Nuk është hera e parë që në rrugët e Athinës protestohet shqip, ecet nga Omonia, rrugës “Athinas” për tu ndalur në “Klathmonas”.
Në jetën time tash afro 27 vjeçare në Athinë i kam ndjekur me laps e me fotografi tubimet shqiptare, protestat për legalizim e për të drejta bazë të një emigranti në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian.
Por çfarë e preokupon mërgatën shqiptare në Greqi që ajo duhet të flasë, madje të bërtasë fort shesheve të Athinës, para parlamentit grek, shesheve të Selanikut, Iraklios, në stere e në ishuj, madje edhe përpara ambasadës shqiptare në Athinë dhe konsullatave në Selanik dhe Janinë?
Dosje të bllokuara për lejet e qëndrimit, dosje prej më se një viti të bllokuara…
Se sa është “mullari” i dosjeve për rinovimin e lejeve të qëndrimit të emigrantëve shqiptarë në Prefekturën e Athinës dhe kanalet që lidhen me të mund të gjykosh vetëm nga ndonjë zë që të vjen në “vesh” se po punohet me aplikimet e më se një viti më parë.
Dikur, në aplikimet e para 1998-1999, depozituar në OAEDH, koha nga verifikimi i plotë i të dhënave të aplikantit ishte “zero”. Menjëherë pasi dorëzoje “letrën e bardhë” në një zyrë më lart merrje “Kartën jeshile”.
Me kalimin e viteve burokracia u bë gjithnjë më e sofistikuar dhe koha nga “veveosi” në “pullën” mbi pasaportë e më pas me “kartonin” me fotografi e të dhëna elektronike u zgjat e u zgjat derisa aktualisht aplikimet e dhjetorit 2021 shqyrtohen në mars-prill 2023. Gjatë kësaj kohe emigranti është i pajisur me një “vërtetim” që në të shumtën e rasteve është i pavlefshëm për administratën greke për veprime të ndryshme të domosdoshme në jetën e emigrantit.
Në aplikimet e mëparshme, emigranti merrte leje qëndrimi në disa shkallë:
Leje qëndrimi 1-2-3 vjeçare.
Leje qëndrimi 5 vjeçare (me të drejtën e punësimit në çdo vend të Bashkimit Evropian)
Leje qëndrimi 10 vjeçare.
Leje qëndrimi të përhershme.
Nga të gjitha këto sot merren vetëm dy lloj leje qëndrimi:
Leje qëndrimi 3 vjeçare
Leje qëndrimi 5 vjeçare.
Të gjithë ata që kanë marrë leje qëndrimi 10 vjeçare në vend që të marrin leje qëndrimi 10 vjeçare tash zbresin vetëm në leje qëndrimi 3 vjeçare me detyrimin që të paguajnë paravolo me vlerën e një muaji në punë. Në këtë pagesë nuk merret parasysh se aplikuesi është në të shtatëdhjetat apo në të tetëdhjetat e jetës së tij. Ai çuditërisht cilësohet si i “aftë për punë” dhe duhet të paguaj njëlloj si ai që është në moshë pune.
Prania e një numri të madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, pagesat e detyruara (për marrje leje qëndrimi, për sigurim shëndetësor) e të tjera që lidhen më jetesën e tyre ka bërë që arka e sigurimeve në Greqi të jetë plot e përplot duke i dhënë krah të fortë linjës së pensionimit të qytetarëve grekë.
Në skemën e pensioneve në Greqi emigranti është i përjashtuar. Ai mund të marrë pension kur ka plotësuar 4500 ensima (ditë sigurimi). Poshtë kësaj, edhe sikur të kesh 4495 nuk ka pension. Ka edhe një shtojcë të çuditshme që lidhet me të qenit legal në Greqi 40 vjet (tashti është futur në debat parlamentar që të kufiri të zbresë në 30 vjet).
Midis qindra mijëra emigrantëve ka dhjetramijëra që jeta i hodhi në emigracion në një moshë 50-60 vjeçarë, moshë në të cilën sado që të kenë pas hapësirë pune të vazhdueshme (gjë që është afërmendsh të ndodhë) nuk arrijnë ti plotësojnë 4500 ditë pune si kuotë minimale pensioni.
Gratë emigrantë në 90 për qind të rasteve punojnë nëpër familje: mbajnë fëmijë, pleq e plaka, pastrojnë shtëpitë dhe mjediset e jetesës të familjeve greke.
Një pjesë e burrave emigrantë punojnë si kopshtar e mirëmbajtës në shtëpitë dhe vilat greke.
Edhe gratë edhe burrat e kësaj kategorie punëtorësh emigrantë nuk marrin ensima. Në institucionin shtetëror IKA, në kartelën e punës së tyre ata figurojnë me zero ditë sigurimi.
