Këto ditë u botua libri “T’i përngjajmë Krishtit”

0
1205
Kopertina - T'i përngjajmë Krishtit

Këto ditë u botua libri “T’i përngjajmë Krishtit”, që është nga librat më të lexuar mbas Biblës me përkthim të ri nga origjinali latinisht të don Prekë Lazrajt.

FJALË PARAPRAKE

(Imitimi i Krishtit)

Tre libra janë që unë gjithmonë ua rekomandoj personave që dëshirojnë të përparojnë në jetën e tyre shpirtërore. I pari është “Rrëfimet” i Shën Augustinit, që veçohet për sinqeritetin me të cilin flet autori. Jezusi i qortoi fort farisenjtë pikërisht për hipokrizinë e tyre. I dyti është “Historia e një shpirti”, autobiografia e Shën Terezës e Jezusit Fëmijë, për thjeshtësinë që tregon Tereza kur përshkruan jetën e vet. Jezusi ka lavdëruar thjeshtësinë e fëmijëve dhe na ka nxitur t’u përngjajmë atyre.

Dhe i treti është libri që ke në dorë, për përvujtërinë që autori e vlerëson me shumë këmbëngulje si themel të jetës shpirtërore. Në fakt, mund të themi se sinqeriteti dhe thjeshtësia janë fryte ose aspekte të përvujtërisë. Është me shumë interes se kur Jezusi na ftoi t’i përngjajmë atij, nuk përmend asnjë virtyt tjetër përveç përvujtërisë (Mësoni nga unë, sepse jam zemër butë e i përvuajtur – Mt 11, 29). Përvujtëria e hap derën për shumë virtyte të tjera.

Ky libër ka frymëzuar shumë shenjtër dhe persona, që e kanë marrë seriozisht ftesën e Jezusit: “Jini të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor” (Mt 5, 48). Nuk jemi të sigurt kush ishte autori i këtij libri të famshëm, por tradita gjithmonë ka ngarkuar Tomasin nga Kempis-i si autor. Tomas-i lindi në Kempen në vitin 1279 ose 1380, u shugurua meshtar rreth vitit 1414 dhe vdiq në vitin 1471. Është autori i shumë librave të tjerë të natyrës shpirtërore.

Libri ndahet në katër libra. Libri i parë jep disa “Këshilla të dobishme për jetën shpirtërore”. E gjitha kjo pjesë e nxit lexuesin të ndjejë nevojë të shohë në Krishtin modelin për jetën e tij. Libri i dytë ka si titull “Dialogu i brendshëm”, dhe është si shqyrtim i ndërgjegjes.

Me një fjalor shumë të thjeshtë dhe konkret, autori na nxit të reflektojmë mbi jetën tonë. Si shembull po citoj një pjesë të shkurtër: “I përvuajturi, kur e përulin, mbetet në paqe, sepse është i ngulitur mirë në Hyjin e jo në botë […] Njeriu epshor e tërheq në të keq edhe të mirën dhe shumë lehtë i beson së keqes. Njeriu i mirë dhe i qetë shndërron gjithçka në të mirë […] Ti di mirë t’i shfajësosh dhe t’i zbukurosh veprat e tua, por nuk ke dëshirë t’i pranosh fajësimet e të tjerëve. Do të ishte më e drejtë që ti ta padisësh vetveten e ta shfajësosh vëllain tënd. Nëse ke dëshirë që të tjerët të durojnë ty, atëherë duroji edhe ti të tjerët.

Libri i tretë, “Ngushëllimi i brendshëm”, është i gjithi një dialog shumë interesant mes Jezusit dhe nxënësit. Në fakt, fillon me fjalët: “Do të dëgjoj çfarë thotë Zoti Hyj”, ndërsa Libri i katërt, “Nxitje të përshpirtshme për Kungimin e shenjtë”, është i gjithi një meditim mbi sakramentin e Eukaristisë së shenjtë. Është një ndihmë e veçantë për të vlerësuar më shumë këtë sakrament.

Bëj një rrëfim personal: e kam përdorur shumë herë këtë libër për meditim, dhe çdo herë që e kam lexuar ka qenë për mua sikur po e lexoja për herë të parë.

Të uroj ty, që e ke këtë libër, të përfitosh shpirtërisht duke e lexuar me shumë vëmendje dhe përvujtëri.

MONS. GEORGE FRENDO O.P.
Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.