UNË PUNO PËR POPULL, E AI PUNO PËR GRA

0
240
Sali Ramadani - Kërçova

Kalosh Çeliku NGA KALOSH ҪELIKU

Shënime biografike

Sali Ramadani – Kërçova lindi në vitin 1939 në Kërçovë. Ishte një protagonist guximtar i politikës në Maqedoni në periudhën nga mesi i viteve ’90 si deputet i PPD -së, më vonë i PDSh -së në Parlamentin e Maqedonisë.

Më 8 korrik të vitit 1997 nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë nxorri flamurin kombëtar shqiptar kuqezi me shqiponjën dykrenare, dhe e shpalosi në sallën e Parlamentit. Edhe, u tha të pranishmëve: mos u trembëni se nuk ju hanë! Një pjesë e madhe e mediave dhe ekspertëve maqedonas për çështje juridike, që edhe sot janë protagonistë aktualë në politikë, kërkuan arrestimin e tij pas ngjarjes “skadaloze”.

Sali Ramadani – Kërçova ka hyrë në Historinë e Kërçovës si nxënësi i parë që kreu shkollën e rregullt tetëvjeçare, normalisti i parë i Normales ,,Liria,, të Shkupit, dhe mësuesi i parë i kësaj ane me shkollim të rregullt arsimor.

Është njeriu i parë i Kërçovës, po edhe i Iliridës, që shumë herët dhe që në fillim të karierës së tij si mësues, haptas iu kundërvu pushtetit jugosllav antishqiptar, për të cilat angazhime e kundërshtime qe burgosur e dënuar disa herë me rradhë.

Deputeti i parë shqiptar, i cili asaj kohe me përkrahjen e gazetarit Qani Mehmedi, gjuhëtarit Qemal Murati dhe shkrimtarit Kalosh Ҫeliku më 8 korrik 1997 hyri si kandidat për deputet në historinë e Parlamentit të Maqedonisë me aktin e shpalosjes të flamurit shqiptar para deputetëve dhe mbajtjes së fjalimit në gjuhën shqipe, duke u thënë, se: mos u trembëni, nuk u hanë! Dita do të vijë, që ky flamur do të jetë zyrtarë, do të vij dita që në këtë parlament do të flitet Shqip. Unë nuk kam frikë dhe nuk friksohem nga askush e as nga ju. Nëse nuk e kini ditur, unë jam stërnipi i Kastriotit dhe nipi i Mefailave të Zajazit. Unë jam Sali Ramadan Kërçova.

Në atë kohë Neokomuniste, të nxjerrësh flamurin shqiptarë dhe të flasësh shqip në mes të parlamentit të Maqedonisë para deputetëve, është dashur të të thirrin Sali Ramadani – Kërçova. I vetmi trim sypatrembur, që u kthehet kolegëve maqedonas duke ua valvitur flamurin para syve, që askush se ka bërë deri më sot si shqiptar!

Kuvend, kur Tito Petkovski u tha deputetëve: Mbyllet seansa dhe ikni jashta parlamentit! Sali Ramadani – Kërçova vazhdoi me fjalimin: po të duani ikni edhe jashta Maqedonisë, shkoni në Bullgari! Ose, Serbi. Atje, nuk ka flamur shqiptar. Kryetar i parlamentit ishte komunisti arratisur i Djeshëm, Sot socialdemokrati Tito Petkovski, i cili reagoi ashpër, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve për heqjen e deputetit Ramadani nga foltorja.

Sali Ramadani – Kërçova, papritmas ndërroi jetë më 27 janar 2018 si veprimtar i devotshëm dhe patriot i madh i Ҫështjes ende të pazgjidhur shqiptare. Sinonim i guximit, dijes dhe atdhedashurisë, i burgosur dhe i përndjekur nga pushteti që nga mosha studentore e deri në vitet e pluralizmit. Ndryshimeve “demokratike”. Aktiviteti i tij politik ka filluar që në moshë të re, por ai intensifikohet në vitin 1968 me kandidimin për deputet të zonës Kërçovës. Ndërsa, një vit më vonë burgoset pas një procesi gjyqësor maratonik në të cilin ai deklasoi politikën antishqiptare, duke mbetur i palëkundur në qëllimet e veta, i guximshëm dhe energjik në veprime edhe përkundër presioneve të mëdha që pushteti monist i bënte në vazhdimësi.

