KUSH PO E POSHTËRON SHQIPËRINË DHE ÇËSHTJEN SHQIPTARE?

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Përsiatje:

Një analizë politike mbi Hagën, Beogradin, Tiranën, Prishtinën dhe krizën e një elite politike.

Nga Safet SADIKU

Unë nuk kam asnjë arsye të gëzohem për një vendim të tillë të Gjykatës së Hagës, bashkë me Serbinë, përkundrazi, në këtë moment solidarizohem me krerët e UÇK-së, për arsye historike, politike dhe njerëzore që nuk mund të shpërfillen. Por solidarizimi me ta nuk do të thotë se, në rrethana normale, duhet të pajtohem automatikisht me çdo veprimtari të tyre politike apo shtetërore të pas luftës, veçanërisht gjatë periudhave kur ata kanë mbajtur poste të rëndësishme në institucionet e Kosovës.

a) Vendimi i Gjykatës së Hagës: Fakti se, në vendimin e Gjykatës së Hagës për Kadri Veselin, përgjegjësia e tij lidhet me pozitën dhe strukturat në të cilat ai ka qenë pjesë, ndërsa në argumentin tim nuk del se ndonjë dëshmitar ka paraqitur një fakt konkret që dëshmon se ai ka kryer drejtpërdrejt një vepër penale, është një dallim me peshë të madhe në logjikën juridike. Të jesh pjesë e një strukture dhe të jesh autor i drejtpërdrejtë i një vepre konkrete nuk janë e njëjta gjë dhe nuk mund të barazohen automatikisht. Pikërisht këtë dallim duhet ta kemi parasysh edhe në rastin e Rexhep Selimit: çështja nuk është vetëm se në çfarë strukture kanë qenë apo çfarë pozite kanë pasur, por çfarë prove konkrete ekziston për përgjegjësinë individuale të secilit. Kjo, në logjikën time, është thelbësore për mënyrën se si duhet lexuar dhe kuptuar një dënim penal.

Edhe për Thaçin dhe Krasniqin, në gjykimin tim, duhet të merret parasysh konteksti i posteve që ata kanë mbajtur dhe mënyra se si është vlerësuar përgjegjësia e tyre, sikur UÇK-ja të kishte qenë një ushtri e rregullt, me armatim, struktura komanduese dhe kapacitete ushtarake të krahasueshme me ushtritë moderne. A nuk duhet të merren parasysh shumë më seriozisht edhe rrethanat konkrete të terrenit, kushtet e luftës, kapacitetet reale të UÇK-së dhe natyra e konfliktit në të cilin ajo veproi? Rrethanat e luftës nuk mund të shkëputen nga vlerësimi i veprimeve dhe i përgjegjësive individuale.

b) Edhe për kohën e pasluftës: Të gjitha vrasjet e shqiptarëve, të cilat janë quajtur politike, nuk mund të lidhen automatikisht me rrethanat dhe përplasjet e brendshme shqiptare. Ne shqiptarët e dimë historikisht se ka qenë UDB-ja ajo që ka vrarë shqiptarë për qëllimet e veta politike, prandaj rënia në provokime dhe në narrativat e disa përfaqësuesve partiakë, sipas të cilave njerëz të një subjekti politik kanë vrarë patriotët e një subjekti tjetër, pa prova të qarta dhe hetime të plota, është një çështje që duhet trajtuar me shumë kujdes. Aq më tepër kur të njëjtët përfaqësues kanë qenë bashkë në pushtet për disa vite: të bashkëqeverisësh me komandantët e luftës dhe, njëkohësisht, t’i akuzosh për vrasje është një paradoks serioz në logjikën politike dhe në nivelin e përgjegjësisë së përfaqësimit shtetëror. Ndërkohë, për pazaret, marrëveshjet dhe interesat e përbashkëta në tenderë, këto çështje nuk janë bërë publike me të njëjtën forcë dhe transparencë. Prandaj lind pyetja e natyrshme: si mund të bashkëqeverisin për vite me radhë dhe të bashkëpunojnë në interesa të ndryshme politike e ekonomike, ndërsa më pas të akuzojnë njëri-tjetrin për vrasje pa i paraqitur provat përkatëse? Ky paradoks duhet të analizohet me seriozitet, sepse deklarata të tilla dhe përplasjet e brendshme politike janë përdorur më pas edhe nga Serbia si argumente në ndërtimin dhe përhapjen e argumentave të saj për Kosovën dhe shqiptarët.

c) Gjuha politike dhe përgjegjësia e saj: Është shqetësuese kur akuza të rënda të bëra dikur në Kuvendin e Kosovës ku deputetë apo përfaqësues politikë e quajnë njëri-tjetrin “kriminel” pa paraqitur prova apo argumente juridike, dhe më vonë ato janë përdorur nga Serbia si elemente në narrativa dhe procese politike e gjyqësore. Gjuha politike nuk është pa pasoja, sidomos kur bëhet fjalë për figura të luftës dhe për çështje që lidhen me historinë e Kosovës. Për këtë arsye, akuzat publike duhet të mbështeten në fakte, ndërsa përgjegjësia penale duhet të përcaktohet nga organet kompetente dhe përmes procedurave të rregullta juridike. Një politikan ose politikane me përgjegjësi shtetërore duhet ta dijë se një fjalë e thënë në Kuvend mund të marrë jetë të gjatë përtej momentit politik në të cilin është thënë. Prandaj, kritika politike nuk duhet të shndërrohet në gjykim penal, ndërsa akuza nuk duhet të zëvendësojë provën. Sidomos në një shoqëri që ende përballet me debate të ndjeshme mbi luftën, përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë ndërkombëtare, maturia në përdorimin e fjalës është pjesë e përgjegjësisë institucionale.

1) Drejtësia, përgjegjësia dhe çështja e krerëve të UÇK-së

Çështja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zhvillimet para Dhomave të Specializuara në Hagë mbeten ndër temat më të ndjeshme të jetës publike shqiptare, sepse në to ndërthuren historia e luftës së Kosovës, drejtësia penale, përgjegjësia individuale dhe kujtesa kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, duhet të ruhet një dallim i qartë ndërmjet mbështetjes politike apo shoqërore për personat e dënuar dhe vlerësimit juridik të vendimeve gjyqësore. Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara shpallën aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke i gjetur penalisht përgjegjës për disa vepra të kualifikuara si krime lufte dhe duke caktuar dënime individuale. Vendimi dhe arsyetimi i tij duhet të studiohen në mënyrë të plotë, ndërsa çdo pretendim për gabime në vlerësimin e provave, shkelje procedurale apo zbatim të gabuar të ligjit duhet të paraqitet përmes mjeteve juridike dhe mbi bazën e dokumenteve konkrete. Në të njëjtën kohë, kjo çështje nuk mund të shkëputet nga rëndësia historike e UÇK-së dhe luftës së Kosovës. Për shumë shqiptarë, UÇK-ja mbetet pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, ndërsa përgjegjësia eventuale e individëve duhet të trajtohet veçmas nga vlerësimi i luftës dhe i së drejtës së popullit për liri. Historia nuk mbrohet duke mohuar drejtësinë, por as drejtësia nuk duhet të përdoret për të mohuar historinë. Prandaj, mbrojtja e krerëve të UÇK-së duhet të mbështetet mbi argumente juridike, prova, dokumente dhe ekspertizë profesionale, jo vetëm mbi protesta apo reagime emocionale. Po ashtu, kundërshtimi i një vendimi nuk duhet të shndërrohet në pretendim automatik se çdo gjyqtar, prokuror apo dëshmitar është i ndikuar nga Serbia. Nëse ekziston një ndikim politik, një standard i dyfishtë apo një shkelje juridike, kjo duhet të dëshmohet konkretisht.

Kjo qasje kërkon edhe një ekspertizë më të thellë mbi vetë krijimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara: bazën kushtetuese e ligjore, kompetencat e tyre, raportin me sistemin juridik të Kosovës dhe mënyrën se si janë trajtuar provat dhe standardet juridike. Pyetjet mbi këto çështje duhet të marrin përgjigje përmes dokumenteve dhe analizës juridike, jo vetëm përmes bindjeve politike. Në parim, qëndrimi duhet të jetë i qartë: përgjegjësia penale është individuale, ndërsa historia e një populli nuk mund të gjykohet përmes dënimit të individëve. Kosova duhet të mbrojë historinë e luftës, të dokumentojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht të kërkojë që çdo përgjegjësi individuale të trajtohet mbi bazën e provave dhe standardeve juridike. Nga Prishtina drejt Hagës duhet të udhëtojnë faktet, dokumentet dhe argumenti juridik, sepse vetëm kështu mbrojtja e së vërtetës historike mund të shoqërohet me një betejë serioze për drejtësi.

2) Patriotizmi nuk është mburojë juridike

Në anën tjetër një nga parimet themelore që duhet të udhëheqë këtë proces juridik është se, patriotizmi nuk mund të shërbejë si mburojë juridike më për askënd. Ai nuk mund të jetë imunitet për qeverinë, opozitën, ish-komandantët, drejtuesit e institucioneve të sigurisë, biznesmenët apo çdo person tjetër që mban ose ka mbajtur pushtet. Në të njëjtën kohë, as një akuzë, një dyshim, një fushatë mediatike ose një përkatësi politike nuk mund të shndërrohen në provë të fajësisë. Patriotizmi, në kuptimin institucional që mbështet kjo analizë, lidhet me përgjegjësinë ndaj vendit, respektimin e ligjit, mbrojtjen e interesit publik dhe gatishmërinë për të kërkuar të vërtetën edhe atëherë kur ajo mund të jetë e pakëndshme. Një shoqëri demokratike duhet të jetë në gjendje të nderojë historinë e saj, të respektojë sakrificat e njerëzve që kanë luftuar për lirinë dhe njëkohësisht të pranojë parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe se çdo person duhet të gjykohet mbi bazën e provave dhe procedurave të ligjshme.

a) Një komb i fortë nuk ka nevojë ta mbrojë të vërtetën me frikë, por ai e mbron atë me prova, dokumente, institucione dhe kujtesë historike.

