Rreth librit “Intervistë me vetveten”, të autorit Gëzim Bara…

0
2051
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Para disa ditësh ditësh më ra në dorë libri i Prof. Asc.Dr. Gëzim Bara. Me Gëzimin më ka njohur intekektuali, shkrimtari, poeti dhe botuesi i mirnjohur tiranas, Rexhep Çullhaj. Xhepi na mbledh aty në librarinë e tij “Fabler” në Institut, e cila është shndërruar edhe në një “dhomë studimi”, pasi njihemi me librin e ri dhe shpesh përfshihemi në “vorbullën” e debateve. Në një ditë të bukur gushti u gjendëm aty, pimë kafe, biseduam gjatë… Mirë që na mblodhe, – i them me të qeshur unë, por e vështirë është shpërndarja jonë…

-Jo thotë Rexhepi, mirë jemi, në punë jam unë, por shihe pak librin e ri të Gëzimit “Intervistë me vetveten”. Pasi ma dha librin i bëra një shfletim të shpejtë diagonal dhe më pëlqeu shumë. A ke kopje të tjera – e pyes unë? -Po më thotë. Do ta blej një copë, i them unë, pasi libri qenka i shkruar bukur dhe secili nga ne duhet ta ketë një libër që ruan kujtesën historike dhe “çimenton” traditat. Ndërhyn Gëzimi merr një libër të tij dhe ma dhuron me dedikim. I falenderoj të dy, Rexhepin për kujtesën dhe Gëzimin për librin e dhënë…

Që në kontaktin e parë, sapo hap kapakun e parë të librit, të bien në sy tre falenderime, njëri më i mirë se tjetri. Dhe pa e hapur librin të shtyn kureshtja se çfarë është në brendësi të kapakut të fundit? Edhe këtu katër falenderime të tjera… Sa bukur! Falenderimi është mirnjohje! Mirnjohja është virtyti më i lartë njerëzor! Autori në çdo faqe të librit, është treguar mirnjohës për të gjithë atë rreth njerëzish që e kanë ndihmuar, duke i dhënë këtij libri një dimension tepër realist dhe njerëzor. Këtë mirënjohje të brendëshme të akumuluar në kohë që nga fëmijëria e tij, dhe deri tani, e ka shprehur shumë bukur nëpërmjet falenderimeve, ku spikatin, falenderimi:

– Për prindërit, jo thjeshtë si dy qenjet më të rëndësishme për të dhe fëmijëve të tjerë, por edhe më shumë për atë çka bënë Ato, për ne fëmijët, shprehet autori. E ku ka më bukur se sa vlerësimi për prindërit. Ato janë dhe mbeten të pazëvendësueshëm…
– Për familjet dhe personat e cituara në libër, të cilët i janë gjetur në krahë familjes dhe vetë autorit të librit, Gëzimit. Jeta e Gëzimit dhe e familjes së tij ka kaluar shumë peripeci gjatë kohës së regjimit të kaluar. Të tilla sfida kanë kaluar shumica e të gjitha familjeve shqiptare. Kudo mbijetonte varfëria e skajshme dhe lufta për mbijetesë…

– Për veten e tij. Autori duke u lindur, rritur dhe duke u shkolluar në atë sistem, nuk mund të përjashtohej nga e gjithë shoqëria por ishte pjesë e saj. Lufta për “mbijetesë” fillonte nga problemet e shumta që vinin nga varfëria e madhe e shumicës së popullsisë në atë kohë, dhe vinte deri tek sakrificat e mëdha që bënte familja për shkollimin e plotë të fëmijëve të tyre. Gëzimi përshkruan qartësisht dhe imtësisht ecurinë e tij që nga fëmijëria, gjendjen e dobët ekonomike të familjes, kushtet e vështira të jetesës, sidomis në zonat malore, mbarimin e arsimit tetëvjeçar, të mesëm, të lartë dhe deri tek arritjet më të fundit si pedagog në disa fakultete. Gëzimi është modeli i mësuesit dhe intelektualit të suksesshëm që i ka kaluar të gjitha stadet e arsimit dhe shkollimit duke arritur në majat e arsimit duke punuar si pedaog dhe duke fituar edhe gradat shkencore në profesionin e tij.

-Për vëllezërit dhe motrat e tij, për harmoninë që e ka karakterizuar familjen e zgjeruar gjatë viteve, respektin reciprok midis tyre, ndihmën e dhënë njëri tjetrit, dhe përpjekjet e tyre për të arritur në stadin ku gjenden sot.

