“28 Nëntor 1443″ VS “28 Nëntor 1912″…

0
176
Paulin Zefi

Paulin Z. Zefi

Duke kujtuar dhe kremtuar vetëm Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, vihet re masivisht se: shumica në mënyrë të pavetëdijshme dhe disa të tjerë me qëllime të caktuara, po errësojnë në mënyrë të turpshme pikërisht ngjarjen më të rëndësishme, “28 Nëntorin 1443”🇦🇱🇦🇱🇦🇱

Dy fjalë sa për të mos harruar: …
“28 Nëntor 1443″ VS “28 Nëntor 1912″…

👉 1) Akti i Pavarësisë nga Perandoria Osmane, i shpallur nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Krujë më “28 nëntor 1443” ishte një ngjarje, e cila u zhvillua në kohën kur Perandoria Osmane ishte fuqia ushtarake dhe ekonomike më e madhe e botës.
👉… Akti i Pavarësisë nga Perandoria Osmane, i shpallur në Vlorë më “28 nëntor 1912”, përpos faktit se përsëritet historia, ishte një ngjarje që u zhvillua në kohën kur Perandoria Osmane nuk përbënte më ndonjë kërcënim për askënd, por tashmë ishte duke dhënë shpirt nën sulmet e papërballueshme të koalicionit të shteteve ortodokse ballkanike (Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi).
👉 2) Më 28.11.1443, e gjithë kjo sipërmarrje u bazua 100% mbi sakrificat e Kryeheroit dhe të popullit arbër dhe pa ndihmën e asnjë fuqie të huaj.
👉… Më 28.11.1912, bëhet fjalë për zbatimin e “Projektit të madh Austro-Hungarez” për “Krijimin e një Shteti Shqiptar” me qëllim për të penguar zgjerimin e mëtejshëm të 4 shteteve të lartpërmendura ballkanike, që nënkuptonte forcimin e hegjemonisë ruse në Europën Juglindore. Pra, me pak fjalë, kjo sipërmarrje u bazua mbi garancinë e plotë të dhënë nga Perandoria Austro-Hungareze, e mbështetur pa rezerva nga Gjermania dhe me simpatinë e Italisë.
👉 3) Autoriteti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut pas “2 Marsit 1444” si Kryetar i Shtetit të Lidhjes së Lezhës shtrihej në të gjitha vendet e lira dhe të çliruara, të cilat mbulonin një hapësirë gjeografike që në Veri niste nga Sjenica (Sanxhak) e Zveçani; zgjatej deri në Himarë dhe Labëri në Jug; për t’u zgjeruar deri në brigjet e detit Adriatik e Jon, në Perëndim; në Dardaninë Qendrore në Verilindje dhe shtrihej deri pranë Shkupit, në Lindje.
👉… Autoriteti i Qeverisë së Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali, shtrihej vetëm brenda trekëndëshit “Vlorë-Berat-Lushnjë”. I tillë mbeti edhe në vitin 1913, pas tërheqjes së forcave armike nga kufijtë arbitrarë të caktuar nga 7 Fuqitë e Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913).
👉 4) Çlirimi i vendit dhe më pas fitorja madhështore në betejën e Torviollit (29 qershor 1444), solli si produkt njohjen zyrtare të “Pavarësisë së Arbërisë” nga sulltan Murati II në Traktatin e Segedit (Szeged) të nënshkruar më 12 korrik të vitit 1444, midis tij dhe mbretit të Polonisë dhe Hungarisë, Vladislav III, traktat që u ratifikua në qytetin Várad (sot Oradea, Rumani), më 15 gusht 1444. (Pavarësisht shfuqizimit të këtij traktati pas 6 javësh, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e vijoi luftën e tij edhe më me shumë sukses).
👉… Pavarësia e Shqipërisë prej Perandorisë Osmane e shpallur më 28.11.1912, u njoh pikërisht nga “arkitektët e saj perëndimorë” dhe po të mos ishte për ta, pavarësisht sakrificave të disa patriotëve shqiptarë, ky akt do të kishte rezultuar në një “hiç të madh”!
👉 5) Pavarësia e Arbërisë e shpallur në Krujë më 28.11.1443 zgjati plot 35 vite, pra deri në pushtimin e këtij qyteti “Kryefortesë të Arbërisë, Europës dhe Krishtërimit” nga sulltan Mehmeti II Fatih më 16 qershor 1478.
👉… Pavarësia e Shqipërisë e shpallur në Vlorë më 28.11.1912 zgjati më pak se dy vite, sepse në kohën kur vendi jonë tashmë i rrënuar edhe nga “lufta civile”, ku anadollakët e Shqipërisë së Mesme dhe më gjerë, me në krye Haxhi Qamilin thërrisnin “Duam Babën (Sulltanin)”, u ripushtua nga forcat barbare serbe. Këta të fundit, po iknin të llahtarisur për t’i shpëtuar baticës së formuar nga ushtria austro-hungareze, e cila brenda pak javësh e fshiu Serbinë nga harta. Pas largimit të forcave serbe dhe gjatë gjithë Luftës I Botërore (1914-1918): Shqipërinë e gjejmë të pushtuar dhe të ndarë midis 3 fuqive të kohës: Austro-Hungarisë, Italisë dhe Francës…

Pra, kush është ngjarja më e rëndësishme, e cila duhet kremtuar, duke i dhënë vendin që i takon:
“28.11.1443” apo “28.11.1912”?!…

Shënim: 28.11.1912 se tashmë jemi të pavarur, kurse pavarësia që u bë më 28.11.1443, u humb prapë nga pushtimi osman 523 vjeçar… /AÇ

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.