14.2 C
Tirana
E dielë, 22 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Gjeneva në festë: Mërgata shqiptare kremtoi me madhështi 114-vjetorin e Pavarësisë së...

Gjeneva në festë: Mërgata shqiptare kremtoi me madhështi 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

0
Nxënës të shqipes - Gjenevë

Arif Ejupi Festë e bashkimit kombëtar, e krenarisë për sukseset e brezit të ri dhe e mirënjohjes për miqtë zviceranë të shqiptarëve.

Në një atmosferë të ngrohtë, festive dhe të mbushur me emocione e krenari kombëtare, qindra shqiptarë që prej vitesh jetojnë dhe veprojnë në Republikën dhe Kantonin e Gjenevës u bashkuan për të kremtuar 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Flamurit Kombëtar dhe përvjetorin e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pa dallime bindjesh politike, përkatësish fetare apo prejardhjeje krahinore, bashkatdhetarët tanë dëshmuan edhe një herë se dashuria për atdheun, gjuhën dhe identitetin kombëtar mbetet një vlerë e përbashkët që i bashkon shqiptarët kudo që jetojnë.

Manifestimi u organizua falë bashkëpunimit të shoqatave kulturore, arsimore, rinore dhe sportive që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Gjenevë: Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH), Shoqata e Studentëve, Ansambli “Gëzuar”, “Rinia Contact”, grupi “Hareja”, që vepron në kuadër të KSHGJ-së, Klubi Futbollistik FC Kosova i Gjenevës dhe shoqata “Zhegra”.

Salla e Festave në Komunën e Vernier-it u shndërrua në një vatër të kulturës, traditës dhe krenarisë shqiptare, ku pjesëmarrësit festuan së bashku deri në orët e vona të natës.

Drejtimi dhe prezantimi i programit iu besua dy të rinjve, Lumturije Zeneli dhe Valton Hyseni, studentë të Universitetit të Gjenevës, të cilët me përkushtim udhëhoqën rrjedhën e manifestimit.

Përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë dhe Kosovës përshëndetën bashkatdhetarët

Një vend të veçantë në këtë manifestim zuri fjala përshëndetëse e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, i cili uroi të pranishmit me rastin e festave kombëtare.

Në fjalën e tij, ambasadori solli në vëmendje ngjarjet më të rëndësishme historike dhe sakrificat e brezave që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar në mërgim, duke shprehur publikisht mirënjohjen për z. Liburn Mehmetaj, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, për angazhimin dhe përkushtimin e tij në nivel qendror dhe lokal.

Falë punës së LAPSH-it, mësimdhënësve dhe prindërve, fëmijëve shqiptarë që lindin dhe rriten larg vendlindjes së prindërve u krijohen mundësi të mësojnë gjuhën amtare dhe të ruajnë lidhjet me kulturën e origjinës.

Me një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit edhe zonja Diana Cakolli-Morina, zëvendëskonsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë, e cila përcolli urimet më të përzemërta me rastin e festave kombëtare.

Në fjalën e saj të shkurtër, por përmbajtësore, ajo vlerësoi lart kontributin e shoqatave kulturore, arsimore, shoqërive artistike dhe klubeve sportive shqiptare. Një vëmendje të posaçme i kushtoi LAPSH-it dhe rolit të tij në ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj.

Zëvendëskonsullja Cakolli-Morina shprehu gjithashtu gatishmërinë për mbështetje të parezervë nga institucionet e Republikës së Kosovës ndaj nismave dhe veprimtarive që synojnë ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë gjuhësore e kulturore në mërgim.

Autoritetet zvicerane vlerësojnë integrimin dhe kontributin e shqiptarëve

Këtë manifestim solemn e nderuan me praninë e tyre edhe përfaqësues të institucioneve të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, si dhe të Komunës së Vernier-it, duke i dhënë festës një rëndësi të veçantë institucionale.

Me një fjalë përshëndetëse u paraqit z. Mathias Buschbeck, këshilltar administrativ dhe nënkryetar i Komunës së Vernier-it, i cili vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në jetën ekonomike, shoqërore dhe institucionale të Gjenevës.

Ai theksoi se shqiptarët, jo vetëm në Gjenevë, por edhe në mbarë Zvicrën, janë dëshmuar si sipërmarrës të suksesshëm dhe qytetarë aktivë, duke dhënë ndihmesën e tyre në zhvillimin e vendit ku jetojnë e punojnë.

Sipas tij, ky kontribut është i dukshëm edhe në Komunën e Vernier-it, ku shumë shqiptarë, krahas veprimtarisë profesionale dhe afariste, angazhohen në nisma qytetare, veprimtari shoqërore dhe punë vullnetare.

  1. Buschbeck përgëzoi gjithashtu komunitetin shqiptar për aftësinë vetorganizuese dhe përkushtimin në organizimin e manifestimeve kulturore e festive.

Në përfundim të fjalës së tij, ai bëri një gjest të veçantë respekti dhe miqësie, duke ua uruar festat kombëtare të gjithë pjesëmarrësve edhe në gjuhën shqipe.

Presidentja e Kantonit të Gjenevës rikujton historinë dhe sukseset e mërgatës shqiptare

Një vend të rëndësishëm në këtë manifestim zuri edhe fjala e zonjës Anne Hiltpold, presidente e Këshillit të Shtetit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e cila vlerësoi rrugëtimin dhe arritjet e komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane.

Duke bërë një retrospektivë të pranisë së shqiptarëve në Gjenevë, ajo solli në kujtesë ardhjen e brezave të parë të mërgimtarëve, vështirësitë me të cilat ata u përballën dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’u integruar në një mjedis të ri shoqëror e kulturor.

Presidentja Hiltpold theksoi se komuniteti shqiptar, gjatë dekadave të fundit, ka shënuar përparim të dukshëm, duke u shndërruar në një pjesë aktive dhe të integruar të shoqërisë gjenevase. Shqiptarët sot janë të pranishëm dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme të jetës ekonomike, arsimore, kulturore dhe profesionale.

Në këtë kontekst, ajo rikujtoi edhe një kapitull të rëndësishëm të historisë së organizimit të mërgatës shqiptare në Gjenevë: themelimin, në vitin 1996, të Universitetit Popullor Shqiptar, një institucion që luajti rol të rëndësishëm në pritjen, orientimin, arsimimin dhe integrimin e shqiptarëve të ardhur në Zvicër.

Me këtë rast, presidentja përmendi edhe kontributin e mikut të dëshmuar të shqiptarëve, Ueli Leuenberger, i cili dha një ndihmesë të çmuar në themelimin dhe zhvillimin e këtij institucioni, sot të njohur si Universiteti i Kulturave të Gjenevës.

Në vazhdim të fjalës së saj, presidentja Hiltpold solli edhe një shembull të spikatur të suksesit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke përmendur mjeshtrin e njohur të orëtarisë, Rexhep Rexhepi, themeluesin e markës prestigjioze AKRIVIA.

Ajo iu referua suksesit të tij në ceremoninë ndërkombëtare Grand Prix d’Horlogerie de Genève 2026, ku Rexhep Rexhepi u nderua me çmimin më të lartë, “Aiguille d’Or” – Gjilpëra e Artë, për orën e tij mekanike Chronographe Flyback (RRCHF).

Ky vlerësim përfaqëson një nga nderimet më prestigjioze në botën e orëtarisë dhe dëshmon për mjeshtërinë, kreativitetin dhe përkushtimin e një profesionisti me prejardhje shqiptare, i cili ka arritur të renditet ndër emrat më të respektuar të orëtarisë bashkëkohore.

Përmes këtyre shembujve, fjala e presidentes Hiltpold përcolli një mesazh respekti dhe vlerësimi për komunitetin shqiptar, duke dëshmuar se rrugëtimi i mërgimtarëve tanë, nga sfidat e para të integrimit deri te sukseset ndërkombëtare, është një histori përkushtimi dhe arritjesh të merituara.

Prania e Ueli Leuenberger, dëshmi e një miqësie të qëndrueshme

Si në shumë veprimtari të mëparshme të komunitetit shqiptar në Gjenevë, edhe këtë manifestim e nderoi me praninë e tij z. Ueli Leuenberger, një mik i madh dhe i dëshmuar i shqiptarëve.

Emri i tij është i lidhur ngushtë me historinë e organizimit, mbështetjes dhe integrimit të mërgatës shqiptare në shoqërinë zvicerane, veçanërisht me kontributin e tij në themelimin e Universitetit Popullor Shqiptar në vitin 1996.

Ndonëse këtë herë nuk iu drejtua të pranishmëve me një fjalim, vetë prania e tij përbënte një dëshmi domethënëse të miqësisë së qëndrueshme dhe të lidhjeve të sinqerta që ai ka ndërtuar ndër vite me komunitetin shqiptar.

Për shumë mërgimtarë, Ueli Leuenberger mbetet një simbol i solidaritetit, mirëkuptimit dhe miqësisë shqiptaro-zvicerane.

