29.9 C
Tirana
E dielë, 20 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Mësuesi komunist

Mësuesi komunist

0
Lazer Stani

Lazer Stani

  • Nonfiction

Lajmet më të rëndësishme, ato që lidheshin me jetën tonë të përditëshme, i sillte në shtëpi babai, pasi kthehej nga puna në mbrëmje vonë. Lajmet e tjera, ato të bukurat, që gjyshi i lexonte në gazetë, ngjanin krejt të huaja për ne, i përkisnin një bote tjetër, të largët e të paarritshme. Në gazeta shkruhej për jetën e lumtur, për suksese, për kolektiva punonjësish pararojë, për fabrika e uzina të reja, për kooperativa që kishin dyfishuar prodhimin e drithrave, për ferma ku lopët jepnin nga njëzet a njezet e pesë litra qumësht, ndërsa lopa jonë Murrika, mezi jepte pesë litra në ditë, edhe pse të gjithë kujdeseshim për të si të ishte anëtari i gjashtë i familjes. Në lajmet e tjera flitej për luftra që bëheshin nëpër botë, për agresione e intriga të superfuqive, për vuajtje të pafundme të njerëzve nga shfrytëzimi, pabarazia, përndjekja politike e diskriminimi racor. Për ne që jetonim në paqën tonë mbytëse, këto lajme nuk kishin kurrfarë rëndësie, ndonëse gjyshi, pasi e linte gazetën të palosur mbi tryezë, shfrynte me vete: “Sa gënjejnë zagarët!”

Një mbrëmje vjeshte gjyshi më tha se këta deri në pranverë e kanë, po kur pranvera erdhi e shkoi dhe asgjë nuk ndodhi, gjyshi korrigjoi hartën e parashikimeve të tij: “Deri në vjeshtë e kanë”, tha. Një ditë gjyshi, pasi flaku tutje me përbuzjen gazetën e ditës, tha me dëshpërim, se këta do t’i kemi për pesëdhjetë vjet. Kështu na paskësh thënë një i Dijshëm, që jetonte diku në Malësi të Madhe. “Mjerë ne ç’na pret!”, tha gjyshi duke e derdhur gjithë dëshpërimin e vet në ajrin e rënduar nga vapa e padurueshme e verës.

Atë mbrëmje të fundgushit, Babai sapo hyri në shtëpi, duke m’u drejtuar mua, tha: “Kam një lajm jo të mirë për ty. Mësues Haxhiun e kanë transferuar, e kan emëruar drejtor në shkollën Xhanit…”

Pasi u mendua një grimë shtoi: “Ishte mësues i mirë, burrë i mirë, edhe pse bënte ndonjë gomarllek.”

Mua më shkëlqeu fytyra nga gëzimi. E urreja mësues Haxhiun dhe mezi kisha pritur që të thyente qafën diku, të zhdukej e të mos e shihja më kurrë. Shkurtin e kaluar, më duket një ditë të hënë, ai që ndalur para klasës dhe pati deklaruar pothuajse i dëshpëruar: “Në shkollën tonë nuk ka asnjë gjeni. Asnjë gjeni nga klasa e parë në të katërtën.” E tha me kaq vendosmëri dhe solemnitet, sa dukej sikur po i ankohej fatit: “Ç’me gjeti mua që më duhet të merrem me një tufë idiotësh si ju.”

Pasi e përsëriti disa herë këto fraza poshtëruese për ne, tha se në shkollën e Xhanit ishte një gjeni. Është në klasë të parë dhe ende nuk i kanë shkuar abetares në gjysmë, po ai shkruan e lexon më mirë se nënësit e shkollës tetëvjeçare, bën ushtrimet matematike që edhe gjimnazistët e kanë vështirë t’i zgjidhin, lexon libra dhe çdo ditë i befason mësuesit me mendjen e tij brilante.”

Pas këtyre fjalëve, mësues Haxhiu na ktheu shpinën dhe po këqyrte nga dritarja diku tutje, ndoshta në drejtim të fshatit tjetër ku jetonte gjeniu.

Klasa ishte zhytur në heshtje ndersa unë qeshë i bindur se gjithë këtë rrëfim për gjeniun, mësuesi e kishtë bërë që të më poshtëronte mua në sy të të gjithë nxënësve. Askush nuk më kishte lënduar e fyer ashtu në jetën time. Poshtërimin e asaj dite nuk ia fala kurrë, ndaj kur babai më tha se e kishin trasnferuar, nuk po më mbante vendi nga gëzimi.

