Rexhep Çullhaj
Ndodhesha atë mbrëmje, si zakonisht, në Tiranë, por nuk isha më si më parë. Kisha lënë pas Tiranën ku njerëzit flisnin pak, pinin kafe të mërzitur e të stresuar. Në tavolinat më tutje, njerëzit nuk i njihnim, por dëgjonim thëniet e tyre: — Siç e morët vesh, ka shpërthime në repartet ushtarake në Zall-Herr. U vra ky apo ai, e gjëra të tjera si këto. Në Qafë-Mollë makinat ishin rralluar sa s’kishte më. Kishin shpërthyer repartet ushtarake dhe vallë, përse? Njerëzit pyesnin nëse kishte rezistencë apo jo. Dëgjonin njëri-tjetrin të thoshin se oficerët rrinin e bënin sehir. Një tjetër thoshte se ishin shënuar të gjitha. Gjepura të tilla vazhdonin të dëgjoheshin nga njerëz të ndryshëm që pinin kafe e diskutonin. Por ka një fakt: atë që dëgjon, e riprodhon si të duash. Kështu, njëri tha se duhet të largoheshim sa më parë. Tjetri thoshte të largoheshim shpejt; bile kjo tingëllonte sikur të ishte shpëtimtari ynë.
Dolëm nga kafeneja me shokun tim, Bertin, dhe vumë re se makinat ishin rralluar shumë. Ishte një situatë jo si ditët e zakonshme dhe ato pak makina që dukeshin, ishin «për rrallë e për mallë». Shikonim të uleshin qepenat e kioskave apo të dyqaneve. Ishte një zhurmë që nuk i shkonte për shtat orës në të cilën ne lëviznim. Duke ecur më tej, diku afër ministrive, shikohej tek-tuk ndonjë polic. Asgjë nuk pipëtinte. Thamë me sytë njëri-tjetrit: kishte zbrazëtirë dhe hapësirë. Retë lëviznin në qiell dhe dukej sikur nuk donin t’ia dinin se çfarë ndodhte përreth. — Ruajna Zot! U ndava si në ankth dhe krejt i ftohtë. Bile, nuk arritëm t’i thoshim apo t’i shprehnim gjë njëri-tjetrit. Rrallë shikohej ndonjë autobus a makinë. Me shokun tim, të lodhur e të mërzitur, arritëm te stacioni i autobusit. Aty prisnin të shqetësuar njerëz që donin të hipnin, të largoheshin e të mbylleshin në shtëpi. Ashtu bëmë edhe ne. Ulur të heshtur në furgon, mezi prisnim të arrinim në stacionin e VB-së, lagje kjo në periferi të Tiranës. Gjatë rrugës ndenjëm të heshtur dhe nuk shkëmbyem asnjë fjalë.
Njerëzit zbritnin shpejt, pa shkëmbyer asnjë fjalë, për t’u mbyllur sa më parë në shtëpitë e tyre. Këto ishin shenja pasigurie, shenja të ankthit që kishte mbërthyer vendin dhe njerëzit. Pastaj erdhi errësira, më e tmerrshmja. Fillonin krismat. Më bënte përshtypje fakti se njerëzit ishin të frikësuar dhe vinin spontanisht nga veriu, në jug të shtëpisë. Unë thosha me vete: — Shyqyr që hyra në shtëpi! Pak errësira e natës dhe pak zbrazëtira që të mbyste ta shtonin ankthin dhe tmerrin. Goditjet shtoheshin, madje edhe pse ishte errësirë. Papritmas u pa një dritë. Çfarë të jetë vallë? Nuk e di. Di vetëm që qielli llamburiste, ndërsa krismat vinin ngado, çdo minutë, çdo sekondë. Ah, po! Po provoheshin armë të kalibrave të ndryshëm; gjëmime nga më të fortat. Dhe mendoja: — Vallë, të gjithë ne po bënim qitje apo ishte një lojë e çmendurisë njerëzore? Qitjet ishin në poligon apo në qiellin e hapur dhe të pambrojtur? Për fat të keq, po.