Nderohen 17 të rinj shqiptarë të diplomuar në Universitetin e Gjenevës

Një nga momentet më të veçanta dhe më emocionuese të kësaj mbrëmjeje festive ishte nderimi i 17 të rinjve shqiptarë, të cilët së fundmi kishin përfunduar me sukses studimet universitare të nivelit Master, doktoratë dhe specializime profesionale në Universitetin e Gjenevës, në disiplina të ndryshme akademike.

Në mënyrë që ky reportazh të jetë i plotë dhe me të dhëna konkrete, po e japim listën me emrat e të diplomuarve dhe degët ku ata janë specializuar:

  1. Znj. Miranda Ismajli – Master në Shkencat Edukative.
  2. Z. Ardit Daci – Master në Shkencat e Financave.
  3. Znj. Gerta Mulaj – Master në Mjekësi Dentare.
  4. Z. Mal Bislimi – Master në Shkencat e Financave.
  5. Znj. Flutura Jashanica – Specializim Komplementar për Arsimin Fillor.
  6. Znj. Fatjeta Ramadani – Master në Studime Evropiane.
  7. Z. Leotrim Ramadani – Master në Gjuhësi.
  8. Znj. Erta Dulahu – Master në Shkencat e Financave.
  9. Znj. Elira Sylejmani – Master në Fakultetin e Farmacisë.
  10. Z. Jeton Haxha – Master në Shkencat e Financave.
  11. Znj. Dea Llugiqi – Master në Bioinformatikë.
  12. Znj. Artina Kastrati – Master në Drejtësi Penale dhe Civile.
  13. Z. Gentrit Alija – Master në Biznes dhe Analitikë.
  14. Znj. Arijella Hadri – Specializim në Avokaturë.
  15. Z. Edon Ibrahimi – Master në Shkencat Ekonomike.
  16. Znj. Lirie Namani – Doktoratë në Shkencat Edukative.
  17. Z. Milot Qorraj – Master në Shkencat e Financave.

Prania e këtyre të rinjve, të cilët me përkushtim dhe këmbëngulje kanë arritur rezultate të rëndësishme në rrugëtimin e tyre arsimor, i dha manifestimit një dimension të veçantë, duke dëshmuar se brezi i ri shqiptar në Zvicër po afirmohet gjithnjë e më shumë në fushën e dijes dhe të përgatitjes profesionale.

Në këtë atmosferë krenarie dhe emocionesh, para të pranishmëve u paraqit z. Nasuf Nuhiu, kryetar i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, i cili, me fjalë të ngrohta e të përzemërta, përgëzoi secilin prej të diplomuarve për sukseset e arritura, duke u ndarë mirënjohje në shenjë respekti dhe vlerësimi.

Në fjalën e tij, z. Nuhiu theksoi se mbështetja, inkurajimi dhe vlerësimi i arritjeve të brezit të ri kanë qenë ndër përparësitë e shoqatës që nga ditët e para të themelimit të saj.

Ai kujtoi se nderimi i të rinjve të suksesshëm tashmë është shndërruar në një traditë të bukur dhe domethënëse, ndërsa çdo arritje e tyre përbën njëkohësisht sukses dhe krenari për të gjithë komunitetin shqiptar.

Ky gjest simbolik i ndarjes së mirënjohjeve për të diplomuarit ishte jo vetëm një vlerësim për sukseset individuale, por edhe një shprehje mirënjohjeje ndaj familjeve shqiptare, të cilat, pavarësisht sfidave të jetës në mërgim, kanë investuar vazhdimisht në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve të tyre.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Nasuf Nuhiu, i njohur për angazhimin, përkushtimin dhe korrektësinë në veprimtaritë e komunitetit shqiptar, falënderoi të gjitha shoqatat, organizatat, klubet dhe individët që kontribuuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e manifestimit.

Fëmijët e shkollës shqipe, një hapje emocionuese e programit artistik

Një vend të veçantë në programin artistik të këtij manifestimi zunë fëmijët e shkollës shqipe në Gjenevë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre i dhanë festës një bukuri dhe ngrohtësi të veçantë.

Pikërisht këta vogëlushë, që me përkushtim mësojnë dhe kultivojnë gjuhën e të parëve të tyre, patën nderin të çelnin programin artistik me 6 këngë dhe 17 recitime, duke u shndërruar në një uverturë të bukur dhe emocionuese të mbrëmjes festive.

Prania e tyre në skenë, përpara qindra bashkatdhetarëve, ishte më shumë se një pjesëmarrje artistike. Ajo përfaqësonte vazhdimësinë e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar, të cilat, falë përkushtimit të mësimdhënësve, prindërve dhe LAPSH-it, ruhen dhe përcillen me dashuri nga njëri brez te tjetri.