-Për gruan e tij Diamanta, tre fëmijët, nipërit dhe mbesat. Pranë një burri të suksesshëm qëndron një grua fisnike. Kështu ka ndodhur edhe me bashkëshorten e tij e cila gjatë gjithë kohës i ka qëndruar pranë, duke shtuar këtu se ajo ka qenë modeli i një punonjëses në shëndetësi, që ka kontribuar në zona të vështira, si Lurë, Peshkopi, Durrës, etj.Të dy kanë kaluar së bashku, një jetë plot vuajtje dhe sakrifica, plot gëzime dhe hidhërime, dhe mbi të gjitha kanë krijuar një familje të mrekullueshme me fëmijë model, që ecin në gjurmët e prindërve të tyre…

Duke shfletuar librin nga faqja e parë deri tek ajo e fundit të bien në sy, vuajtjet dhe sakrificat sublime të familjes, prindërve, autorit të librit dhe gjithë familjes për mbijetesë gjatë regjimit të kaluar. Autori përshkruan me mjeshtëri edhe arritjet e tij dhe familiarëve të vet para dhe pas viteve ’90. Në këtë aspekt ai dhe familiarët e tij me punë të përkushtuar dhe me djersën e ballit kanë arritur rezultate mbresëlënëse në aspektin ekonomik, shoqëror dhe human. Parathënjen e librit e ka bërë në formën e një “skaneri” tepër objektiv e të hollsishëm, shkrimtari, poeti, fabulisti, publiçisti dhe botuesi i mirnjohur, Rexhep Çullhaj. Unë nuk kam çfarë të shtoj më gjë tjetër rreth librit përpos vlerësimeve të tij…

Por duke e lexuar librin “Intervistë me vetveten” të autorit Prof. Asc. Dr. Gëzim Bara, do të vë në dukje shkurtimisht disa nga mesazhet që përcjell autori Bara, në të. Megjithëse libri është monografi familjare, autori ka ditur të përçoj vlera jo vetëm tek familiatët dhe fisi i tij por edhe tek lexuesi i gjerë. Problemet me të cilat është ballafaquar familja e Gëzimit, nuk janë vetëm të tij por të gjithë shoqërisë. Parë në këtë aspekt, shoqëria e atëhershme por edhe kjo e sotmja janë përballur dhe përballen me këto vështirësi dhe ecin përpara drejt progresit, drejt zhvillimit. Një nga bazat e progresit për autorin është shkollimi…

Ai i’u ka përkushtuar tërësisht atij, dhe në të gjitha ciklet e shkollimit ka arritur rezultate shumë të mira. Dhe jo vetem kaq por edhe fëmijët e tij kanë shkëlqyer në shkollë dhe kanë ecur shumë në jetë. Dhe nuk ka si ndodh ndryshe, kur vetë Gëzimi shprehet: “…Këtu dua të theksoj se shkollimi ka qenë dhe do të mbetet tërë jeta ime…”. Dhe nuk ndalet këtu për arsimimin. Ai nuk jep vetëm “leksione” teorike por i ka të vërtetuara në praktikë ato. Në këtë drejtim autori, Bara, përcjell në breza vlera njohëse, humane, historike, dhe edukative tek lexuesi. Vlerësuar kështu libri i kalon kufijtë e familjes dhe fisit dhe është shumë i vlefshëm si model për lexuesin në përgjithësi. Përse? Mendoj se, faktet dhe mendimet që trajton autori në libër janë pjesë përbërëse e çdo familje e gjithë shoqërisë, dhe aq më tepër për shoqërinë e sotme e cila po vuan shumë nga tranzicioni i gjatë dhe shumë fenomene negative të shfaqura në këto 32 vite.

Libri ka vlera historike pasi ai do shërbej si model i gjenealogjisë të familjes, pse jo edhe të fisit, në vite. Ajo me kohën lëshon rrënjë dhe shton degëzimet dhe si e tillë ka nevojë për plotësime të reja nga brezat e ardhshëm. Për këtë Gëzimi ka dhënë modelin dhe të tjerët duhet ta ndjekin. Por ky libër, monografi familiare, shërben si një nga modelet e mundëshme për hartimin e monografive për familje e fise të ndryshme.

