25.6 C
Tirana
E martë, 1 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL...

MITI I “KOSOVËS SË HUMBUR”- HISTORIA, PROPAGANDA DHE POLITIKA E PRETENDIMIT TERRITORIAL SERB (4)

0
Kosova - hartë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Nga miti i humbjes te guximi për t’u përballur me historinë

Në këtë kuptim, analogjia me fuqitë e dikurshme koloniale evropiane bëhet provokuese, por edhe politikisht domethënëse. Edhe Britania e Madhe dikur sundonte territore të mëdha në Azi, Afrikë dhe pjesë të tjera të botës; edhe Franca kishte një perandori të gjerë koloniale. Për dekada e shekuj, administratat e tyre, ushtritë, ligjet dhe simbolet shtetërore ishin të pranishme në territore shumë larg Londrës dhe Parisit. Mirëpo fakti se ato territore ishin administruar prej tyre nuk do të thotë se ato ishin prona të përjetshme britanike apo franceze. Kur popujt e kolonizuar fituan ose shpallën pavarësinë, pyetja historike gradualisht ndryshoi: nuk ishte më vetëm “çfarë humbi perandoria?”, por edhe me çfarë të drejte kishte sunduar perandoria mbi ta?

Natyrisht, rasti i Kosovës nuk është identik me kolonializmin tejdetar britanik apo francez dhe historia duhet të ruhet nga analogjitë mekanike. Kosova dhe Serbia kanë qenë pjesë e formacioneve të përbashkëta shtetërore ballkanike e jugosllave dhe marrëdhënia e tyre ka një histori specifike juridike, demografike dhe politike. Megjithatë, analogjia bëhet e dobishme kur shqyrtojmë logjikën e pronësisë politike: bindjen se fakti që një shtet ka sunduar një territor i jep atij të drejtën ta konsiderojë atë territor përgjithmonë “të vetin”, ndërsa përfundimin e sundimit ta përjetojë si grabitje të një prone.

Nëse sot dikush do të thoshte se Britania duhet ta rimarrë Indinë sepse dikur e kishte sunduar, një pretendim i tillë do të dukej anakronik. Nëse Franca do ta ndërtonte politikën e saj shtetërore mbi tezën se Algjeria është “tokë franceze” vetëm sepse për më shumë se një shekull ishte nën sundimin francez, Evropa do ta shihte një politikë të tillë si rikthim në një epokë që historia e ka tejkaluar. Pikërisht sepse ndërkohë është kuptuar një parim themelor: kohëzgjatja e sundimit nuk e shndërron automatikisht sundimin në pronësi të përjetshme.

Dhe pikërisht këtu duhet ta kthejmë vështrimin drejt Kosovës. Nëse Serbia thotë se “e humbi Kosovën”, atëherë duhet pyetur se çfarë përmban kjo fjali. Nëse do të thotë se humbi kontrollin politik dhe institucional mbi Kosovën, atëherë po flasim për një fakt historik. Por nëse nënkuptohet se asaj iu mor një pronë kombëtare që i takonte përgjithmonë, atëherë kemi kaluar nga historia në ideologji. Sepse shtetet nuk zotërojnë popuj sikurse individët zotërojnë prona, dhe kufijtë historikë nuk janë tapi që trashëgohen të pandryshuar nga Mesjeta deri në shekullin XXI.

Në këtë prizëm, mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër, shumë më e parehatshme: a ishte Kosova për politikën serbe në periudha të caktuara më shumë një territor për t’u kontrolluar sesa një shoqëri qytetarësh që duhej të fitonin besimin e shtetit? Sepse nëse një shtet e dëshiron territorin, por njëkohësisht e trajton popullsinë e tij me diskriminim, represion ose përjashtim politik, atëherë ai zbulon një kontradiktë të thellë: kërkon tokën, por nuk arrin të ndërtojë një marrëdhënie të qëndrueshme me njerëzit që jetojnë mbi të.

