BESËLIDHJA E LEZHËS, DUHET TË JETË FESTË KOMBËTARE

0
65
Besëlidhja e Lezhës

Tema dhe dilema

(Me rastin e 580-vjetorit)

Në sajë të rëndësisë historike, data e 2 marsit të vitit 1444, kur në Lezhë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu u mbajt Kuvendi i Lezhës, që paraqet bashkimin e parë politik të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, duhet të jetë festë kombëtare, ndërsa heshtja deri me tash nga Kuvendi i Shqipërisë, si në monizëm dhe tash në pluralizëm nuk mund të arsyetohet, sepse, Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

Nail Draga

Më 2 mars te vitit 1444 në Kishën katedrale të Shën Kollit, në Lezhë, aty ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja apo Kuvendi i Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare, ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar. Ajo përbën një nga momentet më të ndritura të rezistencës antiosmane, në mesin e shekullit të XV, pasi ishte bashkimi i parë politik e ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë.

Kuvendi i bashkimit-2 marsi 1444

Në historinë e mesjetës shqiptare, vend nderi zënë 2 marsi i vitit 1444, sepse kemi të bëjmë me ngjarje të jashtëzakonshme ne historinë e popullit shqiptar. Kemi të bëjmë me Kuvendin e Lezhës, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pas kthimit nga Perandoria Osmane, përkatësisht Turqia, ia arriti qellimit për të mbledhur në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qellimin e vetëm për të luftuar kundër osmanlinjëve.

Aleanca e fisnikëve shqiptarë

Në Kuvendin e Lezhës u krijua një aleancë politike dhe ushtarake e fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë.

Kuvendi u thirr me nismën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë princa të shquar shqiptarë. Midis tyre ishin Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Nikollë Pal Dukagjini, Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje, Lekë Zaharia, Lekë Dushmani, Gjergj Stres Balsha, Pjetër Spani si dhe përfaqësues të malësive shqiptare. Në Kuvend mori pjesë edhe sundimtari i Malit të Zi Stefan Cernojeviqi.

Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.

Lezha nuk ishte rastësi

Në sajë të dhënave historike mbajtja e kuvendit të Besëlidhjes në qytetin e Lezhes nuk ishte rastësi, duke marrë parasysh se ky qytet në atë kohë ishte nën pushtimin e Venedikut. ku mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi.

Por, nuk ka dilemë se ky tubim u mbajt në Lezhë me qellim për të arritur pajtimin apo kompromisin ne mes principatave shqiptare. Ishte ky një veprim diplomatik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, për të përbashkuar princat shqiptar, me të vetmin mision se të bashkuar mund të luftohet armiku.Dhe këti misioni ia arriti qellimit sepse për 25-vjet drejtoi luftën kundër pushtimit osman, ku shteti i Arbërisë ishte e lirë.

Kuvendi i Lezhës mori disa vendime, ku ndër kryesoret ishin, krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria e Besëlidhjes u krijua e përbërë nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe garda personale e Skënderbeut.

Po ashtu e arritur e veçantë e Kuvendit të Lezhës është e dhëna se kjo ishte një aleancë politike ushtarake, e cila bazohej në vendime demokratike nga kuvendi duke respektuar sundimin e fisnikëve në tokat e tyre.

Besëlidhja e Lezhës në historinë shqiptare shënon një hap përpara bashkimit politik të tokave shqiptare në një shtet të përqendruar, me të cilin arrin pikën kulmore tradita shtetërore në mesjetën shqiptare. Besëlidhja e Lezhës ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar dhe të traditës shtetërore të shqiptarëve.

Propozimi pa përgjigje

Në sajë të informacionit që disponojmë ne lidhje me Kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës, deri me tash në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar vetëm një kërkesë. Kështu në vitin e kaluar, deputeti socialist Eduard Nderca nga Lezha, ka kërkuar shpalljen e 2 marsit, dita e “Kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës’, si festë kombëtare. Deputeti i Lezhës ka depozituar në Kuvend një projektligj me nr.413, me 06.02.2023 që kërkon që 2 marsi të futet në kalendar si festë zyrtare.

Sipas Ndrecës, kjo ditë duhet të shpallet si festë zyrtare pasi është ngjarja më e rëndësishme historike e vendit tonë dhe se brezat e ardhshëm duhet ta kujtojnë këtë ditë dhe të jenë krenarë për trashëgiminë historike shqiptare. Në kërkesë ne mes tjerash cekët se “Projektligji ‘për shpalljen e 2 Marsit (1444), Kuvendi i Besëlidhjes se Lezhës si festë zyrtare e Republikës së Shqipërisë’ është në shërbim të vlerësimit sa me dinjitoz të figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dhe përkujtimit e respektimit të ngjarjes më të rëndësishme ne historinë e popullit shqiptar, duke bërë të mundur që të gjithë shqiptarët e sotëm dhe sidomos brezat që do të vijnë, të jenë krenarë për trashëgiminë tonë historike kaq të lavdishme”, thuhet në projektligj.

Por, ndonëse ka kaluar një vit nga paraqitja e kësaj kërkese, nuk disponojmë informacion se në lidhje me këtë çështje është diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë. Pse, nuk janë treguar aktiv në lidhje me këtë çështje mbetet të supozojmë por një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë, qe tregon dobësi personale, morale e partiake të deputetëve e partive politike të përfaqësuara në kuvend.

Përfundim

Data e 2 marsit të vitit 1444 nuk është një datë e thjeshtë, por është më shumë se kemi të bëjmë me Besëlidhjen e Lezhës e cila përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës te popullit shqiptar.

Andaj, ndaj kësaj ngjarje me peshë mbarëkombëtare askush nuk mund të qendrojë indiferent, sepse ajo ne vete mban mesazhin e bashkimit të popullit shqiptar si në të shkuarën, tashmën dhe të ardhmën. Pikërisht, duke marrë parasysh një mesazh të tillë, shpallja e kësaj date për festë zyrtare kombëtare mbetet obligim moral e kombëtar për të gjithë shqiptarët.

(Mars 2024)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.