Gani I. Mehmeti
Pas reagimit të Listës Serbe dhe nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë lidhur me 9 të arrestuarëve sot në Zubin Potok.
“Ky nuk është një proces ligjor, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje, por hakmarrje dhe mënyra e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit për përndjekjen e serbëve. Fakt është se serbët në Zubin Potok muajt e fundit janë nën një terror të tmerrshëm që të kujton një pushtim”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Zatën, nuk kanë çfarë të thonë më shumë se ta marrin si «terror të tmerrshëm, që të kujton një pushtim », siç shprehet Lista Serbe. Ata janë mësuar vetë të bëjnë terror mbi shqiptarët po edhe mbi popuj të tjerë të ish republikave jugosllave, dhe tani mendojnë se edhe në Kosovë bëjnë terror. Jo, ky nuk është terror, ata vetë e dinë se çfarë kanë bërë mbi popullsinë shqiptare, prandaj, në raste të tilla, nuk ka asgjë më shumë sesa të arrestohen kriminelët e luftës që vranë njerëz të pafajshëm dhe në mënyra më çnjerëzore.
Është edhe shprehja «që të kujton një pushtim»! A thua për çfarë pushtimi është fjala këtu? Zubin Potoku dhe krejt veriu i Kosovës është i Kosovës dhe në Kosovë, prandaj nuk ka për çkas të bëhet fjalë këtu për kurrfarë pushtimi. Thanë se është edhe “hakmarrje”. Po të ishte në hakmarrje, ata do të vriteshin, do të eleminoheshin nga jeta, nuk do të arrestoheshin e as do të paraburgoseshin. Ndalimi i kriminelëve nuk është hakmarrje, është zbatim i ligjit ndaj keqbërësve, ndaj vrasësve dhe nuk ka të bëjë këtu asgjë me hakmarrjen. Këtu ka të bëjë me kriminelët e luftës, dhe, natyrisht, kriminelët nuk do të falen.
Do të dalin përpara drejtësisë dhe sipas peshës së tyre kriminale do të marrin dënimet. Nëse ka të pafajshëm, do të lirohen. Por, kur është fjala tek “hakmarrja”, nuk e kanë keq, sepse me këtë, pranojnë vetë krimet që i kanë bërë, dhe tani mendojnë se edhe do të bëhet hakmarrja, por jo. Ne nuk hakmirremi me jetë në kohë paqeje. Mjafton që ata vetë, me këtë kuptojnë dhe pranojnë krimet e zhvilluara mbi shqipatrët dhe tani kanë frikën e hakmarrjes.
Sikur ne shqiptarët të bënim përndjekje të të tjerëve, nuk do të kishte serbë as në Serbi, madje, as që do të kishte një shtet me emrin Serbi, sepse nuk do të pranoheshin me kohë, por, pikërisht kjo, pse nuk janë përndjekur me kohë, por janë pranuar e ndihmuar nga vendasit shqipatrë, ata uzurpuan tokat tona dhe u vendosën në të, duke u zgjëruar deri këtu ku kanë ardhur me pushtime të kohëpaskohshme.
Reagim ka pasur edhe nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Edhe nga kjo zyrë është deklaruar se qëllimi i aksionit në Zubin Potok është “frikësimi dhe dëbimi” i serbëve. Kur arrestohen kriminelët, nuk ka vend për frikësim dhe as dëbim. Ata nuk janë ndjekur, nuk janë përzënë nga Kosova, ata janë ndaluar dhe asgjë më shumë. Drejtësia do të thotë fjalën e vetë.
Zyra për Kosovë ka pretenduar gjithashtu se në mesin e të arrestuarve është një person në moshën 90-vjeçare! Ai 90-vjeçari i arrestuar ka mundur të jetë kriminel para 27 vitesh, më 1999 dhe do të ketë qenë aso kohe 63 vjeç. Kjo nuk e falë kriminelin, pse sot ka 90 vite.
Në anën tjetër, duhet t’i themi kësaj Zyreje se, miku im 90-vjeçar u vra nga forcat policore-ushtarake në Koliq, si i përndjekur që ishte me gjithë birin e tij 48-vjeçar, i cili nuk po i ndahej pse ishte plak i mbetur, bashkë me shumë të tjerë, u vra edhe ai, biri i tij.
Pse kanë jetuar të arrestuarit prej dy dekadash në Zubin Potok, nuk do të thotë se ata duhet të lirohen nga ligji kur janë kriminel. Brenda mundësisë, do të arrestohen edhe kriminelë të tjerë për t’u përballur me drejtësinë.
Rreth kësaj të mos çuditen, krimi nuk vjetrohet.


