Dëshmori Shefki Kuleta – Shqiponja e Shpatit dhe e Llapit

0
380
Shefki Kuleta

Zymer Mehani: Ai s’e njihte frikën

(Në përvjetorin e rënies, më 21 mars 1999)
(Fragment nga romani im “Fanarët e një furtune”, Prishtinë, 2021)

Një ditë më parë, më 21 mars, në atë ditë të parë të pranverës me dëborë të butë si mëndafshi pushtuesi serb ndërmori një ofensivë të ashpër në trevën e mbuluar nga Zona Operative e Llapit.

Sulmeve të vrullshme, që ndërmorën forcat policoro-ushtarake serbe iu kundërvunë gjokset e çelikta të ushtarëve çlirimtarë. E në Kodrion të Llapit ilirik, në vijën e parë të frontit po luftonte biri i Shpatit, Shefki Kuleta, i shëndoshë, i pashëm e i mençur. Ai po u jepte zemër dhe po kujdesej për ushtarët e tjerë, megjithëse edhe vetë ishte i ri.

Nuk e njihte frikën.
Menjëherë ushtuan bombat e dorës, kërcitën automatikët e mitralozët e drejt llogoreve të UÇK-së po mësynin forcat e armikut me tanke e mitralozë.

Ushtarët tanë u hodhën si stuhia në kundërsulm, duke shkatërruar një tog mitralozësh. Dhe kur gëzimi edhe për një fitore të re i kaploi luftëtarët, tek ata mbërriti lajmi se një rafal i armikut e kishte goditur luftëtarin me zemër luani, trimin Shefki Kuleta.
Ai kishte një palë sy të patrembur që shkëlqenin me gjallëri.
Ishte fytyrëzeshkët.

Me lëvizje të matura dhe të ecur të sigurt, ai të jepte për të kuptuar menjëherë se kishe të bëje vërtet me një burrë të fortë.
— Fizionominë e trimit Shefki Kuleta nuk mund ta harrojmë kurrë, — tha Mësues Migjeni. —Sytë e tij qitnin zjarr kur fliste për UÇK-në dhe luftën tonë të armatosur.

— Kanë kaluar më tepër se 13 muaj, e më kujtohet fare mirë se si e kemi kaluar natën e fundit në Trimor të Vicianit, duke u gëzuar se grupi i ri, ku bënte pjesë edhe Shefkiu bashkë me mua, do të nisej për në Llap, në Kodrionin e bukur, ku UÇK-ja po korrte fitore të reja kundër forcave policoro-ushtarake serbe, —rrëfente ushtar Triumfi.
Bashkëluftëtarët e thërrisnin me nofkën “Hoxha”.

Ai, atë ditë, aty në Kodrion iu kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatik, ku bie heroikisht në fushën e nderit…

Bashkëluftëtarët kur panë se ra trimi, u dëshpëruan tejmase, duke ndier dhembje të thellë për këtë luftëtar të tmerrshëm për armikun e gjithmonë fitimtar….

Shokët e tij ishin zbehur në fytyrë, por po qëndronin krenarë, që të linin të kuptoje se askush prej tyre s’po i trembej vdekjes…

Ata përpinë me vështrimet e tyre bashkëluftëtarin e rënë, që e kishin adhuruar aq shumë dhe u prekën thellë…

— Betohemi këtu para trupit tënd, nën flamurin tonë, se do ta vazhdojmë luftën gjer në fitoren e plotë! — tha Liridon Flamuri.
— Betohemi! — brohoritën përnjëherësh bashkëluftëtarët.
Herë pas here dëgjoheshin krisma sporadike armësh, pastaj s’u ndie më asgjë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.