23.3 C
Tirana
E hënë, 5 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj NJË LETËR SHQIPE E DARIO BUCCIARELLIT

NJË LETËR SHQIPE E DARIO BUCCIARELLIT

0
Letër nga Dario Bucciarelli

Zef Noka

Ky shkrim shqyrton një letër shqipe të lidhun me Dario Bucciarellin, françeskan dhe argjipeshkëv të Shkupit në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Dokumenti u drejtohet meshtarëve dhe popullit të argjipeshkvisë dhe lidhet me kthimin e autorit prej Romës, takimin me Papën dhe përcjelljen e bekimit papnor. Vëmendja kryesore i kushtohet sistemit grafik historik, tipareve gege dhe dallimit ndërmjet transliterimit diplomatik, normalizimit gjuhësor dhe rindërtimit editorial.

  1. Hyrje

Dokumentet shqipe të shekullit XIX janë burime të dorës së parë për historinë e gjuhës. Në periudhën para njësimit të alfabetit, autorë të ndryshëm përdornin sisteme grafike të ndryshme. Në traditën katolike veriore u krijuen konvencione që sot duken të pazakonta, por që, kur deshifrohen, zbulojnë një sistem gjuhësor qartësisht gegë. Ndërsa letra e trajtueme këtu ka randësi të dyfishtë: si dokument kishtar e historik dhe si dëshmi e shqipes së shkrueme. Ajo u drejtohet meshtarëve dhe popullit të Kosovës dhe përmban referime ndaj Romës, Papës, bekimit, Jezu Krishtit, fesë dhe rrugës së Zotit.

  1. Bucciarelli dhe tradita e shkrimit shqip

Bibliografia e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë regjistron, më 1862, veprën e Dario Bucciarellit me titullin historik Udha e Sceites Cryc e tiera pun’ t’divocme, sckruem prei gni frat t’Sceitit Isc’ Francescut, botue në Romë, me 276 faqe. Vetë titulli dëshmon një grafi të së njëjtës familje me ato që dalin në letër: sceit-, sck-, gni dhe forma të tjera të traditës katolike gege.

Edhe në literaturë tjetër përmendet një Grammatica della lingua albanese, e hartueme prej Bucciarellit më 1858 dhe e njohun si dorëshkrim. Ka edhe burime të tjera, por, për qëllimin e këtij punimi, kemi gjykue se këto janë të mjaftueshme për me deshifrue gjuhën e përdorun prej Bucciarellit.

  1. Parimet metodologjike

Për me e pasë ma të qartë metodën e ndjekun në këtë shkrim, duhet me dallue ndërmjet tri niveleve: (1) transliterimit të shkrimit burimor, që ruen grafitë e dorëshkrimit; (2) normalizimit në gegnishte, që i kthen grafitë historike në alfabetin e sotëm pa e standardizue strukturën gege; dhe (3) rindërtimit të përmbajtjes, që krijon një tekst të rrjedhshëm aty ku origjinali nuk lexohet plotësisht.

Megjithatë, vetëm dy nivelet e para mund të përdoren si dëshmi të drejtpërdrejta për formën gjuhësore të dokumentit. Ma poshtë paraqiten disa krahasime të nxjerra nga letra në fjalë.

  1. Sistemi grafik
Grafia historike Gegnishtja e normalizueme Standardi
sckue shkue shkuar
sckruem shkruem shkruar
asct asht është
dasctun dashtun dashur
Mesctaar meshtar meshtar
Krisct Krisht Krisht
Seit / Sceit Shejt Shenjt
chi / ci qi që
gni nji një
scpirt- shpirt- shpirt-
kioft kjoftë qoftë
jeme jeme ime
shnet shnet shëndet

 

Në aspektin gjuhësor, nga krahasimi i formave vijmë në përfundimin se korrespondencat sck → shk dhe sct → sht janë veçanërisht të randësishme. Ato shpjegojnë pse forma si sckue, Mesctaar dhe Krisct nuk duhen lexue sipas vlerës moderne të shkronjave, por si shkue, meshtar dhe Krisht.

