25.4 C
Tirana
E martë, 9 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj POLITIKANËT E PAPËRGJEGJSHËM DHE OPORTUNIZMI I INTELIGJENCIES SHQIPTARE

POLITIKANËT E PAPËRGJEGJSHËM DHE OPORTUNIZMI I INTELIGJENCIES SHQIPTARE

0
Rama - protesta
Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Vrasje, plagosje, vetëvrasje, vjedhje, rrëmbime, reketime, korrupsion, mitë, ryshfet, shantazhe, imoralitet, shkurorëzime apo ndarje bashkëshortësh, divorce, jetimore, probleme sociale, probleme ekonomike, papunësi, shpërngulje masive, lënia e fshatrave, mungesë rrugësh dhe infrastrukture nëpër fshatra, lënia e bujqësisë, lënia e blegtorisë, shndërrimi i tokave pjellore në djerrina, korrupsion pothuajse në të gjitha poret e shoqërisë, abuzime, shkelje ligji, shpërdorim detyre, ndërtime pa leje, mafia urbane, ekonomia gri, mbjellja e lëndëve narkotike, shitja e lëndëve narkotike, përdorimi i lëndëve narkotike, përfshirja në vrasje e personave të moshës së mitur, burgje të mbingarkuara, burgje të mbipopulluara, burgje me kushte nën standardet e BE-së, aksidente rrugore të ditëpërditshme, ngasje veturash nga persona pa leje drejtimi, ngasje veturash nga persona në gjendje të dehur, ngasje veturash apo makinash nga persona nën ndikimin e lëndëve narkotike, vjedhje në të gjitha nivelet e shtetit dhe të shoqërisë, vjedh kryetari i shtetit, vjedh kryetari i kuvendit të shtetit, vjedh kryeministri, vjedh zëvendëskryeministri, vjedh ministri, vjedh ministrja, vjedh deputeti, vjedh deputetja, vjedh polici, vjedh doganieri, merr mitë apo ryshfet profesori universitar, profesori universitar ua shet studentëve skriptin apo librin e vet, si kusht për të marrë notë kaluese, shitblerje notash nëpër universitete, vjedh mjeku, vjedh kirurgu, vjedh kardiologu, vjedh onkologu, vjedh infermierja, merr mitë apo ryshfet infermierja, abuzim me barnat, abuzojnë, shkelje ligji nga autoshkollat e lejeve të qarkullimit, vjedhje nga nëpunës të organeve të pushtetit vendor, vjedhje nëpër organet bashkiake, vjedhje nga kryetarë bashkish, deputete arrogante, megalomane dhe mendjemëdha, deputete me veshje ekstravagante dhe të shtrenjta, shpërdorime nga gra pushtetarësh, gra pushtetarësh që porosisin veshmbathje nga Roma dhe Parisi, banesa apo apartamente dhe vila të cilat pushtetarët ua blejnë dhuratë “dashnoreve”, konkubinave apo femrave me të cilat bashkëjetojnë. Vetura të shtrenjta që kushtojnë dhjetëra mijë euro, në një vend ku dikush ballafaqohet me skamjen.

Pushime verore dhe dimërore nëpër vende ezoterikë në një vend ku dikush nuk mund të shkojë as në detin e vendit të vet. Lypës nëpër rrugë, trotuare dhe semaforë. Foshnja që keqpërdoren nga prindërit për lypje. Fëmijët të shndërruar në lypës. Nuk reagon asnjë institucion i shtetit, asnjë organizëm i shoqërisë civile.

Shumë politikanë dhe pushtetarë fëmijët e vet i shkollojnë jashtë vendit, në ShBA, në Britani të Madhe, në Itali, në Gjermani dhe gjetkë. Fëmijëve të vet, djemve e vajzave, rejave e dhëndurëve, nipave e mbesave u blejnë diploma universitare, tituj akademikë, magjistratura dhe doktorata nëpër universitetet private të botës. Shumë pushtetarë dhe pushtetarë kanë marrë tituj akademikë, magjistratura dhe doktorata, pa pasur dituri të mjaftueshme. Shumë magjistratura dhe doktorata kanë qenë plagjiatura.

