Nga KALOSH ÇELIKU
Dera u hap dhe hyri im Atë në dhomë. Kësulën e bardhë ende e kishte në kokë. Sahatin me qystek, përqafe nё xhep. Tirqit me vragja… Xhemadanin me sumbulla… Struken e zezë si gjithëmonë e kishte hedhur krahëve. “Nagëntin” me gjithë fishekë në brez. Bombën, “kashikarën” e serbit dhe dy mollat e kuqe (bombat) e italjanit në xhepat e strukes zezë.
– Edhe kësaj radhe e keni nisur luftën… I keni rrokur armët maleve…
– Po, baba. Nuk patëm tjetër rrugë, na detyruan t’u ngjitemi maleve… Majave me borë ta kërkojmë shtegun… Lirinë…
– Eh, o bir! Edhe më 1912 -tën, edhe më ’41 -in i rrokëm armët. Ia vumë zjarrin Ballkanit. Po, në fund e pamë se kishim qenë të mashtruar, mbetëm nën zgjedhë. Frikë kam se, edhe kësaj radhe do t’ju mashtrojnë në tavolinë. Ne, e fitojmë luftën, por në tavolinë na i fusin gërshërët, dhe na qepin struke pa mëngë…
– Nuk e besoj, se një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe në të 2001 -in. Mjaftë kemi mësuar nga gabimet e atyre viteve, nuk u zëmë më besë…
– E di, o bir! E di. Frikë kam se, edhe kësaj radhe do të na përsëriten gabimet… Shqiptarëve, po u përsëritet historia… Gjithmonë jemi vonuar. E sëmura e Ballkanit, kur e humbi luftën, ne e kërkonim Baba Dovletin… Gjermania kur e dorëzoi Berlinin, ne ende lyftonim maleve të Zajazit pёr Shqipёri Etnike… Komunizmi, kur ishte në rrezik edhe në Rusi, ne me fotografitë e shokut Tito në ballë u prinim demostratave të viteve ’81 tё studentëve në Prishtinë…
– Edhe një herë e përsëris, nuk e besoj se do tё na e hedhin edhe nё demokraci. I kemi dhënë dhe po i japim mjaft gjak Lirisё…
Kësaj radhe do ta zgjidhim me armë maleve. Nuk e kemi ndërmend t’ua lëmë këtë barrë fëmijëve tanë, si ju që na e latë neve, në gjysëm të rrugës koçinё me Nuse mes maleve…
– Dhashtë Zoti! E mbylli bisedën im Atë, duke ma lёnë “nagëntin” në duar, e pёrplasi derёn dhe doli me mauzerrin krahut nё Lёmё…
E mora “nagëntin“ dhe ia futa fishekun në gojë. Matanë “Urës së Gurit”, turma ishte tërbuar duke kërkuar armë dhe thyer dyert, xhamat e parlamentit. E grisi edhe flamurin e tyre me rreze, vendosi në vend të tij tjetër Flamur me 16 rreze. Flamuri është ndryshuar dy herë, dhe flamuri i sotëm përfshin tetë rreze dielli në një sfond të kuq, ndërsa stema e emblemës nga IRJ Maqedonia ka mbetur e njëjtë me 16 rreze. Ditë më parë kishin paralajmëruar edhe “Natën e gjatë”, kur “Çairit” do t’ia vënin flakën. Shqiptarët do t’i përzenin matanё kufirit, në Shqipëri. E, unë mes librave i prisja me “nagëntë” në dorë, qe pesëdhjetë vjet te pragu i shtëpisë. E, shi sonte po mi dërgonte Zoti dhuratë, t’i pres me të gjitha nderimet, ashtu siç e kemi pasur zakon nëpër shekuj ne shqiptarёt. I dëgjova edhe krismat e para pasmesnate… Shpërthimet… Por, nuk e pashë turmën. Edhe pse, e prisja edhe në Shkup – Manastirin: Shtëpitë dhe dyqanet e shqiptarëve në zjarr e flakë në mes të ditës…
Telefoni cingërroi dhe më zgjoi nga mendimet dhe pusia nën dritare. E ngrita kufjen. Matanë telit e dëgjova zërin e Patriotit të Vonuar.
– A, ende nuk ke ikur, nuk e ke braktisur Shkupin Historik?!…
– Jo. E kam shpallur “Rrapin”, “Zonë të lirë”.
– Budallai. Kurrë, nuk u mbushe mend. Po, së paku ç’faj kanë fëmijët… Gruaja… Familja…
– Edhe babain deshën ta përzënë në Turqi, por nuk e luajti këmbën nga pragu. Një xhandar serbi, që për çdo ditë e pyeste në çarshinë e Kërçovës:
– A, ende nuk ke ikë në Turqi? E di si e shpërbleu… Jo, nuk e di. E zbythi qotek… E la me gjysëm shpirti në mes të xhades…
– Histori. Kohë të tjera ishin ato, e kohë të tjera janë tashti, kur mbi kokё e male na fluturojnë helikopterë rus… Avionë…
– Edhe e gjithë Rusia të fluturojë mbi malet tona, fusha e qytete, nuk do ta lëviz këmbën asnjë hap nga pragu i shtepisë…
– E kam ditur, ty të kanë shkalluar librat… Më dhimbesh, por nuk kam se, si të të ndihmoj, iku koha e hoxhallarëve… Hajmalive të Babashehut varë përqafe me vite…
– Nuk ka nevojë, unë nuk mund të ik nga “Rrapi”, e sidomos tashti, kur e kam shpallur edhe si “Zonë të lirë”, në Shkupin Historik. Ti ecë kur të duash, mua do të më gjejsh nën “Rrap” me raki rrushi, dhe Dy shtama me verë të Mikes Di, nё Shkup…
1. Veshje e zezë shqiptare nga leshi i deleve pa mëngë.