Kjo gjendje është e njohur si për qeveritë në ndërrim njëra pas tjetrës ashtu edhe nga institucionet zyrtare e shoqërore. Ministra, deputetë e nëpunës të lartë të shtetit grek nuk derdhin në institucionin e sigurimeve IKA asnjë qindarkë për kopshtarët, pastrueset, kujdestaret e prindërve dhe fëmijëve e nipërve e mbesave të tyre.
Një heshtje që vret emigracionin, heshtje që nuk donë t’i jap zë as shteti grek dhe as Bashkimi Evropian.
Qeveria Cipras, nëpërmjet KEA-s, u ofroi të gjithë atyre që janë mbi 65 vjeç e kanë të ardhura që nuk mund ta përballojnë jetën, një paketë ndihme sociale ku një familje prej dy të moshuarish merrte 255 euro të ndara në dy karta bankare dhe 105 euro kompensim të qirasë, gjithsej 360 euro.
Qeveria Micotaqis ua hoqi këtë mundësi duke lënë mijëra familje e persona (kryesisht të moshuar shqiptarë) jashtë kësaj skeme me kërkesën e detyrueshme të paraqitjes së vërtetimit të pensionit që marrin ata në Shqipëri.
Po qe se një çift të moshuarish shqiptar ka bashkërisht një pension 300-350 euro në muaj nuk merr ndihmë sociale. Ajo është e detyruar që me këtë shumë të paguaj qiranë (që rritet përditë), korrentin (që rritet përditë), ujin, detyrimet bashkiake, taksat etj., të ushqehet (me çmimet që rriten për çdo orë) etj. me të ardhurat 300-350 euro në muaj, 10-12 euro në ditë (!)
Përgjigja e nëpunësve të bashkisë është “Rro me pensionin tënd ose ik”!!!
Të moshuarit shqiptarë në Greqi janë përballë ikjes, detyrimit të heshtur për të ikur, detyrim i urisë zyrtare shtetërore greke.
Ai është i privuar nga e drejta e tij për të marrë nga sistemi i sigurimeve greke një pension aq sa i takon për 2000 apo 3000 ditë pune.
Evropa ta jep këtë të drejtë, Greqia ta mohon.
Komshiu im grek më thotë se merr për dy vjet punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 59 dollarë në muaj.
Pse një emigrant shqiptar për dy apo tremijë ditë paguar në sistemin e siguracioneve greke nuk merr në mos 400-500 euro në muaj sa është minimalja e punësimit 4500 ensima, gjysmën e kontributit të djersës së tij?
E ardhmja e emigrantëve shqiptarë në Greqi është përballë një tuneli të errët, pa dritë në fund të tij.
Grekët këtë vit përjetuan mungesën e krahut shqiptar të punës në bujqësi, në vjeljen e ullirit, agrumeve, pjeshkave, qershive, perimeve etj.
Shqiptarët nuk vijnë më në Greqi, nuk e derdhën këtë vit dhe nuk do ta derdhin në vitet e ardhshme djersën për punët në fshatin helen. Vështrimi i tyre është ndalë në zhvillimin e bujqësisë shqiptare dhe në emigracion në vendet e tjera të Evropës ku paguhen më mirë, kanë kushte jetese njerëzore, kanë sigurim për të nesërmen. Grekët në fshat që u bënë afendikonj me ardhjen e shqiptarëve dhe me punën dhe pagesën e tyre në kufijtë e skllavërisë janë përpara dilemës ose të kthehen në ara e të punojnë vetë (kur fëmijët e tyre e kanë braktisur me kohë punën në bujqësi) ose ta braktisin bujqësinë (!)
Emigrantët shqiptarë po e braktisin Greqinë. Me lejen e qëndrimit 5 vjeçare dhe me pasaportë greke në dorë ata po gjejnë punë dhe jetesë qytetare në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian.
Greqia po humbet krahun dhe intelektin më të fortë të punës.
Sa më shpejt ta kuptojë këtë aq më mirë është për të sotmen dhe të ardhmen e Greqisë.
Sa më fort ta mbajnë në mendje emigrantët shqiptarë në Greqi vlerën e duarve dhe të mendjes dhe ta përdorin atë në betejën për të drejtat e tyre aq më shpejt do t’ia arrijnë qëllimit, do të arrijnë që të kërkesat e tyre modeste të protestave të zbatohen jo vetëm në Athinë por në mbarë Greqinë.
Dhe që të arrihet kjo Athina duhet të ziejë nga mijëra protestues.
Dhe jo vetëm Athina por edhe Selaniku, Veria, Kreta, Janina, ishujt e Jonit dhe të Egjeut…
Emigrantët shqiptarë janë lodhë nga privimet në më se tri dekada…
Abdurahim Ashiku
Gazetar në mërgim
16 shkurt 2023