Duke dëgjuar këto zhurma dhe duke parë të tilla skena, m’u kujtuan pa dashur zboret në shkolla. M’u kujtua rinia, zboret ushtarake, qitjet, vende këto të përforcuara për të ruajtur vlerat e njeriut. Por atëherë ishte ndryshe, ndërsa tani… oh, tani ishte e tmerrshme. Banorët që lëviznin thërrisnin: — Bledi! Fatos! Visi! Kush po sulmon? Kujdes! Kush po lufton? Po vijnë! — Po kush? — Po ju mbrojmë! — Po nga kush? Nëpër tarraca kishte montime të ndryshme armësh: automatikë, pushkë, mitralozë. Krismat ndryshonin dhe linin një shije të hidhur në mendjet tona. Tashmë stresi dhe frika po bënin punën e tyre. Sistemi nervor e kishte pësuar keq. Shikonim njëri-tjetrin të frikësuar; shikonim lotët tek fëmijët dhe pleqtë, të cilët çuditeshin se me kë po luftohej, sepse ata nuk kuptonin asgjë.
Bile, as ne nuk e kuptonim vërtet me kë po luftonim. Ruheshim nga dritaret, nga ai që quhej «plumb qorr», por që mund të të merrte jetën, të vriste nënën, babanë, motrën, vëllanë, gruan, burrin, fëmijën. Ruajna Zot nga tmerri, nga vdekja! Ndërronim orenditë e shtëpisë. Krevatet i larguam nga dritaret apo nga vendet e mundshme ku mund të depërtonte plumbi. Iku edhe një natë e frikshme, me ankth dhe me një dhimbje të rrallë. Shpresonim që dita të vinte ndryshe. Vendin e errësirës tashmë e kishte zënë agimi. Dita, ndonëse e bukur, për ne ishte e tmerrshme. Nuk vinim re bukurinë e saj; mendonim vetëm si të shpëtonim nga tmerri i natës dhe i frikës. Vendin e flakës së gjurmëlënësit e kishte zënë drita e diellit, e cila shkëlqente pa u mërzitur, bile shumë indiferente ndaj asaj që shihte nga lart. Ne kënaqeshim me pak dritë dhe me shkëlqim fallco. Por dielli lëshoi rrezet e tij, sepse ishte mars dhe sillte njëfarë shprese ngrohtësie. Rrugicat tashmë nuk ishin si herët e zakonshme, por ndryshe. Pak njerëz lëviznin shpejt, jo si herët e tjera. Çdonjëri kishte me vete një armë, një revolver.
Vetëm unë nuk kisha armë me vete. Kë do të vrisja?! Po nga kush do të mbrohesha?! Ishte ora dymbëdhjetë. Na njoftuan se kishte vdekur një fqinj yni, një djalë i vetëm, dymbëdhjetëvjeçari Ermal, dhe duhej të shkonim për ngushëllim. Kështu bëmë. Shkuam atje bashkë me disa fqinjë dhe të afërm të Ermalit. Gjatë bisedave pyesnim për babanë, të cilin nuk po e shihnim aty. I vëllai na u përgjigj se pritej të vinte së shpejti me dajat e tij, që ishin nga Përmeti, sepse rrugët ishin thuajse të zëna. Bandat kishin zënë rrugët. Ishte tmerr të udhëtoje. Ishte një makth i vërtetë, sepse ato mbinin në rrugë dhe grabitnin, vrisnin pa të keq. Nuk kishte kush t’i ndalonte. Ato rrinin në rrugë dhe prisnin gjahun e tyre. Ashtu i mërzitur, dola në ballkon, ku rruga kryesore dukej mirë dhe mund të dëgjoje apo të shikoje vetëm krisma, armë, lot dhe zhurmë. Për pak harrova se ç’kishte ndodhur në këtë shtëpi. Pamja tjetër vinte po nga kjo rrugë. Shiheshin makina të mbushura me kompjutera, dollapë, etazherë, rafte, televizorë, frigoriferë, xhama, batanije, bile edhe «Ifa» që transportonin çimento. O Zot! Çfarë të shihte syri! Bisedonim dhe thonim: — Ç’po ndodh? Dëgjohej se dikush, i quajtur Ramadan, tha se po grabitej U.B.-ja nga firmat malajziane në Laprakë. Çfarë bëjnë këta njerëz? Nuk kishte shtet fare. Ata ishin futur në fustanet e grave dhe bënin zullume. Hedh sytë dhe shikoj se po shkatërronin atë që kishim ndërtuar vetë. A nuk u dhimbset djersa e tyre, mundi i tyre?
