DERVISH AZIZ LLOKAÇI (1898 – 1945)

0
254
Shqipja në fluturim

DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Lindi në vitin 1898 në fshatin Garanë të Kërçovës, nga një familje e pasur dhe bujare. Përveç tokës punuese, posedonin edhe dy mullinjë për bluarjen e drithit pranë ,,Lumit të errtë,, (Tuhinit), të cilët ndodheshin jo shumë larg fshatit Garanë. Njëri ishte pak më afër Garanës e tjetri në afërsi të fshatit me banorë të krishterë Llazërovcë. Të parët e tyre dikur moti ishin shpërngulur nga “Kodra e Kallangoçit”, mbi varrezat e familjes Çeliku, nga fshati Cërvicë.

Sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, por edhe të disa banorëve tjerë më të vjetër të Cërvicës, kjo ka ndodhur gjatë kohës të sundimit osman. Kohë, kur shumica e popullatës shqiptare pranojnë konfeksionin islam, e për të fitojnë tokë pjellore në fushën e Cërvicës, ndërsa ato që nuk pranojnë fenë islame shpërngulen në Llazërovcë e disa familje tjera shpërngulen në Osoj, në afërsi të fshatit të sotëm Reshtan. Ishin shqiptarë ortodoks rrëfente gjyshi, por kurrë nuk e pranuan Fenë Islame, e më vonë u bënë kafshatë e lehtë për serbin e bullgarin.

Babai i Dervish Llokaçit quhej Aziz, përveç Dervishit kishte edhe tre djem tjerë: Islamin, Medinin dhe Shezain, por edhe tri motra Fatimen, Xhylën dhe Tejshen. Dervish Llokaçi ka pasur vetëm një djal me emrin Imer si dhe katër vajza. Imeri djali i vetëm i Dervish Llokaçit, kishte dy djem: Dervishin të cilin e pagëzoi me emrin e babait të tij, e tjetrin Aziz, me emrin e gjyshit të tij, si dhe pesë vajza. Djemtë e Imer Llokaçit, sot janë të njohur gati në të gjitha trojet shqiptare si ,,Vëllezërit Dervishi,, ambasadorë të këngës burimore kërçovare. Rrugën e tyre sot e vazhdojnë edhe djemtë e tyre, Argëtoni dhe Urani, por edhe nusja e Argëtonit, që vjen nga Struga.

Dervish Llokaçi, na ishte një trim azgan, trim i vërtetë, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku. Trimërinë e tij e tregoi nëpër shumë luftëra, sa herë që ishte nevoja, si një komandant i cili dinte se si të udhëhiqet populli, në mbrojtje të Trojeve tona Etnike. Zhvilloi shumë beteja kundër agresorëve të huaj, dhe gjithmonë me fitore. Vlen të përmenden betejat mbi fshatin Garanë, kundër okupatorit bullgar, në vjeshtën e vitit 1943, por edhe gjatë vitit 1944, nëpër shumë beteja kundër forcave partizane, në përbërje nga serb, malazezë, maqedonas vendës, por edhe partizanë shqiptarë.

Në luftën me bullgarët mbi fshatin Garanë, fal taktikës luftarake të tij, fitoi në një luftë jo të barabartë, ku bullgarët jo vetëm që ishin në numër shumë më të madh, por edhe me armatim të rëndë. Fal heroizmit të shqiptarëve nga të gjitha fshatrat e Kërçovës, edhe pse pati të vrarë nga të dy palët, shqiptarët treguan se janë zot të vatanit. Në këtë betejë ra dëshmorë edhe trimi sypatrembur nga Cërvica, Nefruz Çeliku, duke vrarë mbi 80 bullgarë, në majë të kodrës mbi Garanë, e kur iu mbaruan fishekët trimit, i mbeti vetëm një bombë dore. Kur bullgarët i afrohen trimit sypatrembur me bajonetat në pushkë, për ta shpuar trimin, Xha Nefruzi, siç që e thërrisnin në Cërvicë, shpërthen bombën e dorës, duke vrarë vehten por edhe bullgarët që e kishin rrethuar. Komandanti bullgar, kur e pa se si luftojnë shqiptarët për të mbrojtur Trojet e tyre Etnike, dha urdhër që ushtria bullgare, të këthehet nga kishte ardhë. Sepse, e dinte mirë se nëse vazhdon më tutje, trima të tillë do të takonte edhe nëpër shumë vende të tjera të banuar me shqiptarë.

Dervish Llokaçi si komandant lufte morri pjesë edhe nëpër disa luftëra gjatë vitit 1944, si në Luftën e Klenoecit afër fshatit Izvor, nëpër disa fshatra të Kopaçkës, në mbrojtje të fshatrave shqiptarë të Kërçovës, si dhe në ,,Luftën Ballë për Ballë” për çlirimin e Kërçovës, ku ranë dëshmorë shumë trima shqiptarë kërçovarë.

Erdhën edhe ditë të zeza për shqiptarët e Kërçovës, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku, forca të mëdha partizane, në përbërje nga serb, malazezë, maqedonas vendës, e Aradha Shqiptare partizane nga Shqipëria, Struga e Dibra, sulmuan Kërçovën nga të katër anët. Shqiptarët e Kërçovës, nën udhëheqjen e të dy Mefailave me shokë nga Balli Kombëtarë, luftonin në mbrojtje të Trojeve të tyre Etnike, e me idealin për të qenë pjesë e pandarë e Nënës Shqipëri, por Nëna tani së bashku me sllavët e pabesë, ishte këthyer kundër tyre. Luftëra të rrepta, rrëfente gjyshi zhvilloheshin nëpër të gjitha fshatrat, vriteshin burra të pafajshëm, gra e fëmijë, digjeshin shtëpi. Fshatarët tërhiqeshin në drejtim të Gostivarit por edhe atje nuk e gjetën rehatinë, burgoseshin e masakroheshin në varreza masive, rrallë ndonjëri shpëtoi gjallë.

Kërçova u shkretua, e disa nga udhëheqësit e brigadave partizane shqiptare dhanë kushtrimin: ,,E gjithë Europa është ngritur kundër Ballit Kombëtarë, dorzohuni se luftën e keni të humbur, shpëtoni kokën si të mundeni. Ata që kanë bërë më shumë vrasje, le të lëshojnë vendin, e ato të tjerët të ruhen e mos kapen nga pushteti sllav,,. Disa shpëtuan duke ikur në Greqi, Turqi, Amerikë e gjetiu, por shumica u kapën faj e pa faj, dhe në pranga mbaruan në burgun e Kërçovës, në oborrin e Tregut të gjelbër, ku shumica e të cilëve pas torturave ndërruan jetë aty brenda mureve. Ndërsa, një pjesë e madhe e të burgosurve, në pranga u dërguan “Te gështenjat” afër Osojit, ku në mënyrë barbare u vranë e u futën në varreza masive, të përgaditura që më parë. Të nesërmen, herët në mëngjes barbarët sllav mbi varrezat masive hudhin gëlqere të pashuar, e pastaj edhe ujë, me qëllim të vdekjes së sigurtë.

Një fat të tillë pësoi edhe Komandanti Dervish Llokaçi. Lufta mbaroi, e ai për një kohë të gjatë nuk doli nga shtëpia, por një ditë nuk duroi më, ngarkoi qerren me drithë e u nis në drejtim të mullirit të vet afër fshatit Llazërovcë. U takua me një fshatarë të atij fshati me konfeksion ortodoks me të cilin zhvilluan bisedë të ngrohtë, dhe u ndanë secili në punë të vet. “Maqedonasi”, shkon në fshatin e tij dhe tregon se komandanti Dervish Llokaçi ndodhet te mulliri. Lajmërohet shtabi partizan dhe shkojnë te mulliri duke e arrestuar e dërguar në burg, ku pas shumë torturash duke e bërë trupin e tij koskë e lëkur si që thuhet në popull, dhe Dervish Llokaçi aty ndërron jetë. Familjarët, kur dëgjojnë për vrasjen e tij te mulliri, shkojnë dhe e marrin trupin e pajetë të komandantit, dhe e varrosin te varrezat e Biçincës me nderime si që e ka zakon populli shqiptar. Dervish Llokaçi ndërroi jetë, por vepra e tij atdhetare dhe ideali i tij për një Shqipëri Etnike, nuk do të harrohet kurrë, nga shqiptarët.

Lavdi veprës së tij atdhetare, pushoftë në paqë e Parajsë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.