19.1 C
Tirana
E premte, 12 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Dritaret nga kishte hyrë liria

Dritaret nga kishte hyrë liria

0
Famire e Muhamet Duraku

Vëllait tim, Muhamet Durakut, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Atë mëngjes
nuk e njoha menjëherë lirinë.

Ajo nuk erdhi me bujë,
as me kambana.
Erdhi si drita
që hyn në dhomë pa trokitur,
ngjashëm me fëmijën e humbur
që pas shumë kohësh
gjen udhën për në shtëpi.

Kumbulla kishte çelur në oborr,
unë ende nuk i besoja pranverës.
Kisha parë stinë të tjera
që vinin me lule në duar
e largoheshin me hi në flokë.

Mbi pragun e gurit
ende rrinë hijet e atyre që s’janë.
I prekja me sy,
siç preket një ikonë e vjetër,
nga frika se mos tretet.

E tim vëlla.

I heshtur hyri në odë
hapi ngadalë arkën e vjetër
dhe nxori uniformën.

Zë nuk nxori.

Vetëm e shpalosi para dritës së mëngjesit,
dhe plagët mbi stofin e zbehur
folën më shumë se ne të dy.
Nëntë plagët e Gjergj Elez Alisë
Nuk kishin vdekur ende,
ishin dritare nga kishte hyrë liria.

I pashë ato shenja të errëta,
plagë të mbetura mbi trupin e kohës,
dhe mendova
sa herë kishte hyrë vdekja në pragun tonë
e sa herë ishte kthyer duarthatë.

Heshtja u thye.

U ngrit nga çatitë e shtëpive,
nga arat,
nga udhët e gjata të pritjes,
si një korb i zi
që kishte ndenjur mbi ne me vite.

E kuptova — kishte ardhur dita.
Dita e nënave që kishin pritur,
e grave që kishin mbajtur oxhakun ndezur,
e motrave që kishin numëruar netët
si rruaza në një tespihe dhimbjeje.

Qava.
Jo për atë që fituam, e fitua me gjak,
lotova për ata që mungonin.
Për ata që u mbuluan me këtë dhé ari
duke e ruajtur këtë mëngjes
si një kokërr drite në kraharor.

E kur era bie fushave të Kosovës,
emrat u lëkunden ndër kallinj.

Tash vendi merr frymë thellë,
si nëna, si gruaja, si motra
që pas një pritjeje të gjatë
heq shaminë e zezë të pikëllimit
dhe e var në degën
e pranverës.

©fd

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.