Analizë:
Nga Safet SADIKU
Nga këndvështrimi i “Platformës për Referendum Kombëtar”, problemi shqiptar nuk është vetëm se kush janë pushtetarët, por edhe mënyra se si është konceptuar vetë pushteti gjatë gjithë qeverisjes së tranzicionit.
Një pjesë e mirë e arsyetimeve që po qarkullojnë rreth protestave në Tiranë, gjithnjë e më tepër disa media po përpiqen të paraqesin hamendësimet si fakte të kryera dhe teoritë politike si të vërteta të pakundërshtueshme. Prandaj protestat në Tiranë dhe teoritë e propagandës nuk janë të rastësishme. Në vend të analizës së bazuar mbi dokumente, deklarata zyrtare dhe realitete institucionale, publikut po i ofrohen skenarë konspirativë, ndarje artificiale gjeopolitike dhe metafora propagandistike. Pretendimet për ekzistencën e një “Plani B” amerikan, për një aleancë SHBA-Rama-Berisha apo për një mbështetje të Bashkimit Evropian ndaj studentëve dhe protestuesve nuk mbështeten nga asnjë deklaratë zyrtare e Uashingtonit apo Brukselit. Këto mbeten interpretime politike të individëve dhe jo qëndrime institucionale të konfirmuara. Po ashtu, deri më sot nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit se statusi “non grata” i Sali Berishës është hequr, pezulluar apo revokuar pjesërisht. Fakti që janë bërë kërkesa për vizë apo se qarkullojnë interpretime të ndryshme mediatike nuk përbën provë juridike për ndryshimin e statusit të tij.
Edhe krahasimet me Vladimir Putinin apo Milorad Dodikun janë të pasakta, pasi regjimet e sanksioneve dhe mekanizmat juridikë të përdorur nga Shtetet e Bashkuara janë të ndryshëm dhe nuk mund të barazohen mekanikisht me rastet e shpalljeve “non grata” për korrupsion. Në të njëjtën mënyrë, një ftesë në një aktivitet diplomatik, nëse ekziston, nuk përbën provë të ndonjë marrëveshjeje politike apo ndryshimi juridik. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ndërtohen mbi thashetheme, por mbi dokumente, institucione dhe politika zyrtare. Një tjetër përpjekje propagandistike është paraqitja e konfliktit të brendshëm shqiptar si një përballje mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Kjo është një mënyrë artificiale për të eksportuar krizën e brendshme shqiptare në një dimension gjeopolitik që nuk është konfirmuar nga asnjë partner perëndimor. Në të njëjtën kohë, debati mbi projektin e Zvërnecit nuk është një çështje që lidhet vetëm me aktorët politikë shqiptarë. Per këtë projekt ka pasur reagime dhe shqetësime të shprehura edhe pranë UNESCO-s, çka tregon se bëhet fjalë edhe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
Dhe ky argument nuk mund të mohohet më. Por një fakt tjetër që shpesh anashkalohet është se Shqipëria vazhdon të përballet me kërkesa të vazhdueshme nga partnerët perëndimorë për forcimin e shtetit ligjor, sigurisë juridike dhe klimës së investimeve. Investimet miliardëshe nuk mund të mbështeten mbi garanci personale apo mbi marrëveshje me individë të caktuar. Garancia e vërtetë për investitorët janë ligjet, institucionet dhe transparenca. Nëse garancia kryesore mbetet toka dhe jo shteti ligjor, atëherë kemi të bëjmë me një dobësi strukturore të shtetit shqiptar, e cila ka qenë e pranishme gjatë gjithë tranzicionit deri më sot. Problemi themelor me shumë nga këto narrativa është se ato e zëvendësojnë analizën me fabulën. Kur mungojnë provat, fillojnë legjendat. Kur mungojnë faktet, metaforat bëhen strehë e propagandës. Ndarja e Shqipërisë në flamingo, krokodilë, këneta dhe kafaze mund të shërbejë për retorikë politike, por nuk shpjegon asnjë problem real të vendit.
Problemi real i vendit është se Shqipëria, për shkak të mungesës së reformave dhe të zbatimit të ligjeve që kërkon Bashkimi Evropian, ka ngecur në procesin e negociatave. Nëse kjo situatë vazhdon, vendi rrezikon stagnim të mëtejshëm. Këtë e dinë si pozita, ashtu edhe opozita. Për këtë arsye, as Bashkimi Evropian dhe as Shtetet e Bashkuara nuk i kanë ofruar Shqipërisë investime miliardëshe pa një bazë të fortë ligjore, siç kanë vepruar më parë me vende të tjera, si Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria. Për të kompensuar këtë dështim, qeverisja promovoi një ligj (2024) që, sipas kritikëve, i jep investitorit garanci përmes taksave dhe favoreve fiskale, në vend që garancia kryesore të jetë sundimi i ligjit. Për këtë arsye reaguan edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian. Kur kjo çështje u bë publike, pushteti u përpoq të largonte vëmendjen nga dështimi duke e fokusuar debatin te protestat e opozitës.
Megjithatë, situata u tensionua përtej parashikimeve të të dyja palëve politike. Po aq i pabazë është pretendimi se një protestë qytetare mund të blihet, shitet apo komandohet nga një individ i vetëm. Një qasje e tillë nuk fyen vetëm inteligjencën e qytetarëve, por mohon vetë karakterin spontan dhe shoqëror të pakënaqësisë që është akumuluar gjatë dekadave të tranzicionit. Kjo për faktin se, në thelb, protestat nuk lindin nga metaforat dhe as nga teoritë konspirative. Ato lindin nga zhgënjimi. Dhe zhgënjimi i shoqërisë shqiptare nuk është produkt i ditëve të fundit. Ai është rezultat i një tranzicioni të gjatë, i një sistemi politik të dominuar prej dekadash nga të njëjtët aktorë, nga korrupsioni, mungesa e besimit te institucionet dhe dështimi për të ndërtuar standarde të qëndrueshme të shtetit ligjor.
Prandaj, protesta nuk po bëhet për interesat e SHBA-së apo të Bashkimit Evropian. Nuk po bëhet as për të realizuar planet e partive të vogla dhe as për të përmbushur skenarët e analistëve të tupanit mediatik. Nëse ekziston një kërkesë e përbashkët që buron nga pakënaqësia qytetare, ajo është refuzimi i modelit politik të tranzicionit të gjatë dhe i sistemit që ka funksionuar për vite me radhë me ndarjen e roleve midis pushtetit dhe opozitës tradicionale. Kjo nuk është meritë e liderëve të rinj dhe as e partive të vogla. Është produkt i zhgënjimeve të mëdha të shoqërisë shqiptare ndaj një klase politike që për më shumë se tre dekada ka prodhuar më shumë konflikte se institucione, më shumë propagandë se reforma dhe me shumë premtime se shtet ligjor. Shqiptarët nuk kanë nevojë për profetë, mite dhe teori konspirative. Ata kanë nevojë për institucione të forta, për llogaridhënie, për sundim të ligjit dhe për alternativa politike që nuk ndërtohen mbi kultin e individit, por mbi standarde demokratike dhe përgjegjësi publike. Sepse në fund, asnjë individ nuk është pronar i protestës, asnjë parti nuk është pronare e shpresës dhe asnjë brez nuk duhet të pranojë që e ardhmja e tij të mbetet peng i një tranzicioni pa fund.
II. Si mund të dilet nga kriza e gjatë politike dhe institucionale?
Nëse problemi i Shqipërisë do të ishte thjesht një konflikt mes disa individëve, zgjidhja do të ishte e lehtë. Por problemi është më i thellë. Ai lidhet me një tranzicion të tejzgjatur, me institucione të dobëta, me mungesën e besimit te politika dhe me një kulturë ku shteti shpesh është vendosur në shërbim të pushtetit dhe jo të qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye, zgjidhja nuk mund të vijë nga një “shpëtimtar”, nga një lider karizmatik apo nga një revolucion i momentit. Historia ka treguar se, kur sistemet ndërtohen mbi individë, ato trashëgojnë edhe problemet e tyre. Ndryshimi i qëndrueshëm kërkon institucione dhe jo mite politike. Megjithatë, pas më shumë se një dekade në qeverisje, përgjegjësia kryesore për këtë gjendje bie mbi qeverinë e Edi Ramës.
Kur një qeveri ka pasur kohën, mandatin dhe pushtetin për të reformuar vendin, por problemet themelore vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, atëherë ndryshimi i saj bëhet një domosdoshmëri politike dhe demokratike. Për këtë arsye, mendoj se zgjidhja e parë dhe më e nevojshme është largimi i qeverisë Rama nga pushteti. Jo sepse çdo problem do të zgjidhet automatikisht me ndryshimin e qeverisë, por sepse vazhdimi i së njëjtës qasje nuk ofron më perspektivë për ndryshim. Një demokraci funksionale kërkon rotacion politik kur një qeveri humbet aftësinë për të prodhuar rezultate dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve. Gjithsesi, largimi i një qeverie nuk mjafton në vetvete. Shqipëria ka nevojë për institucione të forta, sundim të ligjit dhe përgjegjshmëri politike. Vetëm mbi këtë bazë mund të ndërtohet një zhvillim afatgjatë dhe një integrim i plotë evropian.
Së pari, Shqipëria ka nevojë për një shtet ligjor të besueshëm. Investitorët, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë nuk kërkojnë garanci personale, por garanci ligjore. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe asnjë pushtet nuk duhet të jetë i pakontrolluar. Pavarësia e drejtësisë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë slogane, por kushte për mbijetesën e shtetit modern.
Së dyti, vendi ka nevojë për reforma të thella politike dhe zgjedhore. Demokracia nuk mund të reduktohet në rotacionin e të njëjtëve aktorë. Një sistem që prodhon vazhdimisht të njëjtat elita, ndërsa mbyll hapësirat për alternativat e reja, tani më ka humbur legjitimitetin në sytë e qytetarëve.
Së treti, opozita dhe shoqëria civile duhet të kuptojnë se pakënaqësia nuk mjafton. Historia tregon se protestat mund të rrëzojnë qeveri, por nuk ndërtojnë automatikisht institucione. Nëse energjia qytetare nuk shndërrohet në organizim, ide, programe dhe alternativa konkrete, ajo rrezikon të shpërndahet ose të përthithet nga të njëjtët mekanizma të vjetër politikë.
Së katërti, brezat e rinj duhet të refuzojnë logjikën e “udhëheqësit të pagabueshëm”. Shqipëria ka paguar një çmim të lartë nga kultura e liderit të fortë dhe e partive të ndërtuara mbi individin. Demokracitë e qëndrueshme nuk ndërtohen mbi adhurimin e figurave politike, por mbi ndarjen e pushteteve, kontrollin institucional dhe përgjegjësinë publike.
Së pesti, është e domosdoshme të ndërtohet një kulturë e re politike. Shoqëria shqiptare nuk mund të mbetet e ndarë pafundësisht në kampe armiqësore, ku secila palë e konsideron tjetrën tradhtare dhe ku propaganda zë vendin e debatit. Një demokraci funksionale kërkon pluralizëm, konkurrencë idesh dhe respekt për mendimin ndryshe.
Në parim, zgjidhja e problemeve të mëdha të Shqipërisë nuk do të vijë as nga Uashingtoni, as nga Brukseli dhe as nga ndonjë figurë e vetme politike. Partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë, siç na kanë ndihmuar vazhdimisht, por ata nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e shoqërisë shqiptare ndaj vetvetes.
Sakrifica e vërtetë nuk është thjesht ndryshimi i emrave në pushtet, por ndryshimi i mënyrës se si funksionon pushteti. Sepse një tranzicion që zgjat më shumë se tre dekada nuk është më tranzicion. Ai rrezikon të kthehet në një mënyrë të përhershme qeverisjeje. Dhe pyetja më e rëndësishme nuk është se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme. Pyetja më e rëndësishme është nëse Shqipëria do të arrijë më në fund të ndërtojë një shtet ku qytetarët nuk varen nga liderët, por liderët varen nga ligji.
III. Sipas vizionit të “Platformës për Referendum Kombëtar”, sakrifica kryesore e Shqipërisë nuk lidhet vetëm me emrat e qeverisësve, por me modelin e ushtrimit të pushtetit që ka dominuar vendin përgjatë tranzicionit.
Për më shumë se tre dekada, Shqipëria ka funksionuar mbi logjikën e demokracisë së deleguar, ku qytetarët ushtrojnë sovranitetin e tyre vetëm një herë në katër vjet, ndërsa pjesën tjetër të kohës pushteti përqendrohet te partitë dhe liderët politikë. Kjo ka prodhuar një sistem ku qytetari mbetet spektator, ndërsa politika kthehet në një monopol të elitave. Pikërisht këtu qëndron edhe dallimi filozofik i “Platformës për Referendum Kombëtar”. Ajo nuk synon te zëvendësojë një elitë me një elitë tjetër, as të ndërtojë një kult të ri individi. Përkundrazi, ajo synon të zhvendosë qendrën e gravitetit të sistemit politik nga partitë te qytetari dhe nga lideri te sovrani. Në këtë kuptim, demokracia direkte nuk paraqitet vetëm si një kundërshtim ndaj demokracisë përfaqësuese, por si një mekanizëm korrigjues dhe plotësues i saj. Referendumet, iniciativat qytetare dhe instrumentet e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë nuk kanë për qëllim të dobësojnë shtetin, por të forcojnë legjitimitetin e tij, duke e afruar vendimmarrjen me qytetarin.
Përvoja zvicerane tregon se stabiliteti politik nuk ndërtohet mbi liderët e fortë, por mbi institucionet e forta dhe mbi pjesëmarrjen e vazhdueshme të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Zvicra nuk është bërë një nga demokracitë më të konsoliduara të botës falë kultit të individit, por falë kulturës së kompromisit, decentralizimit dhe sovranitetit qytetar. Natyrisht, Shqipëria nuk mund të kopjojë mekanikisht modelin zviceran. Historia, tradita dhe realitetet e dy vendeve janë të ndryshme. Por parimi themelor mbetet i vlefshëm: sa më shumë pushtet të grumbullohet në duart e individëve, aq më e brishtë bëhet demokracia. Dhe sa më shumë pushtet të shpërndahet te qytetarët dhe institucionet, aq më e qëndrueshme bëhet ajo ([www.platformakombetare.com).
Prandaj, sipas “Platformës për Referendum Kombëtar”, integrimi evropian nuk duhet parë vetëm si një proces harmonizimi ligjesh dhe standardesh, por edhe si një proces i integrimit të brendshëm të vetë shqiptarëve. Para hyrjes në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re kombëtare mbi mënyrën se si ushtrohet sovraniteti dhe si ndërtohet besimi midis qytetarëve dhe institucioneve. Në këtë kuptim, referendumi kombëtar nuk përfaqëson thjesht vetëm një instrument juridik, por një filozofi të re politike. Ai synon ta transformojë qytetarin nga votues pasiv në pjesëmarrës aktiv të jetës publike dhe ta zhvendosë demokracinë shqiptare nga logjika e përhershme e konfliktit te logjika e bashkëvendimmarrjes.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe vështirësia më e madhe e pastranzicionit shqiptar. Sepse pyetja themelore nuk është më nëse Shqipëria do të ketë liderë të rinj apo të vjetër. Pyetja është nëse Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një republikë e liderëve apo do të shndërrohet më në fund në një republikë të qytetarëve. Sepse zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare mund të mos vijë nga lindja e një njeriu të ri të fortë, por nga lindja e një kulture të re demokratike, ku sovraniteti i popullit nuk mbetet një parullë kushtetuese, por bëhet praktikë e përditshme e jetës politike. Dhe vetëm pas këtij integrimi të brendshëm qytetar e institucional, Shqipëria mund të hyjë në Bashkimin Evropian jo thjesht si një shtet që ka përmbushur kritere teknike, por si një demokraci që ka arritur pjekurinë e saj politike.
IV. A mund të prodhojë shoqëria shqiptare një alternativë të re politike pa rënë sërish në kultin e individit?
Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme e Shqipërisë së pastranzicionit. Sepse pas më shumë se tre dekadash pluralizëm, një gjë është bërë e qartë: problemi i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me emrat e liderëve, por me modelin politik që ka prodhuar vazhdimisht të njëjtin rezultat.
Në këto 35 vite, shoqëria shqiptare ka provuar rotacionin politik, por jo rotacionin e sistemit. Ka ndryshuar qeveritë, por jo mënyrën se si funksionon pushteti. Ka ndryshuar partitë, por jo kulturën politike. Dhe mbi të gjitha, ka zëvendësuar vazhdimisht një kult individi me një tjetër. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë ndihen të zhgënjyer. Sepse tranzicioni nuk ka prodhuar institucione më të forta se individët, por individë më të fortë se institucionet. Në këtë kuptim, sfida kryesore nuk është thjesht krijimi i një partie të re, por ndërtimi i një filozofie të re të ushtrimit të pushtetit.
Një alternativë e re nuk mund të ndërtohet mbi idenë e “udhëheqësit të shpëtimit”, as mbi modelin e liderit të pagabueshëm. Historia politike shqiptare ka treguar se çdo herë kur shpresa është përqendruar te një individ, përfundimi ka qenë zhgënjimi. Prandaj, pyetja nuk është se kush do të zëvendësojë liderët e vjetër. Pyetja është se si qytetarët mund të zëvendësojnë modelin e vjetër. Një nga përgjigjet më interesante ndaj kësaj vështirësie vjen nga modeli zviceran i demokracisë direkte. Zvicra nuk është ndërtuar mbi kultin e individit, por mbi kultin e institucioneve dhe të pjesëmarrjes qytetare. Atje pushteti nuk përqendrohet te një njeri, por shpërndahet te qytetarët përmes referendumeve, nismave popullore dhe mekanizmave të kontrollit demokratik.
Pikërisht në këtë frymë merr rëndësi programi studimor “Platforma për Referendum Kombëtar”, i cili synon të hapë një strategji të re kombëtare të brendshme mbi të ardhmen e sistemit politik shqiptar dhe mbi mundësinë e futjes graduale të elementeve të demokracisë direkte në jetën institucionale të vendit. Kjo qasje jo vetëm që synon të zëvendësojë demokracinë përfaqësuese, por ta plotësojë atë me instrumente juridike që u japin qytetarëve më shumë kontroll mbi vendimmarrjen dhe më pak varësi nga liderët dhe partitë tradicionale.
Ndoshta kjo është sakrifica më e madhe e Shqipërisë përpara integrimit në Bashkimin Evropian. Është e qartë se integrimi evropian nuk është vetëm një proces teknik i harmonizimit të ligjeve. Ai është, mbi të gjitha, një proces i pjekurisë demokratike. Përpara se të integrohet në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka nevojë për një integrim të brendshëm të vetë shqiptarëve në tërë Gadishullin Ilirik. Ka nevojë të kapërcejë ndarjet e tranzicionit, konfliktet e përhershme politike dhe kulturën e përplasjes së pafundme mes kampeve. Në këtë kuptim, “Platforma për Referendum Kombëtar” mund të shërbejë si një laborator idesh dhe me administratë të mirëfilltë për një kontratë të re shoqërore, ku sovraniteti i qytetarëve të mos ushtrohet vetëm një herë në katër vjet, por të bëhet pjesë e vazhdueshme e jetës demokratike.n Ndonëse, zgjidhja përfundimtare e çështjes shqiptare nuk qëndron te ardhja e një lideri të ri, por te lindja e një modeli të ri demokratik. Jo te pushteti i individit mbi popullin, por te pushteti i popullit mbi pushtetin. Jo te demokracia e liderëve, por te demokracia e qytetarëve.
Dhe ndoshta vetëm atëherë, pas një integrimi të brendshëm kombëtar dhe institucional, Shqipëria do të jetë vërtet gati për integrimin e saj të plotë evropian. Sepse Bashkimi Evropian nuk është thjesht vetëm një bashkim tregjesh dhe institucionesh. Ai është, para së gjithash, një bashkim demokracish. Këtë fakt e kanë kuptuar qytetarët, prandaj po protestojnë. Por politikanët e tranzicionit ende nuk e kanë kuptuar dhe prandaj duhet të shkojnë, bile sa më parë që të jetë e mundur!