Përmëtepër, pas vitit 1981 Sali Ramadani – Kërçova bën një aktivitet të ngjeshur ilegal për sensibilizimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në kuadër të organizatës “Besëlidhja për çlirim kombëtar”. Viteve ’90 -ta ai kthehet në vendlindje dhe jep kontributin e tij në proceset politike që do të pasonin edhe si politikan. Opinioni i gjerë tashmë e ka të njohur veprimtarinë e tij parlamentare dhe veprimet konkrete për të drejtat e shqiptarëve, siç ishte shpalosja e flamurit tonë kombëtar në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë më 8 korrik 1997 -të.

Vitet e fundit, pas luftës të Kosovës shqiptaro – serbe (1998 – 1999) dhe shqiptaro – maqedonase (2001), u mor kryesisht me shkrime dhe angazhohej për grumbullimin dhe botimin e atyre shkrimeve, që iu kishin ndaluar për 30 vjet me radhë. E, sot kur Kosova frymon lirshëm pas njëzetë viteve pavarësie nga robëria shekullore serbosllave, po shkojmë drejt plotësimit të idealeve, synimeve dhe qëllimeve të përhershme të patriotit Sali Ramadani – Kërçova. Gjithë këto na detyrojnë të çmojmë, ta nderojmë e ta përkujtojmë me pietet të lartë këtë veprimtar të palodhshëm, punëtor e luftëtar të denjë të Ҫështjes e të çlirimit kombëtar.

Veprimtari i 8 korrikut 1997 me aktin e shpalosjes dhe mbrojtjes të flamurit shqiptar në foltoren e Parlamentit Neokomunist të Maqedonisë, që nxiti reagimin e deputetëve dhe krerëve maqedonas të Parlamentit, meriton që data 8 korriku e vitit 1997 -të, të shpallet Ditë historike për shqiptarët. Dhe, përmes një kërkese të kërkohet seancë urgjente nga Parlamenti i Maqedonisë, që për deputetin Sali Ramadani – Kërçova, të ngriten përmendore historike, emërohen shkolla shqipe, rrugë: Kërçovë, Shkup e Prishtinë, dhe organizohen aktivitete politike – kulturore – përkujtimore me rastin e kësaj date në të gjitha Trojet Etnike Shqiptare dhe diasporë.

Lamtumira e fundit
nga gruaja besnike

Tri vite që na dha lamtumirën e fundit Sali Ramadani – Kërçova!
Në vitin 1977 ia dhamë dorën njëri – tjetrit, s’bashku udhëtuam në të njëjtën rrugë gati pesë dekada, në të mirë dhe në sfida që na solli jeta.

Kaluan tri vite që ma lëshove dorën, ike në botën e amshueshme, sepse ashtu deshi Zoti e jo Ti. Më mungojnë shumë këshillat tua, debatet që i bënim për situatën politike.
Më mungon epiteti kur më quajshe, ”opozita ime”. Më mungon inspirimi ytë për integrimin e femrës në zhvillimet politike.

Tek ti posedojnë vlerat shumëvjeçare për kontributin tënd që ke punuar me një angazhim maksimal, për shkollimin dhe emancipimin e femrave shqiptare. Porosia jote ishte, Emancipimi i femrës është për të mirën e saj dhe të shoqërisë, kjo i jep një imazh shtetit se në cilën shkallë të kulturës je si shtet apo komb.

Jetën dhe punën e kishe të programuar. Çdo herë u afroheshe njerëzve dhe kërkoje individë me dije të pjekur. Kurrë, nuk e përfillje injorancën. Virtyti, dinjiteti kombëtar, dhe atdhedashuria patriotike ishte ideali më i lartë te Sali Ramadani – Kërcova.

Sa më shumë po kalon koha, aq më tepër e ndjejmë mungesën tënde, si baba, si gjysh si vjehërr dhe si bashkëshorti dhe shok i jetës!

