19.3 C
Tirana
E shtunë, 25 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Poezi nga Fatmire Duraku

Poezi nga Fatmire Duraku

0
Fatmire Duraku

Fatmire Duraku

MISTERE NË DY ZËRA

Mes shushurimës së gjetheve të rrapit në mesditë,
unë veshin e zgjat drejt zërave të fshehtë.
– Ç’kërkon? – më pyet poeti me sy të ndritshëm.
– Një emër për mallin që s’di të flasë.

Përgjoj si zemra më troket tërbuar
pikë e pikë, e gjaku bie mbi kurorën e bozhures.
– Pse dridhesh? – më thotë. – Nga nata? A nga vetja?
– Nga ajo që ndiej e s’e them dot kurrë.

– Kush je? – më pyet. – E kë do në heshtje?
– Jam ajo që humbet sa herë të gjen ty.

– E ç’kërkon? – më pyet. – Ku shkon kështu vetëm?
– Një fjalë që më shpëton, në rrugën pa krye.

Atëherë heshtja futet në mes nesh,
si dritë e ftohtë mbi gurë e mbi duar.
A më njeh? – më pyet.
– Jo. Veç të ndiej.

– A më do?
– Si nata yllin që s’e prek dot kurrë.

KËMBËZBATHUR

Llapi — ky lumë i vjetër
ikën në dy kahe
gjithherë ka mbi shpinë ujë të ri.

Buzës shelgjet
flokë pakrehura i lëkund era,
hije të nuses së Ago Ymerit
që tretet në dritare të kullës.

Guri i mullirit sillet në blojë,
bluhet dita, bluhet edhe nata,
një valë ikën, e tjetra i lind mbi shpinë.

Këmbëzbathur,
pa fjalë,
hyj,
gurët më presin me dhëmbë të ftohtë
e uji më ngjitet deri në palcë.

Sa herë e ka prekur Hëna
trupin e tij të lagësht,
sa herë e ka zhveshur
fytyrën e vetë mbi të,
veç Llapi e di
dhe nata që nuk flet.

Kaloj lumin
e pas meje mbetet
një vijë e hollë drite në ujë,
plagë që mbyllet ngadalë
mbi hijen e kujtimit.

Llapi — ky lumë i vjetër
me shpinë të re uji.

ROZAFA

Sa pak gjithësi,
sa e pafund nata e varrit.

Në mes ikën vizioni:
E bie plepi i thyer në oborr —
e presin për dërrasa
të varr.

Ke vdekur ti
apo prapë unë, Rozafë?

Copë e gurit të thyer
të robëron sërish,
gjiri yt i bardhë
pikë gjak
e bie në Bunë.

Flakë ndizet etja e valës së lumit,
e unë e ti
në të njëjtin gur.

ROZAFA II

Rozafë,
pse u murose?
Pse heshte?

E zgjodhe ti,
a fati të zgjodhi ty
Apo s’i ktheve fjalën burrit.

Pse i besove Rozafë,
kur agimi u tret pas maleve
e bëre trupin mur
e heshtja
rrëshqiti mbi shpatulla
si mjegull dimri

Zoti i kërkoi burrit
të bartë gurin majë mali —
ai u bind
sot e bartë atë peshë
jeton.

Ti, pse u binde
mbete poshtë,
me gjirin jashtë e nën gur,
me heshtjen
që u ngrit kështjellë
mbi trupin tënd.

Ç’të duhet guri,
ç’të duhet gjarpri,
kur shpirtin e gruas
e mbajnë të lidhur zinxhirët e heshtjes edhe sot

ROZAFA III

Rozafë, liria ime, robi im
s’dua të murosem
dua ta prek lirinë.

Rozafë,
a je ti faji im
apo je justifikim

Jo.
Heshtja ime
nuk është mur.
Është rrufe.
Është gur
që bie
mbi kështjellë.

Në këtë rrufe,
trupi yt nuk është më mur.
Është rrjedhë, flakë, valë.
Është liri.

KALAJA SOMNAMBUL
Triolete

I

Kalaja e Shkodrës ec vetes somnambul,
Gjiri i Rozafës mbetet jashtë murit.
për fëmijën qumësht, rrjedh gjaku bul’,
Kalaja e Shkodrës ec vetes somnambul.

Gurët heshtin nën hije e ti e pa përkul,
Pesha e sakrificës s’i falet kurrë gurit
Kalaja e Shkodrës ec vetes somnambul,
Gjiri i Rozafës mbetet jashtë murit.

II

Askush kot ende nuk i iku vdekjes,
Më bie ashpër kokës si thikë e fshehtë.
E bart shpirtin në vargjet e poetes ,
Askush kot ende nuk i iku vdekjes.

Pezhishkës së merimangës eci heshtjes
Dhimbja shfaqet si peizazh i sheshtë
Askush kot ende nuk i iku vdekjes,
Më bie aspër kokës si thikë e fshehtë

III

Llamba nxjerr gjuhë, flakë të verdhë,
Asgjë s’lëviz, ti shkon, unë kthehem.
E qyqja fluturon malit dredhë dredhë
Llamba nxjerr gjuhë flakë të verdhë.

Nata të ndjek hapin, e ti gjurmë derdhë
Hija fsheh gurin ku unë do të prehëm
Llamba nxjerr gjuhë, flakë të verdhë
Asgjë s’lëviz, ti shkon, unë kthehem.

KASNECËT E SHIUT

Kasnecët bien lehtë mbi Prishtinë
bien mbi xhamat e kafeneve
ku avulli i frymës ngjitet
si malli i robit për liri.

