Këtu është një foto arkivore e Lisa Marie Presley në 2015. Foto: CHRIS DELMAS
BT.dk – Përktheu Arben Çokaj
Këngëtarja dhe tekstshkruesja Lisa Marie Presley, vajza e Elvis Presley, ka vdekur në moshën 54-vjeçare.
Kështu ka thënë nëna e saj, Priscilla Presley, për revistën People.
“Me zemër të thyer më duhet të ndaj lajmin e tmerrshëm që vajza ime e bukur, Lisa Marie, na ka lënë”, shkruan Priscilla Presley në një deklaratë për People të premten mbrëma me orën tonë.
Sipas revistës, të enjten, Lisa Marie Presley u dërgua me ambulancë nga shtëpia e saj në Calabasas, Kaliforni në një spital, si pasojë e një arresti të mundshëm kardiak.
Fotografia e Lisa Marie Presley me nënën e saj, Priscilla Presley, e vitit 2006.
Foto: TIM SLOAN
Vetëm dy ditë më parë, ajo kishte marrë pjesë në Golden Globes me nënën e saj dhe aktorin Austin Butler, i cili luan rolin kryesor në filmin “Elvis”.
Këtu, 31-vjeçari Butler fitoi çmimin për aktorin më të mirë për interpretimin e tij si Elvis Presley në filmin biografik të Baz Luhrmann për mbretin e rock’n’roll.
Lisa Marie Presley lindi në Memphis, Tennessee, më 1 shkurt 1968. Pikërisht nëntë muaj pas martesës së prindërve të saj.
Në atë kohë, babai i saj ishte duke ecur mirë në karrierën e tij, por Lisa Marie dhe pjesa tjetër e botës nuk arritën ta shijonin atë për shumë kohë. Në gusht 1977, ai u gjet i vdekur në shtëpinë e tij, Graceland, në Memphis.
Nëntë vjeçarja Lisa Marie ishte në shtëpi kur ndodhi. Në atë kohë, prindërit e saj ishin divorcuar për katër vjet.
Elvis Presley la një trashëgimi të madhe. Babai i Elvisit dhe më vonë Priscilla Presley u bënë administratorë të pasurisë.
Kur Lisa Marie mbushi 25 vjeç, ajo ishte e vetmja trashëgimtare e mbetur e pasurisë së Elvisit, e cila në atë kohë ishte rreth 100 milionë dollarë.
Lisa Marie Presley jetoi një jetë me shumë trazira dhe pluhur yjor.
Ajo u përpoq të ndiqte hapat e të atit si muzikante. Ajo arriti disa suksese, por askund afër babait të saj të famshëm.
Gjatë karrierës së saj, Lisa Marie Presley publikoi tre albume.
Ajo pati katër martesa të dështuara, duke përfshirë 21 muaj martesë me yllin e ndjerë të popit Michael Jackson dhe tre muaj martesë me aktorin Nicolas Cage.
Para martesës me Michael Jackson, ajo ishte e martuar për gjashtë vjet me muzikantin Danny Keough, me të cilin pati dy fëmijë.
Në vitin 2006, ajo u martua me Michael Lockwood, i cili luante kitarë në grupin e saj. Dy vjet më vonë, Lisa Marie Presley lindi binjakë, por martesa nuk zgjati. Ajo dhe Lockwood u divorcuan në vitin 2016.
/ritzau/