Në jetën tonë bashkëshortore kishim mirëkuptim, sinqeritet dhe dashuri reciproke…

Sylbie Bajrami – Ramadani

Kandidimi për deputet i Kërçovës

Herët, viteve të 1968 -ta Sali Ramadani – Kërçova ra në sytë e UDB -ës jugosllave, në fillim të karierës së tij si mësues, dhe kandidat për deputet i Kërçovës. E mbaj mend, kur i gjithë populli shqiptar i Kërçovës u çua më këmbë për t’ia dhënë nënshkrimet (firmat). Haptas para fushatave parazgjedhore iu kundërvu pushtetit jugosllav antishqiptar, për të cilat angazhime e kundërshtime qe burgosur e dënuar disa herë me rradhë.

Gjykimi në Shkup si “armik” i Shtetit

Unë asaj kohe isha nxënës i vitit dytë në Shkollën Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Sisot, më kujtohet kur me disa shokë morëm pjesë si adhuruesë në gjykimin e tij si “armik” i shtetit jugosllav, dhe e dënuan me disa vite burg. Edhepse, e vuajti burgimin e asaj kohe të egër komuniste për shqiptarët, nuk u dorëzua gjithë jetën, por vazhdoi punën me aktivitete politike ilegale, legale  dhe kulturore. Themelimin SHKA “Xha Rexha” dhe SHKA “Xixa”.

Aktivitetet kulturore në Kërçovë
Gostivar dhe Prishtinë

Unë asaj kohe kam pasur një rreth të ngushtë miqësh: poetin kryengritës Shaqir Sadiku me të cilin njihesha që nga vendlindja për shkak të vjershave që botonim asaj kohe te “Shkollari” në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, dhe revistat për fëmijë “Fatosi” dhe “Gëzimi”, në Shkup. Një vit e kaluam së bashku edhe në gjimnazin e Kërçovës. Vit, edhe kur me veprimtarinë e arsimtarëve shqiptar u hapën edhe dy paralelet e para në gjuhën shqipe me rreth 70 nxënës (1965/1966).

Paralele në gjuhën shqipe vetëm me një lëndë në gjuhën shqipe. Edhe, atë Gjuhë shqipe, të cilën na e jepte Esat Ymeri. Lëndët tjera i kishim në gjuhën maqedonase. E kishim një lëndë më tepër se nxënësit maqedonas. Që, pas një viti shkollor do të përfundojnë vitin e parë vetëm pesë – gjashtë nxënës. Pabesisht, na kositën profesorët shovenistë “maqedonas”, dhe u shpërndamë për të vazhduar mësimet në Gostivar dhe Shkup.

Miku i penës, Shaqir Sadiku asaj kohe të rrezikshme përmes postës më përcillte letra komunikimi dhe poezi të zjarrta patriotike. Letrave, të cilave edhe unë u përgjigjesha me poezi. Vite, edhe kur pas kryerjes së shkollës mesme do të regjistrohemi së bashku në Fakultetin Filosofik, Dega Gjuhë dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës (1970 – 1971). Edhe një vit do të jemi së bashku në një dhomë.

Një vit më vonë, gjatë studimeve unë do të martohem në Prishtinë. Edhe, takimet e shpeshta me të i kisha të rralla në Universitet. Herë pas here edhe takoheshim rastësisht në rrugë. Gjatë sudimeve, Shaqiri do të punësohet si gazetar në Televizonin e Prishtinës, ndërsa unë në shkollën fillore “Vëllazërim – bashkimi” në Drenas (Gllogovc të Drenicës).

Sylbie Bajrami Ramadani dhe Sali Ramadani – Kërçova, në Kërçovë…

Vite, edhe kur ne studentëve na jepeshte “ilegalisht” nga bashkëpuntorët e sigurimit romani “rrezikshëm” i Kapllan Resulit “Tradhtia”, dhe ditën e nesërme na bastisnin në banesë duke na arrestuar si “armiqë të shtetit ” jugosllav me disa vite burg.

