
Shkruan: Ajete ZOGAJ
Shefqet Dibrani, “Ditar mërgimi” botoi “Rilindja” Prishtinë, 1998
Libri “Ditar mërgimi” i poetit Shefqet Dibrani, edhe pse i botuar vite më parë (1998), ruan freskinë e vargut, ngjall emocione të veçanta tek lexuesi, dhe sikur ‘lëshon kushtrimin’ të qëndrojmë në atdhe e ta duam vendin tonë.
Hyrje
Mërgimi kjo plagë e hidhur përcolli ndër vite shqiptarët, duke shkaktuar dhembje shpirtërore në familjet tona, dhe mungesë të rinisë në atdhe. Kjo dukuri e dhimbshme, u bë gurrë frymëzimi ndër vite në forma të ndryshme të artit, në krijimtarinë popullore e në atë artistike. Është poeti, publicisti e autori Shefqet Dibrani, i cili në mënyrë të veçantë me penën e tij të mprehtë, në vargjet e tij, ngjashëm si rilindësit tanë, sjellë dhembjen e mërgimtarit për vendin e të parëve e për atdheun e munguar.
Libri “Ditar mërgimi” i poetit Shefqet Dibrani, edhe pse i botuar vite më parë (1998), ruan freskinë e vargut, ngjall emocione të veçanta tek lexuesi, dhe sikur ‘lëshon kushtrimin’ të qëndrojmë në atdhe e ta duam vendin tonë.
I strukturuar mbi përvojën e hidhur të mërgimit dhe jetës së mërgimtarit, të degdisur gjithandej globit, poezitë e këtij libri, artikulojnë një diskurs artistik dhe estetik duke ndërlidhur kujtesën personale, dhimbjen kolektive të një kombi dhe ndenjën e thellë të atdhedashurisë. Dhe, këtë e ka realizuar bukur, poeti Shefqet Dibrani.
“Mërgimtarët” është poezia nistore e këtij libri dedikuar të gjithë atyre që morën rrugën e hidhur të mërgimit. Në këtë poezi autori trajton dramën njerëzore të mërgimit dhe pasojat që sjellë largimi nga atdheu.
“Kam parë mijëra fytyra mërgimtarësh
Me rrudha e djersë të ftohtë ballit”[1]
Në këto vargje autori pasqyron në mënyrë artistike lodhjen fizike e shpirtërore të mërgimtarëve, ku rrudha dhe djersa e ballit paraqesin jo vetëm lodhjen fizike nga puna e rëndë, por edhe vuajtjet dhe sakrificat e mërgimtarit larg familjes dhe atdheut të tij.
Në vargun e tij, poeti Dibrani, përmes figurash stilistike të përdorura mjeshtërisht, me krahasime të cilat janë dhënë në mënyrë estetike, sjell situata të ndryshme në të cilat kalon jetën mërgimtari, vuajtjet dhe sakrificat e tij. Është poezia, ajo që sado pak ia zbutë dhembjen dhe mallin. Me gjembat autori simbolizon vështirësitë e jetës së mërgimtarit, kurse kënga simbolizon ruajtjen e identitetit kulturor e kombëtar, e këtë e dëshmojnë vargjet:
“Si valle vashash lëvizjet e tyre
Nëpër lule gjemba hedhin hapin
Zëra këngësh u dalin nga goja malli”[2]
Vargjet e kësaj poezie, paraqesin mërgimtarin të durueshëm e me qëndrim të palëkundur për t’u përballur me dallgët e jetës së mërgimit. Mërgimtari në poezinë e poetit, nuk ligështohet, as nuk përulet, kurse mallëngjimi për atdheun e vendlindjen nuk e dobëson, nuk e shkatërron, por e bën më të vetëdijshëm e më krenar për rrënjët e tij.
Libri është strukturuar në gjashtë cikle: “Terri më kaplon”, “Mbi Pikëllimë”, “Metamorfozë gjaku”, “Zëra në rrugë”,“Duke ëndërruar lirinë” dhe cikli i fundit “Studio mërgimtari”. Po thuajse në të gjitha ciklet, autori ka trajtuar temën e mërgimit por edhe dashurinë për atdheun, vendlindjen, gjuhën dhe rrënjët tona. Disa nga poezitë, u kushtohen figurave të rëndësishme të historisë sonë kombëtare por ka edhe poezi përkushtuese, si: Agim Spahiut, vajzës së tij të porsalindur Donikës (vajza e autorit Shefqet Dibrani) dhe gëzimit që i solli ardhja e saj në jetë te poezia “Haber” etj.
Mërgimi dhe identiteti i munguar
Në poezinë e Dibranit, mërgimi nuk është vetëm zhvendosje fizike, por edhe një gjendje e rënduar emocionale e shpirtërore, e cila reflekton në vargjet e shumicës së poezive të këtij libri.
Në poezitë: “Mos më pritni”, “Mërgimet” dhe “Terri më kaplon”, subjekti lirik artikulon një vetëdije të ndarjes së dyfishtë: nga vendi dhe nga njerëzit e dashur.