Nëse dokumentet dhe procedurat gjyqësore provojnë se një person ka kryer një vepër penale, përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të përcaktohet sipas ligjit, pavarësisht pozitës, ndikimit politik apo rolit historik të personit. Nëse, nga ana tjetër, një person pretendon se është dëmtuar nga një proces i padrejtë, ai duhet të ketë mundësinë ta kundërshtojë atë përmes mjeteve juridike. Kjo është pikërisht arsyeja pse shteti i së drejtës nuk mund të ndërtohet as mbi linçimin politik, as mbi imunitetin patriotik. Në këtë kuptim, çështja e Hagës duhet të trajtohet me dy standarde të pandashme: respektimin e vendimit dhe procedurave të gjykatës, si dhe të drejtën e mbrojtjes për të përdorur të gjitha mjetet juridike që sistemi lejon. Çdo pretendim për shkelje procedurale, vlerësim të gabuar të provave apo trajtim të pabarabartë kërkoj të argumentohet konkretisht. Nuk mjafton të thuhet se një proces është politik, por duhet të shpjegohet dhe të provohet se ku, si dhe përmes cilit mekanizëm është cenuar drejtësia.

Kujtoj këtu se, gjatë viteve të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Millosheviqit në Kosovë, nuk pati kurrë edhe në Serbi individë, studentë, intelektualë dhe forca politike që kundërshtuan regjimin e tij! Kështu që në Serbi për vite të tëra nuk ka pasur një qëndrim të gjerë dhe vendimtar të shoqërisë serbe kundër politikës së regjimit ndaj Kosovës. Përkundrazi, nacionalizmi i përdorur nga pushteti, propaganda shtetërore dhe kontrolli mbi mediat krijuan një mjedis ku politika ndaj Kosovës gëzonte mbështetje masovike dhe kundërshtimi ndaj saj mbetej i kufizuar. Prandaj, në gjykimin tim, përgjegjësia për një luftë dhe për krimet e kryera gjatë saj duhet të vlerësohet mbi bazën e veprimeve konkrete dhe të provave. Nuk mund të pranohet që një ushtar i UÇK-së të dënohet apo të fajësohet vetëm pse ka qenë pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës. Prandaj, as unë nuk e pranoj dënimin apo fajësimin e një ushtari të UÇK-së, edhe në qoftë se, ai vetëm ka kaluar në atë periudhë lufte në ndonjë cep të Kosovës, e lëre më nëse ka luftuar, sepse lufta për lirinë e Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe emri i UÇK-së, si simbol i kësaj lufte, është i paprekshëm. Gabimet apo veprimet e kundërligjshme të periudhës së pasluftës duhet të trajtohen veçmas nga vetë lufta. Pikërisht këtu duhet të bëhet dallimi: një individ mund të mbajë përgjegjësi për një vepër konkrete, pa u bërë kjo përgjegjësi automatikisht gjykim mbi të gjithë UÇK-në, mbi popullin shqiptar të Kosovës apo mbi të drejtën e tij për liri.

3) Shqipëria është më e rëndësishme se çdo individ

Në këtë pikë, argumentet e trajtimeve të proceseve politike mund të zgjerohet nga individët përfaqësues të shtetit e deri te vetë koncepti i shtetit. Nëse me termin “okupim” kuptojmë pushtimin e një territori nga një shtet i huaj, atëherë termi duhet të përdoret me saktësi historike dhe juridike. Por, në kuptimin institucional, mund të shtrohet një pyetje tjetër: a mund të jetë plotësisht i lirë dhe funksional një shtet nëse institucionet e tij dobësohen nga korrupsioni, kapja institucionale, interesat private, konfliktet partiake deri në bllokime institucionale, manipulimi i informacionit ose mungesa e besimit të qytetarëve? Kjo pyetje është e rëndësishme sepse dobësimi i shtetit modern nuk kërkon domosdoshmërisht përdorimin e forcës ushtarake. Institucionet mund të dobësohen edhe përmes korrupsionit, ndikimit të paligjshëm, deformimit të proceseve vendimmarrëse, keqpërdorimit të informacionit, konfliktit të interesit dhe krijimit të bindjes se qytetari nuk ka më mundësi reale për të ndikuar në mënyrë demokratike mbi institucionet. Pikërisht këtu lind koncepti që ky vlerësim e quan të gjithë niveli e hierarkisë: patriotizëm institucional, i cili mjerisht ne shqiptarëve ende po na mungon. Natyrisht sipas logjikës dhe përvojave të vendeve të zhvilluara të Perëndimit, patriotizmi institucional do të thotë të kërkosh drejtësi edhe kur personi që përballet me të është pjesë e grupit tënd politik ose historik.

Të mbrosh Kosovën pa e shndërruar atë në instrument të luftës partiake, të nderosh historinë e UÇK-së pa e përdorur atë si mburojë automatike për individë, të kërkosh transparencë edhe kur transparenca është e pakëndshme dhe të kërkosh llogaridhënie edhe kur ajo prek njerëzit më të fuqishëm. Prandaj, Shqipëria nuk ka nevojë për heronj të rinj të krijuar nga propaganda politike, por për institucione që janë më të forta se individët. Një shtet funksional nuk matet me fuqinë e një lideri, por me aftësinë e institucioneve për të vepruar sipas ligjit edhe kur përballë tyre ndodhet një person me ndikim të madh. Në këtë kuptim, çështja më e thellë nuk është vetëm konflikti ndërmjet të majtës dhe të djathtës, ndërmjet qeverisë dhe opozitës, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ose ndërmjet institucioneve gjyqësore dhe mbështetësve të UÇK-së.

Çështja themelore është marrëdhënia ndërmjet shtetit të së drejtës dhe dobësimit institucional, interesit publik dhe interesit personal, faktit dhe propagandës, përgjegjësisë dhe pandëshkueshmërisë. Prandaj, nëse dikush ka bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me një strukturë të huaj dhe kjo provohet nga institucionet kompetente, duhet të mbajë përgjegjësi sipas ligjit. Nëse dikush ka shkelur ligjin, duhet të përgjigjet. Nëse dikush është i pafajshëm, duhet të ketë mundësi të mbrohet përmes provave dhe procedurave gjyqësore. Askush nuk duhet të dënohet nga turma dhe askush nuk duhet të shpallet i paprekshëm vetëm sepse përdor flamurin. Në fund, pyetja “Kush po e dëmton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare?” nuk duhet të marrë automatikisht përgjigjen që kërkon një armik të vetëm. Përgjegjësitë duhet të provohen njëra pas tjetrës dhe historia nuk mund të zëvendësohet me akuza të pambështetura. Një vend dëmtohet kur institucionet humbin besimin e qytetarëve, kur drejtësia shndërrohet në spektakël, kur media zëvendëson faktin me zhurmën dhe kur patriotizmi përdoret për të mbuluar interesa private ose partiake.

Prandaj, mbi çdo interes tjetër, duhet të qëndrojë kërkimi i së vërtetës: jo hakmarrja, jo linçimi, jo propaganda, por e vërteta e mbështetur në prova. Vetëm kështu mund të bëhet dallimi ndërmjet patriotizmit dhe propagandës, ndërmjet diplomacisë dhe bashkëpunimit të paligjshëm, ndërmjet drejtësisë dhe spektaklit, si dhe ndërmjet interesit kombëtar dhe interesit personal. Nëse dokumentet dhe institucionet kompetente provojnë se njerëz të veshur me pushtet kanë vepruar kundër interesit të vendit, atëherë përgjegjësinë duhet ta përcaktojnë ligji dhe drejtësia, jo hakmarrja politike. Shteti shqiptar nuk mund të jetë pronë e askujt. Shqipëria është më e madhe se çdo individ. Dhe historia shqiptare ka një detyrim ndaj brezave të ardhshëm: sakrifica dhe dinjiteti i atyre që kanë luftuar për lirinë nuk duhet të përdoren si monedhë për pushtetin e një elite të përkohshme, por as historia e tyre nuk duhet të deformohet për t’u shërbyer interesave politike të ditës.

4) Dhe përsëri vjen Tirana

Ndërkohë që Prishtina përballet me tronditjen politike dhe shoqërore të vendimit të Hagës, Tirana përballet me një tjetër çështje jashtëzakonisht të ndjeshme, me atë të hetimit ndaj ish-drejtores së SHISH-it, Vlora Hyseni, çështje e cila, për shkak të funksionit që ajo ka mbajtur, nuk mund të shihet vetëm si një histori individuale, por kërkon vëmendje të veçantë për mënyrën se si trajtohen institucionet e sigurisë dhe informacioni i klasifikuar. Sipas raportimeve dhe njoftimeve të bëra publike, ndaj Hysenit janë caktuar masa të sigurisë në kuadër të një procedimi të SPAK-ut, ndërsa ajo dyshohet për vepra penale të përcaktuara në procedimin përkatës dhe është vetëdorëzuar pranë autoriteteve shqiptare pas kthimit nga jashtë vendit. Megjithatë, në një çështje të tillë dua të bëjë një dallim të panegociueshëm midis dyshimit, akuzës, masës së sigurimit dhe fajësisë së provuar me vendim gjyqësor.
Në një shoqëri të polarizuar, e njëjta ngjarje përdoret nga secila palë për të mbështetur interpretimin e vet: për pushtetin, çështja po na paraqitet si dëshmi se drejtësia funksionon, për opozitën, po na paraqitet si provë e kapjes së institucioneve, ndërsa për mediat po shndërrohet çdo ditë si një ngjarje që prodhon tituj, debate dhe audiencë. Ndërsa për qytetarin e zakonshëm mbetet pyetja më e thjeshtë dhe, njëkohësisht, më e vështira: Ku është e vërteta? Arrestimi dhe spektakli?

Edhe mënyra e trajtimit publik të arrestimit apo transferimit të një figure të lartë të sigurisë kombëtare është bërë pjesë e debatit, gjë që është e kuptueshme kur një person që ka drejtuar një institucion të tillë shfaqet papritur në qendër të një operacioni të bujshëm dhe publiku nuk sheh vetëm një të dyshuar, por sheh edhe një simbol të shtetit dhe të funksionimit të institucioneve të sigurisë. Por këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm: është e drejtë të kërkohet llogari për mënyrën se si veprojnë institucionet dhe për mënyrën se si komunikohen veprimet e tyre, por nuk është e drejtë që, pa prova të mjaftueshme, të shpallet si fakt se gjithçka ishte “teatër” ose se një operacion i caktuar ishte ndërtuar vetëm për efekt politik.

