DJEMNUSHA

0
431
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Djemnusha një ditë më tha: kohën e fundit flet marrëzira. Nëpër korridor shëtitesh lakuriq me rraqet për mejdani. Dhomën e gjumit e ke mbushur plot me libra, fletore, lapsa… Fletë të shkruara për së prapthi, të hedhura andej – kёndej nëpër dhomë, që vetëm një Zot di t’i lexojë ato faqe. Përmëtepër, një fletore dhe një laps e ke futur edhe në banjo, nën pasqyrë.

E di si është, i përgjigjem: E pranoj se kohën e fundit jam i çmendur. Porositё për këtë libër më vinë nga të gjitha anët, nga toka e qielli. Shenja parashikimi nga të vdekurit për Ditën e Nesërme. Drita nga të gjallët. Gji nga Mikja. Fuqi për luftë. Dielli po ma tregon rrugën me gisht për në Baba Tomorr. Hëna më tërheq për dore nëpër qiell…

– Nuk do këtu filozofi, u ngutë Djemnusha. Çmenduria yte ka arrirë kulminacionin. Edhe njëherë e përsërisë, nuk ka fallxheshë, as hoxhë në këtë botë që t’i përzë xhindet.

– Punemadhe, iu përgjigja. Fundi i fundit edhe jam mësuar me xhindet… Nusen me pashterkë të kuqe, që më rreh dajak pamëshirë për çdo natë deri në vdekje.

– E di. Prandaj, edhe shpesh të kanë futur në lëkurë dashi…

– Ta merr mendja. Çfarë shkrimtari i thua ti atij, që ende nuk ka hyrë në lëkurë dashi. Nuk e rrahin xhindet… Nusja me pashterkë të kuqe…

– Shkrimtaruc… Hi-hii-hiii…

– Eh, tashti e fitove luftën. Armët edhe nëse duhet t’ia dorëzoj dikujt, po t’i dorëzoj Ty si heroinë lufte. Tekefundit, po i dorëzohem një gruaje e jo një burri me brekët nëpër këmbë…

– Me këtë do të thuash se, e do Robërinë me ferexhe… E jo Lirinë…

– E, kush ishte Liria?!…

– Liria, jam unë, ore i poshtër! Ende nuk e di?!… Ose, të mirret goja…

– Jo. Mbrëmë përpak desh më mbyti çotek Nusja me pashterkë të kuqe.

– E sheh, pra! Nusja me pashterkë të kuqe është Robëria… E unë Liria… Njëherë e përgjithmonë, futi në kokë më këto dy gra të rrezikshme që të rrëzojnë natë e ditë bythekrye në shtrat nё mes tё dhomёs!…

– I futa.

– Dhe, çka?! Përsëri do të shkosh te Robëria t’i shterësh herdhet…

– Jo, kurrë më!

– Nuk e besoj. Ti nuk ke besë…

– Edhe ti… Ne jemi të dy njësoj nё huje, nuk kemi besë.

– E, atëherë pasi nuk paskemi besë, nxirre shpatën he burrë nga brezi!

– E nxorra. Luftë dua në shtrat! Luftë, në fushë të mejdanit!… Luftë!…

Dhe, atë natë u bë një luftë e përgjakshme. Djemnusha me lulekaçe në dorë më rrëzoi në shtrat. Nuk u përpoqa edhe një herë të ngrihem më këmbë, i dorëzova armët…

Natën e mirë!…

Ditën e nesërme, Nusja me pashterkë të kuqe u ngritë herët në mëngjes, i përveshi mëngët e këmishës dhe hyri në magje. E fshiu shtëpinë. Lëmën. E gatoi bukën. Në fund e futi në çerep, nën saçin me shpuzë nё mes tё dhomёs.

Buka u poq, si në Katund më, kulaç. Një nga një  zbritën poshtë në kuzhinë edhe banorët e shtëpisë. Fëmijët të parët plot pordhë e piskamë u turrën te maxha duke kërkuar bukë. Edhe Nëna. Babai. U shtrua sofra. Buka. Lugët e drurit. Dhe, familja ditën e sotme e filloi me mëngjesin e zakonshëm, që pastaj secili të ikte pas punëve të tyre të ditës. Fëmijët në shkollë. Nëna t’i mjelë lopët dhe dhentë. Babai, herët me plug te ara.

Dhëndrri u ngritë hundë e buzë bashkë, që në mëngjes. Nuk i kishte pëlqyer Nusja. Ishte mësuar keq si beqar, për çdo mëngjes nga dy gota raki rrushi dhe kafja duheshte ta presin mbi kokë. E kjo, Nusja me pashterkë të kuqe sikur kishte të tjera huje, adete e zakone.

Një ditë i tha Nënës:

– Nënë, unë nuk e dua këtë Nuse!

– Pse, ore bir?! Nusja është e mirë, ngrihet që me natë të gatuaj bukë. Është manxhatore. Edhe fëmijë trima do të na lindë një ditë në këtë shtëpi me oxhak mbi çati!

