Rexhep Çullhaj
Kur në mendje t’ju bjerë për mua, në rafte, sallone, librari më gjeni; shihni me kujdes, mos merrni hua, librin lëvizni, ndërrojeni – aty më gjeni. Diku në kopertinë, në faqe të fshehta, mes vargjesh ku fjala rri e qetë, duke i shfletuar faqet njëra pas tjetrës, do të më gjeni në një kujtim të vërtetë. Duan të më harrojnë, po unë kam mbetur, në fjalën e shkruar, në vargun që jeton; lexoni ç’kam lënë, faqet duke shfletuar, se fjala e mirë nuk vdes, por gjithmonë kujton. Të afërm, miq, shokë e lexues, specialistë, drejtues, shkrimtarë, për fabula, poezi e fjalë të urta, hapeni librin – aty do të më gjeni përsëri. Nëse mua ju do të më kërkoni, unë s’jam larg, një ditë do të vij; e sigurt është, nëse më kërkoni, cili më do, këtë dua ta di. Epo, do të shkruajmë për vete e lexues, t’i nxisim me cilësi ata që kërkojnë; le të shohin nëpër rafte duke kërkuar, se librat e mirë gjithmonë dikë takojnë.
Më kërko! Në një libër, në një varg, në një fjalë, në një kujtim që s’di të shuhet, në një udhë ku natyra flet, në një vend ku zemra kthehet. Më kërko edhe në Shëngjergjit, atje ku mali me Erzenin bashkohet, ku fshatrat rrinë njëri pranë tjetrit dhe çdo shteg me histori tregohet. Dua të përfshij në vargje këtë zonë, një për një fshatrat që aty përbëjnë, nga Biza e deri në Skurranë, në brigjet ku ujërat e Erzenit rrjedhin. Nga gropa-gropa zbret mali i Dajtit, përballë Fagut që lart qëndron; Shënmëria, Skrepi, Vërri, Façeshi, Derja e Domi poshtë shikojnë. Shëngjini anash, Parpunja pranë, Fagu qëndron si një kështjellë, Qafmolla, Murthi, Shkalla e Kllojka, Vakumona e Farveshi në këmbë. Rrozavera, Pashkashesh, emra që mbajnë kujtime të vjetra, çdo fshat një gur në mozaikun e tokës, çdo emër një këngë e pashkruar.
Qartas rrjedh uji i Erzenit, mes gjelbërimit të pastër e të gjallë, dhe Darsheni, piktoresk si pikturë, të fton të ndalesh e ta shohësh ngadalë. Selba zbret drejt Skurranës, mes shtegut, kodrës dhe blerimit, dhe gjithë kjo tokë, fshat më fshat, të flet me gjuhën e bukur të kujtimit. Nga Qafë-Priska rrugën ndiq, me erëra mali e gjelbërim, sapo zbret drejt Erzenit në Dom, një kafe të pret me ngrohtësi. Pak më sipër, ujëvara të thërret, ujë i bardhë që zbret nga lart; ec pak nga pak nëpër shteg, dhe natyra të hap një tjetër derë. Më lart është fshati Shëngjin, në mes ngrihet restorant Selimi; pikë turistike, mikpritje e bukuri, ku pushon udhëtari dhe gjen qetësi.
E më lart të presin Skrepi e Biza, me male, ajër të pastër e pamje; ec e vizito këtë trevë të bukur, se çdo hap të fal një tjetër këngë. Më kërko! – më kërko në librat e mi, më kërko në vargje e në kujtime; por nëse vjen në Shëngjergjit një ditë, do të më gjesh aty, në çdo udhë e gjelbërim. Se unë nuk jam larg, jam në fjalën që shkruaj, në vendin që dua, në njerëzit që kujtoj, në Shëngjergjit që këndoj. Më kërko… dhe do të më gjesh.