Në një shtet ligjor duhet të presim që hetimi të flasë përmes provave dhe gjykata përmes vendimeve, ndërsa institucionet duhet të kuptojnë njëkohësisht se mënyra se si e komunikojnë një operacion të tillë ka rëndësi të madhe publike dhe se çdo pamje, çdo lëvizje, çdo deklaratë dhe çdo rrjedhje informacioni bëhet pjesë e perceptimit publik. Kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, ky perceptim mund të dëmtojë jo vetëm individin nën hetim, por edhe besimin e qytetarëve të vetë institucioni, prandaj një shtet serioz nuk ka nevojë për spektakël për të treguar se ligji funksionon: nëse ka prova, provat duhet të paraqiten dhe të shqyrtohen sipas ligjit. Dhe nëse ka përgjegjësi, gjykata duhet të vendosë, dhe nëse ka pafajësi, ajo duhet të respektohet. Kjo është logjika e shtetit të së drejtës. Ndërkaq, për rëndësinë që ky institucion ka në raport me partnerët ndërkombëtarë, nuk ia vlen të zgjatem shumë. Dëmi dhe nami i keq që i është krijuar këtij institucioni të Shqipërisë nuk mund të maten me vlerë monetare.

Ato maten me humbjen e besimit, ndërsa mungesa e besimit sjell pasoja të tjera, nga dobësimi i bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve institucionale deri te vonesat, ngecjet dhe vështirësitë në procese të rëndësishme për shtetin. Një institucion që humb besimin e partnerëve nuk humb vetëm reputacionin, por edhe një pjesë të kapacitetit të vet për të vepruar, për të bashkëpunuar dhe për të përfaqësuar me seriozitet interesin publik. Dhe, vetë mënyra se si u publikua skandali që lidhet me këtë figurë, si dhe forma spektakolare e komunikimit të vendimit, janë sjellje që nuk mund të kalojnë pa u analizuar, sepse kur institucioni shtetëror kthehet në skenë spektakli dhe një çështje me peshë kombëtare trajtohet më shumë si ngjarje mediatike sesa si përgjegjësi serioze institucionale, nuk dëmtohet vetëm reputacioni i individit apo i institucionit, por turpërohet Shqipëria dhe cenohet edhe imazhi i çështjes shqiptare në shekullin XXI.

5) Vetëkritika nuk është dorëzim

Këtu duhet bërë edhe një dallim themelor, veçanërisht kur analiza prek marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe historinë e Kosovës: pranimi i gabimeve të shqiptarëve nuk do të thotë dhe nuk mund të nënkuptojë barazim me Serbinë dhe me përgjegjësinë e saj historike. Shqiptarët dhe klasa politike e tyre mund të kenë bërë gabime politike, juridike, institucionale dhe diplomatike. Mund të kenë pasur dobësi në ndërtimin e institucioneve, mungesë përvoje shtetërore, (edhe në rastin e Kosovës që nga paslufta e gjer më tani), vendimmarrje të nxituar, konflikte të brendshme, gabime strategjike ose raste të keqadministrimit. Këto duhet të pranohen dhe të analizohen me ndershmëri, sepse një shoqëri që nuk është në gjendje të shqyrtojë gabimet e veta nuk mund të ndërtojë institucione më të forta. Por vetëkritikat nuk e fshin historinë dhe nuk e relativizon automatikisht përgjegjësinë e aktorëve të tjerë.

Pranimi i gabimeve tona nuk ndryshon faktet historike që lidhen me represionin, konfliktin dhe krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Të analizosh me kriticizëm veprimet e institucioneve dhe figurave shqiptare nuk do të thotë të mohosh përvojën historike të viktimave dhe as të barazosh përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm. Përkundrazi, një vetëkritikë e shëndetshme kombëtare është pjesë e forcës së një shoqërie. Ajo nuk duhet të përdoret për të prodhuar faj kolektiv, por për të nxjerrë mësime. Nuk duhet të çojë në vetëposhtërim, por në përmirësim institucional. Nuk duhet të krijojë ndjenjën se çdo dështim shqiptar është provë e paaftësisë së një kombi, por të na shtyjë të pyesim se cilat institucione, ligje, mekanizma kontrolli dhe kultura politike duhet të përmirësohen. Prandaj, vetëkritika nuk është dorëzim dhe pranimi i gabimeve tona nuk është relativizim i historisë. Përkundrazi, aftësia për të pranuar gabimet dhe për t’i korrigjuar ato është një nga shenjat e pjekurisë shtetërore. Një komb nuk forcohet duke pretenduar se njerëzit e tij nuk gabojnë.

Forcohet kur ndërton institucione që i zbulojnë gabimet, i hetojnë shkeljet, mbrojnë të drejtat e qytetarëve, ndëshkojnë përgjegjësit sipas ligjit dhe krijojnë mekanizma që pengojnë përsëritjen e tyre. Në këtë kuptim, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “A po diskreditohet një brez i tërë?”, por edhe: “Çfarë duhet të mësojë një brez i tërë nga gabimet, konfliktet dhe dështimet e përvojës së tij shtetërore?” Kjo pyetje e dytë është më e rëndësishme për të ardhmen, sepse një komb që vetëm mbron figurat e veta, edhe kur ata gabojnë, rrezikon të mos mësojë nga gabimet e tyre, ndërsa një komb që i gjykon të gjithë njerëzit e vet përmes disa rasteve individuale rrezikon të humbasë besimin te vetvetja. Midis këtyre dy ekstremeve qëndron rruga e shtetit të së drejtës: ne duhet në vazhdimësi të nderojmë historinë, të kërkojmë të vërtetën, të dallojmë përgjegjësinë individuale nga ajo kolektive dhe të ndërtojmë institucione që janë më të forta se çdo individ.

6) Gabimet politike dhe marrëveshjet e pasluftës

Gabimet politike të politikanëve shqiptarë pas luftës kanë qenë të mëdha dhe, sipas gjykimit tim, një pjesë e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi politike për lëshimet që Kosova ka bërë në raport me Serbinë. Pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe, të përcaktuar përmes Marrëveshjes Teknike Ushtarake e njohur si Marrëveshja e Kumanovës, të qershorit 1999 dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova hyri në një periudhë krejtësisht të re politike dhe institucionale. Por, në vitet që pasuan, në vend që çdo marrëveshje me Serbinë të ndërtohej mbi një bilanc të qartë të asaj që Kosova kishte dhënë, asaj që duhej të merrte dhe garancive që duhej të siguronte, por klasa politike shqiptare pranoi një varg kompromisesh që sot meritojnë një analizë shumë më kritike.

Një nga momentet themelore ishte Paketa e Ahtisaarit, e paraqitur në vitin 2007, e cila parashikonte masa të gjera për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare, përfshirë krijimin e komunave të reja me shumicë serbe dhe kompetenca shtesë, veçanërisht në arsim dhe shëndetësi. Më pas erdhi Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013, e lidhur me qeveritë e Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, e cila parashikonte themelimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe brenda kornizës juridike të Kosovës, si dhe integrimin e strukturave të policisë dhe drejtësisë në sistemin e Kosovës.

Në vitin 2015, gjatë qeverisjes së Isa Mustafës dhe Aleksandar Vuçiqit, dialogu vazhdoi me marrëveshje dhe parime të mëtejshme për themelimin dhe funksionimin e Asociacionit/Komunitetit të komunave me shumicë serbe. Në qershor u finalizua teksti mbi parimet e themelimit, ndërsa në gusht u dakorduan parimet dhe elementet kryesore për funksionimin e tij. Kështu, çështja e Asociacionit kaloi nga një pikë e marrëveshjes së vitit 2013 në një proces institucional gjithnjë e më të konsoliduar në dialogun Kosovë–Serbi.

Pastaj erdhi Marrëveshja e Ohrit e marsit 2023, në kohën e qeverisë së Albin Kurtit. Ajo e vendosi vetëmenaxhimin e komunitetit serb në një kornizë edhe më të qartë të detyrimeve të dialogut, duke parashikuar nisjen e negociatave për marrëveshje dhe garanci specifike për një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme. Aneksi i Ohrit u bë pjesë e detyrimeve të procesit dhe u lidh me proceset përkatëse të integrimit evropian. Kjo nuk do të thotë se Asociacioni u themelua juridikisht me Marrëveshjen e Ohrit, por se detyrimi për të avancuar drejt tij u konsolidua edhe më tej në kuadër të dialogut dhe marrëveshjeve të mëparshme. Këtu qëndron pyetja ime themelore: çfarë ka marrë Kosova në këmbim të gjithë këtyre lëshimeve? Nëse i shohim marrëveshjet njëra pas tjetrës, shohim një varg detyrimesh dhe kompromisesh të marra përsipër nga Kosova, ndërsa Serbia, sipas vlerësimit tim politik, nuk ka dhënë një kundërvlerë të barabartë në raport me peshën historike, politike dhe njerëzore të asaj që Kosova ka përjetuar. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe, pavarësisht dialogut, ka vazhduar të kundërshtojë shtetësinë e saj dhe të mbajë një politikë që nuk tregon një ndryshim të plotë në raport me të kaluarën.