Asaj kohe, duke i marrë me mend provokimet e UDB -ës jugosllave, unë si student nuk kam pasur besim dhe guxim ta lexoj atë roman të “rrezikshëm”. Viteve, kur u ktheva në Shkup e lexova romanin e “rrezikshëm” të Kapllan Resulit “Tradhtia”, në Bibliotekën Universitare”, në Shkup. Edhe librat tjerë: “Ushtima e Korabit”, dhe “Gjarpëri”. E dija se, edhe këtu mbanin evidencë se, kush i lexon këto libra të “rrezikshëm”. Vetëmse, unë tashti i lexoja në mënyrë legale, përmes institucioneve të shtetit “përbshkët”.

Sali Ramadani Kërçova gjatë këtyre viteve merreshte me aktivitete arsimore dhe kulturore. Themelimin e shoqërive kulurore: “Xha Rexha dhe “Xixa”. Aktivitete të cilat do t’i zgjëroj edhe nëpër fshatrat e Gostivarit dhe në Prishtinë. Kohë, kur me veprimtarin Sali Ramadani – Kërçova, ne studentët kërçovar do t’i kemi disa takime në lokalet e gjimnazit “Ivo Lola Ribar”, sot “Sami Frashëri”, në Prishtinë me përgaditjet dhe organizimet e aktiviteteve kulturore.

Ikja e papritur e Shaqir Sadikut në Zvicër, dhe burgosja e tij në Kërçovë, mua do të më zbulojë edhe shumë befasi që nuk i kisha ditur si student në Prishtinë. Edhe, atë: pas kryerjes të shërbimit ushtark në Knin të Kroacisë dhe kthimit në Shkup. Shaqir Sadikun e kishin maltertuar fizikisht me presione hetimore, që të pranojë, se: edhe unë kam qenë në Grupin e tyre “armiqsor” në Lëvizje. Pyetje provokative policore, të cilën ai e kishte mohuar kategorisht. Përgjigje, për të cilën kishte hëngër edhe një shuplakë nga ish studenti vendlindjes i gjeneratës në Prishtinë. Tashti pas studimeve, shef policie në Kërçovë.

Student, të cilin vetëm njëherë e kam takuar para “Hotel Boshurit” vetë i treti, rastë kur na e rrëfeu edhe revolen. E mora me mend se është bashkëpunëtor sekret i sigurimit. Aktivitet “studentor”, që pas studimeve ai do ta dëshmojë edhe me vepra policore në vendlindje.

Vërtetë ne, nëpër disa takime kulturore në Kërçovë, Gostivar dhe Prishtinë kishim marrë pjesë nën udhëheqjen e patriotit Sali Ramadani  – Kërçova, por jo si “armiqë” të shtetit jugosllav. Kurthë e montuar policore, të cilën e mësova më vonë, se: që të gjithë aktivistët e këtyre takimeve kulturore e kishin pasur në plan që të na shpallin si “irredentistë” e “armiq” të shtetit jugosllav, dhe të gjithëve na rrasin në burg si grup i “rrezikshëm” antijugosllav.

Vit, edhe kur nga frika se mos bënin bastisje të papritshme në shtëpi, i dogja të gjitha letrat dhe fotografitë, që kisha mbajtur me Shaqir Sadikun si nxënës, ai në gjimnazin e Gostivarit, e unë në Shkollën Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Librat e Këndimit me të cilat kishte mësuar im vëlla Ramë Ҫeliku në fshatin Kastriot (Sërbicë), në kohën e ministrit të arsimit Ernest Koliqi, u zhdukën nga shtëpia. Libra të “rrezikshëm”, me të cilët në atë kohë dhe vjershat e Rilindasëve u rrita nën hijen Lisit midis Livadhit si shkrimtar.

Edhe Sot e kësaj dite, nuk e di ku i fshehu im Vëlla, mos të na i gjejnë në shtëpi…

Dhe fundi i pas Luftës të 2001–shit
në “Saraj” dhe nën Rrap në Shkup

Përsëgjalli Sali Ramadani – Kërçova, pas Luftës të 2001 -shit në Maqedoni merr pjesë në Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” në “Saraj” të Shkupit, që i organizonte Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë. Ditë, edhe kur një autobus me poetë me targa TR erdhi në Shkup. Poetë, që lexuan poezi pranë tankeve. Manifestim Kulturor, të cilin poeti Visar Zhiti do ta përshkruaj me një reportazh emocional në Tiranë.

