PLAGA E DHJETË ME HËNËN

0
642
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

(Ringjallja në prehërin
e Cucës Boheme
)

Në shtëpinë tonë kurrë! Edhe sot
Nuk është mbajtur Zi. Heu!
Edhe kur ramë në luftë. Jetë
Njëherë lindet. Njëherë vdiset.
Edhe pse: Unë linda dy herë
Dhe, njëherë vdiqa. Nuk e di Imzot!
Edhe sa herë do të vdes. Ringjallem:
Në prehërin e Cucës Boheme. Nën Rrap
Me dy shtamaverë. E një qiri mbi kokë.

Unë nuk vdes. Nuk më mbyt helmi
Nuk më zë plumbi… Zjarri… Uji…
Cuca Boheme për mua është Vdekja
Që më jep gji. Verë nga ato dy shtama
Varrin ta ngarkoj në shpinë. Veten
Ditën e Mdhe. Natën pas Hënës plotë…

(Lotin Tënd
nën Rrap e pi
)

Njëqindvjet nën Rrap. Hije
Me dy shtama verë. Pa ty:
E përcolla Natën. Ferexhezezën.
E pres Ditën e Mdhe. Koçinë
Ta vras Veten i ri nën Rrap!

Njëqindvjet nën Rrap. Hije
Loti Shën Mërisë në sy. Faqe:
Më dha fuqi. Verë për Luftë
Si Muji e Halili. Kreshnikë.
Nesër, ta shterë gjithë detin
Oqeanin ta ngrej me fund dolli.

Njëqindvjet nën Rrap. Hije
Ditënatë lotin Tënd pi. Dolli.
Mesnatë, ringjall Veten. Gjokun
Me dy shtama verë. Një qiri.
Nga varri im me libra. Nata
Hëna e plotë, moti më jep gji…

(Plaga e dhjetë
me Hënën
)

Nëntë vjet e mbyta Veten me verë
Gjithë Natën duke shkruar poezi.
Mëngjes. I zgjuar me Hënën.

Nëntë vjet ndeza një qiri
Me Hënën e plotë mbi Liqe.
Jerm mes shtamave me verë.

I çmendur pak para agimit
U zgjova nga varri im me libra…

(Zbutja e Ulkojës)

Gjithë Natën do të të mbaj zgjuar
Nën dritën e një qiriri. Hënës.
Duke të larë me verë nga mëkatet
E mbuluar me poezi. Serenata
Nesër, që të të zgjoj nga gjumi.

Gjithë Natën nëpër dhomë
Do të hudhi zingjirë. Unaza:
Të të zgjidhë nga magjitë
Xhindet e pashpirtë. Pashterkëkuqja.
Që, të hudhin dorën më dorë
Çati mbi çati majë lisave. Plepave
Duke të dhunuar mes librave.

Gjithë Natën në Tyrbe. Rrëzë Çukës
Mbi varrin e Babashehut
Do të t’i përzë xhindet
Duke ta varë një hajmali përqafe.
Kurrë më, mos të të zënë magjitë
Dhe, zbusi në shtrat. Heshti
Ulkojë e tërbuar. Lehonë
Për të cilën nuk ka zingjirë
Së paku ta lidh nyje: Një Natë…

(Dhomë për Ty
dhe Veten
)

Marrë dhomë për Ty
Me pamje nga Hëna
E fytyrë nga Dielli.
Veten varros mes mureve
Me armën time në brez
Ta vras sonte Vetminë.

Dhoma e ngushtë për varr
Nuk më nxë mua, as Ty?!
E varros Veten mes dy gjinjve.

O Imzot, kush thërret në minare
Kaq vonë: Nuk ka tjetër Parajsë…

(Cuca Boheme është
Partia ime politike
)

Mbylleni gojën trusakatë! Heshtni
Kurrësesi nuk mund t’ju kuptoj!
Dje, sot… Dhe, nesër “patriotë”
Ehu! “Kuqezi” të Nënës Parti.

Mbylleni gojën! Heshtni
Dje, komunistë. Trusakatë.
Sot, “ballistë”. Trusakatë
Nesër: MUT… Hale Oborri…

Cuca Boheme është Partia ime politike…

(Jetë lugati)

E marr në telefon. Paradite
Alo, mirëdita! Ulkoja?
– Alo, Ujku – më përgjigjet.
Po, i them. Ende je në gjumë?
– Ja, sa u zgjova. E pres radhën në banjo.
Jeta, i them të kaloi në gjumë
E bënë jetën e Lugatit.
– Po, qeshet. Bëhu viktima ime
Gjithë Natën të ta ha qafën! Veshët.