Për këtë arsye, unë nuk mund t’i shoh këto marrëveshje vetëm si “kompromise të nevojshme për stabilitetin”. Stabiliteti nuk mund të ndërtohet duke kërkuar vazhdimisht nga njëra palë të japë, ndërsa pala tjetër të fitojë kohë, hapësirë dhe instrumente politike pa një ndryshim të barasvlershëm në qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Një marrëveshje duhet të vlerësohet jo vetëm nga ajo që premton në momentin e nënshkrimit, por nga ajo që prodhon në praktikë, nga garancitë që përmban dhe nga pasojat që duhet të ketë për palën që nuk e zbaton. Në këtë kuptim, edhe çështja e komunave me shumicë serbe duhet të shihet në kontekstin e plotë historik dhe institucional. Struktura e decentralizimit dhe krijimi i komunave të reja me shumicë serbe u ndërtuan si pjesë e rendit institucional të pasluftës, veçanërisht përmes Paketës së Ahtisaarit dhe më pas përmes dialogut të Brukselit. Prandaj, çdo mekanizëm i ri institucional duhet të vlerësohet jo vetëm nga emri që mban, por nga kompetencat që merr, mënyra e financimit, raporti me institucionet qendrore dhe ndikimi që mund të ketë në funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo është një nga gabimet e rënda që unë i atribuoj politikisht klasës udhëheqëse shqiptare të pasluftës: në shumë raste është negociuar duke u nisur nga ideja se çdo kompromis është çmim i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin, pa u bërë gjithmonë një bilanc i mjaftueshëm i asaj që Kosova po jepte dhe i asaj që po merrte. Në vend të një parimi të qartë të reciprocitetit, shpesh është krijuar përshtypja se Kosova duhej të bënte vazhdimisht hapin e radhës, ndërsa Serbia mund të ruante qëndrimet e saj themelore. Kjo duhet të shihet edhe në dritën e historisë së luftës. Kosova doli nga një luftë në të cilën shqiptarët e Kosovës pësuan represion, dëbime, vrasje, gjenocid dhe krime të rënda nga forcat serbe (dhe ish-jugosllave). Tribunalet ndërkombëtare kanë dokumentuar dhe dënuar përgjegjësi individuale të zyrtarëve të lartë serbë e jugosllavë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në çështjen Šainović et al., për shembull, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë konfirmoi përgjegjësinë e disa zyrtarëve të lartë për krime që përfshinin dëbime të dhunshme, vrasje, dhunë seksuale dhe shkatërrim të objekteve fetare. Kjo histori është vetëm njëra nga mijëra të tilla të pa regjistruara, të pa evidentuara askund, e cila temë kurrë nuk do të duhej të hiqej nga tavolina e negociatave!…

Kosova nuk ka hyrë në dialog me Serbinë si dy shtete që thjesht kishin interesa të ndryshme. Ajo ka hyrë në dialog me një shtet që kishte qenë përgjegjës për një aparat shtetëror represiv dhe për një fushatë të dokumentuar krimesh ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se dialogu nuk duhet të ekzistojë, por do të thotë se dialogu duhet të zhvillohet me kujtesë historike, me garanci dhe me një vlerësim shumë më të rreptë të interesit shtetëror të Kosovës. Edhe përvoja e mëhershme historike duhet të na shërbejë si mësim. Marrëveshja për arsimin ndërmjet Ibrahim Rugovës dhe Slobodan Miloševićit e vitit 1996, e ndërmjetësuar nga Komuniteti Sant’Egidio, synonte kthimin e nxënësve dhe mësuesve shqiptarë në objektet shkollore, por ajo kurrë nuk u zbatua në mënyrën e parashikuar. Kjo tregon se nënshkrimi i një marrëveshjeje nuk është garanci në vetvete. Ajo ka vlerë vetëm nëse ekzistojnë mekanizma të qartë zbatimi, përgjegjësi dhe garanci.

Në fakt, historia e Kosovës ka dhënë mësime edhe më të hershme për marrëdhënien me Beogradin. Më 23 mars 1989, autonomia kushtetuese e Kosovës u suprimua nën trysni të jashtëzakonshme politike dhe të sigurisë, ndërsa ndryshimet u miratuan më pas edhe nga Kuvendi i Serbisë. Për ne, studentët e Universitetit të Kosovës, që bashkë me punëtorët protestonim prej më shumë se dy vjetësh, kjo nuk ishte një çështje teknike kushtetuese, por një përpjekje për mbrojtjen e Kosovës, të të drejtave të saj politike dhe të autonomisë që shqiptarët e kishin mbrojtur për vite. Në atë kohë ne protestonim sepse e kuptonim se çfarë po përgatitej në Beograd. Historia më pas tregoi se represioni nuk kurseu as ata shqiptarë që kishin pasur marrëdhënie politike me sistemin jugosllav.

Rasti i Azem Vllasit, i arrestuar në mars 1989 dhe më pas i gjykuar nga autoritetet jugosllave, është një nga shembujt që tregon se bashkëpunimi politik i një periudhe nuk përbënte garanci përballë politikës së Beogradit. Prandaj, nëse dikush në politikën shqiptare mendon se duke i besuar Beogradit, duke bërë lëshime ndaj tij ose duke i dhënë atij besim politik do të sigurojë një garanci për veten apo për popullin shqiptar, historia duhet të shërbejë si paralajmërim. Serbia duhet të vlerësohet nga veprat e saj, jo vetëm nga deklaratat që bën në tavolinën e negociatave. Çdo marrëveshje duhet të shoqërohet me garanci të zbatueshme, mekanizma kontrolli dhe një vlerësim të qartë të pasojave nëse pala tjetër nuk i përmbush detyrimet.

Kjo u bë edhe më e dukshme pas marrëveshjeve të dialogut. Sulmi i armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën pjesëtarë të tjerë të policisë, tregoi se tensionet e sigurisë nuk ishin zhdukur dhe se procesi i normalizimit nuk kishte prodhuar një realitet të ri të qëndrueshëm në terren. Ky rast duhet të jetë pjesë e çdo bilanci serioz të politikës së sigurisë dhe të dialogut pas vitit 2013. Më shqetëson gjithashtu fakti se, ndërsa Kosova ka bërë lëshime të njëpasnjëshme në emër të normalizimit, Serbia ka vazhduar të mbajë qëndrimin e saj themelor ndaj statusit të Kosovës. Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj përmbajnë detyrime për të dyja palët, ndërsa zbatimi i tyre ka mbetur problematik. Kjo tregon se nuk mjafton të prodhohen dokumente diplomatike, por duhet të ketë edhe zbatim, mekanizma kontrolli dhe pasoja reale për mosrespektimin e detyrimeve. Në këtë pikë, përgjegjësia nuk duhet të kërkohet vetëm në një emër ose në një qeveri.

Ajo lidhet me një model politik të pasluftës, në të cilin shumë vendime janë marrë duke menduar më tepër për menaxhimin e momentit sesa për ndërtimin e një strategjie afatgjatë shtetërore. Hashim Thaçi mund të kritikohet politikisht për marrëveshjet dhe vendimet e periudhës së tij, ashtu si Isa Mustafa për vendimet e qeverisë së tij, por edhe Albin Kurti do të futet në këtë grup për vendimet e qeverisë së tij. Kjo është përgjegjësi politike dhe duhet të diskutohet hapur.

Por këtu duhet bërë një dallim themelor: gabimi politik nuk është i njëjtë me krimin. Një politikan mund të ketë bërë lëshime të mëdha, të ketë negociuar keq, të ketë pranuar një marrëveshje që sot konsiderohet politikisht e dëmshme ose të ketë gabuar në vlerësimin e Serbisë, por përgjegjësia penale për një vepër konkrete kërkon prova dhe proces të rregullt juridik. Kritika politike mund dhe duhet të jetë e ashpër, por nuk duhet të zëvendësojë drejtësinë.

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të ndodhë e kundërta: gabimet e politikanëve shqiptarë, të përdoren për ta zhvendosur përgjegjësinë historike të Serbisë për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dy të vërteta mund të qëndrojnë njëkohësisht: Serbia ka një përgjegjësi historike dhe juridike të dokumentuar për krime të rënda të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndërsa politikanët shqiptarë mund të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet dhe kompromiset e tyre. Njëra e vërtetë nuk e anulon tjetrën.

Në këtë kuptim, është e gabuar që shqiptarët të harxhojnë energjinë kryesisht duke u akuzuar me njëri-tjetrin, ndërsa ndaj Beogradit të tregohen më të butë. Kjo është një përmbysje e gabuar e rendit të përgjegjësive. Shqiptarët duhet t’u kërkojnë llogari politikanëve të tyre për gabimet që kanë bërë, por njëkohësisht duhet ta mbajnë Serbinë përballë historisë së saj, përgjegjësive të saj dhe krimeve të dokumentuara të shtetit dhe forcave të tij ndaj shqiptarëve të Kosovës. Këtu hyn edhe koncepti i patriotizmit institucional. Një politikan që negocion në emër të shtetit nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga dëshira për ta mbyllur një takim, për të arritur një marrëveshje apo për të marrë një vlerësim pozitiv nga ndërmjetësit ndërkombëtarë. Ai duhet të pyesë: çfarë po japim, çfarë po marrim, çfarë garancish kemi dhe çfarë ndodh nëse pala tjetër nuk e zbaton marrëveshjen? Patriotizmi institucional nuk është të refuzosh çdo kompromis, por është të mos bësh kompromis pa e kuptuar çmimin e tij dhe pa siguruar interesin afatgjatë të shtetit.

Edhe dimensioni ekonomik duhet të hyjë në këtë analizë. Ndërsa Serbia ka vazhduar të përdorë instrumentet e saj politike, diplomatike dhe ekonomike për të mbrojtur interesat e veta, Kosova dhe Shqipëria duhet të kujdesen që marrëdhëniet ekonomike të mos krijojnë varësi strategjike. Kjo nuk do të thotë se duhet të ndërpritet tregtia me Serbinë. Përkundrazi, marrëdhëniet ekonomike duhet të analizohen mbi bazën e interesit ekonomik dhe të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ushqimin, energjinë, transportin, teknologjinë dhe zinxhirët e furnizimit. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë kapacitetin e tyre prodhues, rezervat strategjike dhe alternativa të mjaftueshme furnizimi, në mënyrë që varësia ekonomike të mos mund të shndërrohet në instrument presioni politik. Këtu lidhet drejtpërdrejt edhe parimi i këtij vështrimi: “Me pasur” nuk do të thotë vetëm të kesh pasuri, do të thotë të kesh kapacitetin për t’i prodhuar, administruar dhe mbrojtur burimet e tua. Prandaj, kur flasim për marrëveshjet e pasluftës, nuk duhet të mjaftohemi me pyetjen nëse ato u nënshkruan apo jo. Duhet të pyesim çfarë prodhuan, çfarë ndryshuan në terren, sa e forcuan shtetin e Kosovës, sa e rritën sigurinë e qytetarëve dhe sa e afruan marrëdhënien me Serbinë drejt një normalizimi real. Nëse rezultatet nuk përputhen me qëllimet e shpallura, atëherë marrëveshjet duhet të jenë objekt i një bilanci të thellë politik dhe institucional.
Në parim, problemi nuk është nëse Kosova duhet të dialogojë me Serbinë. Dialogu mund të jetë instrument i nevojshëm i politikës së jashtme dhe i stabilitetit rajonal.

