Macron: Ukraina të vendosë kohën, kushtet e paqes me Rusinë

0
Emmanuel Macron - Italy peace conference

Presidenti francez Emmanuel Macron mban fjalimin e tij në “Cry for paqe” (Thirrje për paqen), një konferencë ndërkombëtare për paqen e organizuar nga Komuniteti i Sant’Egidio në Romë, të dielën, 23 tetor 2022. (AP Photo/Alessandra Tarantino)

Nga Frances D’EmilioAssociated Press23 tetor 2022Përktheu Arben Çokaj

ROMË – Presidenti francez Emmanuel Macron tha të dielën se i takon Ukrainës të vendosë kohën dhe kushtet e paqes me Rusinë dhe ai paralajmëroi se fundi i luftës “nuk mund të jetë shenjtërimi i ligjit të më të fortëve“.

Duke folur në hapjen e një konference tre-ditore të paqes në Romë, Macron tha se komuniteti ndërkombëtar do të jetë aty kur qeveria ukrainase të zgjedhë atë kohë.

Të qëndrosh neutral do të thotë të pranosh rendin botëror të më të fortëve, dhe unë nuk jam dakord me këtë”, tha Macron në konferencën e organizuar nga një organizatë bamirëse katolike me lidhje të ngushta me Vatikanin.

Ekziston shqetësimi se mbështetja nga aleatët e Ukrainës në Evropë mund të gërryhet për shkak të rritjes së kostove të energjisë me afrimin e dimrit.

Papa Françesku është planifikuar të përfundojë konferencën Cry for Peace (Thirrje për paqen), të sponsorizuar nga Komuniteti Sant’Egidio, me një fjalim të martën në Koloseum.

Gjatë gjithë luftës që filloi me pushtimin rus të Ukrainës tetë muaj më parë, Papa ka paralajmëruar kundër një grumbullimi të armëve. Por ai ka thënë se Ukraina ka të drejtë të mbrohet.

Ndërsa kryeministrja e re e Italisë, liderja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, është një mbështetëse e vendosur për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë sovranitetin e saj, aleatët e saj të koalicionit kanë simpati pro-ruse.

Transmetuesi televiziv shtetëror italian RAI raportoi se Meloni dhe Macron u takuan të dielën në mbrëmje në Romë.

Vizita e presidentit francez në Itali përfshin një audiencë me Papën në Vatikan të hënën.

Macron shprehu shqetësimin se çdo bisedë për paqe mund të merret si një shenjë e mungesës së mbështetjes për Ukrainën. “Të flasësh për paqe tani, thirrje për paqe, mund të duket e padurueshme për ata që po luftojnë për liri, duket si një tradhti” ndaj Ukrainës, tha lideri francez.

Por paqja nuk mund të “kapë fuqinë ruse“, tha ai. “Paqja nuk mund të jetë përkushtim i ligjit të më të fortëve, as armëpushim (shënjimi) i gjendjes së punëve”.

Ne duam që populli ukrainas të vendosë në një pikë të caktuar, paqen, momentin dhe kushtet e paqes”, tha Marcon.

Paqja do të ndërtohet me tjetrin (palën), e cila sot është armiku, rreth një tavoline dhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë aty”.

Udhëheqësi kryesor i opozitës populiste të Italisë, ish-kryeministri Giuseppe Conte, javën e kaluar tha se Italia nuk duhet të dërgojë më shumë armë në Ukrainë.

Macron iu referua takimeve të tij të kaluara me presidentin rus Vladimir Putin, arkitektin e luftës.

Agresioni i Moskës është “frut i nacionalizmit të ekzagjeruar” dhe ndjenjës së izolimit, tha lideri francez, duke vënë në dukje se agresioni ishte i pajustifikuar.

Ata ishin të bindur se kishte kërcënime, se pjesa tjetër e botës, bota perëndimore, të paktën, do të ishte përpjekur të shkatërronte Rusinë,” tha ai.

Macron paralajmëroi kundër rritjes së ndjenjave mbi nacionalizmin në kontinentin evropian, ku forcat politike të ekstremit të djathtë kanë fituar popullaritet në disa vende.

Me shumë udhëheqës fetarë në konferencë, presidenti i nxiti ata të nxisin “rezistencën kundër marrëzisë së luftës“.

Macron kritikoi se “feja ortodokse po manipulohet nga Rusia“. Ai nuk dha detaje. Por Patriarku Ortodoks Rus Kirill e ka mbështetur me zjarr Putinin në luftën kundër Ukrainës, duke e quajtur pushtimin pjesë të një beteje “metafizike” kundër Perëndimit.

I vetëdijshëm për afërsinë e Kirillit me Putinin, Papa Françesku ka kërkuar, deri më tani më kot, të takohet me patriarkun gjatë luftës.

Në fund të fundit, tha Macron, kultivimi i paqes në Evropë varet nga “ekuilibri i respektit, reciprocitetit, drejtësisë“. Ai paralajmëroi kundër përpjekjeve në Evropë për të “përzënë “tjetrin” në shoqërinë tonë” në një kërkim për “pastërti etnike, pastërti fetare“.

Meloni erdhi në pushtet pas një fushate zgjedhore, në të cilën ajo mbrojti një pikëpamje të krishterë të qytetërimit evropian.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.