Me 1 shtator të atij viti shkova i lumtur në shkollë. Ndërsa nxënësit e tjerë e shihnin si me frikë ardhjen e mesuesit të ri, mua nuk më mbante vendi. Mezi prita të shfaqej në klasë. Kur mësuesi hapi derën dhe u fut brenda m’u duk sikur klasa u mbush me dritë. I veshur bukur, me pantallona teritali të zinj të hekurosur me kujdes, më këmishë të bardhë pas anjë rrudhë, me mëngë të përvjelura, më orën e shtrenjtë kineze të ngjeshur pas kyçit të dorës së djathtë, i qethur me kujdes e i rruar, shkelqente i tëri. Qendroi para klasës pranë dërrasës së zezë, na këqyri me vemendje nga i pari tek i fundit, na buzëqeshi me dashamirësi dhe shqiptoi me një zë të ngrohtë e të ëmbël: “Unë do të jemi mësuesi juaj i ri. Shpresoj të arrijmë rezultate shumë të mira së bashku.”

Shkoi dhë u ul në karrige në podiumin e mësuesit, shfletoi me vemendje regjistrin e vjetshëm, duke na lexuar emrat dhe kërkuar që të ngriheshim në këmbë e të prezantoheshim, na këqyrte me vëmendje duke u përpjekur të krionte lidhjen midis emrit të nxënësit dhe notave përkatëse në regjistër, u buzëqeshte nxënëseve më nota të mira dhe ngrysej në fytyrë kur lexonte emrin e ndonjë nxënësi të dobët.

Në fund, pasi përfundoi më këtë procedurë ndohjeje, tha:
“Më quajnë Qamil. Mësuesi juaj i ri është komunist. Mos harroni t’ua thoni këtë prindërve.”
Ne pohuam me kokë, dikush shqiptoi edhe ndonjë “po” të pazëshme, pa e kuptuar domethënien e fjalëve të tij. Unë për vete ndihesha i ngazëllyer. Mësues Haxhiu na mori të keqen,” thoja me vete, duke përsëritur një frazë që e përdornin plakat. Kaq mjaftonte.
Pas mësimit, u ktheva në shtëpi, pothuajse i lumtur. Hodha çantën e librave në minder dhe deklarova gjithë solemnitet:

“Mesuesi i ri është komunist. Na tha t’u tregonim prindërve se mësuesin e kemi komunist.”
“Paskeni dalë në dritë,” tha gjyshi aty për aty pa e ngritur kokën, ndërsa nëna nuk foli. E dija se gjyshi nuk i donte komunistët, fliste me përbuzje, madje nganjëherë i thoshte Lekës, kumbarit tim komunist, se jeni farë e keqe, po kumbari im ia kthente me të qeshur se ti kulak, nuk do t’i shikosh të mirat që ka bërë Partia për ne, për popullin fukara.
“Fukara na bëtë ju”, ia kthente gjyshi.

Njëherë e kisha dëgjuar t’i thoshte mikut të tij Nikës: “Si ka mundësi që gjithë bota e paska gabim dhe vetëm ne paskemi të drejtë. Të ish i mirë komunizmi e merrnin për vete anglezët dhe amerikanët.”

Në javë më vonë, në orën e edukatës morale, mësuesi tha të ngriheshin në këmbë atë nxënës që kishin prindër komunistë. U ngritën gjashtë nxënës. Mësuesi mori shënim emrat e prindërve komunistë dhe tha se ata si bij e bija komunistësh duhej të ishin shembull për ne të tjerët, shembull në mësime, shembull në sjellje.

Parandjeva se do të më ndoshte diçka e keqe. Rrija kokëulur në bankë, pa guxuar ta shihja mësuesin në sy. Nuk krahasohesha në mësime me fëmijët e komunistëve, po sa para bënte kjo. Asnjërin nga prindërit, madje as midis kushërinjve të afërt e të largët nuk kisha asnjë komunist. Përkundrazi, kushëriri i parë i gjyshit tim, Lulashi, kishte bërë njëzet vjet burg politik dhe sapo ishte liruar nga burgu. Thoshin se në rininë e tij kishte bashkëpunuar me diversantët, i kishte mbajtur më bukë dhë nuk pati pranuar të dorëzonte kunatin e tij, që njihej si armik me nam.

