Përgatiti Prof. Asoc. Dr. Lekë Pepkolaj
Luciano Floridi është filozof me famë ndërkombëtare, themelues i Qendrës për Etikën Digjitale në Universitetin Yale dhe profesor i Sociologjisë së Kulturës dhe Komunikimit në Universitetin e Bolonjës. I konsideruar si një nga interpretuesit më të rëndësishëm të revolucionit digjital, ai është themeluesi i filozofisë së informacionit dhe një nga zërat më autoritarë global për etikën e AI dhe teknologjive emergjente.
Çfarë është Kapitali Semantik
Kapitali semantik është gjithçka që rrit aftësinë tonë për t’i dhënë kuptim dhe domethënie botës, libra, imazhe, filma, muzikë, tradita, simbole, përvoja personale, histori familjare dhe gjuhë profesionale. Nuk bëhet fjalë vetëm për “të dish gjëra”, por për aftësinë për të lidhur informacionet me njëra-tjetrën dhe për të ndërtuar një vizion koherent të realitetit.
Me fjalët e vetë filozofit:“Kapitali semantik është ajo që më karakterizon, duke qenë se kam lindur në atë vend dhe në atë periudhë historike, dhe kam jetuar në atë kontekst, me atë gjuhë dhe në atë familje. Në thelb, bëhet fjalë për pasurinë e përvojave, kulturës, njohurive dhe historive, që më lejon jo vetëm të kuptoj botën dhe veten time, por edhe të ndërtoj ekzistencën time dhe t’i jap asaj një drejtim. Fjala ‘kapital’, në fund të fundit, tregon një vlerë që krijon vlerë”.
Një përmbajtje nuk është kurrë vetëm paketë të dhënash, ajo bëhet kapital semantik vetëm kur ndesh një person që e percepton, e interpreton dhe e integron në historinë e tij personale.
Kapitali Semantik dhe Inteligjenca Artificiale
Mjetet (jo humanët) nuk mund të kenë kapital semantik. Ato përpunojnë përmbajtje, por nuk përjetojnë eksperienca, nuk vuajnë dhe nuk e njohin veten në një narrativë. Është njeriu (humani), me “kokrrën e tij të rërës”, dhimbjen, kufirin, lodhjen, ai që e shndërron informacionin në një perlë kuptimi. Sa më i pasur të jetë kapitali semantik i një personi, aq më shumë mjeti bëhet mjet që punon pranë tij, dhe jo në vendin e tij. Inteligjenca artificiale është një forcë e jashtëzakonshme e shpërbërjes së kuptimit. Detyra jonë është ta rikompozojmë atë.
Rreziqet e Epokës Digjitale
Filozofi paralajmëron se rreziku kryesor nuk është që mjetet të bëhen “shumë inteligjente”, por që njerëzit të bëhen dembelë. Erozioni i kapitalit semantik vjen nga tre burime:
Mbështetja vetëm te sugjerimet e algoritmeve, e cila zvogëlon aftësinë për vendimmarrje autonome.
Infobeziteti, mbingarkesa e informacionit që fragmenton vëmendjen dhe pengon thellimin.
Delegimi i çdo forme shkrimi dhe përmbledhjeje te AI, duke humbur stërvitjen e të menduarit kritik.
Si të Kultivohet Kapitali Semantik
Për të mbetur të rëndësishëm në shoqërinë post-AI, rekomandohet:
Të mos kufizohemi vetëm në aftësi teknike (që AI i mëson më shpejt), por të zgjerohemi në disiplinat humaniste, historike dhe sociale
Të zhvillojmë aftësinë për të dalluar midis korrelacionit dhe shkakësisë, midis së vërtetës dhe “halucinacionit algoritmik”
Të njohim kontekstin kulturor ku jetojmë, Floridi thotë: nëse je italian, nuk mund të injorosh Danten apo Manzonin; nëse jeton në një vend me rrënjë të krishtera, nuk mund të mos e njohësh Biblën, edhe nëse nuk beson
Kapitali Semantik është i Ndryshëm për Secilin
Kapitali semantik nuk është universal, ai ndryshon sipas konteksteve kulturore dhe personale. Filozofi na sjell dy shembuj:
Shën Agustini: i paraqitur si i zi në ikonografinë braziliane dhe si i bardhë në shumë paraqitje evropiane, i njëjti shenjt, por i vendosur në kapitale semantike të ndryshme që pasqyrojnë histori dhe ndjeshmëri të ndryshme.
“The Sandman” në Netflix: një vepër që luan me referenca mitologjike (Orfeu), kinematografike dhe të komiksit. Disa shikues i njohin menjëherë, të tjerë jo, dhe pikërisht kapitali semantik personal përcakton thellësinë me të cilën e kuptojnë veprën. E njëjta përmbajtje mund të jetë sipërfaqësor për dikë dhe një humnerë kuptimesh për dikë tjetër.
Pse Klasikët Janë të Domosdoshëm
Klasikët nuk janë thjesht tekste që lexohen një here, ato janë tekste ku ju kthehesh gjatë gjithë jetës. Çdo rilexim i një libri të rëndësishë prodhon kuptime të reja, sepse ne ndryshojmë gjatë jetës nëpërmjet përvojës. Klasikët, që në letër mbeten të pandryshuar, akumulojnë kapital semantik me kalimin e kohës dhe vazhdojnë ta kthejnë atë tek ne.
Kapitali Semantik si Sigurimi për të Ardhmen
Sot përmbajtja është bërë mallë i prodhuar në seri. Vlera zhvendoset nga sasia e të dhënave te cilësia e interpretimit. Të ushqesh kapitalin semantik do të thotë të mbetesh njerëzor në një mjedis gjithnjë e më të automatizuar. AI nuk ka “agency”, vullnet të vetin. Kapitali semantik na shërben pikërisht për të vendosur drejt çfarë qëllimesh duhet ta orientojmë teknologjinë.
Referencat:
https://italianinews.com/2026/01/08/il-capitale-semantico-la-bussola-per-non-smarrirsi/











