbuluar gjithçka. Ai vazhdonte të tymoste dhe ngiste makinën krejt i shpërqendruar.
Mbërriti pranë hotelit rreth orës shtatë të mëngjesit dhe e pa të birin, që kishte lënë hotelin herët dhe nuk dinte ta drejtonte makinën në atë rrugë me borë. Sapo niste të ecte, makina mbështetej në bordurat e anëve të rrugës. Ai ndaloi para tij dhe doli nga makina, por nuk foli asnjë fjalë.
– Gëzuar Viti i Ri, Arbër.
Tjetri nuk foli. Përpiqej të fshihte përlotjen, ndaj e uli shikimin sikur po shihte diçka poshtë makinës.
I ati nuk e zgjati. Nxori telefonin dhe u telefonoi dy studentëve të tij në Universitetin e Prizrenit. Pasi i uroi për Vitin e Ri, u tha se kishte nevojë për ta, sepse kishte mbetur në rrugën që të çon drejt malit të Sharrit. Nuk vonuan. Ata mbërritën dhe, të stërvitur me këto punë, i shfryrën pak gomat. Njëri prej tyre mori makinën e Arbërit dhe e nxori nga rruga e mbuluar me borë, ndërsa tjetri e ndoqi me makinën e vet. Në të ftohtin e mëngjesit, i ati dhe i biri u drejtuan së bashku me ta drejt Prizrenit.
– Profesor – i tha njëri prej tyre kur mbërritën – ju erdhët se erdhët. Hajde kaloni me ne. Ja, edhe djali. Pimë një kafe dhe urojmë njëri-tjetrin.
Por ai e kundërshtoi me mirësi.
Pasi u ndanë me studentët dhe ia fryn gomat sërish, nisën rrugën drejt Shqipërisë, njëri pas tjetrit: i ati përpara, Arbëri mbrapa. Kur mbërritën te karburanti në Blinisht, ai bëri shenjë të ndalonin.
Vendi ishte bosh. U ulën pranw një tavolinë Brenda lokalit. Kafet erdhën dhe u ftohën pa i prekur askush. Për disa çaste nuk folën. Jashtë, bora mbulonte ngadalë makinat. Pastaj i ati pyeti:
– Pse?
Tjetri e uli shikimin.
– Po çfarë të të them? Tek mamaja nuk doja të shkoja.
– Pse nuk erdhe tek unë?
– Po as tek ti nuk doja të vija.
– Po pse atëherë nuk shkove në Vjenë, tek motra?
– Nuk ju kërkova të rrinit bashkë. Nuk ju kërkova as t’i harronit ato që i bëtë njëri-tjetrit. Vetëm… – Mori frymë thellë. – Secili donte që unë të isha me të. Mami më thërriste tek ajo. Ti më kërkoje të kuptoja arsyet e tua. Dhe unë nuk dija çfarë të bëja. Nëse zgjidhja njërin, ndihesha sikur tradhtoja tjetrin.
Fshiu sytë me pëllëmbë.
– Sonte të gjithë kishin dikë. Unë nuk dija ku të shkoja. Jo sepse nuk ju dua. Por më dhemb të jem me njërin duke menduar për tjetrin. Nuk dua të zgjedh. Nuk dua të jem arsyeja e dhimbjes së askujt.
– Dëgjo, babi – tha Arbëri, pasi mori frymë thellë. – Unë e di se ti e ke të drejtën e zotit me vete. Por po të pyes unë: edhe pse ke të drejtë, ti e ke divorcuar mamanë time. Sado gabim që ta ketë ajo, sado të ketë gabuar, ajo është mamaja ime. Dhe ti e ke divorcuar.
– Unë nuk po të kërkoj të kthehesh me të. Nuk po të kërkoj as ta falësh.
Për një kohë të gjatë i ati nuk tha asgjë. Jashtë, era e ftohtë përplasej pas xhamave e kafnes. Vështroi duart e veta dhe pastaj të birin.
– E kam divorcuar – tha më në fund, me zë të ulët. – Dhe nuk ka rrugë që ta bëj të duket ndryshe. Por një gjë të them: nënën tënde e kam humbur, ty jo. Dhe nuk të lë më vetëm, as sonte, as asnjë natë tjetër.
Arbëri nuk u përgjigj. Zgjati dorën mbi tavolinë dhe e vuri mbi të tijën.
Jashtë vazhdonte të binte borë. Në xhepin e Arbrit, telefoni i ndezur sërish filloi të dridhej. «Mami».
Ai e nxori, e shikoi edhe, njw herë, pa u përgjigj.
Atë mëngjes kishte kuptuar se shtëpia nuk ishte domosdoshmërisht një adresë, as një çati ku të ktheheshe. Ishte vendi ku nuk duhej të zgjidhje kë të doje.