  1. Tiparet gjuhësore

Në aspektin e tipareve gjuhësore, bie në sy, së pari, paskajorja me. Dokumenti që po trajtojmë përdor ndërtime të tipit me shkue, me folë, me marrë, me lutë dhe me ju diftue. Nga literatura që kemi konsultue, vijmë në përfundimin se struktura me + pjesore asht një prej tipareve themelore të gegnishtes.

Së dyti, bien në sy pjesoret në -ue/-uem. Format shkue, diftue, bekue dhe shkruem i përkasin sistemit morfologjik gegë dhe krahasohen me format e standardit shkuar, treguar, bekuar dhe shkruar.

Së treti, trajta të tjera gege, si kom shkue, zemra jeme, shnet, kjoftë, dashtun dhe asht, krijojnë një afërsi të dukshme me gegnishten e sotme. Megjithatë, ato nuk janë në vetvete provë se teksti përfaqëson të folmen lokale, sepse shumë prej këtyne tipareve kanë një shtrirje ma të gjanë në gegnisht.

  1. Rëndësia historike dhe dialektologjike

Gjuha e dokumentit mund të përshkruhet ma me kujdes si gegnishte e shkrueme e traditës katolike veriore, e përdorun në mjedisin shqiptar të Argjipeshkvisë së Shkupit me seli në Prizren. Fakti se letra u drejtohet meshtarëve dhe popullit e ban atë dëshmi të përdorimit funksional të shqipes së shkrueme në komunikimin kishtar me shqiptarët katolikë të kësaj hapësine.

Dokumenti nuk dëshmon se krejt shqiptarët e Kosovës shkruenin në këtë ortografi dhe as nuk duhet paraqitë si transkriptim i drejtpërdrejtë i dialektit kosovar. Vlera e tij qëndron pikërisht në takimin ndërmjet traditës së shkrueme katolike gege dhe mjedisit shqiptar ku Bucciarelli vepronte.

  1. Teksti i letrës në gegnishte të sotme

Teksti në vijim është version i normalizuem dhe i rindërtuem për një lexim të rrjedhshëm. Ai nuk duhet ngatërrue me transliterimin burimor të origjinalit. Pjesët lidhëse që nuk lexohen plotësisht në fotografi janë rindërtue me kujdes nga konteksti dhe përmbajtja e dallueshme.

Juve, të bekuem meshtarë, e juve, të dashtun besimtarë e popull i kësaj Argjidioqeze, paqë, shnet e rahati në Zotin ju kjoftë.

Me gëzim të madh po ju shkruej tash, mbasi jam kthye prej Romës, ku pata shkue me e pa Atin tonë të dashtun e të Shejtë, Papën, kreun e Kishës së Jezu Krishtit.

Si çoban i shpirtnave tueja, e pata për detyrë e për dëshirë me shkue tek Ati i Shejtë dhe me ia paraqitë atij gjendjen e kësaj Argjidioqeze, meshtarët e saj dhe popullin që Zoti ma ka besue.

Tash, tue u kthye te ju, o meshtarë të bekuem e ju, populli jem i dashtun, due me ju diftue për udhëtimin tem dhe për ato që përjetova në Romë.

Kur kom shkue n’Romë, zemra jeme ishte e mbushun me dëshirën me e pa Atin e Shejtë. Prej lajmeve e gazetave kishim marrë fjalë për gjendjen e tij dhe kjo na kishte sjellë shqetësim. Prandaj dëshira jeme ishte edhe ma e madhe me e pa vetë, me folë me të dhe me marrë prej tij fjalën e bekimin për ju.

Zoti ma dha këtë hir.

E pashë Atin e Shejtë dhe pata mundësi me folë me të. I fola për këtë Argjidioqezë, për meshtarët e mij dhe për popullin tem. I tregova për ju dhe ia paraqita dashninë e besnikninë tuej ndaj fesë së shejtë e ndaj Kishës së Jezu Krishtit.

Ati i Shejtë i dëgjoi me dashni fjalët e mia. Ai më dha bekimin e vet, jo vetëm për mue, por edhe për meshtarët e mij dhe për popullin tem.