Kjo është pikërisht arsyeja pse përvoja e dekolonizimit mund të na shërbejë si pasqyrë krahasuese. Fuqitë koloniale humbën jo vetëm territore; ato u detyruan gradualisht të përballeshin me një ndryshim themelor të botëkuptimit politik. Ajo që dikur paraqitej si madhështi perandorake, mision civilizues apo zgjerim legjitim i fuqisë shtetërore, sot në shumë raste diskutohet edhe përmes historisë së pushtimit, shfrytëzimit, racizmit, dhunës dhe mohimit të të drejtave të popujve të sunduar.

Kjo nuk do të thotë se Britania dhe Franca kanë arritur një konsensus të plotë shoqëror mbi të kaluarën e tyre koloniale. Edhe atje vazhdojnë debatet, nostalgjitë, relativizimet dhe përplasjet rreth monumenteve, muzeve, përgjegjësisë historike dhe mënyrës se si duhet mësuar kolonializmi. Por ekziston të paktën një hapësirë publike ku e kaluara koloniale mund të shqyrtohet në mënyrë kritike dhe ku veprimet që dikur lavdëroheshin si triumfe perandorake sot mund të shihen edhe si padrejtësi ndaj popujve të tjerë.

Dhe këtu lind pyetja që duhet t’i drejtohet edhe Serbisë: kur do të vijë çasti që humbja e kontrollit mbi Kosovën të mos interpretohet vetëm si tragjedi kombëtare serbe, por të shoqërohet edhe me pyetjen se çfarë përjetuan shqiptarët nën politikat e shtetit serb? Kur do të zhvendoset debati nga “çfarë na bënë neve?” te “çfarë u bëmë edhe ne të tjerëve?” Sepse pikërisht kjo është pika ku një shoqëri fillon të dalë nga miti dhe të hyjë në histori.

Të ballafaqohesh me të kaluarën nuk do të thotë ta urresh popullin tënd dhe as ta shpallësh atë fajtor kolektivisht. Përkundrazi, përgjegjësia historike bëhet serioze vetëm atëherë kur ndahet populli nga regjimet, qytetari nga politika shtetërore dhe brezi i sotëm nga veprimet e brezave të mëparshëm. Nuk ka arsye që një individ i sotëm të bartë faj personal për një krim që nuk e ka kryer; por një shoqëri demokratike ka përgjegjësi që krimin ta quajë krim, diskriminimin diskriminim dhe represionin represion, pavarësisht se kush e ka ushtruar.

Britania nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke ëndërruar rikthimin e Indisë; Franca nuk mund ta ndërtojë të ardhmen duke kërkuar rikthimin e Algjerisë. Ato mund të debatojnë pafund për historinë e tyre, mund të krenohen me pjesë të saj dhe të turpërohen për pjesë të tjera, por koha e perandorive nuk mund të rikthehet duke refuzuar realitetin e popujve që fituan pavarësinë. Në të njëjtën mënyrë, as Ballkani nuk mund ta ndërtojë paqen duke i mbajtur hartat e vjetra mbi tavolinë dhe duke pritur momentin historik për t’i vizatuar përsëri kufijtë sipas ëndrrave të së kaluarës.

Dhe ndoshta pikërisht këtu gjendet dallimi ndërmjet humbjes së një territori dhe përfundimit të një sundimi. E para të shtyn drejt nostalgjisë dhe dëshirës për rikthim; e dyta të detyron të reflektosh mbi vetë natyrën e sundimit. Nëse thua “më morën diçka që ishte e imja”, kërkon mënyrën për ta marrë përsëri. Por nëse pyet “përse njerëzit mbi të cilët sundoja nuk dëshironin të jetonin nën pushtetin tim?”, atëherë ke filluar një proces krejt tjetër — procesin e ballafaqimit me historinë.