A kanë ndopak logjikë që veprojnë kështu? Kush i drejtoi? Kush u thotë të shkatërrojnë? Me siguri nuk ka shtet. Shteti mbaroi për këto momente. Mendoja sesi këta njerëz shkatërronin vendin e tyre të punës, vendin me të cilin ushqeheshin dhe merrnin rrogën. Thosha: — Si ka mundësi një dukuri e tillë? Përse gjithë ky mllef? Përse? Më vonë takoj Ramadanin dhe e pyeta se ç’bëhej me Universitetin Bujqësor. Por më kot. Parqet, biblioteka, auditorët e ndërtuar me kujdes ishin shkatërruar. Për të ardhur keq! Përse kjo shthurje? Përse ky vandalizëm kundër të gjithave, por mbi të gjitha kundër shkollës, dijes, kulturës? Pa dashje m’u kujtuan shëtitjet në ato parqe e lulishte sipas stinëve; m’u kujtua gjelbërimi i përhershëm; m’u kujtua rinia, dasma me Zanën dhe, natyrshëm, lindi pyetja: — Pse punove kaq shumë, o njeri?! Për të shkatërruar vetveten? E saktë. Për të lënë gjurmë në këtë institucion shkencor, ku studionin rreth gjashtë mijë studentë çdo vit në kohën tonë. Menjëherë më largohet shikimi nga Ramadani dhe mendja më shkon tek Zana, që ishte lozonjare, e ëmbël.
Më kujtohen puthjet nën pisha, nën bredha e mes luleve, pra në këto ambiente mahnitëse. Vallë, kush do t’i ndalonte këta vandalë? Lloj-lloj syresh, këta shkatërrimtarë, kishin bërë që çdo gjë të dilte jashtë kontrollit. Në këtë kohë, i them Artit të dalim bashkë e të shohim se ç’po ndodhte. Ecim drejt rrugës dhe bashkë shkojmë për të hyrë në U.B. Në hyrje të tij dukej se çdo gjë ishte organizuar mirë në kohë dhe në hapësirë. Pyes veten nëse kishte postbllok, nëse shërbehej apo jo. Thuhej se policët dhe ata pak punonjës që ishin brenda ishin larguar si pa të keq. Saurela, «Ifa», njerëz me shami në kokë, të vendosura për t’u maskuar, bënin shkrehje armësh në ajër. Njerëz që ndanin toka për troje në bazën eksperimentale, që qëllonin bagëtitë me revolver e automatik.
Gra që hiqnin kasat e dritareve, hekurat etj. Me pak fjalë, ishte krijuar një kasaphanë e vërtetë. Vazhduam më poshtë. Po ç’të shihnim? Tymi dhe flaka kishin përfshirë bibliotekën shkencore. Digjeshin librat e vjetër dhe të rinj. Ajo ishte një nga bibliotekat më të vjetra e më të mëdha në Ballkan. Digjeshin edhe palmat para bibliotekës. — Shpejt! — i them Zanës, që të shpëtonim sadopak këtë mrekulli. Por shpejt u ndjemë të pafuqishëm. Na mundi zjarri dhe flaka përbindëshe. Tek kthesa, i brengosur, i lodhur moralisht dhe shumë i dëshpëruar, në hyrje takoj vëllanë, Hajnen, me makinë. Ai donte të merrte miell për shtëpinë. Shkuam vetë te magazina e një firme, e cila ishte vendosur përpara Firmës Ndërtuese Malajziane. Ajo kishte kapitulluar, me kapanone, punëtorë të larguar, materiale dhe menza ku rrinin e hanin punëtorët. Pra, shteti nuk funksiononte. Ai kishte marrë fund për ato momente.