Pyetja është me çfarë kushtesh duhet të dialogojë Kosova, çfarë duhet të kërkojë në këmbim, cilat janë vijat e saj të kuqe dhe çfarë garancish duhet të ketë për zbatimin e çdo marrëveshjeje. Dhe ku mbeti roli i Shqipërisë në këtë dialog? Kosova nuk duhet të hyjë në tavolinën e negociatave vetëm për të mos e zemëruar Serbinë apo ndërmjetësit ndërkombëtarë! Ajo duhet të hyjë si shtet që e njeh historinë e vet, i njeh interesat e veta dhe e di çfarë mund të japë dhe çfarë duhet të marrë. Serbisë nuk duhet t’i jepet besim politik vetëm sepse ulet në tavolinën e negociatave. Ajo duhet të vlerësohet nga veprat, nga respektimi i marrëveshjeve, nga sjellja ndaj Kosovës dhe nga mënyra se si përballet me të kaluarën e saj. Kjo është ajo që duhet të mësojmë nga paslufta: Kosova duhet të dialogojë, por jo të dorëzohet, duhet të bëjë kompromis kur është e nevojshme, por jo pa kundërvlerë, duhet të kërkojë normalizim, por jo duke harruar historinë, dhe mbi të gjitha, duhet të hyjë në çdo marrëveshje me dije, dokumente, garanci dhe vetëdije të plotë shtetërore, duke ndjekur në mënyrë strikte parimin e patriotizmit institucional.

Dhe gabimet politike të pasluftës nuk duhen parë vetëm si gabime të individëve apo të qeverive të veçanta, por si një pjesë e një kulture politike që shpesh ka vendosur interesin e momentit mbi interesin afatgjatë të shtetit dhe marrëveshjet, lëshimet dhe mënyra e negocimit kanë pasoja që shkojnë përtej mandateve politike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në besueshmërinë, funksionalitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Kur një klasë politike nuk arrin ta mbrojë interesin shtetëror me dije, strategji, përgjegjësi dhe dinjitet institucional, dëmi nuk mbetet vetëm te politika e ditës, por prek edhe reputacionin e shtetit dhe vetë çështjen shqiptare të këtij shekulli.

7) Media dhe zhurma e tyre, janë informim apo prodhim krize?

Ndoshta një nga aktorët më të rëndësishëm në këtë histori janë mediat, sepse televizionet dhe portalet shqiptare janë mbushur me debate pa fund, tituj të mëdhenj, analistë që përplasen, deklarata politike që përsëriten gjatë gjithë ditës, burime anonime, “informacione ekskluzive”, lidhje direkte dhe interpretime që shpesh rrezikojnë të paraqiten para publikut me të njëjtën peshë si vetë faktet. Kjo nuk është thjesht pasojë e krizës politike, sepse, në një farë mase, media mund ta implifikojë krizën dhe të krijojë një mekanizëm ku ngjarja prodhon lajmin, lajmi prodhon reagimin politik, reagimi politik prodhon protestën, protesta prodhon lajmin e ri dhe lajmi i ri rikthehet përsëri në televizion, deri në pikën kur publiku nuk e di më qartë se ku fillon ngjarja dhe ku fillon interpretimi. Kjo është veçanërisht e rrezikshme kur në qendër të debatit janë Kosova, Serbia, UÇK-ja, siguria kombëtare apo marrëdhëniet me aktorët ndërkombëtarë, sepse këto nuk janë tema të zakonshme, por tema që prekin kujtesën, identitetin, emocionin dhe vetë perceptimin që një shoqëri ka për historinë e saj. Pikërisht për këtë arsye, mundësia për manipulim emocional është më e madhe dhe kërkesa për përgjegjësi mediatike duhet të jetë më e lartë. Një titull mund të ndezë një debat, një debat mund të prodhojë një deklaratë politike, një deklaratë politike mund të prodhojë një protestë, një protestë mund të prodhojë një tjetër valë lajmesh dhe kështu krijohet një cikël ku media nuk është më vetëm pasqyruese e krizës, por rrezikon të bëhet pjesë e mekanizmit që e zgjeron atë.

Në një situatë të tillë, çështjet kombëtare bëhen veçanërisht të rrezikshme për t’u përdorur si material propagandistik, sepse kur përmendet Kosova, Serbia, UÇK-ja ose siguria kombëtare, reagimi emocional është shumë më i fortë dhe, pikërisht për këtë arsye, duhet të kërkojmë më shumë fakt, jo më shumë zhurmë, më shumë dokumente dhe jo më shumë burime anonime, dhe më shumë argumente, e jo më shumë etiketime. Sepse, në fund të fundit, një shoqëri që nuk arrin të dallojë faktin nga interpretimi bëhet e manipulueshme edhe kur mendon se po mbron interesin kombëtar. Dhe pikërisht këtu fillon pyetja më e vështirë e kësaj historie: Beogradi, marrëdhëniet politike, elitat shqiptare dhe pyetja nëse një brez i tërë politik po përballet me krizën e vet më të madhe të besimit?

Prej më shumë se dy dekadash, në hapësirën mediatike shqip janë zhvilluar debate të pafundme mbi Kosovën, luftën, pasluftën, UÇK-në, figurat politike dhe marrëdhëniet me Serbinë, shpesh në media për të cilat publiku ka të drejtë të kërkojë transparencë më të madhe mbi pronësinë, burimet e financimit, interesat që përfaqësojnë dhe standardet profesionale mbi të cilat ndërtohet informacioni që u ofrohet qytetarëve. Pikërisht në këtë hapësirë, në shumë raste, në studio televizive dhe portale janë ftuar, promovuar dhe trajtuar si zëra të rëndësishëm njerëz që kanë mbajtur qëndrime hapur kundërshtuese ndaj institucioneve të Kosovës ose që janë perceptuar si të afërt me narrativat politike të Beogradit, ndërsa shumë prej këtyre debateve, në vend që të ndihmonin në sqarimin e së vërtetës historike dhe politike, kanë përfunduar duke prodhuar më shumë dyshime, përçarje dhe akuza të ndërsjella sesa qartësi. Për më shumë se njëzet vjet, një pjesë e konsiderueshme e këtij debati mediatik është ushqyer nga histori të pafundme, akuza dhe kundërakuza, rrëfime të pakonfirmuara dhe përplasje të vazhdueshme midis figurave politike e publike, ndërsa pyetja që duhet të shtrohet është shumë më e thjeshtë dhe më e rëndësishme: kush ka përfituar realisht politikisht nga kjo zhurmë e vazhdueshme?

Sepse, nëse pas kaq shumë vitesh kemi një hapësirë publike ku shqiptarët vazhdojnë të përplasen me njëri-tjetrin, ku figurat e luftës dhe të pasluftës konsumohen në akuza të ndërsjella dhe ku çdo zhvillim i ri prodhon një valë të re dyshimesh, ndërsa kundërshtari historik, Serbia, vazhdon të ndërtojë narrativën e vet për Kosovën dhe luftën, atëherë është e arsyeshme të shtrohet pyetja nëse kjo zhurmë, pavarësisht nëse është prodhuar qëllimisht apo jo, në fund të fundit ka shërbyer më shumë për dobësimin e besimit dhe të unitetit politik shqiptar sesa për forcimin e shtetit të Kosovës. Kjo nuk do të thotë se akuzat ndaj figurave politike duhet të heshten apo se çdo kritikë ndaj udhëheqësve të luftës duhet të konsiderohet armiqësi ndaj Kosovës, sepse një shoqëri demokratike ka të drejtë dhe detyrim të hetojë krimet, të kërkojë përgjegjësi dhe të pyesë për çdo vrasje, zhdukje, korrupsion apo abuzim me pushtetin. Për këtë qëllim ka rrugë dhe metoda të tjera profeionale, të cilat ne në midiat tona ende nuk po i shohim. Problemi fillon atëherë kur akuza bëhet më e rëndësishme se prova, kur dyshimi shndërrohet në fajësi, kur një emër i përmendur në studio trajtohet si i dënuar para se të flasin institucionet dhe kur çdo konflikt politik i së kaluarës shndërrohet në një histori konspirative që përdoret për të diskredituar të gjithë një brez politik ose të gjithë një pjesë të historisë së Kosovës.

Në veçanti, akuzat dhe kundërakuzat për vrasjet politike të pasluftës kanë qenë për vite me radhë një nga temat më të ndjeshme të debatit shqiptar, me emra të ndryshëm figurash politike që janë përmendur publikisht, shpesh pa një standard të njëjtë prove dhe pa një dallim të qartë midis përgjegjësisë politike, përgjegjësisë morale dhe përgjegjësisë penale. Pikërisht këtu qëndron një nga rreziqet më të mëdha të kësaj historie: kur krimet e pasluftës shndërrohen në armë të luftës politike, viktimat humbin përsëri, sepse e vërteta zëvendësohet nga versioni që i shërben interesit të radhës. Është e drejtë dhe e domosdoshme të kërkohet se kush i kreu këto vrasje, kush i urdhëroi, kush i financoi, kush i organizoi dhe kush i mbuloi, por përgjigjja nuk mund të përcaktohet paraprakisht nga propaganda e asnjë pale. Përkundrazi, ajo duhet të kërkohet përmes hetimeve profesionale, dokumenteve, dëshmive dhe bashkëpunimit institucional, duke mos përjashtuar asnjë pistë të mundshme dhe duke mos e shpallur fajtor askënd pa prova. Në këtë kuadër, edhe roli i strukturave të ish-aparatit jugosllav të sigurisë dhe i shërbimeve serbe duhet të jetë pjesë serioze e çdo hetimi historik dhe juridik mbi dhunën ndaj shqiptarëve, sepse represioni, ndjekja dhe vrasjet politike të shqiptarëve nga strukturat shtetërore jugosllave dhe serbe nuk është një temë që mund të fshihet nga historia.