“Po ti, nuk ke asnjë komunsit?” më pyeti papritmas mësuesi, duke dashur të më poshtëronte, siç pandeha unë aty për ty. Ngriva! Nëna, babai, gjyshi, kushërinjtë, dajat, të gjithë më kishin lënë në baltë. Edhe pse kokëulur, me sytë e ngulur në derrasën e shkarravitur e gjithë njolla boje të bankës, ndjeja vështrimin kërcënues të mësuesit të përqendruar mbi mua. Zemra më rrihte e trembur, vështrimi më ishte errur. Atë çast m’u kujtua kumbari që vinte çdo javë në shtëpinë tonë dhe zënkat e tij të pafundme me babain, që ai i shpikte për t’u argëtuar.

“Kam kumbarin komunist,” e gjeta shpëtimin unë nga ajo situatë e sikletshme.
“Ç’është kumbari, kujt i thoni ju kumbar?” pyeti mësuesi duke mi ngulur sytë me një vështrim kërcënues.
“Kumbari më ka mbajtur në kishë ditën e pagëzimit,” thashë unë me një lloj krenarie të fshehur.

“Komunist që shkon në kishë në pagëzimin e fëmijve?! Çfarë komunisti është ky?”
Më tha të ulesha dhe hërë tjetër të mos thoja marrëzira në klasë.

Pas mësimit, Marku, djali i kumbarit tim, më tha i inatosur se nuk duhej ta kisha përmendur emrin e babait të tij. Tani edhe atë mund ta merrte me sy të keq mësuesi komunist.

Gjithsesi me kalimin e javëve, kjo ngjarje e hidhur u harrua, unë vazhdoja të merrja vetëm dhjeta në mesime dhe mësuesi më kishtë lavdëruar dy herë para shkollës.

“Dhjeta jonë është plumb për armikun” thoshte, dhe unë, sipas mësuesit, u kisha dhënë shumë plumba, armiqve, ndonëse kurrë nuk kisha parë një armik me sy dhe as mund ta përfytyroja se si duhej të dukej një armik.

Në fund të tetorit, mësuesi na tha se duhej të bëheshim gati sepse me 8 Nëntor, në ditën e themelimit të Partisë, nënësit e klasës së katërt, do të pranoheshin në organizatën e pionierit. Ky ishte një nder i veçantë që na bëhej, një moment i rëndësishëm në jetën e secilit nga ne, ndaj duhej të përgatiteshim mirë sepse në shkollë do të bëhej festë. Ne duhej të mësonim nga një vjershë për partinë dhe udhëheqësin që do të na i zgjidhte mesuesi, të cilat do t’i recitonim ditën e festës. Gjithashtu duhej t’u kërkonim prindërve të na blenin shallët e kuq të pionierit, të cilët ditën e panimit në organizatë, do të na i lidhin në qafë.

Po atë mbrëmje babai me dha pesëdhjetë lekë që të bleja të nesërmen shallin e pionierit në dyqanin “Artikuj të përzier”, që gjendej përballë shkollës. Nxitova të nesermen ta bleja se kisha frikë mos mbaroheshin shallet e turpërohesha ditën e festës. E bleva e palosa me kujdes dhe e futa në çantë duke e ruajtur si diçka të çmuar.

Gjatë orës së Diturisë së Natyrës, mësuesi na pyeti se a kishte ndonjë veteran të luftës fshati ynë.
“Eshtë Noka, tha vajza e sekretarit të partisë, Maria. Ai ka Medalje Trimërie për guximin e treguar në luftë dhe merr pesion si veteran.”

Noka ishte gjysmë i marrë, njeri që nuk mbushte mirë nga trutë e kokës. Gjatë Luftës kur Brigada Partizane kaloi nëpër fshatin tonë, e patën mobilizuar me forcë dhe si njeri gjysmak thoshin se qe treguar shumë trim në luftë. Por mësuesi, që me sa duket e njihte Nokën, shtrembëroi turinjtë dhe tha se do të ftonim në festë Sekretarin e Partisë. Mua dhe dy nxënësve të tjerë, Maries dhe Nikollës, na caktoi të recitonim vjershën me të mirë për Partinë, të shkruar nga shkrimtari më i njohur në vend.