O Imzot, i them: sa jam i pafuqi! Që, sa
çel e mëshelë sytë të bëhem viktimë…

(Sonte Hëna
ka hëngër darkë
)

Moti s’e kam parë Hënën. Nuse
Edhe Ajo s’më ka parë në verandë.
Në breg të Liqenit duke pirë verë
Pranë një qiriri të ndezur
Dhe, Mikes të pagjumë.

Po. Moti nuk e kam parë Hënën
Si ato net ashtu kulaç mbi Liqe.
Siç thonte nëna ime në Katund:
“Sonte Hëna ka hëngër darkë…“

(Nuk e di)

Nuk e di ç’kisha bër për Ty. Nesër
As Ti për mua mbi varr. Rrëzë Çukës.
Natën e gjykimit kur më merrni në pyetje
Pa dy shtama me verë të kuqe. Rrapin.
Dhe, pa Ty. Qiririn e ndezur mbi kokë
Zonjën Vdekje me të cilën ngrita dolli.

Nuk e di. Vërtetë, nuk e di. Nesër
Kush cilin do ta ngrente nga varri…

(I ngopur me heshtje)

– Ti, më tha je hermetik. Qesha
Jo. Unë jam enigmë. Ujk.
Të gjithë më mohuan. Edhe unë:
Të gjithë i mohova. Shava.
Cuca Boheme më ringjalli. Ngriti
Nga varri. Nuk guxon, më tha:
– Të vdesish pa u njohur me mua.
Lamtumirë pa më thënë. Tungjatjeta
Në librin: “Loja e syve”. Rrapi…

(Rrapin e kam Tyrbe)

Rrapin e kam Tyrbe. Vera
Nën te rrjedhë lum. Pini!
Unë jam i bekuar. Zbrita nga qielli
Cuca Boheme me dy Shtama verë
Dje, më ktheu në jetë. Ringjalli.
Poezinë e kam grua. Cucën Boheme
Dashnore. Që më vodhi nga Vdekja.

E më ktheu përsëri nën Rrap. Tyrbe…

(Tungjatjeta
o Rrap i vetmuar
)

Gjatë Kryengritjes shqiptare në Maqedoni
Shkupi u zbraz. Ikën “patriotët” kuqezi.
Sy më sy mbetëm: Unë, Rrapi
Dhe, Zonja Vdekje në “Liri”…

Nesër, do të ik edhe Unë. Vdekja
Tungjatjeta, o Rrap i vetmuar!…

(E djeg edhe Veten)

Vjeshta e shkund Rrapin. Medet
Unë një gjeth ia varë në degë.
E vesh për dimër. Stuhi rrugaçe
Cuca Boheme zhvishet në shtrat.
Zjarr ka. Djersët i shkojnë çurg
Ndihmë i thirrë të gjallët e të vdekurit.
Digjet. Përpiqem ta shuaj gjithë Natën
E djeg edhe Veten. Ringjallemi…

(Qyqe e lagur
në shi
)

E takoj në Prishtinë. “Toskana”
Më thotë: Të kam dashur. Vonë
I them. E kam gjetur një tjetër.
Më përgjigjet: Kurrë nuk mund
Të gjejsh më të mirë se unë.
E kam gjetur, i them. Ulkojë
Vërtetë? Po. Edhe më të bukur.

E ulë kokën. Qyqe e lagur në shi…

(Qiriri i Shën Mërisë)

Vdiqa në Voskopojë. U zgjova në “Xhenet”
Pleq. Plaka dhe lule vjollce.
U thash: Dërgomëni në “Xhenem”!
Nuse të reja dhe Cuca. Zjarr
Verë dua! Verë. Jo, më thanë është “haram”.
Atëherë më ktheni në “Xhenemin” e vërtetë
Vera kur rrjedhë nën Rrap lumë.
Dhe, më kthyen. U ringjalla te Lumi.

Unë jam qiriri i Shën Mërisë Virgjër
E pi lotin e saj me shtama nën Rrap…

(Ikja mes nesh)

Ike nga Unë. Ika prej Teje larg
Vetëm vera nuk ikë. Rrapi.
Lakuriq u varrose përpara “Ilirisë”
Me një gji jashtë për poetët. Bohemët
Që, ende nuk ikin nga Rrapi. Atdheu.

Pagjumësi. Verë pi gjithë Natën
Dhe, lexoj libra. Shkruaj poezi.
Vetmia ma hap derën. Dritaren
Frikë. Unë natën hyj nga oxhaku.

Harromë mua, më thotë. E harrova
Vdiqa. Loti i saj më ringjalli nën Rrap…

(Mos pyet)

Mos pyet ku e kalova sonte Natën
Ditën. Unë jam Bohem i vonuar.
Mjafton nën kokë ta kem një poezi
Dy shtama me verë. Dhe, një Mike.