Libri për brezin e ri dhe gjeneratat e ardhëshme ka vlera njohëse pasi pasqyron në mënyrë objektive gjendjen ekonomike e shoqërore të familjes së tij, dhe për rrjedhojë të shoqërisë shqiptare gjatë regjimit të kaluar me arritjet dhe dështimet e tij, me anët pozitive dhe negative të tij. Për këtë autori shprehet: …”Jeta ishte mjaft aktive ndonëse ishim në fshat dhe zona të thella, interesi për shkollën ishte i lartë, rrallë mund të gjeje fëmijë që nuk shkonte në shkollë. Mësuesit ishin shumë të përgatitur dhe të përkushtuar, prindërit në përgjithësi ishin shumë të interesuar për shkollimin e fëmijëve të tyre…

Kultura dhe edukata ishte shumë e lartë, ku ne si nxënës shfaqnim një kulturë dhe edukatë shumë të lartë ndaj mësuesve, prindërve, me të rriturit, ku sot për fatin e keq ka një rënje të theksuar të këtij fenomeni”. Ky qe realiteti i atyre viteve për arsimin dhe kulturën. Gëzimi e ka pasqyruar në mënyrë shumë objektive këtë realitet dhe unë ndaj absolutisht të njejtin qëndrim me të. Arsimi i atyre viteve, duke hequr politizimet e skajshme edhe në mendimin tim qe shumë i mirë. Ne si të rinj të atyre viteve nuk merrnim “kartona”, por dije dhe kulturë. Nga ana tjetër gjendja ekonomike qe shumë e vështirë, në periudha të veçanta e rëndë dhe shumë e rëndë. Autori për këtë shprehet: “Kujtoj që gjendja ekonomike ishte e rëndë, kishte mungesa të theksuara në pajisjet shtëpiake, fjala mobilim në atë kohë nuk njihej, kishte mungesa në veshmbathje dhe në të ushqyerit…”.

Pavarësisht gjendjes ekonomike të vështirë, përparësi për autorin qe shkolla. Gëzimi, ia arriti qëllimit duke arritur të bëhet profesor universiteti në botën akademike dhe të ketë një edhe dy botime shkencore, si: Biokimia mjekësore; dhe Testim me zgjedhje ushtrimesh në biologji. Po kështu Ai është autor i dhjetra artikujve shkencot të botuara në revista shkencore. Po kështu Gëzimi është pjesmarrës dhe referues në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Gëzimi njeh dhe dy gjuhë të huaja; anglisht dhe rusisht. E pavarësisht këtyre arritjeve të mëdha të tij në aspektin profesional, Gëzimi mbetet njeriu njeriu model që në tërësinë e qenies së tij mbetet mirnjohja.

Kështu megjithëse kanë kaluar dekada ai kujton me nostalgji mësuesit e tij, atë të klasës së parë të ndjerin Ismail Pira, dhe më pas mësues të tjerë si; Manushaqe Cera, Mois Cami, Qani Kadriu, Bashkim Lala, etj. Krahas këtyre mësuesve që i dhanë mësim dhe e ndihmuan të bëhet ai që është sot, ai përmend disa kuadro te tjere të kohës, që e ndihmuan dhe i dhanë shtysën e parë për shkollën dhe jetën. Mirnjohja është një ndjenjë e brendëshme, që kur pasqyron në libër, sikurse Gëzimi, merr vlerë të madhe njerëzore… Sa bukur do ishte që kjo ndjenjë mirnjohje të bëhej “pronë” e shumicës së shoqërisë shqiptare sot! Duket e vështirë apo thuajse e pamundur. E megjithatë unë mendoj se shoqëria do tu rikthehet vlerave… Bazë për këtë mbetet familja.

Libri i Gëzimit nga fillimi deri në fund, me mënyrën si e ka trajtur librin Ai, ka shumë vlera edukative për brezin e ri. Porosia e autorit për të gjithë ato që e lexojnë këtë libër do ishte:
▪︎ Kurrë mos u bëj pesimist pasi ka shumë rrugë për të arritur deri te suksesi.
▪︎ Kurrë mos u mëso me lëmoshën e të tjerëve.
▪︎ Kurrë mos u dorëzo para vështirësive.
▪︎ Kurrë mos e ndal kërkesën ndaj vetes për të arritur maksimumin e duhur.
▪︎ Kurrë mos u tërhiq nga vështirësitë pasi përballimi i tyre të çon drejt progresit.

Përfundimisht mund të themi se libri “Intervistë me vetveten” i autorit Gëzim Bara përçon vlera për brezin e ri, shpreh mirnjohje për familjarët, për shokët e miqtë dhe forcon kujtesën historike të gjeneratave që do pasojnë…

Ibrahim Kabili
Tiranë më 17.09.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.