Hajdin Morina
NANË AS NËNË MOS M’I THONI NANËS
Nënë mos m’i thoni nanës
as nanë mos m’i thoni nënës,
sepse kështu e thërrasin të rënët,
ata që i ka nana te rrënjët.
Kosovës mos m’i thoni
as nanë as nënë
se pllajave të shpirtit tim
fort po fryn ofshamë e atdheut
ngarkuar me ne mbi shpinë.
HANËMET E DEMOKRACISË
Prapa perdes së avullit
Në ritualin demokratik
Të kafes e thashethemnajës
Para vetes u dalin gjyshet
Kalldrëmit të verdhë të kasabasë
Nga sarajet në pazar
Lirë me ble aq lirë
Gjithë arin e vjeshtës të fshatit tim
E çorapet e leshta e dorezat
Që thurën mes reve të zeza të bishtukut
E nën rigat e lotit nënat
Gjatë ritualit zyrtar të fallit
Zi e terr ëndërrojnë
Hanëmet e maskaradës.
TEST STANDARD
A më dhemb ti mua?
Unë ty a të dhemb?
Nuk ka test tjetër
për me matë atdheun.
PASTAJ
Pastaj krejt ç’u llafos
mejhaneve të kasabasë,
në një defter bakalli
e regjistroi tellalli.











