FSHATI SHQIPTAR QAFË NË MAQEDONI DHE HEROINA SULLTANE

0
235
Sulltana nga fshati Qafë
Bajram Karabolli
Bajram Karabolli

Nga Bajram Karabolli, 27/10/2023

Dora m’u thaftë! Ka dhjetë vjet që e kam mësuar këtë histori, sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme, dhe nuk kam shkruar asgjë për të.

Ishte vera e vitit 1913 kur barbarët serbë, në mëngjes herët futen befasisht dhe kusarisht në fshatin shqiptar Qafë të Maqedonisë së Veriut.

E dini ku ndodhet ky fshat?…

Eh, ç’them unë! Ne shqiptarët e Shqipërisë nuk dimë asgjë për vëllezërit tanë matanë kufijve të Shqipërisë.
Për gjysmë shekulli komunizëm, apo kohë e Enver Hoxhës, siç quhet ndryshe, ne nuk bënim asnjë orë mësimi për Kosovën dhe viset shqiptare jashtë Shqipërisë.

Për ne, gjatë asaj periudhe, jashtë kufijve të Shqipërisë, kishte vëllezër jugosllavë, vëllezër rusë, vëllezër kinezë, vietnamezë dhe dreqi e di sa lloj vëllezërish patëm (o Zot, sa turp!)… por kurrsesi vëllezër shqiptarë.

Për ne trevat me banorë shqiptarë ndodheshin në pjesën e padukshme të hënës…. Po kjo është një histori e gjatë, e zezë dhe e turpshme, që shumë pak është thënë për të…

Qafa ishte një fshat shqiptar në zonën malore midis Kërçovës dhe Gostivarit.

Aty pra u sos çeta me barbarë serbë dhe kreu masakrën. Vrau gjithë banorët paqësorë dhe të pafajshëm të këtij fshati malor shqiptarë.

Sulltana një vajzë 16 apo 17 vjeçare ndodhej në katua, ku atë ditë do të qethnin dhentë.

Kur pa që po torturonin dhe po vrisnin nënën, babanë dhe gjithë njerëzit e dashur, zemra e saj prej vogëlusheje u kthye në zemër heroi.

Rrëmbeu një gërshërë për qethje dhensh, e fshehu në gji dhe shkoi drejt vrasësve. Askujt prej barbarëve nuk i shkoi ndërmend se një vajzë aq e brishtë do të bënte atë që bëri.

Ata e shikonin si një pre që do të kënaqte epshet e tyre çnjerëzore. Sulltana e vogël shkon drejt kapos së tyre, nxjerr gërshërën dhe ia ngul në zemër.

Vandalët serbë u tmerruan nga guximi i pangjarë i kësaj vajze shqiptare. Dhe dikush prej tyre e qëlloi me pushkë dhe e vrau… Pastaj, ata masakruan dhe vranë gjithë banorët e fshatit.

Sot, në fshatin Qafë nuk ka më banorë. Ka vetëm shtëpi të zbrazura që koha po i shemb.. Ka edhe varreza. Vetëm varreza.

Midis varreve të viktimave është edhe varri i Sulltanës. Aty emigrantët kërçovas dhe gostivaras kanë ngritur një përmendore të Sulltanës, kësaj vajze të rrallë në historinë e heroinave shqiptare.

Para dhjetë vjetësh, një miku im nga Kërçova më çoi në fshatin Qafë dhe më tregoi gjithë këtë histori, sa tragjike aq edhe heroike. U ligështova pa masë, kur pashë atë fshat shqiptar të mbetur shkret.

U betova se diçka do të shkruaja për atë masakër barbare dhe për aktin heroik të Sulltanës. Por ende nuk e kam bërë dot.

Ndihem tejet i vogël përpara madhështisë së saj. Më duket se në vend që ta ndriçoj do ta zbeh…

Gjithsesi, do të doja që shqiptarët, të cilët shëtitin gjithandej nëpër botë, le të shkojnë në këtë fshat, në fshatin Qafë tashmë të shkretuar, dhe të shohin përmendoren e Sulltanës.

/ ObserverKult

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.