I njëjti shi bie në Rugovë
me zë ujëvarash të egra,
nëpër pisha,
nëpër gurë,
nëpër shtigje ku bari
ka erë dheu e qumështi.

E në Dukagjin
shiu hap duart mbi arat,
mbi hardhitë e lodhura,
mbi oborret ku leh ndonjë qen i vonshëm
dhe ku gratë mbledhin rrobat
para se nata të hyjë në shtëpi.

Në Rrafshin e Kosovës
vjen i shtrirë gjerë e gjatë,
ngjashëm me kujtimin e moçëm,
duke lagur stacionet,
plepat buzë rrugëve,
fytyrat e njerëzve
që ecin pa u ankuar.

Shiu bie i ftohtë dhe krenar mbi Malet e Sharrit,
me mjegull në supe,
me bubullima të largëta
që zgjojnë jehonën e gurit.

Në Llap, në Gollak, Shalë e në Drenicë
ai troket mbi çati e grumbullohet në llamarinë,
e rrëshqet poshtë vijës së rrjedhës,
e njësoj bie mbi kasollet,
mbi dritare të vogla
ku ende ndizet llamba në mbrëmje.

II
Kasnecët e shiut flasin.
Në çdo vend ndryshe.
Në Prishtinë — si zhurmë qyteti.
Në Rugovë — si lahutë uji.
Në Dukagjin — si psherëtimë fushe.
Në Sharr — si këngë resh.
Në Llap, në Gollak, Shalë e në Drenicë
— si zë i vjetër oxhaku.

Ai lan pluhurin e ditës,
zbut gurin,
ledhaton tokën,
zgjon në ne
diçka të heshtur
që s’e themi dot me fjalë.

Nga dritaret largoj perde të lagura drite,
Shikoj, rrugët e qeta,
mbi fusha ngrihet avull i hollë,
era sjell aromën e dheut,
të barit, të mollës, të druve të lagur.

Gjithë vendi
është larë prej një trishtimi të vjetër.

Mbi kodra,
mes reve që hapen ngadalë,
del një dritë e butë,
e artë,
e shoqëruar nga ylberi.

E neve na mundon një gjë:
na mungojnë dëshmorët dhe heronjtë tanë
ta shohin Kosovën
kur kasnecët e shiut bien mbi të.

E kur pushon,
mbi Kosovë mbetet një dritë e hollë,
një buzëqeshje e ëmbël pas lotit,
dhe ajri merr aromë bari të lagur.

Dielli i largon retë,
zhduken pellgjet nëpër rrugë,
dhe krejt në fund
ti arrin aty ku ke filluar rrugën,
fytyrës të përplaset
aroma e bukës së gatuar nga duart e nënës —
aromë që ka vulën e shtëpisë së vjetër.

PRERJA E MALIT

Ra edhe ai që e mbante qiellin të mos bie
kurorën e vet të madhe e përplasi në tokë

Në lëvoren e tij, flenë stinët,
zërat e zogjve, era që nuk plaket.

Dëgjohet një gjëmë, një teh sëpate.

Britma e drurit që ndahet në dysh.

Mali nuk rrëzohet menjëherë.
Së pari i humbet hija.
Retë mbeten pa adresë,
dielli endet si bari pa kope.
Rrënjët, të verbra ende kërkojnë ujë
në kujtesën e gurit.

Kush e preu rrapin
nuk u pa
u pa që qielli u ul pak më poshtë .

Ja si era mbet pa emër.

Vetëm mali
e di se një trung i rrëzuar
nuk është thjeshtë një dru,
ishte shtylla që tani i mungon
qiellit të ruaj drejtpeshimin.

BORXHI I DRITËS
Vëllait tim Ushtarit të UÇK-së

Nga fija e mendimit
deri te gjaku që troket nën lëkurë,
fati ecën nëpër njeriun
si një lumë që kërkon detin e vet.

Unë ende nuk besoj. A bota po vdes.

Mbi rrënojat e frikës
lind një yll i ri,
dritë që s’verbon por shëron.

Shoh natën, një hije e lodhur
mban në duar agimin,
toka më duket përsëri e re,
si bari pas shiut,
si fytyra e fëmijës
që ende nuk ka mësuar urrejtjen.

Rri zgjuar përballë orës,
duke dëgjuar akrepat
si hapa të kohës mbi korridorin e jetës.
E di që ti do të vish,
me duar të buta,
me sy të ngjashëm me ullirin
e di kur duhet hapur dera.

Mos e kurse dashurinë.
Mos e mat zemrën
me peshë të ftohtë.
Njeriu
nuk mbahet gjallë vetëm me bukë,
do një dorë vëllai mbi supe,
një dritë që nuk fiket.

II

Mes mureve të kullës
lind një yll i ri,
ushtari i lirisë

Si ti vëlla, edhe unë,
do ta paguaj borxhin tim
sa kohë që kam zjarr në zemër,
ndershmërisht,
deri në frymën e fundit –
për këtë dhé,
për këtë tokë të larë me gjak,
ku pas çdo rënieje
mbiu bozhurja
vulë e lirisë.

E kur era të kalojë mbi fusha,
do të marrë me vete
zërin e luftës,
aromën e lirisë, aromën e gjakut
dhe vajin e nënës

Mbi plagët e vjetra
do të bjerë një dritë e butë,
e brezat që vijnë
do ta quajnë paqe
atë që dikur
ishte vetëm ëndërr për ne.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.