Mos pyet ku e kalova sonte Natën
Rruga për mua është shtrat. Rrapi.
Këmbët e Urës Gurit më i miri Han
Gjithë Natën ku pihet vera. Loti.
Në breg të lumit ku rrezitem Unë
Mikja. Dhe, Hëna e plotë shtatëzanë…

(Rreth Teje)

Rreth Teje sillet Hëna. Vera
Që, rrjedh nga ato dy shtama.
Unë. Edhe Rrapi në verë.

Vetëm Vjeshta ikë prej Teje. Gjethi
Rrugën t’ia lëshoj Dimrit. Stuhisë…

(Ngushtë për tu shtrirë)

E dëgjoj “Hej Xho” të Xhimi Hendriksit
Diskun që ma dhe Ti. Shpërblim
Për mjeshtër në poezi. Dashuri.
Ngushtë për tu shtri në shrat
Dhe, kthehem vite më parë në “Gërmi”.

Dëshprohem. Nuk është ai Qytet
Ajo “Gërmi”. Edhe gratë azgane.

Që, natë e ditë më jepnin gji…

(Unë jetoj)

Unë jetoj me poezinë. Verën e kuqe
Dhe, Miken. Që për mua s’janë “haram”.
Tjetër është ajo. Që, ju doni Parajsë
E Unë Ferr. Të digjem në zjarr.

Unë jetoj me verën e kuqe. Dallgë…

(E bukur je
në shtratin Tim
)

Shtrati im është parku. Një karrige
Rruga. Dhe, pse jo edhe një livadh.
Ferrë me dy-tre duar bar nën kokë
Dimrit kur fryn. Dëborën e kam zjarr.

Mos u tremb! Me vete i kam poezitë
Natën të mbuloj këmbë e kokë.
Fli rehat. E bukur je në shtratin tim…

(Hëna e sheh
Veten në Ty
)

Unë nuk kam pasqyrë. Vetëm verë
Rrapin. Dhe, libra të rrezikshëm.
Hëna e sheh veten në Ty. Ujë
Unë e nxjerrë Kalosh Çelikun nga shtamat
E fus në shtrat me Hënën. E mbys në Liqe…

(Nënë zgjomë)

Nënë zgjomë! Trutë mi lulëzoi vera
Jam i keq. Dhe, gratë i dua!
Burrat s’më duan. As unë s’i dua
Vetë jam hajdut edhe kaçak.
Gjithë jetën kam vjedhur gra
Ditët i kam kaluar nën Rrap. Netët
Në Han me Ulkoja që hanin të gjallë.

Nënë zgjomë! Trutë m’i lulëzoi vera
Jam i keq. Dhe, gratë i dua!
Burrat s’më duan. As Unë s’i dua…

(Unë s’di gjë)

Shpesh më pyet për Miken:
– Është e prapë në shtrat?
Vjeshtë. Gjethin kur e ka në dorë?
Unë i përgjigjem: s’di gjë.

– E, a është kjo Cuca Boheme
Loti i së cilës të ringjalli nën Rrap?
Unë s’di gjë. Vërtetë është e prapë.

Shtamat e Tua i ruaj për Dimër…

(Askushi më dha
një trëndafil
)

Pranverë. E kalova Natën në “Premiumi”
Mes shtamave me verë. Pagjumësisë.
Në mëngjes e pushtova Prishtinën në gjumë
Njeri të gjallë në rrugë. E përqafova një Buçë.

Hi-hii-hiii. Askushi më dha një trëndafil…

(E pashë Zonjën Vdekje
në Voskopojë
)

E ndeza një qiri në kishë. Voskopojë
Meshë bëra me poetë. U luta për Ty.
Matanë flakës e pashë Zonjën Vdekje
Buzëqeshi. Edhe ma bëri me sy.

Ia ktheva përshëndetjen. Buzëqeshjen
Edhe për Të, ndeza një qiri.

E ngrita me fund një gotë raki…

(Vdekja më deshi
më pak se Ti
)

Gjumë ende s’ka. Unë jam i çmendur
Ndodhë një ditë Vdekjen ta marr grua.
Shtëpinë ta mbush me fëmijë. Atdheun
Dhe, të flej i qetë. Nesër të ngrej dolli.
Edhe për Miken. Edhe Cucën Boheme
Vërtetë ju ishit gra të bukura. Asgane.

Vetëm, edhe Vdekja është Grua e bukur…

(Fronin Tim
s’e tund turma
)

Nuk e kthej kokën. Eci për në Baba Tomor
Turma për mua le të lehi sa të doj. Shaj.
Unë jam profet. Librave vjelli zjarr
E djeg armikun. Diell kam në ballë.

Fronin tim se tund turma. Trutharët
Po, një shikim nën vetulla. Sytë e sajë…

Shkup, 11.08.2002

Nga libri: VDEKJA MË DESHI MË PAK SE TI (2003).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.