Por, po aq e rëndësishme është që çdo pretendim konkret për përfshirje të këtyre strukturave në një vrasje të caktuar të pasluftës të mbështetet në prova konkrete dhe të mos përdoret thjesht si një përgjigje politike sa herë që mungon një hetim i plotë. Dhe këtu lind një pyetje edhe më e madhe: pse, në një pjesë të debatit publik shqiptar, vëmendja është përqendruar kaq shpesh te përplasja midis shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia historike dhe politike e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve vazhdon të mos trajtohet gjithmonë me të njëjtën forcë dhe këmbëngulje? Sepse për vite me radhë kemi parë një paradoks të dhimbshëm: shqiptarët duke akuzuar shqiptarët, figurat e luftës duke akuzuar njëri-tjetrin ose njëra-tjetrën, partitë duke përdorur historinë e luftës kundër kundërshtarëve të tyre dhe mediat duke e shndërruar këtë konflikt në një industri të pafundme debatesh, ndërsa në prapavijë mbetet shumë shpesh e paprekur pyetja themelore mbi përgjegjësinë e shtetit serb për krimet, dëbimet, dhunën dhe represionin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë dekadave.

Kjo nuk do të thotë se Serbia duhet të përdoret si justifikim për çdo krim të kryer nga shqiptarët dhe as se përgjegjësia e një shqiptari duhet të mohohet vetëm sepse Serbia ka kryer krime ndaj shqiptarëve. Përkundrazi, pikërisht sepse kërkojmë drejtësi dhe histori të plotë, duhet të jemi në gjendje të mbajmë njëkohësisht dy të vërteta: Serbia duhet të përballet me përgjegjësinë e saj historike dhe penale për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, ndërsa çdo krim i kryer nga shqiptarët duhet të hetohet dhe të gjykohet sipas provave dhe ligjit. Problemi është se një pjesë e medias shqip, në vend që ta ruajë këtë ekuilibër të vështirë, shpesh e ka kthyer historinë në një arenë përleshjeje politike, ku çdo figurë e luftës mund të goditet nga një tjetër, çdo deklaratë mund të shndërrohet në “provë”, çdo burim anonim mund të marrë statusin e faktit dhe çdo dyshim mund të përsëritet aq shumë sa, në fund, publiku fillon ta perceptojë si të vërtetë vetëm për shkak të përsëritjes. Kjo është pikërisht çështja që nga ne duhet të kundërshtohet sepse, nëse Serbia ka investuar për dekada në krijimin dhe përhapjen e narrativave që synojnë ta paraqesin luftën e Kosovës jo si rezultat të represionit të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të luftës së UÇK-së për liri, por si një histori në të cilën shqiptarët duhet të fajësojnë njëri-tjetrin dhe UÇK-ja duhet të reduktohet në krimet e individëve, atëherë përgjigjja shqiptare nuk mund të jetë as heshtja ndaj krimeve, as mbrojtja automatike e çdo individi. Përgjigjja duhet të jetë e vërteta e plotë, një e vërtetë që nuk mohon viktimat, nuk fsheh krimet, por as nuk lejon që krimet individuale të përdoren për të fshirë nga historia shkakun, karakterin dhe kontekstin e luftës së Kosovës.

Prandaj, edhe vendimi i Hagës duhet të lexohet në këtë kontekst me shumë më tepër maturi sesa lejojnë titujt televizivë dhe betejat politike të ditës: ai është një vendim penal ndaj individëve dhe duhet trajtuar si i tillë, por mënyra se si ai vendim interpretohet publikisht mund të ketë pasoja shumë më të gjera mbi kujtesën kolektive, mbi perceptimin ndërkombëtar të luftës së Kosovës dhe mbi mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta kuptojnë atë periudhë. Dhe pikërisht këtu bëhet e rëndësishme të kuptohet se sa e kushtueshme mund të jetë për një shoqëri kur historinë e saj e lë në duart e zhurmës mediatike, të portaleve që jetojnë nga konflikti, të analistëve që e ndërtojnë audiencën mbi përplasjen dhe të politikanëve që e përdorin dhimbjen e së kaluarës për të fituar betejat e së tashmes.

Në parim, pyetja nuk është nëse duhet të ketë kritikë, hetim apo debat, sepse një shoqëri e lirë nuk mund të jetojë pa to. Pyetja është çfarë standardi përdorim kur flasim për historinë tonë, cilat prova pranojmë, cilat pretendime verifikojmë dhe nëse ajo që prodhojmë në emër të “informimit” në fund e forcon shtetin e Kosovës dhe të vërtetën historike, apo vetëm e dobëson besimin e shqiptarëve te njëri-tjetri. Dhe, nëse pas më shumë se njëzet vitesh rezultati i një pjese të kësaj zhurme është që shqiptarët të vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, të dyshojnë te njëri-tjetri, të përçajnë figurat e tyre historike dhe të konsumojnë energjinë politike në konflikte të pafundme, ndërsa narrativat e Beogradit vazhdojnë të qarkullojnë në hapësirën ndërkombëtare, atëherë kemi detyrimin të pyesim nëse, me vetëdije apo pa vetëdije, nuk kemi hyrë në një mekanizëm ku zëri më i lartë nuk është domosdoshmërisht zëri i së vërtetës dhe ku zhurma, në vend që të ndriçojë historinë, rrezikon ta mbulojë atë.

Dhe kjo është arsyeja pse sot nuk na duhen më shumë zhurmë, më shumë akuza dhe më shumë etiketime, por më shumë dokumente, më shumë arkiva, më shumë hetime profesionale dhe më shumë përgjegjësi publike, sepse vetëm kështu mund të ndahet ajo që është fakt nga ajo që është propagandë, ajo që është përgjegjësi individuale nga ajo që është përgjegjësi shtetërore. Dhe, mbi të gjitha, ajo që është histori e Kosovës nga ajo që dikush përpiqet ta shkruajë për Kosovën. Media nuk mund të jetë vetëm zhurmë, spektakël dhe prodhim i vazhdueshëm krizash. Kur informacioni i pakontrolluar, sensacionalizmi, mungesa e profesionalizmit dhe përdorimi i debateve për përfitime të çastit po zëvendësojnë gazetarinë serioze. Media në gjuhën shqipe nuk po e informon më qytetarin, por po ndikon në deformimin e perceptimit publik dhe në dobësimin e besimit te institucionet. Kur kjo sjellje përsëritet dhe bëhet normë, mediat me papërgjegjshmërinë dhe mungesën e seriozitetit të tyre, janë shndrruar në faktorë, që dëmtojnë reputacionin e Shqipërisë dhe, përtej saj, edhe imazhin e çështjes shqiptare.

8) Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë

Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë, i shpallur më 16 shtator 2026, i gjeti Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit ose arrestimit të paligjshëm apo arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Në të njëjtën kohë, Trupi Gjykues i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit dhe për disa incidente të veçanta. Këto dallime juridike duhet të ruhen qartë në çdo debat politik e historik.
Të dënuarit nuk perceptohen vetëm si individë që kanë mbajtur poste politike apo ushtarake, por edhe si figura të lidhura me historinë e luftës së Kosovës, me UÇK-në, procesin e çlirimit dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Për këtë arsye, një pjesë e shoqërisë shqiptare e përjeton këtë proces jo vetëm si gjykim penal ndaj katër individëve, por edhe si një ngjarje që prek kujtesën kolektive të luftës.

Megjithatë, dallimi themelor duhet të mbetet i qartë: përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shndërrohet automatikisht në një verdikt mbi një popull, mbi të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për liri apo mbi të gjithë historinë e luftës. Për shumë shqiptarë, UÇK-ja është pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, krahas ndërhyrjes së NATO-s dhe proceseve që çuan në përfundimin e luftës. Kjo nuk përjashton përgjegjësinë individuale për veprime konkrete, kur ato provohen, por as nuk justifikon përdorimin e një procesi penal për delegjitimimin automatik të një populli, të një lufte apo të një të drejte historike. Po kështu, kundërshtimi politik ndaj Thaçit, Veselit, Selimit apo Krasniqit nuk duhet të shndërrohet në gëzim për dënimin e tyre, ndërsa mbështetja e tyre politike nuk përjashton të drejtën për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi. Edhe pretendimi se sjellje të caktuara kanë përbërë bashkëpunim me Serbinë kërkon fakte konkrete, dhe nuk mund të nxirret vetëm nga pozita politike, deklaratat apo veprimet që dikush i konsideron të pamatura.

Serbia, ndërkohë, ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme hapësirën diplomatike dhe politike për të paraqitur narrativën e saj kundër Kosovës dhe UÇK-së, prandaj edhe gabimet tona politike duhet të analizohen me kujdes dhe pa u shndërruar në akuza të pambështetura. Nëse pretendohet se një vendim është ndikuar politikisht, ky pretendim duhet të provohet përmes mekanizmave, dokumenteve, provave ose rrethanave konkrete. Po kështu, nëse mbrojtja pretendon gabime në vlerësimin e provave, shkelje procedurale, trajtim të pabarabartë të dëshmive apo gabime në zbatimin e ligjit, këto duhet të identifikohen qartë dhe të kundërshtohen përmes mjeteve juridike përkatëse. Nuk fitohet një betejë juridike duke bërtitur më fort, por duke provuar më saktë. Pikërisht këtu duhet të ndryshojë edhe mënyra e reagimit. Krerët e UÇK-së nuk ndihmohen vetëm me protesta, deklarata dhe zemërim, por me dokumente, prova, ekspertizë juridike, argumente të strukturuara dhe koordinim profesional.

Vendimi duhet të studiohet në hollësi, të identifikohen pikat ku pretendohet se ka gabime në vlerësimin e provave ose në zbatimin e ligjit dhe të përdoren të gjitha mjetet juridike që lejon procedura. Protesta mund të jetë shprehje qytetare dhe politike, por duhet të shoqërohet me strategji dhe veprim konkret. Haga nuk mund të kundërshtohet vetëm nga Prishtina dhe as vetëm nga rruga. Ajo duhet të përballet aty ku vendimet mund të shqyrtohen: në gjykata dhe në mekanizmat juridikë përkatës, por edhe në hapësirën politike e diplomatike ku ndërtohet opinioni ndërkombëtar. Lobimi, kur është transparent, ligjor dhe i mbështetur në argumente të verifikueshme, është pjesë normale e veprimit politik ndërkombëtar. Kosova ka të drejtë të paraqesë historinë e saj, faktet mbi luftën dhe argumentet që i konsideron të rëndësishme, përfshirë dokumentimin e represionit, dëbimeve dhe krimeve të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Por duhet të jemi po aq të kujdesshëm edhe me veten. Pranimi i gabimeve tona nuk do të thotë të barazojmë shqiptarët me Serbinë apo viktimën me agresorin. Kosova mund të pranojë gabimet procedurale, pakujdesinë politike, mungesën e përvojës shtetërore dhe dobësitë e veta, pa mohuar historinë e luftës dhe përgjegjësitë e dokumentuara për krimet e kryera në Kosovë. Po kështu, nuk mund të pretendojmë se çdo vendim i Gjykatës është i gabuar vetëm sepse na dhemb, dhe as se çdo prokuror, gjyqtar apo dëshmitar që paraqet një version të papranueshëm për ne është automatikisht i lidhur me Serbinë. Duhet të mbrojmë historinë e Kosovës, dhe të kërkojmë drejtësi pa lejuar që historia e Kosovës të reduktohet në një version të vetëm.