Politikanë të etshëm për pushtet, tepër ambiciozë, karrieristë të sëmurë, të pangopur, materialistë. Nuk bëhet politika kombëtare pa idealizëm. Shqipëria apo Kosova nuk janë mall babe i askujt. Privilegj i vetëm i të merituarve është të shënohen në faqet e historisë. Asgjë më shumë se kaq. Dëshmorëve ndërkaq, t’u bëhet homazh dhe t’u vihet mbi varre lule të freskëta.

A e ke parë? Sipas kushtetutës amerikane, përpos në raste të veçanta, presidenti mund të qeverisë jo më shumë se dy mandate. Në Ballkan ndërkaq, politikanët duan të qëndrojnë në skenë me dekada, deri në vdekje. Turp! Absurde! Shumë politikanë shqiptarë të trojeve ilire, s’mund ta paramendojnë veten jashtë skenës politike.

Në botën shqiptare, midis qeveritarëve, në një anë dhe partive në opozitë, në anën tjetër, pothuajse s’ka kurrfarë dallimi. Edhe opozitarët kanë qenë në pushtet dhe kanë qeverisur mbi pesëmbëdhjetë vjet.

Në grupin e të korruptuarve bëjnë pjesë: gjyqtarë, porotnikë, prokurorë publikë, avokatë, noterë, dëshmitarët e rrejshëm. Nuk çelin gojë, as reagojnë Avokati i Popullit, Komiteti i Helsinkit, organizmat e shoqërisë civile, të ashtuquajturat institute të demokracisë. Të gjithë, për një janë të shitur dhe të blerë katërçipërisht, janë në ushtën e pushtetit.

Krejt kjo nuk është as komunizëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm. Ku ke parë ti nxënësi të vijë në shkollë me thikë, me revole, boks hekuri, me shufër metalike, me sende të forta. Ku jetojnë shqiptarët, në Evropë apo në ndonjë kontinent tjetër të errët?!

*   *   *

Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk është shtet ligjor. Bashkimi Evropian kontakton dhe komunikon me këto vende të rajonit që nga viti 1991 e këndej. Atëherë shtrohet pyetja: “Përse BE-ja nuk ia ka dalë t’i çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt ndërtimit të shtetit ligjor”? Në këtë mes, edhe Brukseli me infrastrukturën e vet po del hipokrite, tartufiste dhe dyfytyrëshe. Kësaj i thonë diplomaci e mashtrimit.  

Pushtetarët synojnë të udhëheqin më shumë se udhëheqësit e regjimit komunist. Pesë dekada u duken pak. Ata duan të qeverisin një shekull, me shekuj. Ata e quajnë veten të pazëvendësueshëm. Ku është parë në historinë e botës të ketë pretendim për të mbetur në skenë politikani i harxhuar, i konsumuar, i shpallur nga Departamenti i Shtetit i padëshiruar, ndaj të cilit zhvillohet proces gjyqësor, i cili rizgjidhet në krye të Partisë pa kundër-kandidat.

Filozofi dhe shkrimtari ekzistencialist francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre, 1905-1980) thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”. Mos vallë shqiptarët vetë janë fajtorë për fatkeqësinë e vet?! Mos vallë shqiptarët janë e keqja e vetvetes, siç thoshte Faik Konica (1875-1942)?!

Në asnjë parlament të botës nuk ndodh një kacafytje pambarim dhe me fjalë fyese si në kuvendin e Shqipërisë. Ç’është kjo zënkë pambarim midis shumicës parlamentare dhe opozitës?! Shteti që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje parlamentare të drejta dhe demokratike, nuk e ka vendin në BE. E dhimbshme, e tmerrshëm, rrëqethëse! Kush ua shuan shpresat bijve tanë, nipave dhe mbesave?! Ç’jaqnë këta politikanë të papërgjegjshëm?! Deri kur në gjumë dimëror inteligjencia e vendit të shqipeve?!

Kusht për të ndërtuar shtet ligjor, shtetin e së drejtës, shtet demokratik është zhvillimi ekonomi. Pa ekonomi, s’ka demokraci. Demokracia pa ekonomi është utopi. E dimë se kush e vriste demokracinë pas shpalljes së pavarësisë në Vlorën e vitit 1912. E dimë se kush e ndaloi me Burrel dhe Spaç mendimin ndryshe në vitet 1944-1991. Po kush ia zuri frymën lirisë së fjalës, mendimit ndryshe, procesit demokratik të viteve 1991-2026, periudhë kjo e pluralizmit. Po bëhen gati katër dekada e Shqipëria vazhdon të mbytet në ujërat e turbullta të tranzicionit. A thua deri kur?!

Në botën shqiptare mungon mendimi kritik, mungon kritika politike, mungon kritika sociale. Në botën shqiptare zotëron censura. Në botën shqiptare ka kuazi liri shtypi, liri e rrejshme mendimi, liri fiktive e mendimit të lirë. Mediumet publike, private dhe portalet kanë një detyrë  – të shpëlajnë trurin e publikut. Eksponentë të shpëlarjes së trurit janë argatët dhe shërbëtorët e partive politike – analistët dhe intelektualët mediokër. Në shumë anë takon edhe poetë dhe shkrimtarë mediokër.

Nuk udhëhiqet shteti me politikën panem et circenses* (bukë dhe argëtim). Nuk mbahet shteti dhe shtëpia me imoralitet, me muzikë pornografike, me lakuriqësi, me reality show.

Shënim: Panem et circenses (bukë dhe cirk) është një shprehje e famshme latine e popullarizuar nga satiriku romak Decim Junie Juvenal (Decimus Iunius Iuvenalis, supozohet të ketë lindur në Akvin në vitin 60; ka vdekur në vitin 130) Denoncon strategjinë e sundimtarëve që u ofronin njerëzve ushqim dhe argëtim për të blerë paqen e tyre dhe për t’i shpërqendruar ata nga çështjet e vërteta politike. Prejardhja e shprehjes: Nën Perandorinë Romake, plebenjtë merrnin shpërndarje gruri falas dhe përfshiheshin në gara me qerre, në luftime gladiatorësh. Juvenali kritikoi apatinë e bashkëkohësve të tij, të cilët ishin të gatshëm të hiqnin dorë nga të drejtat dhe nga liria qytetare e vet në këmbim të kënaqësive materiale të menjëhershme.

*   *   *

Kjo kategori njerëzish, pushtetarë dhe shtetarë, deri dje kanë qenë sankylotë (sans-culotte), d.m.th. të pabrekë  Sot e kanë shpallur veten elitë të shoqërisë. Janë shndërruar në borgjezi të kombit. Çdo gjë është nën pushtetin e tyre – politika, ekonomia, bizneset, institucionet, akademitë,  universitetet, arsimi, shëndetësia, kultura. Ata dhe familjarët e tyre i kanë në duar industrinë e ndërtimeve, tenderët, importin e mallrave, eksportin e mallrave. Këtë kastë udhëheqësish çdo ditë e sheh në mediume, në studio televizive, në gazeta, në revista. Prej vitit 1991, këta të ashtuquajtur politikanë dhe politikane i sheh në ekrane televizive.

Këta udhëheqës dhe prijës, jo të popullit, por të kombit, i kanë nën kontroll të hekurt mediumet, studiot televizive, radiot, portalet, gazetat, revistat, shtëpitë botuese,  analistët politikë, krijuesit e opinioneve. Mediumet e sipërthëna, bashkë me analistët politikë të cilët 36 vjet i sheh nëpër debate dhe tryeza të rrumbullakëta, janë mercenarë të politikanëve hajdutë, të udhëheqësve vjedhës, vjedhacakë. Mercenarë, argatë dhe shërbëtorë të politikanëve, të shitur dhe të blerë katërçipërisht. Në shërbim të prijësve perfidë të kombit janë edhe kalemxhinjtë, racë kjo e kalbur e shoqërisë shqiptare. Argatë dhe shërbëtorë të udhëheqësve babëzi, për interesa meskinë, janë edhe shumë intelektualë. Këta s’janë intelektualë. Këta janë pseudo-intelektualë, gjysmë-intelektualë.