Këtë bekim, që e mora prej Atit të Shejtë, po jua sjell tash juve.

E po ju bekoj n’emën t’Atit, e t’Birit, e t’Shpirtit Shejt.

Ky bekim ju kjoftë juve, familjeve tueja dhe krejt popullit tonë; ju forcoftë në fe, ju ruejtë në dashni e në bashkim dhe ju ndihmoftë me qëndrue në rrugën e Jezu Krishtit.

Ati i Shejtë, Papa, më foli me dashni për ju. Ai dëshiron që meshtarët dhe populli të qëndrojnë të bashkuem në fe, të jenë besnikë ndaj Zotit dhe të mos largohen prej mësimeve të Jezu Krishtit.

Prandaj, o meshtarë të dashtun, ju porosis me qenë të bashkuem ndërmjet veti dhe me e udhëheqë popullin që ju asht besue me dashni, urti e durim.

Edhe juve, popull i dashtun, ju porosis me i ndigjue meshtarët tuej, me e ruejtë fenë dhe me jetue në paqë e dashni me njani-tjetrin.

Fjalët që ia paraqita Atit të Shejtë nuk ishin vetëm fjalët e mia. I fola në emën të meshtarëve dhe të popullit të kësaj Argjidioqeze.

I tregova për besimin tuej dhe për dëshirën tuej me qëndrue në fenë e Jezu Krishtit.

Ati i Shejtë i pranoi me dashni këto fjalë dhe na porositi që, sidomos në këto kohë të vështira, me iu lutë Zotit.

Duhet me u lutë për Kishën, për meshtarët, për popullin dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për mëshirën e Zotit.

Duhet me u lutë edhe për ata që janë largue prej rrugës së Zotit, që Zoti, me mëshirën e vet, t’i thërrasë përsëri dhe t’i kthejë në rrugën e drejtë.

Askush nuk duhet me e humbë shpresën në mëshirën e Zotit.

Jezu Krishti na ka thirrë me jetue në fe, në dashni dhe në bashkim. Prandaj duhet me qëndrue të fortë në fenë tonë të shejtë dhe me ia lanë zemrën Zotit.

O meshtarë të bekuem dhe ju, populli jem i dashtun, këto janë fjalët që deshta me jua sjellë prej Romës.

Bekimin që Ati i Shejtë ma dha për ju, po jua përcjell me gjithë zemrën teme.

Zoti ju ruejtë, ju forcoftë në fe, ju dhashtë paqë, shnet e rahati dhe ju mbajtë gjithmonë në rrugën e Tij.

N’emën t’Atit, e t’Birit, e t’Shpirtit Shejt. Amen.

  1. Përfundime

Rileximi dhe analiza tregojnë se letra i përket një tradite të qartë gege të shkrimit. Sistemi grafik historik shpjegon forma që, për lexuesin modern, duken të largëta, ndërsa normalizimi zbulon trajta të njohshme si asht, shkue, dashtun, jeme, shnet dhe kjoftë. Paskajorja me me dhe pjesoret në -ue/-uem e përforcojnë këtë klasifikim.

Për një edicion kritik përfundimtar, duhej të bahej paralelisht transliterimi rresht për rresht, me shenja të qarta për leximet e pasigurta, dhe versioni i normalizuem. Teksti i rrjedhshëm i dhanë këtu asht i dobishëm për lexim dhe interpretim, por rindërtimet editoriale nuk duhet t’i atribuohen autorit si fjalë të sigurta.

Bibliografi dhe burime

Kopja e letrës në fjalë, e bashkangjitun këtu, na asht dhanë në dispozicion nga Albert Ramaj, të cilin e falënderojmë.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Libri shqip 1555–1912: Bibliografi. Regjistrimi nr. 40: [Bucciarelli, Dario], Udha e Sceites Cryc e tiera pun’ t’divocme, Romë, 1862, 276 f.

Bucciarelli, Dario. Udha e Sceites Cryc e tiera pun’ t’divocme. Romë, 1862.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Studime, nr. 29. Material mbi botimet e hershme shqipe të misionarëve katolikë dhe riprodhimin bibliografik të veprës së Bucciarellit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.