Ditë, edhe kur poetit Pano Taçi do t’i rrëmbehet kaseta e inçizimit të manifestinit kulturor nga kamera. Mëkot, unë e dërgova anëtarin e shoqatës të Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë Rexhep Bajramin, që së paku të na e kthejnë kasetën e inçizimit. Ata, i kishin thënë: le të vij ai vetë ta marrë kasetën. Guxim, që nuk e pata në gjendje lufte të shkoj në polici.

Sali Ramadani – Kërçova edhe nëpër faqet e revistës
për humor dhe satir “ZEKTHI”, që delë kur t’i teket

PARTALLMENTI

Sali Ramadani – Kërçova, në një deklaratë për “Zekhtin”, tha: Kjo Qeveri e “vëllazërim – bahkimit” e ka lehtë me këtë popull,  ia hudhë një asht, dhe fle rehat në Partallment…

BISEDA NË TRE SY

Gjatë një seance në Partallment, ashtu siç e thirrte Kuvendin e Maqedonisë Sali Ramadani – Kërçova, në muajin “Ramazan”, hyri edhe Kryetari Kiro Gligorovi: të gjithë u çuan në këmbë, përveç deputetit të popullit Sali Ramadani – Kërçova. Pas pak kohe ai doli edhe në foltore para kamerave televizive, gotën e ujit para mikrofonit e shtyu me dorë dhe e mori fjalën: Unë me Kiro Gligorovin për të drejtat e barabarta të shqiptarëve do të flas në tre sy…

Deputetëve të popullit shqiptarë u shpërtheu gazi…

HEQJA E FLAMURIT SHQIPTAR
NË GOSTIVAR DHE TETOVË

Flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare, Qeveria së pari e ngriti në Parlament me Xhaxhin kuqezi Sali Ramadani – Kërçova, i cili u tha deputetëve të popullit “maqedonas”: mos u trembëni, nuk ju hanë! Ndërsa, të nesërmen me urdhërin e presidentit të shtetit të “përbashkët, Branko Cërvenkovski me  gishtin e madh teposhtë të dorës djathtë, duke vrarë dhe masakruar shqiptarë të pafajshëm e hoqi me polici speciale në Gostivar.

Aksion policor i paparë deri më sot, ku pati edhe viktima…

POEZIA E SALI RAMADANIT – KËRҪOVA
PAS LUFTE PËR UҪK-në NËN RRAP

Shkupi posa kishte dalë nga Lufta e 2001 -shit. Ende i vinte era barot. Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar të Maqedonisë i organizoi edhe “Takimet nën Rrap” 2002. Në Takimet e  poezisë erotike erdhi edhe Sali Ramadani – Kërçova. Nuk iu gëzova pjesmarrjes tij në këto takime. Shkaku: e dija se Sali Ramadani – Kërçova nuk shkruan poezi erotike, por vetëm patriotike. Kurrsesi, nuk më shkoi mendja se, Sali Ramadani – Kërçova atë natë do të lexojë një poezi për UҪK -ën. E kishte një të mirë, nuk dilte të lexojë poezi pa e ftuar udhëheqja e programit. Që, nuk ndodhte me Xhevat Limanin, i cili e rrëmbente vetë mikrofonin nga duart, dhe lexonte poezi.

Udhëheqja e programit e ftoi Sali Ramadanin – Kërçova të lexojë poezi. Sala si zakonisht, doli para mikrofonit duke i pyetur të pranishmit: a doni t’ju lexoj një poezi, apo një poemë? Ndonjëri nga poetët ndërhyri, një poezi. Tjetri një poemë. Megjithatë, unë do t’ju lexoj një poemë të shkurtër.  Dhe, Sala si zakonisht e nisi me një poemë të gjatë për UҪK -ën me të cilën na zuri edhe mesnata në “Bit – Pazar”, duke bërtitur me sa zë që kishte UҪK -ë… UҪK -ë… UҪK -ë, në mes të “Bit – Pazarit”. Vetëmevete, thashë: le që do të na përzënë nga Rrapi, por do të hamë edhe ndonjë çotek (dajak) në polici.