Intelektualë dhe politikanë oportunistë, konformistë, puthadorë, demagogë, pseudo-kombëtarë, anacionalë. Këta ta përkujtojnë shprehjen e famshme nga përralla “Mreti është lakuriq” të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen (Hans Christian Andersen, 1805-1875). Askush s’ka guxuar t’i thotë mbretit se s’ka tesha në trup, se është lakuriq, i zhveshur. Të gjithë i kanë rënë në shpatull dhe i kanë thënë: “Shkëlqesi, s’ka si Ju. Jeni më i miri. Lumë ne që të kemi.

Shteti nuk udhëhiqet nga mashtrues, nga tregtarë flamujsh, nga matrapazë, nga tyxharë, nga rufjanë, nga materialistë. Materialist ka qenë filozofi gjerman me prejardhje hebraike Karl Marksi (Karl Marx, 1818-1883). Koha e tij ka perënduar. Tani e tutje duhet t’i kushtojmë rëndësi shpirtit. Materializmi s’është veçse robërim i shpirtit.      

Para problemeve me të cilat ballafaqohet bota shqiptare, i kanë mbyllur sytë dhe heshtin: inteligjencia, intelektualët, Akademitë e shkencave, universitetet, akademikët, profesorët universitarë, filozofët, sociologët, ekonomistët, shkrimtarët.

*   *   *

Borxhi i jashtëm i Shqipërisë – Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi vlerën 10,182.6 milionë euro në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2023, me një rritje rreth 3.2%.

Kush po i shpërngul sot shqiptarët nga trojet e veta?! – Para rreth një shekulli na shpërngulte për në Anadolli historiani serb nga Bosnja dhe Hercegovina, Vasa Çubriloviq (1897-1990) me elaboratin e tij “Dëbimi i shqiptarëve”, Klubi kulturor serb, Beograd, 1937. Elaborate për shpërnguljen e shqiptarëve ka hartuar edhe shkrimtari serb nga Bosnja dhe Hercegovina Ivo Andriq (1892-1975).

Po sot, kush na shpërngul?! Në 16 vitet e fundit kanë ikur nga Shqipëria 1 milion shqiptarë. Në vitet 2021-2024, leje qëndrimi në vendet e BE-së kanë marrë mbi 230 mijë shqiptarë. Për të qenë gjëma më e madhe, politikanët shqiptarë dhe ortakët e tyre nga radhët e inteligjencies, ikjen e të rinjve nga trojet arbërore e marrin si çështje normale dhe e quajnë “trend global”. Ka njerëz me shkollë ky popull, apo ka mbetur pa ta?!

*   *   *

Kush e vrau idealizmin shqiptar, kush po e shuan vetëdijen mbi prejardhjen ilire të bijve të shqipes, kush po e shtyn rininë ta lë në harresë epokën zulmëmadhe të Gjergj Kastriotit (1405-1468), kush po e shuan dritën e epokës së Rilindjes?!

Prej vitit 2021 deri në vitin 2024, 142,976 qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve perëndimore. Gjatë vitit 2024 Kosovën  e lanë 37.451 banorë.

Kosova është vendi me të ardhura më të ulëta për kokë banori në Evropë. Ikja masive nga vendi ndodh kryesisht për dy arsye: për arsye papunësisë dhe të kostos së jetesës. Në vitin 2010, në Gjermani kanë jetuar 291 mijë qytetarë me prejardhje nga Kosova. Vetëm 12 vite më pas, kjo shifër ka arritur në 542 mijë. Brenda një dekade, kjo paraqet një rritje prej 86 për qind.

*   *   *

Sikundër dihet, Kosova është shembull i vendit për organizimin dhe për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Asnjë aksident, asnjë incident, asnjë ankesë nga asnjëra palë. Rezultatet e zgjedhjeve shpallen dy orë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Në këtë pikëpamje, edhe BE-ja ia nxjerr kapelën dhe ia shtrin dorën Kosovës.

Klasa politike e Kosovës duhet ta dijë se sa herë që të dalin në zgjedhje, do të rezultojë i njëjti raport forcash. Partitë opozitare të Kosovës, si: PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma duhet të shkrihen në një subjekt politik. Ndryshe, kurrë s’kanë për ta mundur Lëvizjen Vetëvendosje. Në anën tjetër, LVV-ja duhet të pranojë kompromis. Ndryshe rrezikon të marrë tatëpjetën.        

*   *   *

Në hapësirat shqiptare, nëpërmjet shërbimeve sekrete të veta, synojnë të penetrohen, të depërtojnë dhe të ushtrojnë ndikim shtete të ndryshme, si: Greqi, Serbia, Rusia, Turqia, Irani, vendet arabe apo islamike etj. Shërbimet e huaja bëjnë çmos për ta destabilizuar Shqipërinë dhe Kosovën, për ta parandaluar procesin e integrimit në organizmat euroatlantikë. Greqia, Serbia, Rusia, Mali i Zi dhe sllavo-maqedonasit nuk duan një botë shqiptare ekonomikisht të zhvilluar. Shtetet e sipërthëna ndikojnë në mënyra të ndryshme. Çelin shkolla në trojet shqiptare, themelojnë shoqata humanitare. Këto farë shoqatash, mund të jenë çdo gjë por jo edhe humanitare.

Të gjithë duhet ta dinë se shqiptarët janë popull evropian, populli më proamerikan në botë. Shqiptarët i përkasin zonës perëndimore të interesit dhe sferës perëndimore të ndikimit. Kombi shqiptar synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. 

*   *   *

Punësimi dhe përmirësimi i gjendjes ekonomik është arsyeja kryesore që i shtyn shqiptarët të emigrojnë. Gjatë tranzicionit, rritja ekonomike e vendit nuk është shpërndare në mënyrë të barabartë. Mungesa e vendeve të punës me paga të denja, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe mungesa e sigurisë afatgjatë për profesionistët kanë qenë arsyet kryesore të emigrimit. Paga mesatare në Shqipëri ka mbetur shumë poshtë mesatares së BE-së dhe të rajonit, duke nxitur më tej kërkesën për migrim ekonomik, drejt Italisë, Greqisë, Gjermanisë etj.

Faktori politik shqiptar në rajon, domethënë nënat parti, duhet të mos i fusin duart dhe gishtërinjtë në çdo fushë të shoqërisë. Larg duart nga arsimi, nga shëndetësia, nga administrata, nga policia, nga ushtria, nga diplomacia, nga doganat etj. Politizimi dhe partizimi i institucioneve të shtetit nuk e çon para as shtetin, as shoqërinë. Larg duart prej mediumeve publike. Shteti dhe shoqëria shkojnë para kur në vendimmarrje respektohen vlerat profesionale dhe etike.

Këta xhagajdurë duhet ta dinë se shtresat shoqërore relevante nuk krijohen brenda natës. Borgjezia në Itali ka filluar të krijohet qysh në shekullin XII.

Mosushqyerja e kafshëve nëpër kopshtet zoologjike, keqtrajtimi i kafshëve “endacakë”, i qenve, i maceve etj. Kafshë shtëpiake që digjen gjatë verës nëpër stalla e stane që përfshihen prej flakëve.

Vërshime dhe përmbytje lagjesh të qyteteve, përmbytje shtëpish, banesash, apartamentesh, tregtizash, dyqanesh, qilarësh, punëtorish, vërshime dhe përmbytje arash, tokash të punueshme, fusha të gjera me lule nën pushtetin e pamëshirshëm të valëve të shfrenuara të ujit. Këto s’janë dot vetëm fatkeqësi natyre, janë edhe fatkeqësi njerëzore, fatkeqësi të shkaktuara nga faktori njeri.

Si pasojë e sa më sipër, kemi zbrazjen e trojeve shqiptare, shpopullimin e Arbërisë. Shqipëria me dy dete, nuk mund të jetë ndër vendet më të pazhvilluara të Evropës apo të rajonit. Shqiptarët e lënë vendin, e në vend të tyre vijnë punëtorë nga Italia, India, Filipinet, Turqia, Egjipti, Bangladeshi, Nepali etj. Në Shqipëri vijnë për punë edhe shumë shqiptarë nga Kosova.

Shqipëria do të bëhet! Kosova, po ashtu!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.