Në këtë kuadër duhet të bëhet edhe një debat serioz mbi krijimin e Dhomave të Specializuara. Nuk mjafton të thuhet se “Thaçi e pranoi Gjykatën”. Duhet të shpjegohet çfarë u pranua, mbi çfarë baze kushtetuese dhe ligjore, çfarë kompetencash iu dhanë Dhomave të Specializuara, cili është raporti i tyre me sistemin juridik të Kosovës dhe cilat alternativa ishin konsideruar në atë kohë. Nëse pretendohet se struktura nuk duhej të ishte krijuar në atë formë ose se standardet juridike janë zbatuar në mënyrë të pabarabartë, këto pretendime duhet të mbështeten në dokumente, jurisprudencë dhe vendime konkrete. Po aq e rëndësishme është të shtrohen pyetjet që kanë mbetur për një kohë të gjatë pa përgjigje: Pse këto fakte nuk janë paraqitur më herët me të njëjtën forcë? Kush heshti? Kush nuk i dokumentoi? Kush nuk i çoi në institucionet dhe mekanizmat përkatës?

Këto pyetje nuk duhet të shndërrohen në akuza të pambështetura, por në një kërkesë për transparencë, dokumentim dhe përgjegjësi institucionale. Nga Prishtina drejt Hagës duhet të shkojë dokumenti, jo vetëm zemërimi, argumenti juridik, jo vetëm slogani, historia e dokumentuar, jo vetëm versioni emocional i saj. Duhet të paraqiten faktet mbi luftën, represionin, dëbimet dhe vrasjet e shqiptarëve të Kosovës, por njëkohësisht duhet pranuar se përgjegjësia individuale për krimet, kur provohet, nuk zhduket vetëm sepse pala tjetër ka kryer krime të rënda. Prandaj, beteja serioze duhet të jetë betejë faktesh, dokumentesh, juridike dhe diplomatike, jo betejë hakmarrjeje politike. Krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë për më shumë zhurmë, por për më shumë prova, ekspertizë, organizim dhe diplomaci. Nëse pretendohet se vendimi ndaj tyre është më shumë politik sesa juridik, ky pretendim duhet të shndërrohet nga deklaratë politike në argument të dokumentuar dhe të shqyrtueshëm juridikisht. Nuk mjafton të thuhet se Haga ka gabuar, por duhet të tregohet se ku ka gabuar, si dhe me cilat prova. Vetëm atëherë kundërshtimi mund të marrë formën e një beteje serioze juridike, politike dhe historike.

9) Faktori amerikan është i pranishëm

Megjithatë, në të gjitha këto zhvillime duhet të merret parasysh edhe faktori amerikan, i cili ka qenë dhe mbetet i pranishëm në historinë politike dhe të sigurisë së Kosovës. Dhomat e Specializuara janë një institucion me gjyqtarë ndërkombëtarë dhe në trupin gjykues të çështjes Thaçi dhe të tjerët kryesonte gjyqtari amerikan Charles L. Smith III. Në ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një nga aktorët kryesorë të ndërhyrjes ndërkombëtare gjatë luftës së Kosovës dhe të arkitekturës së sigurisë së pasluftës. Kjo e bën të arsyeshme që roli amerikan të mos trajtohet as me idealizim dhe as me paragjykim, por me analizë të fakteve: nga ndërhyrja e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë së atëhershme, mbështetja për stabilitetin e Kosovës dhe marrëdhëniet e ngushta me elitën politike të Kosovës, deri te qëndrimi amerikan ndaj institucioneve të drejtësisë që janë krijuar më pas.

Vetë fakti që një pjesë e rëndësishme e elitës politike të Kosovës, përfshirë figurat që sot ndodhen në Hagë, kanë pasur për vite marrëdhënie, kontakte dhe bashkëpunim me përfaqësues amerikanë, e bën këtë histori edhe më komplekse dhe kërkon një analizë më të thellë të marrëdhënies ndërmjet Kosovës, SHBA-së dhe institucioneve ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, duhet të kujtojmë se Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar edhe në raste të mëparshme, përfshirë edhe qëndrimin pas vendimeve të Dhomave të Specializuara, se përgjegjësia është individuale dhe se vendimet e gjykatës lidhen me personat e gjykuar, jo me UÇK-në apo me Kosovën si tërësi. Prandaj, edhe në këtë rast pyetja nuk duhet të jetë vetëm se çfarë tha apo nuk tha Washingtoni, por çfarë politike ka ndjekur në tërësi ndaj Kosovës, çfarë përgjegjësie ka marrë për krijimin dhe funksionimin e këtij mekanizmi dhe si duhet kuptuar heshtja, mbështetja ose distancimi amerikan ndaj zhvillimeve të fundit.

Dhe pikërisht këtu krijohet një paradoks që meriton analizë: nëse Kosova mbetet e rëndësishme për politikën amerikane në aspektin strategjik, të sigurisë dhe gjeopolitik, si duhet kuptuar një situatë në të cilën drejtuesit aktual të saj mund të jenë fizikisht në Shtetet e Bashkuara, (siç ishte rasti në Asamblenë e OKB-së në Nju Jork para pak ditësh prania e Kryeministri të Kosovës e z. Kurti), por pa pasur takime të nivelit politik që do të tregonin një angazhim të drejtpërdrejtë? Kjo nuk duhet të interpretohet automatikisht si braktisje apo neglizhencë, por as nuk duhet të anashkalohet si një fakt politik pa rëndësi. Në politikën ndërkombëtare, edhe mungesa e një takimi mund të jetë pjesë e mesazhit diplomatik. Prandaj duhet parë në kontekstin e plotë të marrëdhënieve Kosovë–SHBA dhe jo vetëm si një episod i izoluar. Në fund, Kosova duhet ta kuptojë një parim të rëndësishëm: miqësia ndërkombëtare nuk zëvendëson shtetin, ndërsa aleanca nuk e zëvendëson përgjegjësinë. Marrëdhëniet me SHBA-në duhet të mbeten objekt i diplomacisë serioze, të bazuar në interesin e Kosovës, në respektin e aleancave dhe në aftësinë e saj për të paraqitur argumentet, dokumentet dhe interesat e veta me profesionalizëm.
10) Marrëdhënia me SHBA-në dhe patriotizmi institucional

Nuk mund të anashkalohet edhe një fakt tjetër: marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është ndërtuar mbi një histori të gjatë ndërhyrjeje, mbështetjeje dhe bashkëpunimi strategjik, por kjo marrëdhënie nuk mund të kuptohet si zëvendësim i sovranitetit dhe i përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, sigurinë e Kosovës dhe proceset e normalizimit me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye, raporti i klasës politike të Kosovës me Washingtonin duhet të trajtohet jo si çështje emocionale, por si pjesë e përgjegjësisë shtetërore dhe e diplomacisë së saj. Këtu shtrohet një pyetje më e rëndësishme se ajo nëse një shtet i huaj duhet të vendosë se kush duhet të jetë kryeministër i Kosovës: a e dinë politikanët shqiptarë të Kosovës t’i lexojnë drejt mesazhet politike të aleatit të tyre strategjik? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk ka të bëjë me nënshtrimin ndaj një fuqie të huaj. Asnjë shtet tjetër nuk duhet të zëvendësojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe as institucionet kushtetuese të saj. Por sovraniteti nuk do të thotë të mos dëgjosh askënd, por do të thotë të jesh në gjendje të dëgjosh, të analizosh dhe të vendosësh vetë, duke i kuptuar edhe pasojat e vendimeve të tua.

Kjo është ajo që unë e quaj patriotizëm institucional: të dish të lexosh jo vetëm fjalët e një aleati, por edhe peshën politike të personit që i thotë ato, institucionin që përfaqëson dhe momentin në të cilin ato thuhen. Rasti i ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier është domethënës në këtë drejtim. Ai është diplomat karriere me përvojë të gjatë në çështjet e Ballkanit dhe në politikën amerikane ndaj Evropës dhe sigurisë rajonale. Prandaj, kur një ambasador i tillë përcjell një qëndrim të qartë të Washingtonit, përgjigjja e një shteti serioz nuk duhet të jetë as minimizimi i mesazhit, as interpretimi i tij automatik si sulm personal, por analiza e saktë e asaj që po thuhet dhe e pasojave që mund të ketë. Kjo nuk do të thotë se çdo qëndrim amerikan duhet pranuar pa diskutim. Një shtet serioz mund të mos pajtohet me aleatin e vet, mund ta kundërshtojë një kërkesë dhe mund ta mbrojë interesin e vet kombëtar. Por para se ta kundërshtojë, duhet ta kuptojë.

Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet sovranitetit të përgjegjshëm dhe kokëfortësisë politike. Një shtet nuk bëhet më sovran duke i mbyllur veshët ndaj aleatëve, por bëhet më i aftë kur i dëgjon, i analizon, i peshon në raport me interesin e vet dhe pastaj merr vendim. Në vitet e fundit ka pasur raste konkrete kur zyrtarët amerikanë kanë shprehur publikisht kundërshtime ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës dhe kanë kërkuar de-përshkallëzim, koordinim dhe rikthim në dialog. Në maj dhe qershor 2023, Departamenti i Shtetit deklaroi se veprimet e qeverisë së Kosovës lidhur me hyrjen në ndërtesat komunale në veri kishin përshkallëzuar tensionet dhe kërkoi hapa konkretë për de-përshkallëzim. Në shkurt 2024, Washingtoni përsëriti se do të vazhdonte angazhimin diplomatik dhe kërkoi rikthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Këto qëndrime tregojnë se mesazhet amerikane nuk kanë qenë thjesht deklarata individuale të një diplomati në Prishtinë, por pjesë e një politike të shprehur publikisht nga administrata amerikane.