Përçudi, atë natë shpëtuam pa asnjë ferrë në këmbë…

SHKUPI I NDARË NË DY QYTETE

Xhaxhi Kuqezi (Sali Ramadani – Kërçova), deputet i popullit në mitingun që e mbajti para fushaatës të zgjedhjeve lokale në Kërçovë, mes tjerash tha në foltore edhe, se: dhashtë zoti të mos fitoj si prefekt. Se, nëse fitoj do ta ndaj qytetin përgjysëm me litarë…

E “Zekthi” luti: dhashtë Zoti, Xhaxhi Kuqezi (Sali Ramadani – Kërçova) mos na mbajë ndonjë miting parazgjedhor edhe në Shkup, se do të na e ndaj qytetin edhe ashtu të ndarë nga pushtetmbajtësit në: varfëri dhe pasuri…

Shkaku se, gjatë një fushate parazgjedhore parlamentare me mikrofon në dorë, doli nga pazari i “Bit – Pazarit” hipur mbi karrocë të një pazarxhiu duk bërtitur: Rroftë ILIRIDA!…

UNË PUNO PËR POPULL
E AI PUNO PËR GRA

Gjatë Manifestimit kulturor tradicional ndërkombëtar: “TAKIME NËN RRAP”, në Shkup, pasmesnate u ndanë edhe çmimet letrare për poezi më të bukur erotike lexuar gjatë dy netëve. Dhe, me intervenim të kryetarit të LSHSHM -së Kalosh Ҫeliku, papritur juria si poezi më të bukur e shpalli poezinë e Sali Ramadanit – Kërçova.

Duartrokitjet jehuan në sallë. Sala duke u fry me setren krahëve, doli ta marrë çmimin:

  • Këtë çmim ma ka dhënë armiku im më i madh (duke aluduar në kryetarin Kalosh Ҫeliku). Nuk e di, a ta marrë apo të mos e marrë.
  • Jo, mos e merr! Ndërhyri Kalosh Çeliku duke ditur se juria e komisionit në zarf i ka shti vetëm dhjetë euro. Ktheje prapë!…
  • Megjithatë, do ta marrë. Unë 30 vjet përpiqem ta shti në Lëvizje… Unë puno për popull, e ai puno për gra…

LIBRI I SHEKULLIT

Sizakonisht, u ula nën Rrap për t’i marrë aspirinat e përditshëm. Kamarieri erdhi pa u vunuar dhe më pyeti për porsinë. I them një gotë “hallall”. E mori porosinë, dhe ma solli një gotë raki rrushi. Pas pak kohe, i them: ara e Babait, nuk lëroet vetëm me një ka, ma sjell edhe një ka tjetër zgjedhe! Dikur, i them kamarierit: Dy qeve, mirë është t’u vëmë përpara edhe një kalë.

Në ndërkohë nën Rrap erdhi edhe Sali Ramadani – Kërçova. Dhe, pasi u përshëndetëm u ulë përkarshi meje në tavolinë. E porositi pijen, dhe m’u drejtua mua: Jam shitur shumë lirë. Edhe pse, ende nuk e kam hapur zarfin. Qesha, e ku e di se je shitë shumë lirë, kur ende nuk e ke hapur zarfin?!

Sala, e heshti bisedën me zarfin, por vazhdoi me Librin e tij me poezi të Shekullit, që posa e kishte nxjerrë në dritë. Aty për aty, mu kujtua biseda e Xhevahir Spahiut që rastësisht e takova në “Hotel Grand”, në Prishtinë. I cili më pyeti: a bre, kush është ai poet nga Kërçova që e ka shkruar Librin e Shekullit? Librin e Shekullit, i thashë: unë, ende nuk e kam shkruar, e do ta shkruash ti si poet. Përpak, në “Hotel Grand desh u zumë me grushta.

Qesha, nuk ia thashë emrin e poetit. Shkaku, se: Ai ishte Sali Ramadani – Kërçova…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.