Këta fëmijë, të lindur dhe të rritur në një mjedis shumëgjuhësh e shumëkulturor, dëshmuan se gjuha shqipe vazhdon të jetojë dhe të kultivohet me krenari edhe në zemër të Gjenevës.

Këngët dhe vallet nga të gjitha trevat shqiptare i dhanë madhështi mbrëmjes festive

Programi i pasur artistik dhe kulturor, i përgatitur me përkushtim nga shoqëritë dhe grupet artistike shqiptare, i dha manifestimit një atmosferë të veçantë festive, duke sjellë në skenë bukurinë, larminë dhe pasurinë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Ansambli “Gëzuar”, “Rinia Contact”, solistët e shoqërisë artistike “Agimi”, të ardhur enkas nga Prizreni, grupi”Hareja”, “Gold Band”, si dhe këngëtarët e mirënjohur Bardh Ramadani dhe Flamur Sherifi, me interpretimet e tyre të larmishme, sollën përpara publikut këngë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare.

Një përshtypje të veçantë lanë këngëtarët dhe këngëtaret e grupit “Hareja”, të cilët me interpretimin e këngëve karakteristike të Shqipërisë së Jugut sollën në skenë tingujt, meloditë dhe traditat e pasura të folklorit jugor shqiptar.

Po ashtu, nuk munguan as këngët nga eposi i kreshnikëve, të ekzekutuara me lahutë dhe të kënduara nga rugovasi Ibrahim Xhaferaj.

Paraqitja e këtyre shoqërive artistike i dha programit një kolorit të veçantë, duke dëshmuar se kultura dhe trashëgimia jonë shpirtërore vazhdojnë të kultivohen me dashuri e përkushtim edhe larg atdheut.

Në mesin e këngëve dhe valleve festive nuk munguan as çastet e përkujtimit dhe të reflektimit për sakrificat e bëra në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë.

Poetja Nerxhivane Sejdiu, përmes interpretimit të poezisë së saj me titull «Liria», solli një mesazh atdhedashurie dhe mirënjohjeje, duke përkujtuar me respekt të gjithë ata që ranë për lirinë e Kosovës.

Vargjet e saj i dhanë manifestimit një dimension të veçantë emocional, duke rikujtuar se liria dhe pavarësia janë vlera të çmuara, të fituara falë sakrificave të shumë brezave.

Mirënjohje për mbështetësit dhe organizatorët

Në këtë manifestim të përbashkët nuk mungoi as mbështetja e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët me kontributin e tyre vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin ndaj komunitetit dhe veprimtarive me karakter kombëtar e kulturor.

Në këtë kuadër, meriton të veçohet mbështetja e sipërmarrësve të njohur Zyfer Zyferi dhe Qëndrim Nuhiu, të cilët dhanë kontributin e tyre në realizimin e kësaj mbrëmjeje festive.

Një mirënjohje e veçantë u takon gjithashtu të gjitha shoqatave, grupeve artistike, mësimdhënësve, prindërve, të rinjve dhe veprimtarëve të shumtë, të cilët me punën e tyre vullnetare, angazhimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mundësuan organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij manifestimi.

Duhet theksuar se, edhe kësaj radhe, pavarësisht pjesëmarrjes së madhe dhe atmosferës së gjallë festive, manifestimi u zhvillua dhe përfundoi në mënyrë të qetë, dinjitoze dhe pa asnjë incident.

Një festë që bashkoi brezat dhe forcoi lidhjet me atdheun

Kështu, në një atmosferë gëzimi, krenarie dhe bashkimi, mërgata shqiptare në Gjenevë përmbylli edhe një manifestim të suksesshëm kushtuar festave tona kombëtare.

Përtej karakterit festiv, kjo mbrëmje dëshmoi se shqiptarët në mërgim, krahas integrimit në shoqërinë zvicerane, vazhdojnë të ruajnë me përkushtim gjuhën, kulturën, traditat dhe kujtesën historike të kombit të tyre.

Nga fëmijët e shkollës shqipe te studentët e diplomuar, nga veprimtarët e hershëm të mërgatës te artistët dhe sipërmarrësit e suksesshëm, kjo mbrëmje ishte një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së vlerave tona kombëtare.

Shqiptarët e Gjenevës, edhe pse larg vendlindjes, vazhdojnë të dëshmojnë se atdheu nuk është vetëm vendi ku lindim, por edhe gjuha që flasim, kultura që trashëgojmë dhe kujtesa që ua përcjellim brezave që vijnë.

ARIF EJUPI

Gjenevë, 21 nëntor 2026

P.S. Kemi përcjellë fotografi të shumta. Përzgjedhja dhe vendosja e tyre janë në kompetencën ekskluzive të secilit medium.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.