Prandaj, kur analizojmë pozitën ndërkombëtare të Kosovës, nuk mjafton të shohim vetëm se sa shpesh partitë politike e përmendin Amerikën si mik dhe aleat. Duhet të shohim edhe sa mirë e dëgjojnë dhe e interpretojnë politikën amerikane kur ajo nuk përputhet me kalkulimet e tyre të momentit. Patriotizmi institucional nuk matet vetëm me deklaratat e miqësisë, por ai matet edhe me aftësinë për ta kuptuar kur një aleat po këshillon, kur po paralajmëron, kur po kundërshton dhe kur po kërkon ndryshim kursi. Këtu qëndron edhe një problem që duhet analizuar me seriozitet: në diplomaci, rëndësi kanë jo vetëm deklaratat publike, por edhe niveli i kontakteve, formati i takimeve, koha e tyre, kanalet e komunikimit dhe, në rrethana të caktuara, edhe mungesa e takimeve. Nëse një personalitet politik i Kosovës ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka kontakte të nivelit që pritej ose që do të tregonin një angazhim të drejtpërdrejtë politik, kjo mund të jetë një element që meriton vëmendje politike.

Por nuk mund të shndërrohet automatikisht në përfundimin se kemi të bëjmë me braktisje, sanksion apo armiqësi. Për një përfundim të tillë nevojiten fakte, kontekst dhe një analizë më e gjerë e marrëdhënieve dypalëshe. Edhe heshtja diplomatike mund të ketë kuptim, por kuptimi i saj duhet provuar dhe jo imagjinuar. Kjo lidhet edhe me përgjegjësinë e klasës politike të Kosovës. Nëse një qeveri hyn në mospajtime të përsëritura me partnerët strategjikë, ajo duhet të jetë në gjendje të vlerësojë jo vetëm arsyet e veta, por edhe pasojat që mund të sjellin këto mospajtime për sigurinë, diplomacinë dhe pozitën ndërkombëtare të vendit. Nëse një drejtues politik humb një pjesë të besimit të partnerëve, kjo nuk do të thotë automatikisht se i hiqet e drejta për të qeverisur, legjitimiteti i tij përcaktohet nga Kushtetuta dhe proceset demokratike. Por besimi ndërkombëtar është një faktor real i marrëdhënieve shtetërore dhe humbja e tij mund ta ngushtojë hapësirën diplomatike të një qeverie.

Këtu merr kuptim edhe parimi se aleanca me SHBA-në nuk është licencë për pushtet, por as shpërfillja e një aleati strategjik nuk është pa pasoja. Kosova duhet të jetë në gjendje të marrë vendimet e veta, por duhet të jetë po aq e aftë të kuptojë pasojat e tyre. Nuk duhet të presë gjithmonë një deklaratë nga Washingtoni për të kuptuar se ku qëndron situata. Ajo duhet të ketë diplomatë, institucione dhe politikanë që i lexojnë me kohë sinjalet e aleatëve, i analizojnë në mënyrë profesionale dhe i kthejnë ato në politikë shtetërore. Në këtë kuptim, problemi nuk është Amerika. Problemi është aftësia jonë shtetërore për ta lexuar Amerikën dhe, në të njëjtën kohë, për ta mbrojtur interesin e Kosovës përballë Amerikës.

Kjo kërkon një politikë të jashtme që nuk funksionon mbi emocionin, propagandën partiake apo sloganet, por mbi dije, profesionalizëm diplomatik, interes shtetëror dhe përgjegjësi. Një shtet serioz ndodh se, nuk i pranon automatikisht të gjitha kërkesat e aleatëve, por as nuk i injoron ato në asnjë rrethanë. Ai i dëgjon, i analizon, i kundërshton kur është e nevojshme dhe negocion kur është në interesin e vendit. Prandaj, patriotizmi institucional nuk është të thuash gjithmonë “po” ndaj Amerikës, por të dish kur duhet të dëgjosh, kur duhet të kundërshtosh, kur duhet të negociosh dhe si duhet ta mbrosh interesin e vendit pa e dëmtuar aleancën. Ky është një nivel më i lartë i vetëdijes shtetërore: të mos presësh që një aleat të vendosë për ty, por as të mos sillesh sikur aleanca nuk ka rëndësi. Kosova duhet të jetë në gjendje të ndërtojë marrëdhënie ku miqësia ndërkombëtare mbështetet mbi respekt të ndërsjellë, ndërsa sovraniteti shoqërohet me përgjegjësi. Në fund, miqësia ndërkombëtare nuk zëvendëson shtetin, ndërsa sovraniteti nuk zëvendëson diplomacinë.

11) Nga regjimi i individit te shteti i institucioneve

Kush po e poshtëron Shqipërinë dhe çështjen shqiptare? Përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm te një individ, te një parti apo te një qeveri. Ajo duhet kërkuar te kultura politike dhe institucionale që kemi lejuar të ndërtohet në të gjitha nivelet e politikës shqiptare: te përqendrimi i pushtetit te individi, te sjellja politike që vendos interesin personal e partiak mbi interesin publik, te korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe përdorimi i shtetit si mjet për pushtet. Pikërisht këtu qëndron problemi i regjimit të individit. Një shtet modern nuk mund të funksionojë mbi bindjen se individi që fiton zgjedhjet fiton edhe të drejtën për të kontrolluar gjithçka. Kryeministri nuk është shteti, presidenti nuk është shteti dhe kryetari i partisë nuk është shteti. Mandati elektoral jep të drejtën për të qeverisur brenda Kushtetutës dhe ligjit, jo të drejtën për ta zotëruar shtetin. Kur ky mentalitet shoqërohet me korrupsion dhe interesa klienteliste, dëmi bëhet edhe më i madh. Atëherë institucionet mund të përdoren për interesa të ngushta, vendimmarrja mund të ndikohet nga lidhjet politike ose ekonomike dhe qytetari mund të humbasë besimin se ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Në këtë pikë, problemi nuk është më vetëm individi që abuzon me pushtetin, por sistemi politik që e lejon, e toleron ose nuk arrin ta kontrollojë atë. Kjo përgjegjësi nuk i përket vetëm një krahu politik.

Ajo duhet të shihet në të gjitha nivelet: te pushteti qendror dhe ai vendor, te qeveritë dhe opozitat, te drejtuesit politikë dhe te strukturat partiake, te zyrtarët e lartë dhe te administrata që zbaton vendimet. Ndryshojnë emrat, partitë dhe sloganet, por nëse mbetet i njëjti mentalitet, ndryshimi politik nuk prodhon domosdoshmërisht ndryshim shtetëror. Këtu merr kuptim patriotizmi institucional. Ta duash Shqipërinë dhe çështjen shqiptare nuk do të thotë të mbrosh pa kushte një politikan shqiptar vetëm sepse është shqiptar, as të justifikosh korrupsionin, abuzimin me pushtetin apo shkeljen e ligjit për hir të interesit partiak. Përkundrazi, patriotizëm institucional do të thotë të mbrosh shtetin, institucionet dhe interesin publik edhe kur kjo kërkon të kritikosh njerëzit e tu politikë. Shqiptarinë nuk e dëmton kritika ndaj politikanit, por e dëmton mbrojtja e politikanit kur ai dëmton shtetin. Një komb nuk forcohet duke fshehur korrupsionin, paaftësinë apo abuzimin, por duke ndërtuar institucione që i korrigjojnë ato.

Prandaj, përgjigjja më e saktë e pyetjes “Kush po e poshtëron Shqipërinë dhe çështjen shqiptare?” nuk është një emër i vetëm. Përgjigjja është çdo sjellje politike që e vendos individin mbi institucionin, interesin personal mbi interesin publik, partinë mbi shtetin dhe pushtetin mbi ligjin. Përgjegjësia është individuale për çdo veprim të paligjshëm, por problemi është edhe institucional kur sistemi nuk arrin ta parandalojë, ta ndëshkojë ose ta korrigjojë atë. Prandaj, kalimi historik që duhet të bëjmë është i qartë: nga njeriu i fortë te institucioni i fortë, nga kulti i individit te përgjegjësia publike, nga pushteti personal te shteti i së drejtës, nga besnikëria partiake te patriotizmi institucional. Vetëm atëherë çështja shqiptare mund të mbështetet mbi shtete më të besueshme, institucione më të forta dhe një kulturë politike që nuk kërkon të mbrojë individin, por interesin afatgjatë të kombit dhe të qytetarit.

Dhe këtu shtrohet edhe një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a ka ndikuar mentaliteti i pushtetit dhe i përplasjeve politike, që disa prej krerëve të UÇK-së e bartën gjatë qeverisjes në poste të larta shtetërore në Kosovë, në krijimin e kundërshtarëve të fuqishëm politikë dhe, më pas, në një klimë ku kundër tyre u ngritën dëshmi, dëshmitarë dhe pretendime që sot janë pjesë e proceseve gjyqësore në Hagë? Kjo nuk do të thotë të pretendojmë pa prova se dëshmitarët janë fabrikuar apo se faktet janë sajuar, por është një pyetje që meriton të shqyrtohet me seriozitet: sa prej materialeve të paraqitura janë prova të drejtpërdrejta, sa janë dëshmi të individëve, sa janë interpretime të tyre dhe nëse në ndonjë rast konfliktet politike, hakmarrjet personale apo interesat e kundërshtarëve kanë ndikuar në mënyrën se si janë krijuar ose paraqitur këto dëshmi. Nëse ka pasur veprime kriminale, ato duhet të provohen dhe të gjykohen individualisht, por nëse ka pasur edhe përdorim politik të dëshmive, kjo duhet të zbardhet po me të njëjtin seriozitet. E vërteta nuk duhet të mbrohet as duke mohuar provat, as duke pranuar pa verifikim çdo dëshmi. Ajo duhet kërkuar aty ku përputhen faktet, dokumentet, provat dhe drejtësia.

Më 28.09.2026

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit