Unë e kam njohur herët mësuesin Sulejman Hoxha. Jemi takuar fillimisht në shkollën e Mesme Pedagogjik në Tiranë ku edhe ai jepte provime. Megjithëse ishte mbi moshën 30 vjeçare kur vazhdoj shkollën e mesme pedagogjike, atë e shihje gjithnjë duke studiuar e me libra në dorë. Ai ishte shumë i motivuar për të punuar në arsim. Me punë dhe sakrifica arriti ta mbarojë shkollën e mesme për mësues me rezultate të mira. Mëpas kemi patur kontakte të vazhdueshme gjatë punës në arsim. Sula ishte modeli i një njeriu të mirë, i një mësuesi korrekt dhe të përkushtuar. Këto cilësi u ruajtën tek ai gjithë jetën e tij. Në arsim punoi me këmbëngulje me nxënësit e ciklit fillor. Ai kishte një komunikim shumë të mirë me nxënësit dhe prindërit. Puna e tij si mësues në vite ka qenë e suksesshme. Këto qenë motivet që unë të bëj një bisedë me djalin e tij Mehdiun, në lokalin pranë Bashkisë Kamëz. Në bisedën e datës 22.06.2022 munda të fiksoj diçka nga jeta dhe veprimtaria e mësuesit Sulejman Hoxha.
Sulejman Ruç Hoxha lindi në Bulçesh më 01.07.1945. Ai lindi në një familje të madhe me 25 antarë, dhe të njohur në krahinë e më gjerë. Babai i tij Ruçi kishte mbaruar Medresenë dhe qe i shkolluar për kohën. Ai ka qenë imam në Cudhi dhe disa xhami të tjera. U mundua dhe kontribuoi sa mundi në arsimimin e fëmijëve. Familja e tij qe familje punëtore, mikpritëse, me norma dhe tradita të spikatura. Në këtë ambient u lind, rrit dhe u formua Sula. Shkollën fillore e filloi në vitin 1952 dhe mbaron në vitin 1956 në Bulçesh, me rezultate shumë të mira. Për këtë djali i tij, Mehdiu shton: “Babai im Sula në fillore ka qenë nxënës shumë i mirë. Ai sa qe gjallë fliste fjalë shumë të mira për mësuesit e tij të fillores. Kujtonte me respekt mësuesit Shyqyri Dajti dhe Vlash Moisiu. Shkollën 7-vjeçare e mbaron në Zall-Mëner në vitin 1968-1969”. Për arsye ekonomike dhe familjare futet në punë dhe rrjedhimisht nuk mundi që të vazhdojë shkollën e mesme ditën. Pasioni i tij ishte mësuesia.
Kjo për të qe një dëshirë e hershme të cilën e shprehte në bisedat e tij. Pasi futet në punë vendos të regjistrohet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë, pa shkëputje nga puna. E fillon këtë shkollë në vitin 1975 dhe e përfundon atë në vitin 1979 me rezultate të mira. Për këtë ish drejtori i shkollës Bulçesh, Bajram Hoxha, pohon: “Sula qe shumë këmbëngulës si nxënës në shkollën e mesme. Ai nuk hynte në provimet e shkollës vetëm për të marrë notë kaluese, por donte nota të mira. Më vonë unë kam patur fatin të punoj me Sulën si koleg në shkollën e Bulçeshit. Edhe si mësues ai qe korrekt me nxënësit e tij dhe kolegët. Ruaj kujtimet më të mira si njeri e koleg pune, për të. Jeta u tregua e padrejtë me Sulën pasi ai vdiq aksidentalisht dy vjet pasi doli në pension”.