Prandaj, ndoshta Serbia nuk duhet të vazhdojë të pyesë vetëm “Si e humbëm Kosovën?”. Pyetja historikisht më e dobishme do të ishte: “Çfarë politikash ndoqëm në Kosovë dhe çfarë bëmë që shqiptaret të mos e shihnin Serbinë si okupatore?” Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është shumë më e dhimbshme se miti i një territori të grabitur, por është edhe shumë më e dobishme për të ardhmen.

Sepse pjekuria politike e një shteti nuk matet me aftësinë për t’i vajtuar pafund territoret mbi të cilat dikur ka ushtruar pushtet, por edhe me guximin për ta parë në sy historinë e vet. Ka një çast kur humbja duhet të pushojë së prodhuari urrejtje dhe duhet të fillojë të prodhojë reflektim; kur nostalgjia për sundimin duhet t’ia lërë vendin përgjegjësisë për atë që ka ndodhur gjatë atij sundimi; dhe kur pyetja “çfarë humbëm?” duhet, më në fund, të pasohet nga pyetja shumë më njerëzore dhe shumë më e vështirë: “çfarë u bëmë atyre që jetonin nën pushtetin tonë?”

Vetëm atëherë historia pushon së qeni armë për rikthimin e së kaluarës dhe bëhet mësim për të mos e përsëritur atë. Duhet të ndihen keq, ose së paku të ndiejnë peshën e përgjegjësisë historike, të gjithë ata politikanë, ideologë, propagandues dhe përfaqësues institucionesh që, edhe në shekullin XXI, vazhdojnë të trumbetojnë me një këmbëngulje pothuajse anakronike se Serbia “e paska humbur Kosovën”, sikur të flisnin për një pronë familjare të humbur, për një parcelë të grabitur apo për një pasuri që pret vetëm çastin e përshtatshëm për t’iu kthyer pronarit të dikurshëm. Është shqetësuese që, pas gjithë përvojës tragjike të shekullit XX, pas luftërave që e copëtuan ish-Jugosllavinë, pas viktimave, dëbimeve dhe shkatërrimeve, ende ekziston një gjuhë politike që e koncepton territorin përmes kategorive të posedimit dhe “rikthimit”, ndërsa njerëzit që jetojnë në atë territor i vendos në plan të dytë.

Jo, zotërinj të politikës serbe, problemi nuk është se Serbia “humbi” diçka që duhet medoemos ta rifitojë; problemi është se një pjesë e politikës serbe vazhdon ta interpretojë historinë përmes nocioneve të humbjes territoriale, viktimizimit kombëtar dhe të drejtës së pretenduar për rikthim, në vend që ta shqyrtojë edhe përgjegjësinë e politikave që e çuan marrëdhënien ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe Beogradit drejt një shkëputjeje kaq të thellë. Sepse pyetja që duhet të shtrohet në shekullin XXI nuk është vetëm “kush na e mori Kosovën?”, por si e kolonizuam atë?

Kjo është pyetja nga e cila retorika nacionaliste përpiqet të ikë, sepse është shumë më e lehtë të ndërtohet miti i viktimës sesa të analizohet përgjegjësia e pushtetit. Është më e lehtë t’i thuhet një shoqërie se “na e morën Kosovën” sesa t’i shpjegohet se si u okupua ajo dhe  se si u rrënua autonomia e saj, si u thellua diskriminimi dhe represioni gjatë viteve nëntëdhjetë, si u zhvillua lufta dhe si përfundoi ai me dhunë masive, dëbime dhe krime ndaj civilëve. Narrativa e humbjes kërkon një fajtor jashtë vetes; ballafaqimi me historinë kërkon guximin për ta kërkuar një pjesë të përgjegjësisë edhe brenda politikave të veta.

Prandaj, kur në shekullin XXI dëgjojmë ende politikanë që flasin për Kosovën sikur të ishte një plaçkë historike që Serbia e ka humbur dhe që një ditë duhet ta rikthejë, nuk kemi të bëjmë thjesht me nostalgji. Kemi të bëjmë me mbijetesën e një mënyre të rrezikshme të të menduarit politik, në të cilën territori konsiderohet më i rëndësishëm se vullneti i njerëzve, miti më i rëndësishëm se realiteti dhe kujtesa selektive më e rëndësishme se përgjegjësia historike. Pikërisht nga një mendësi e tillë ushqehen pretendimet shoviniste dhe politikat ekspansioniste: nga bindja se një hartë e së kaluarës mund të shndërrohet në program politik të së ardhmes.

Bota demokratike bashkëkohore, me gjithë kontradiktat dhe standardet e saj jo gjithmonë të njëtrajtshme, është ndërtuar mbi një mësim të rëndësishëm të shekullit XX: pretendimet territoriale të mbështetura mbi epërsinë etnike, ndryshimin e kufijve përmes forcës, dëbimin e popullsive dhe mohimin e të drejtave themelore nuk mund të jenë parime legjitime të rendit modern evropian. Pikërisht për këtë arsye, gjuha politike që romantizon rikthimin territorial dhe e trajton të kaluarën si një llogari të pambyllur duhet të shihet me shqetësim, sidomos në një rajon që e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë fuqinë shkatërruese të nacionalizmit.

Evropa e sotme, të paktën në parimet mbi të cilat pretendon se është ndërtuar, nuk duhet të jetë Evropë e hartave etnike që presin të korrigjohen, por Evropë e kufijve që humbin fuqinë për t’i ndarë njerëzit; jo Evropë e territoreve që duhen “rikthyer”, por Evropë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve; jo Evropë e hakmarrjes historike, por Evropë e ballafaqimit me të kaluarën. Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një politike që jeton në shekullin XXI dhe një politike që vazhdon të ecë me hartat dhe obsesionet e shekullit XIX.

Dhe kjo duhet thënë qartë: kritika ndaj një politike të tillë nuk është kritikë ndaj popullit serb. Popujt nuk mund të shpallen kolektivisht fajtorë për ideologjitë dhe vendimet e pushteteve të tyre. Serbia ka qytetarë, intelektualë, gazetarë, aktivistë dhe njerëz të zakonshëm që kanë kundërshtuar nacionalizmin, luftën dhe krimet, shpesh duke paguar edhe një çmim personal për këtë qëndrim. Pikërisht për këtë arsye duhet bërë dallimi ndërmjet Serbisë si shoqëri dhe atyre rrymave politike që vazhdojnë ta ushqejnë shoqërinë me mitin se e ardhmja e saj kombëtare varet nga rikthimi i një territori mbi të cilin nuk ushtron më kontroll.

Turpi politik, nëse duhet përdorur kjo fjalë, nuk qëndron te pranimi se një epokë ka përfunduar. Përkundrazi, turpi do të ishte vazhdimi i glorifikimit të politikave që prodhuan tragjedi dhe refuzimi për të mësuar prej tyre. Nuk është dobësi të thuash se politika e dikurshme ishte e gabuar; është pjekuri shtetërore. Nuk është tradhti kombëtare të pranosh vuajtjen që shteti yt ua ka shkaktuar të tjerëve; është përgjegjësi morale. Dhe nuk është humbje dinjiteti të heqësh dorë nga ëndrrat territoriale që rrezikojnë paqen; përkundrazi, kjo është mënyra se si një shoqëri çlirohet nga pengjet e së kaluarës.

Prandaj, jo, zotërinj të politikës që vazhdoni ta përdorni Kosovën si metaforë të një plage që duhet hakmarrë apo të një prone që duhet rikthyer: Kosova nuk mund të trajtohet si send i humbur në inventarin historik të Serbisë. Sepse pikërisht orekset shoviniste dhe ekspansioniste e kanë bindur Ballkanin, herë pas here, se kufijtë mund të korrigjohen me forcë, se territori mund të pastrohet nga njerëzit që pengojnë projektin kombëtar dhe se historia mund të përdoret si autorizim për pretendime të reja. Evropa e ka parë se ku çon kjo logjikë. Edhe popujt e ish-Jugosllavisë e kanë parë. Varret, njerëzit e zhdukur, refugjatët dhe qytetet e shkatërruara janë dëshmi shumë më të fuqishme sesa çdo fjalim nacionalist për çmimin që paguhet kur miti territorial shndërrohet në program shtetëror.

