IDEALI DHE PARIMËSIA – ISHIN UNIKE NË JETËN E KADRI MANIT

0
293
Kadri Mani

Në 10-vjetorin e amëshimit të Kadri Manit

IDRIZ ZEQIRAJ

Familja, vëllazëria, miqësia, shokët dhe dashamirët, përkujtojnë, me dashuri e nderim të thellë, qendresëtarin dhe luftëtarin e përkushtuar të çështjes kombëtare, Kadri (Os)Manin. Pothuajse, të gjithë ne, e kemi njohur veprimtarinë e gjithmonshme, të larmishme: arsimore, krijuese, publicistike, botuese e, mbi të gjitha, atdhetare.

Për jetën, veprën dhe kujtimet e begata, që ruaj për mikun tim të rinisë dhe të pleqërisë, i kam shpalosur në Akademinë Përkujtimore, kushtuar Kadri Manit, të organizuar në Shtutgart të Gjermanisë, me rastin e shuarjes fizike të tij. Pastaj, për veprimtarinë jetësore dhe kujtimet e kohës, për bacën Kadri, i kam thënë edhe në Akademinë Përkujtimore, me rastin e një-vjetorit, të organizuar në Prishtinë. Andaj, sot, mendoj të ju kursej në kohë, duke respektuar auditorin dhe folësit tjerë.

Jeta dhe veprimtaria e Kadri Manit, mund të përkufizohet në katër kohë:

  1. Kadri Mani, pishtar i arsimit;

2) Qëndresëtar në tre gjykime, i dënuar me 25 vjetë burg të rëndë, prej tyre 17 vjetë të vuajtura në burgjet: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Beograd, Pozharevc, Nish, Leskovc, Maribor, Zagreb, pothuajse, në të gjithë gjeografinë ish-jugosllave;

3) Mërgimtar në Shqipëri dhe Zvicër;

4) Rikthimi në Kosovën e lirë. Burgjet e gjata dhe mërgimi kishin ndërprerë studimet post-diplomike. Për rrjedhojë, në moshën 70 vjeçare magjistroi dhe 5 (pesë) vjetë më vonë bëri përgaditjet e duhura, për mbrojtjen e doktoraturës. Por, pikërisht, në moshën 75 vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e madhe e Kadri Manit. Duke lënë një veprimtari krijuese prej 10 librash, tashmë, të botuara, si dhe materialin e dosuar edhe për 10 libra të tjerë, që presin botimin, duke rrumbullaksuar shifrën në 20 libra, krijimtari letrare dhe publicistike.

Bashkëjetesa në arsim dhe në veprimtarinë ilegale

Kadri Manin, e njoha në vitet `60-a, kur ai erdhi në Gjimnazin dhe Normalen e Pejës, nga Revista letrare “Jeta e Re”, ku ai punonte, për të abonuar shkollarët e mesem, me këtë revistë letrare. Hyri në klasë, i shoqëruar nga Prof. Sylë Dreshaj. Na solli të falat e Dr. Esad Mekulit dhe prosinë e tij, “për lexim e studim. Ai vazhdoi, duke thënë se leximi letrar, është alfa dhe omega e mësuesëve. Si nxënës, keni edhe lehtësira pajtuese”. Disa nga ne aprovuam menjëherë, por, abonenti i parë ishte Ibrahim Rugova.

Dy vjet më vonë Kadri Manin e takova në Shkollën 8-vjeçare “Rilindja” në Keçekollë, përkatësisht, Kolaj. Kemi ndarë dhomën dhe ushqimin. Ndonëse një 10 vjeçarë më madh në moshë, më trajtonte si vëlla dhe shok. I përkushtuar për arsimin dhe fort i pasionuar pas librit dhe shtypit. Mungonte biblioteka dhe gjithëçka tjetër, përveç librave shkollorë. Me porosi të bacës Kadri, trokita në të gjitha redaksitë e Prishtinës, përfshi edhe magazinën e Librit Shkollor. Prej andej, në redaksinë e “Nova Makedonia”, në Shkup, ke xhaxhi shkrimtar, Mehmedali Hoxha, drejtor i botimeve në gjuhën shqipe, përfshi revistat “Pionieri” dhe “Gëzimi”.

Në përgjithësi, pritje fisnike, por, në një rast, në Prishinë, edhe burokratik.

Ne ishim modest në kërkesa: abonime me gjysmë-çmimi, për revistat dhe librat falas, të mbetura stoqe, për dobësi menaxhimi në shitje, për 10 shkollat e zonës. Siç thotë urtësia: “Lypja të koritë, por, nuk të lënë pa gjë”

Veprimtaria ilegale me Kadri Manin, është një kapitull në vete. E veçanta është se ishte një letër e Kadriut, me shokë, që u bë shkak i prangosjes të njëkohshme, edhe pse në dy shtete: Kadriu në Jugosllavi, ndërsa unë në Shqipëri!

Kadri Mani – një jetë për Atdhe

Për drejtëpeshimin dhe drejtorientimin kombëtar, Kadri Mani, u referohej të burgosurëve politikë familjarë: “Vëllait Ramiz Osmani, i dënuar me 18 vjetë burg politik, me kushërinjtë: Shefki Osmani, Nuhi Osmani, Musli Osmani dhe fshatari ynë, Zylfi Musliu, të cilët kanë merita burgu, të orientimit të drejtë politik, si pjesëtarë të NDSH-së, në vazhdën e Mulla Idriz Gjilanit dhe të Gjon Sereçit”.

Kadri Mani konsiderohet si rreze e shqiptarizmës, i cili, me fjalën e shkruar dhe veprimin e provuar, frymëzoi brezat shqiptarë, qoftë si mësues; qoftë në gjyqe e burgje; qoftë në veprimtarinë aktive në Mërgatën shqiptare.

Pararendës mentorë, si frymëzim jetësor, kishte politikanët luftarakë, Hasan Prishtinën dhe Ymer Berishën, me brezin e tyre idealistë; rilindasin Sami Frashëri dhe urtësinë unike të Ibrahim Rugovës.

Me botimin e revistës, “Shqipëria Etnike”, nga Kadri Mani, lëndëzohet, qartazi dhe pa ekuivoke, djathtizmi i trashëguar familjar i tij. Fati më ka buzëqeshur, të jem kryeredaktor i kësaj reviste politike, shoqërore dhe letrare, me redaktorët, djalin e zgjuar tropojan, të zbritur në Tiranë, krijuesin e talentuar, Zeqir Lushaj dhe rapsodin Agim Gashi, me shokë, me dhimbje – deri në lot, të dytë të shuar kësaj bote. Revista në fjalë, ishte botim i veçantë, por botohej edhe në Portalin e hershëm shqiptar “Zemra Shqiptare.net”, të menaxhuar nga mjeshtri i letrave, atdhetar i devotshëm, zadrimori lezhjan, Shqipëri, Gëzim Marku.

Politika redaktuese, dinjitoze e profesionale, me tematikë, thellësisht, atdhetare, të Portalit “Zemra Shqiptare.net”, me qendër në Londër, që mbulon gjithë Etnikumin shqiptar dhe Diasporën shqiptare, bëri emër të mirë. Lexuesit e bollshëm e motivuan edhe më shumë vullnetin botues të bacës Kadri. Nderimi që botuesi -par exelance- , Gëzim Marku, i bënte Kadri Manit, qoftë në gjallje, qoftë edhe pas shuarjes fizike të tij, është proverbial, që dinë ta bëjë vetëm intlektuali për intelektualin, fisniku për fisnikun.

Zhgënjimi i skajshëm dhe pengu i madh i bacës Kadri

Kadri Mani kishte guximin intelektual, si rrallë kush. Kurrë dhe asnjëherë nuk e joshi lakmia materiale dhe aq më pak ndjenja e karrierizmit. Fat jetësor e pati martesën me nusen Shukrije Bunjaku-Osmani, e cila, me përkujdesjen të pashoqe, për rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve: Hidajetës, Rabitit dhe Ylberit, ia lehtësoi dhe mundësoi bashkëshortit Kadri, t`i përkushtohet, tërësisht dhe jetësisht, çështjes kobmëtare. Si bashkëshorte dhe nënë ideale, asnjëherë nuk është dëgjuar të ankohet për mungesën e babait të fëmijëve në shtëpi, duke akceptuar dhe arsyetuar objektivisht burgun, sa të gjatë, aq edhe të rëndë, duke dëshmuar atë thënien lapidare se “gruaja është shtylla e shtëpisë!”

Kadri Mani dhe brezi ynë, ndjenjën e idealizmit e kishim shumë të zhvilluar. Mendonim, më saktë, ëndërronim se në Atdheun e lirë – Kosovë, shqiptarët do jenë në punë dhe, pas saj, në  bibliotekë publike apo në atë të shtëpisë. Sepse qëllimi i bacës Kadri, me shokë, ishte begatimi dhe prosperimi i Kosovës. Por, zhgënjimi ishte i skajshëm.

Edhe pse lufta kishte mbaruar, lirinë e sollën fluturaket e NATO-paktit, me hedhjen e bombave të tyre, kundër pushtuesëve serbo-sllavë, disa “komandantë”, me uniformën e UÇK-së, të instruktuar enkas, nga UDB-a e Serbisë dhe SHISH-i enverist i Shqipërisë, vrisnin shqiptarët, kryesisht, ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, veprimtarët e LDK-së dhe kuadrot e hershëm të LPK-së, thjeshtë, për motive politike, për pushtet e para.

Këto krime të ngeshme, paraprakisht, të amnistuara, ishin zhgënjyese, dëshpruese madje tmerruese, për Kadri Manin. Rrjedhimisht, Baca ynë zemrak e luftarak, sa i përkushtuar, aq edhe i përvuajtur, për ta bërë Atdheun të lirë, iku kësaj bote, me pengun e madh të pasigurisë, iku me buzëqeshjen e ngrirë, sepse kriminelët bredhin të lirë.

Përkujtimi adhurues, për jetën dhe veprën e Kadri Manit, do të rrojë ndër breza.

Përjetësisht Lavdi!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.