Në vitet 1964-65 ai kryen shërbimin ushtarak në Kukës. Edhe gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak dallohet si ushtar shembullor në kryerjen e detyrave që i ngarkonin eprorët. Për këtë ai është vlerësuar me Fletë Nderi, nga komanda e repartit ushtarak. Pas kryerjes së ushtrisë kërkon të filloi punë në arsim. Nuk mundi të sistemohej fillimisht në arsim. Në vitin 1967 fillon punë në bujqësi dhe mëpas në gatrrin e kooperativës Zall-Bastar. Në bujqësi ishte shumë punëtor, tejkalonte normat dhe merrte më shumë ditë pune. Edhe këtu qe i sjellshëm, komunikues dhe human me njerëzit. Si i tillë ai gëzonte respektin e tyre. Punoi në ekonomi deri në gusht 1990.
Me ndrrimin e sistemit, në shtator të vitit 1990 fillon punë si mësues me klasa kolektive në shkollën vartëse Mal-Vilëz. Punon aty deri tetor 1991. Megjithëse shkolla qe rreth tre orë larg vendbanimit të tij ai punoi me pasion e dëshirë me nxënësit dhe pati rezultate të mira me to. Megjithëse ai punoi vetëm një vit në këtë shkollë, ish nxënësit e tij flasin me respekt për mësuesin e tyre, Sulejmanin.
Në tetor 1991 Sula emërohet mësues i ciklit fillor në Shkollën 8-Vjeçare Bulçesh, ku drejtor shkolle qe Bajram Hoxha. Për këtë Bajrami, shprehet: “Sula qe shumë korrekt në punë, kërkues ndaj vetes dhe nxënësve. Punonte shumë me nxënësit, qe i shtruar , ndaj ato e donin shumë si mësues. Kur erdhi ditën e parë në këtë shkollë ai mu shpreh; -Pas shumë vuajtjesh më në fund u ktheva në shkollën e fshatit tim. Kjo është dita më e bukur e jetës time. Jam munduar shumë që të punoja në arsim dhe ja arrita qëllimit. Do punoj me përkushtim për të justifikuar besimin që më është dhënë”- u shpreh Sula.
Kështu punoi ai me nxënësit deri në fund kur doli në pension. Ish drejtori i shkollës Kujtim Daka, shprehet: ” Mësues Sula punoi me ndërgjegjje gjatë punës shumëvjeçare në këtë shkollë. Ai njohuritë e fituara nga shkolla pedagogjike dhe aftësitë e fituara në punë i vuri të gjitha në shërbim të nxënësve. Sula gjatë punës në këtë shkollë, është radhitur ndërmjet mësuesve më të mirë të shkollës, si; Nafije Basha, Hafize Alla, Nurije Hoxha, Mustafa Basha, etj”.
Në vitin 2007 mësues Sula mbush moshën dhe del në pension. Në këtë ceremoni dhe drekë festive marrin pjesë të gjithë kolegët e tij të punës. Ato e nderuan kolegun e tyre dhe folën fjalët më të mira për Të. Pas pensionimit në arsim ai përsëri vazhdon të punojë pranë familjes në ekonominë e tij private. Edhe në këtë periudhë ai sfidonte vitet dhe qe shumë energjik në punë. Qe i lidhur shumë me vendlindjen e tij Bulçeshin, dhe aq më shumë me lagjen e tij në Mani ku kishte lindur.
Sulejmani martohet në vitin 1963 me Hamide Muratin e cila vinte nga një familje e përmendur nga Bruz-Mali. Sula gjatë gjithë jetës së tij qe një prind shembullor. Të dy krijuan një familje shumë të mirë dhe lindën e rritën gjashtë fëmijë. Mehdiu dhe Qazimi kanë mbaruar arsimin e lartë; ndërsa Besniku, Ardiani, Lumturia dhe Liria kanë mbaruar arsimin e mesëm. Fëmijët kanë krijuar familjet e tyre duke ecur gjithnjë nën shembullin e prindërve.
Fatkeqësisht Sula vdes aksidentalisht afër shtëpisë ku kishte lindur, më 22.09.2009. Ky qe provimi që ai nuk mori dot. E tillë është jeta, me të mirat dhe të këqiat e saj, e megjithatë ajo vazhdon…
Ibrahim Kabili
Tiranë më 30.06.2022