Mua me caktoi të mesoja përmendësh pjesën e parë të vjershës, Marias të dytën dhe Nikollës të tretën.
Të nesërmen i raportova mesuesit se unë e kisha mësuar përmendësh pjesën time.
“Pa recitoje njëherë, me tha, duke me parë me dyshim.

Unë e recitova pa bërë asnjë gabim, duke e shoqëruar recitimin tim me gjeste aktoreske.
“Kur të recitosh vjershën për Partinë, duhet të rrish gatitu, tha, si një ushtar i mirë i atdheut.”
E recitova dhe njëherë vjershën, duke qendruar gatitu, por me ton të shtruar dhe pa entusiasem.

“Duhet të shprehesh më shumë forcë dhe vendosmëri gjatë recitimit, tha mësuesi, por ke kohë të përmirësohesh.”

U ktheva në shtëpi i zhgënjyer nga vetja dhe prita se mos në radio transmetohej ndonjë recitim për partinë, interpretuar nga aktorët profesionistë, por për dreq atë javë nuk pati recitime në radio.

U përpoqa me vetën, duke ia recituar nënës me dhjetra herë. Më në fund nëna, e bezdisur prej meje, tha se e recitoja shumë mirë e të mos vrisja kaq shumë mendjen për një gjë kot.

Ditën e festës na rreshtuan para shkollës, na lexuan betimin e pionierit, që ne iu përgjigjesh në kor “Betohem”. Sekretari i Partisë më lidhi shallin e kuq të pionerit në qafë, dhe kur të njëzet e dy nxënësit i lidhën shallat, mësuesi thirri:

“Pionierë, në Luftë për çeshjen e Partisë dhe të Popullit të jeni gati!” Ne iu përgjigjëm në kor: “Gjithmonë gati”. Pastaj festa vazhdoi me recitimet dhe në fund kënduam dhe dy këngë partizane. Pas disa ditesh u bënë edhe zgjedhjet për komandanin e çetës së pionierëve. Komondante çete u zgjodh Sofia, vajza e kryetarit të këshillit popullor. Zgjodhën kokërrepën, thashë me vete se flokët i kishte të bardhë e të shpëlarë si rrënjë rrepe.

Pas zgjedhjeve, edhe pse nuk krahasohesha në mesime me të tjerët, mesuesi më rrinte disi ftohte dhe mezi priste të më qortonte: herë për gishtat e njollosur me bojë, herë për librin e shkarravitur e herë tjetër për fletoren e zhubravitur të aritmetikës. Më shpalli nxënës të çrregullt.

Në fillim të dhjetorit, kur hyra në klasë, pashë se ishte shtuar në tabelë e re, kendi e fletë-rrufeve. Në krye të tabelës ishte shkruar një citat i udhëheqësit, ku thuhej se secili me shkronja të mëdha dhe pa frikë duhej të shprehte cfarë mendon për punën dhe veprimtarinë e të tjerëve. Dy ditë më vonë, në lexuam fletë-rrufenë e parë, që i drejtohej Agetinës një vajzë e urtë, e pashoqërueshme, që fliste vetëm kur e pyesnin. Atë e kritikonin pse vishte çorape të gjata leshi si çizme, një zakon prapanik që ajo e shfaqe në veshjen e saj dhe nuk vishte çorape të shkurtëra pambuku si gjithë shoqet e tjera.

Pas disa ditësh Agetina ktheu një përgjigje që unë nuk do ta harroj kurrë:
“Fletë-rrufe moj fletë-rrufe,
çorapet e shkurtë nuk jane për ne
Se tash bjen borë e tash bjen shi
besa kambt kanë me na u ngri.”

Përgjigja e Agetinës alarmoi mesuesin i cili na bëri mbledhje urgjente, duke na treguar se sa të rrezikshme ishin zakonet prapanike dhe sa shumë lakra në kokë kishim. Truri ynë ishte i mykur me paragjykime fetare, zakone të vjetra, bestytni. Po ç’mund të presësh nga ju, fundja? Shih emrat që keni. Asnjë emër Gëzim, Petrit, Ilir, Arber, Teutë Admirim, Dritë, çlirim, Agim, Lavdije, Krenar, Kreshnik, por vetem Pjetër, Mark, Tomë, Gjon. Marija, Prenda, Zoja, Drane, Katerina, Angjelina, Kristina, Liza.

