Tregim nga Rexhep Çullhaj.
Rroftë fotografia
Nuk kishte kaluar më shumë se një vit nga zgjedhjet parlamentare. Në studion time të punës, pranë librarisë, hynin e dilnin kandidatë për deputetë të zonës. Ishte periudhë fushate; buzëqeshje, premtime dhe shtrëngime duarsh pa fund. Një ditë erdhi një grup i madh me kamera. Në krye ishte një ish-deputet, — Mirë se erdhët! — u thashë. — Po ç’mirë na prite! — ma ktheu njëra nga shoqërueset. — Ju e dini pse kemi ardhur, apo jo? — shtoi ajo me buzëqeshje. — Po, po, e di, — iu përgjigja. — Problem votash. Qeshën. — Do të shkojmë patjetër te qytetarët, — tha kandidatja. — Mirë bëni, — i thashë. — Por para se të shkoni, po ju jap katër këshilla. Nëse fitoni, mos i harroni:
1. Kujdes me korrupsionin. 2. Kujdes me nepotizmin. 3. Kujdes me arrogancën; pushteti të fryn më shumë se tullumbacja. 4. Kujdes me taksat tona, sepse janë djersa e qytetarëve. Kandidatja buzëqeshi dhe më falënderoi. Pastaj më pyeti: — Si po ecën puna me librin? — Nuk po ecën shumë, — i thashë. — Tani të gjithë janë përqendruar te votimet. Hodha sytë nga grupi i tyre dhe shtova: — Ju jeni mbi njëzet veta këtu. Asnjëri nuk bleu një libër. Ra një heshtje e shkurtër. Disa qeshën me siklet. Në fund bëmë edhe një fotografi kujtimi. Kamera shkrepën, buzëqeshjet u ndezën dhe secili vazhdoi rrugën e vet.
Sot ka kaluar një vit. Asgjë nuk ndryshoi nga ato që thashë atë ditë. Korrupsioni vazhdon, nepotizmi po ashtu, arroganca duket edhe më e madhe, ndërsa taksat tona vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët. Premtimet ikën me erën e fushatës. Fotografia mbeti. Dhe sa herë e shoh në studio, më duket sikur më flet: “Ne erdhëm për vota; ti na prite me këshilla. Ne harruam këshillat; ti ruajte fotografinë.” Prandaj sot mund të them vetëm: Rroftë fotografia! Se ajo, të paktën, mbajti fjalën dhe mbeti aty ku ishte. Golem 13 07 2026
Poezi nga Rexhep Çullhaj…
Miqtë e mi në heshtjen e librarisë…
Në Tiranë e në Kamzë kam ngritur dy strehë,
jo me gurë e me mure, por me fjalë e me jetë.
Janë librari normale por brenda tyre rreh një botë e tërë
që s’njeh kufi e as rrëzë.
Një ditë rrija i qetë mes rafteve të mia,
dhe heshtja më fliste me zërin e poezisë.
Më erdhën miq nga larg, nga toka të panjohura,
me zemra të mëdha e me ëndrra të përbashkëta.
Kam miq nga Kina, me May-in pranë,
anglezë e gjermanë, kanadezë e grekë,
italianë, rusë, çekë, kosovarë,Amerikan,
një familje e madhe që s’ka derë e prag.
Në duar mbaj Niçen, që mendimin ndez,
Ahmatovën, që lotin e kthen në këngë,
Pushkinin me shpirtin rus të zjarrtë,
Gëten me dritën e urtësisë së artë.
Hanri Bel, Kazanzaqis e Esenini,
Shekspiri që botën e futi në varg,
Bënsi e të tjerë zëra të pavdekshëm,
më rrinë pranë si miq të një zemre të bardhë.
Sa bukur është të mos jesh kurrë vetëm,
kur rreth teje jetojnë mijëra shpirtra.
Një libër hapet dhe një derë hapet,
një faqe kthehet dhe një botë lind.
Kënaqem që i kam këta miq të heshtur,
dhe më shumë gëzohem që ata më kanë mua.
Sepse librat nuk janë vetëm fjalë në rafte,
janë zemra që rrahin bashkë me zemrën time.
Dhe në dy libraritë e mia dinjitoze,
mes Tiranës e Kamzës plot dritë,
unë ruaj thesarin më të madh në botë:
miqësinë e njerëzimit në një libër të hapur.