– E di. po, kjo nuk është ajo Nusja që e njoha unë në male.

– “Tybeistifa”! Mos folë  marrëzira! Është Nusja që e zumë me shkues nga derë e agallarëve. E morëm me krushq… Koçi…

– Jo, oj Nënë! Jo, kjo nuk është ajo Nusja e maleve. Tjetër nuse na kanë futur komitat në koçi mes maleve…

– Qyqja unë! Qyqja, mos fol, o bir budallaki! Nusja jonë është nga derë e lartë, agallarësh… Nuse e maleve…

– Nënë, kjo nuk është Nusja e maleve, po Nusja me pashterkë të kuqe…

– E mjera, unë! Edhe këtë të zezë na e paskan bërë komitat?!

– Po, oj Nënë! Në vend të Nuses së maleve, në koçi na e kanë futur Nusen me pashterkë të kuqe deri nё fund tё kёmbёve.

– Fatkeqësi familjare! Nesër, kjo Nuse do të na e mbushi Shtëpinë, lëmën me kopila… Rrospi Meshkuj… Melezë…

– Po, oj Nënë!…

– E halli, o bir?!

– Halla, Nënë do burrë! Që nesër, unë do të dal përsëri në male, në Katund do ta sjell Nusen e vёrtetё tё maleve…

– Nisu, o bir sa më parë, hipi kalit!! Udhë e mbarë në male!

Herët në mëngjes, u ngrita dhe i ngjesha armët e luftës. I kërceva në shpinë Gjokut pullali. E shalova me të katra tymemjegull për në Baba Tomorr. Vendin e Perëndive: ku pihet vera… Pasmesnate, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri me Hёnёn e plotё…

Papritmas, më zuri nata mes lisave. Rrugës malore u ndala në një Tyrbe. Dhe, thashë: sonte do ta kaloj këtu natën. Nesër, do ta vazhdoj rrugën me dritë.

Hyra brenda. Dhomë plot me libra. Në një kënd, një tavolinë pune. Shtrati. Në mes të dhomës një varr. E mora me mend, ishte varri i Baba Shehut. I hoqa hebet nga krahu. Struken. U shtriva në shtrat me sy të hapur në tavan. Fotografi. Inserte të filmave, më kalonin para syve, që nga koha e fëmijërisë. Meditime. Sytë ia kisha ngulur fenerit, dritës së vetme mbi kokë.

E dëgjova një zhurmë. U hap dera. Hyri një grua e veshur në të zeza me qiri në dorë. Ecte si hije drejtë meje, shtratit. Unë, tashti nga frika e ndala edhe frymëmarrjen.

– Mirëse na ke ardhë, o mik!

Unë, i hapa sytë edhe më tepër nëpërmes të asaj drite të zbehtë ta shoh fytyrën e kësaj gruaje.

– Mirëse u gjeta, zonjë! Belbëzova, duke u dridhur plot frikë.

– Kush të detyroi të ikësh në këto anë?

– Lufta. Pesëdhjetë vjet jam në luftë. Dhe, e kërkoj Lirinë!…

– Hi-hii-hiii… Po, unë jam Liria… Nuk më njeh, he burrë?!

– Jo. Feneri nuk bënë më shumë dritë. Ia ngritë edhe pak fitilin!

Gruaja ia ngriti fitilin. Drita, tek tashti ia ndriçoi fytyrën.

– O Imzot! E pabesueshme, po ti qenke Djemnusha?!

– Po, unë jam Djemnusha.

– E kush të solli në këtë Tyrbe?!

– Erdha vetë. Që, kur në koçi në vend timin e futën Nusen me pashterkë të kuqe, vendosa të vetëflijohem në Tyrbe. Natë e ditë t’i shërbej Baba Shehut…

– O Imzot! Po, ky është vetëm një varr, dhe jo Baba Shehu?!

– Jo. Është Baba Shehu. Dhe, unë jam Gruaja e tij besnike…

– O Imzot! Po, ti nuk qenke  Djemnusha?!

– Jo. Unë jam Liria…

– E pamundur. Ti je Nusja e maleve…

– Hi-hii-hiii… Unë jam Nusja me pashterkë të kuqe…

– Rrenë. Nusen me pashterkë të kuqe e kam në shtëpi. Ti je Liria…

Dhe, e rrëzova mbi varrin e Baba Shehut. Këmishën e gjatë të mëndafshit me oja ia hudha mbi kokë… Tymeflakë u rash Sarajeve të Pashait. Pasurisë të tundshme, që përpak desh ma mori shkau… Nuse me koçi ta përcjellë në tjetër katund… Shtëpi…

E bëra të qajë, derdhë lotë mbi varrin e Baba Shehut, në Tyrbe…

Fragment nga romani: DJEMNUSHA (Shkup, 2010).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.