Pse më rri ashtu, kujtueshëm?
Me laps nxirr mendimet në letër.
Në je i mallëngjyer a gëzueshëm,
mos e lër për një herë tjetër.
Ditë të mbarë, kudo qofshi,
në këtë botë përplot ngjyra.
Mos më rrini ashtu vëngër;
më mirë dukeni kur ju buzëqesh fytyra.
Edhe pse ne shpesh na duket
e tërë bota bardh e zi,
në mes tyre, gati pa u diktuar,
lulëzojnë shumë fusha gri.
Nuk jam i lindur
të jap këshilla me çdo kusht.
Sa mirë sikur secili t’i mbante
hallet e veta në zemër a në grusht.
Ç’ngjyrë a ç’fushë do të zgjedhim,
në do të jetë e bardhë, e zezë a gri,
unë do ta mendoj për vete;
vendos për vete edhe ti.
Bekim I. Blaku
Berlin, 29 maj 2026
Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar











