ZANI, FJALA JOTE, NANË

0
607
Nikolin Lëmezhi - me flamur

Oh, ç’më flet ky qiell!

Vështroj në vetmi
këtë qiell,
këtë tokë
dhe mendoj
se këtu jam larg.
Retë sipër meje
e diellin
aty fshehur,
seç më djeg
ky mall!
Oh, ç’më flet ky qiell,
ç’më flasin
këto male e fusha,
ç’më flet
kjo tokë!
Ndoshta një ditë
do të vijë
dhe shqiptarët
do t’i përgjigjen
thirrjes…

Nikolin Sh. Lëmezhi
Cerna (Vr), më 18.07.2005

Kur lindi dielli…

Kam parë tek lind dielli,
nga Mëmëdheu im, sot.
Me të seç u hap qielli,
sa bukur ishte, o Zot!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Verona, më 20.12.2007

Mall për drejtësi…

Oh, n’shpirt m’dogji malli,
m’dogji shumë,
për drejtësi!

E erdh një çast
kur ndërsa shkrihesha si qiriu,
që për shpirtra t’Purgatorit ndezet,
ca të shtëna armësh
e vranë mallin tim.

Veç shpresat nuk m’i vranë,
se do të vijë një agim i ri
e bulëza vese hyjnore
për amshim do të shërojnë
mallin tim të vrarë,
mallin që vazhdon
t’më djegë për drejtësi…

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, Mars 1998

ZANI, FJALA JOTE, NANË

(31.07.2002 gjatë udhëtimit për në misionin e Bosnjes)

Mirë u pafshim, nanë! – kur të thashë,
nuk di ç’ndjenja në zemër të zgjova.
Po nisem për n’mision, në dhé të largët!
E bekimin tand kërkova.

Mirë u pafshim, nanë! – kur të thashë,
Ti më përshpërite në vesh ngadalë,
me zanin e dorën tande të ambël:
Ti kjosh bekue, o djalë!

Ti kjosh bekue… edhe sot jehon,
mbi qiellin mes nesh të kaltër n’çdo anë.
Se bashkë me mue, kudo udhëton,
zani, fjala jote, nanë.

Telegram…

Në Shqipëri,
shqipëtarët kanë vdekur
dhe asnjë s’po lind…

Nikolin Sh. Lëmezhi

Larg…

Larg prej teje, larg,
ku Joni dhe Tirreni ndahen.
Në shpirtin tim, si dallgë,
mendimet për ty seç përplasen.

Me zemër të copëtuar, këtu,
ku nata është pjellë e trishtimit.
Mendoj sit ë lashë ashtu,
ty, “Izrael i Perëndimit”.

Larg prej teje, larg,
kur agimi akoma s’ka zbardhur.
Të kujtoj me shumë mall,
Shqipëria ime e dashur.

Nikolin Sh. Lëmezhi
Messina, më 18.09.1998

Në shqip…

Mbas pritjesh t’gjata,
nji mbramje vjeshte,
u ndigjue zilja e telefonit
dhe befas një rrënqethje malli
përshkoi trupin tem.

Çova receptorin
e nji za m’tha: “Alo!”.
O Zot, nuk di si s’plasa n’at’ çast!
Ishte zani i Nanës,
në shqip ishte.

Ah, ç’mbramje e bukur
n’at’ orë hyjnore,
kur zani i nanës ambël m’flladiti,
po, po, zani i nanës,
në shqip… në shqip…

Nikolin Sh. Lëmezhi

Një komb, një gjuhë e vetme…

(Ua kushtoj vëllezërve shqiptarë kudo që janë të shpërndarë në botë:
Me rastin e Fest ës së Flamurit
)

Kosovë e Shqipëri,
dy shtete, një flamur.
Një komb, një gjuhë e vetme,
Ti s’do shuhesh kurrë!

Ndaj jetoni me gëzim,
kudo jeni të shpërndarë!
Gjithmonë paqe e bekim,
për ju, o vëllezër shqiptarë!

Nikolin Sh. Lëmezhi
Shkodër, më 28.11.2013

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.