Në shekullin XXI, madhështia e një shteti nuk duhet matur me numrin e territoreve që pretendon se i ka pasur dikur, por me aftësinë për të krijuar paqe me fqinjët, mirëqenie për qytetarët dhe besim për brezat që vijnë. Sepse në fund, pyetja që historia do t’ua bëjë politikanëve të sotëm nuk do të jetë vetëm “cilat territore pretenduat se ishin tuajat?”, por diçka shumë më të rëndësishme: “çfarë bëtë që popujt tuaj të mos përjetonin edhe një herë tragjeditë që prodhuan pretendimet territoriale të së kaluarës?” Dhe përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të jetë matësi i vërtetë i pjekurisë politike të secilit prej tyre.

Është mirë, madje do të thosha se është historikisht e domosdoshme, që Serbia dhe sidomos ajo pjesë e klasës së saj politike që vazhdon të ushqehet me nostalgjinë e territoreve, me mitet e së kaluarës dhe me idenë se historia mund të përdoret si dokument pronësie, ta mësojë një nga mësimet më të thjeshta, por njëkohësisht më të vështira të politikës: ajo që nuk të përket nuk bëhet e jotja vetëm sepse ke arritur ta sundosh për një periudhë, ta kontrollosh me forcën e shtetit, ta përfshish në hartën tënde apo ta shkruash në kushtetutën tënde. Pushteti mund të krijojë kontroll, por kontrolli nuk është domosdoshmërisht përkatësi; forca mund të imponojë administrim, por administrimi nuk prodhon vetvetiu legjitimitet; ndërsa një hartë politike, sado gjatë të qëndrojë e pandryshuar, nuk mund të shndërrohet në çertifikatë pronësie mbi historinë dhe mbi njerëzit.

Ky është një mësim që Evropa e ka paguar shumë shtrenjtë. Për shekuj të tërë, mbretëri, perandori dhe shtete kanë besuar se ajo që kishin pushtuar ishte bërë përgjithmonë e tyre. Kufijtë janë zgjeruar me luftëra, territoret janë aneksuar, popullsitë janë sunduar kundër vullnetit të tyre dhe pastaj, pas disa dekadash, sundimi është paraqitur si argument historik për pronësi. Pikërisht kështu lind rrethi vicioz i pretendimeve territoriale: pushtimi prodhon sundimin, sundimi me kalimin e kohës shpallet traditë, tradita shpallet e drejtë historike dhe, kur kontrolli përfundon, humbja e pushtetit paraqitet si padrejtësi kombëtare.

Prandaj është kaq e rëndësishme që edhe politika serbe ta ndajë përfundimisht nocionin e “asaj që kam sunduar” nga nocioni i “asaj që është e imja”. Ndërmjet këtyre dy formulimeve ekziston një dallim i tërë civilizues. Historia njeh shumë territore që janë sunduar nga shtete të ndryshme; sikur çdo sundim i dikurshëm të krijonte një të drejtë të përjetshme pronësie, bota e sotme do të ishte një fushë e pafundme pretendimesh dhe luftërash. Secili shtet do të hapte hartat e shekujve të kaluar dhe do të kërkonte atë që dikur e kishte kontrolluar, ndërsa paqja ndërkombëtare do të bëhej e pamundur.

Pikërisht për këtë arsye, sa më herët që një pjesë e politikës serbe ta kuptojë se Kosova nuk mund të trajtohet si një pronë e humbur që pret të rikthehet, aq më e lehtë do të bëhet jo vetëm marrëdhënia e saj me Kosovën, por edhe marrëdhënia e Serbisë me vetveten. Sepse ekziston edhe një lodhje e madhe shpirtërore dhe politike në mbajtjen gjallë të një humbjeje të përhershme. Kur një shoqërie i thuhet brez pas brezi se asaj i është marrë diçka e shenjtë, se një padrejtësi historike pret ende të korrigjohet dhe se misioni kombëtar mbetet i papërfunduar, ajo shoqëri mbahet vazhdimisht në një gjendje frustrimi, pritjeje dhe pakënaqësie.