Do ti ndërrojmë keta emra, tha mësuesi si shenjë se po shkëputemi njëherë e përgjithmonë nga bota e vjetër. Mësuesi do t’ju sjellë një listë me emrat e rinj për djem dhe për vajza, listën që sapo u është dërguar gjendjeve civile që rregjistrojnë të porsalindurit dhe ju mund të zgjidhni emrin tuaj të ri nga lista. Do të jemi e para shkollë në republikë që ndërmarrim një hap të ri revolucionar.

Pas një jave mësuesi solli listën me emra të rinj. Filloi të shkruante në dërrasë të zezë listën e gjatë të emrave dhe ne duhej të zgjidhnim për veten njërin nga emrat që na pëlqente me shumë. Mësuesi na vuri nga një fletë të bardhë përpara ku duhej të shkruanim emrin e zgjedhur nga lista e emrave. Bëra disa orvatje të zgjedh një emër për veten, po nuk arrija të krijoja intimitet me emrin e ri. Disa nuk më përshtateshin me mbiemrin, të tjerë më rrinin si rrobë e huaj në trup. Aty për aty u kujtova se emrin tim e kishte zgjedhur strëgjyshja ime, Zoga, pas ëndrrës, që kishte parë natën time të lindjes. Në ëndërr i qe shfaqur shenjti dhe i kishte thënë që stërnipit t’i vinte emrin e tij. Do t’i sjellë fat dhe mbarësi në jetë”, i kishte thënë shenjti në ëndërr. Të nesërmen në mengjes ajo shpalli emrin tim dhe askush në familje nuk e kundërshtoi. Më vunë emrin që tha stërgjyshja. E si

mund ta ndërroja unë emrin? Si mund ta shkelja amanetin e shenjtit?
Shtyva fletën në një anë, pa shkruar asnjë emër dhe po dëgjoja dy vajza të vogla që grindeshin për të njëjtin emer.
“Jo emrin Drita e kam zgjedhur unë. Ti zgjidh emër tjetër.”
“Po ç’dritë je ti, moj qyqe, me atë fytyrë si lakër e mardhur”, ia kthente bullafiqja e xhindosur.

Papritmas mësuesi u ndal para bankës time, shikoi fletën time të bardhë dhe tha me butësi:
“Nuk zgjedh dot një emër midis emrave të bukur? S’ka gjë, ty ta zgjedh mesuesi emrin.”
“Nuk do ta ndërroj emrin që kam,” thashë me zë të mbytur, i frikësuar, por i vendosur.
“Siii? Do të mbash atë emër reaksionar, ti nazist i vogël?

Ulërima e mësuesit shkundi klasën nga përgjumja. Nxënësit ngritën kokat të trembur dhe po vështronin drejt meje me habi dhe frikë njëkohësisht. Prania e tyre më dha zemër dhe shtova i vendosur:
“Emri im është i bukur. Nuk e ndryshoj.”

Pandeha se mësuesi do të ma vishte me pëllëmbë fytyrës, por u përmbajt. Shkoi te katedra, mbështeti bërrylat në tavolinë dhe rrasi fytyrën mes pëllëmbëve.
“Sillni fletët me emrat e rinj këtu”, tha me një zë të pafuqishëm, sikur sapo kishte humbur një betejë, të parën betejë si komunist. “Më ty do të merrëm veçmas, tha, duke m’u drejtuar mua me kërcënim.

Unë ula kokën dhe nuk i ktheva përgjigje. E dija se kanosja e tij ishte e rrezikshme dhe diçka e keqe me priste.
Te nesërmen, kur mbërrita në shkollë, pashë se në këndin e fletë-rrufeve ishte ngjitur një fletë-rrufe e gjatë dy faqe fletoreje për mua. Nxënësit afroheshin, e lexonin fletë rrufenë dhe zgërdhiheshin të kënqaur, që mua më kishin turpëruar publikisht.

“Çfarë nuk kanë shkruar për ty, më tha Marku. Ke mendje të mykur, je plot me paragjykime fetare e zakone prapanike, je egoist i sëmurë, je mendjemadh dhe i pasjellshëm, nuk dëgjon dhe nuk përfiton nga mësimet e çmuara të partisë… “

“Duhet t’i kthesh një përgjigje, tha Marku”, kur Maria, nënshkruesja e fletërrufesë kaloi afër nesh.
“Nuk i kthej përgjigje, thashë i vendosur. Të shkruajnë e të shpifin çfarë të duan.”
“Je kokëshkretë”, tha Marku dhe u largua me keqardhje prej meje.
Brenda javës më vunë dhe katër flet-rrufe të tjera, por unë asnjërës prej tyre nuk i ktheva përgjigje.

Një ditë fletë-rrufetë kundër meje u zhdukën nga këndi i fletë-rrufeve dhe historia e ndryshimit të emrave u harrua. Me sa duket, dikush atje lart, që kishte fuqi mbi mësuesin tonë, nuk e kishte miratuar nismën e ndryshimit të emrave.

Unë vazhdoja të shkoja në shkollë dhe të merrja nota shumë të mira. Të them të drejtën mësuesi ishte i rregullt, i perpiktë, mundohej shumë që ne të mësonim sa më mirë, vlerësimin e bënte korrekt, pavarësisht se me mua sillej ftohtë.

Një ditë më tha në sy të të gjithë nënësve se kisha shumë lakra në kokë, por në mësime je nxënës i shkelqyer, më i miri nxënës që kam patur në jetë.

Pas këtyre fjalëve pandeha se mësuesi komunist po pajtohej me mua, por nuk qe e thënë. Pas një jave duke luajtur futboll, i përplasa këmbën djalit të kryetarit të kooperativës, duke i gjakosur gjishtin e madh.

“Nazist, më bërtiti mësuesi. Desh i thyeve këmbën djalit.”
Mësuesi e kishte përdorur nja dy tre herë fjalën “nazist” kundër meje, por unë nuk ia dija kuptimin, edhe pse e merrja me mend se duhej të ishte diçka shumë e keqe.
Pasdite, kur u ktheva në shtëpi, pyeta:
“Si kanë qenë nazistët?”

“Të pashëm,” tha gjyshi pa e ngitur kokën nga gazeta qe po lexonte, ndërsa nëna nuk më ktheu pergjigje.
Nuk qenka edhe aq sharje e keqe, thashë me vete i lehtësuar.

Nga fundi i pranverës, pak para mbarimit të shkollës, mësuesi hyri në klasë i alarmuar.
“Nuk e kuptoj këtë fshat, tha. Ngjan si fshat reaksionarësh. Asnjë parullë rreth e rrotull, asnjë kënd emulacioni. Duket sikur jetoni në kohën e Zogut. Bisedova me organizatën Partisë dhe organizatën e Rinisë. Të dielën do të shkruajnë parulla. Ne me disa të rinj që do të na ndihmojnë do të shkruajmë një parullë të kodra përballë shkollës, që ne e quanim Kodra e Varreve, sepse në krye të saj ishin varret e fshatit. Në aksion do të vijnë vetëm nxënësit e klasës së katërt.

Diten e aksionit ne nxënësit nuk bëmë ndonjë gjë të madhe, sepse me shkronja të mëdha@ nga dhjetë metra të formuara në gurë të lyer me gelqere mësuesi dhe oragnizata e rinisë shkruan parullën “Rroftë Miqësia Shqiptaro-Kineze”.

Kur shkrimi i parullës përfundoi, mësuesi na falendëroi dhe në fund tha: “Shihni sa bukur ka dalë! Mund të lexohet edhe nga larg, nga fshatrat matanë.”

Kur u ktheva në shtëpi pasdite vonë pashë së në kodrën përballë shtëpisë ishte shkruar një parullë tjetër: “Rroftë Shoku Enver Hoxha”. Në muzg sekretari i partisë që po kthehej se bashku me të rinjtë pas përfundimit të parullës na porositi: “Kujdes kur të kullosni bagëtitë se po dëmtuat shkronjat e parullës iu piu e zeza.”

Atë vit e prita me gëzim përfundimin e shkollës, ndoshta se vitin tjetër do të vazhdoja klasën e pestë, pra do të hyja në shkollën e të rriturve.

Mësuesi na shpërndau dëftesat dhe disa fletë-lavdërime. Unë, edhe pse e kisha dëftesën me të gjitha dhjeta nuk mora fletë-lavdërimi, sepse sipas mësuesit kisha shfaqur probleme serioze me formimin tim ideopolitik dhe në disa raste sjellja ime kishte qenë e qortueshme rëndë. Këtë kishte shënuar dhe në dëftesë: “Duhet të punojë më shumë për forminin e tij ideopolitik.”

Botuar në numrin e djeshem të gazetës “Nacional”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.