Akademik Mehmet Kraja
Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend përshkallëzimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.
Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme. Kjo ndodh për shkak se shoqëria serbe, shteti dhe institucionet e tij, edhe përkundër mbështetjes së vazhdueshme të Perëndimit, nuk janë reformuar, nuk janë demokratizuar dhe nuk janë dekontaminuar nga idetë nacionaliste serbomëdha. Të gjitha idetë e reja të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, sapo të përballen me nacionalizmin serb, rrënohen si kështjella prej rëre.
Duke shfrytëzuar situatat e paqarta dhe ndonjëherë kontradiktore në Bashkimin Europian, përfshirë hezitimet tashmë të hapura të këtij blloku rreth zgjerimit të mëtejshëm dhe ambientin e brendshëm politik të shteteve të rajonit, politikat destabilizuese të Serbisë në Ballkanin Perëndimor kanë njohur trend rritjeje dhe janë bërë më agresive. Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.
Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga Rusia.
Mehmet Kraja
REAGIM NDAJ FUSHATËS
Përgjatë dy ditëve të shkuara disa portale kanë ndërmarrë një fushatë kundër meje dhe institucionit që përfaqësoj, duke bërë citime të shtrembëruara dhe duke manipuluar në mënyrë të shëmtuar lexuesit e tyre.
Teksti “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” është një analizë që i referohet Serbisë dhe politikave të saj në Kosovë dhe në Ballkan, denoncon ashpër të gjitha veprimet subversive të shtetit fqinj, përfshirë edhe ndërhyrjet e saj në Gjykatën Speciale.
Meqë portalet janë duke e manipuluar opinionin, madje duke nxitur reagimin edhe të ndonjë lideri të partive politike, dua t’i inkurajoj lexuesit që analizën e Akademisë ta lexojnë të plotë, të mos krijojnë bindje të gabuara dhe të mos bëhen pjesë e fushatave denigruese.