Dhe kjo është ndoshta një nga pasojat më pak të diskutuara të nacionalizmit territorial: ai nuk e burgos vetëm tjetrin në pretendimet e veta, por përfundimisht e burgos edhe shoqërinë që e prodhon atë. E detyron të jetojë me sytë nga e kaluara, të numërojë humbjet historike, të ushqejë plagët dhe të presë një moment imagjinar kur historia do të kthehet prapa dhe do t’i korrigjojë kufijtë sipas dëshirave të saj. Ndërkohë kalojnë brezat, ndryshon bota dhe humbet energjia që mund të ishte përdorur për zhvillim, arsim, ekonomi, demokraci dhe mirëqenie.

Prandaj, sa më herët ta pranojë Serbia se e ardhmja nuk ndërtohet duke kërkuar rikthimin e së kaluarës, aq më e qetë do të mund të bëhej edhe politikisht, edhe shpirtërisht. Jo sepse historia duhet harruar — përkundrazi, historia duhet studiuar me kujdes — por sepse ekziston një dallim i madh ndërmjet kujtesës dhe pengmarrjes nga kujtesa. Një popull mund ta kujtojë të kaluarën e vet pa qenë i detyruar ta rikrijojë atë. Mund t’i ruajë monumentet, traditat dhe vendet e rëndësishme për identitetin e tij pa pretenduar se për këtë arsye duhet të ushtrojë sovranitet mbi territorin ku ato ndodhen.

Dhe ndoshta këtu duhet kërkuar edhe një formë tjetër e patriotizmit serb: jo patriotizmi që mat dashurinë ndaj Serbisë me refuzimin e Kosovës, por ai që guxon t’i thotë popullit të vet se një shtet nuk bëhet më i madh duke mbetur peng i hartave të vjetra. Ndonjëherë akti më patriotik është pikërisht çlirimi i kombit nga një mit që e pengon të ecë përpara.

Prandaj mesazhi duhet të jetë i thjeshtë, por politikisht i qartë: ajo që është marrë me forcë nuk bëhet e jotja vetëm nga kalimi i kohës; ajo që ke sunduar nuk bëhet automatikisht pronë e përjetshme; dhe ajo që historia e ka ndryshuar nuk mund të rikthehet pafundësisht në tryezën e politikës përmes kërcënimeve, nostalgjisë apo mitologjisë kombëtare. Sa më herët të kuptohet ky parim, aq më pak energji do të harxhohet duke luftuar me një realitet që nuk mund të zhbëhet vetëm me retorikë.

Në fund, pranimi i realitetit nuk duhet parë si poshtërim. Mund të jetë çlirim. Çlirim nga obsesioni territorial, nga retorika e humbjes, nga nevoja për të edukuar çdo brez me idenë se ka një llogari historike që duhet larë dhe nga frika se pa Kosovën Serbia qenka më pak Serbi. Dy shoqëritë mund ta njohin historinë e ndërlikuar që i lidh, pa qenë të dënuara të mbeten robër të saj.

Sepse paqja e vërtetë fillon pikërisht në çastin kur njeriu, shoqëria dhe shteti pushojnë së kërkuari atë që e konsiderojnë të humbur dhe fillojnë të ndërtojnë atë që ende mund të fitohet: besimin, fqinjësinë, zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen. Dhe ndoshta pikërisht atëherë, kur politika serbe të mos e shohë më Kosovën si një pronë që pret rikthimin, por si një realitet me të cilin duhet ndërtuar një marrëdhënie paqësore, do të vijë edhe ajo qetësi politike, shpirtërore dhe emocionale që nacionalizmi i mbajtur gjallë për dekada ua ka mohuar të dyja shteteve.

Fund

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.