Poezia “Mos më pritni”, trajton largimin i cili nuk shfaqet si akt i përkohshëm, por si fat i pakthyeshëm ekzistencial. Pritja e tjetrit shndërrohet në një hapësirë të zymtë, ku koha nuk ecën më në mënyrë lineare, por mbetet e ngrirë. Kjo poezi e ngarkon mërgimin me dimension ontologjik: ai nuk është vetëm largim fizik nga atdheu, por edhe mungesë shpirtërore. Te poezia “Mërgimet”, autori përvojën individuale e shndërron në përvojë kolektive.
Tek poezia “Kur më hip mërzia”është artikuluar malli për vendlindjen dhe rikthimi shpirtëror në atdhe në çaste delikate të vetmisë. Vargu: “Kur më hip mërzia” shndërrohet në boshtin emocional të gjithë poezisë.
Në vend që të kërkojë shoqëri apo zbavitje, subjekti lirik tërhiqet në vetvete dhe fillon dialogun me kujtesën, duke krijuar urë lidhëse mes të tashmes dhe të së kaluarës, atëherë kur poeti kujton kohën e fëmijërisë:
“Kur më hip mërzia
I bie tërthor qytetit
Nuk i flas askujt as e përshëndes […]
Kujtoj këngët e fëmijërisë lojërat mbi bar
Llastikun kur gjuaja zogj […]
Herë qaj e herë harlisem
Zë e mëkoj dhembjet e mërgimtarit
Të gjitha ndodhin
Kur më hip mërzia
E mendja më kthehet në Kosovë
Atje te shtëpia ime[3]
Një detaj konkret që e bën kujtesën autentike dhe prekëse është edhe vargu, Llastikun kur gjuaja zogj”.
Vargu “Kur më hip mërzia” përsëritet disa herë dhe krijon ritëm emocional, duke theksuar gjendjen e vazhdueshme të mallit. “Kur më hip mërzia” është një poezi intime dhe meditative, kur malli për vendlindjen shndërrohet në forcën kryesore që ruan identitetin e mërgimtarit.
Ndërsa në poezinë “Terri më kaplon”, dimensioni ekzistencial thellohet në planin metafizik. Trupi dhe vetëdija shfaqen të huaja ndaj vetvetes, ndërsa sëmundja dhe errësira shndërrohen në simbole të kufirit midis qenies dhe mosqenies.
Poezia “Zemra ime qëndro” ndërtohet mbi një tension të vazhdueshëm ndërmjet rraskapitjes ekzisnteciale dhe imperativit të mbijetesës shpirtërore.
Që në vargun hapës, poeti vendos një figurë të pazakontë e të fuqishme “Si tambluca nëpër mure u bëra o Zot”. Kjo metaforë e identifikon subjektin lirik me një qenie të vogël, të brishtë dhe të padukshme, e cila endet në skajet e ekzistencës. Nuk është vetëm një figurë e vetmisë, por edhe e humbjes së përmasës njerëzore përballë botës. Thirrja “ o Zot” e vendos menjëherë poezinë në një horizont metafizik, ku dhimbja nuk i drejtohet vetëm njerëzve, por edhe një instance më të lartë morale e shpirtërore.
Kujtesa është boshti kryesor rreth së cilës është krijuar poezia “Zemra ime qëndro”, dhe se ‘një thes plot kujtime e rëndon’, i konkretizojnë kujtimet të cilat në vargjet e Dibranit nuk janë ngushëllim por janë barë, janë arsyeja e mbijetesës dhe shkaku i vuajtjes. Në nivelin strukturor, poezia mbështetet në dy refrene që funksionojnë si shtylla semantike: “Zemra ime qëndro” dhe “Shpirti im ki guxim” duke krijuar përsëritje stilistike. Motivi i nënës zë vend qendror në universin emocional të poezisë.
Thirrja “ Oh Nënë” përbën kulmin lirik të tekstit. Në traditën shqiptare, figura e nënës shpesh tejkalon dimensionin biologjik dhe bëhet simbol i vendlindjes, gjuhës, kujtesës kolektive dhe identitetit kombëtar. Kur poeti thotë : “E largët më je si hënë”, ai përdor një krahasim me intensitet të lartë emocional. Hëna është e dukshme; e pranishme në shikim, por jo në prekje. Pikërisht kështu paraqitet edhe nëna – ose atdheu – në vetëdijen e mërgimtari (poetit).
“Oh Nënë
E largët më je si hënë
E ndjenjat rrinë atje
Atje ku zemra imë qëndro
E shpirti dridhet si gjeth
Shpirti im ki guxim
Si tambluca nëpër mure u bëra o Zot”[4]
Përdorimi i figurave konkrete- muri, thesi, burimi, hëna, gjethi – krijojnë një sistem simbolesh që i japin poezisë një karakter të prekshëm dhe njëkohësisht meditativ. Në esencë, poezia “Zemra ime qëndro” është një elegji e mërgimit dhe e mallit, por edhe një himn i heshtur i qëndresës njerëzore. Pikërisht, në këtë ndërthurje të dhimbjes dhe shpresës qëndron bukuria e saj poetike. Mjaft e realizuar dhe tejet prekëse është edhe poezia “Mos më pritni” në të cilën poezi autori shprehë mallin dhe mungesën e atdheut derisa në kulmin e mërzisë, dialogun me babanë e moshuar të cilin e kishte lënë në Kosovë.
“Në pritje të gjata mos u thinj babë
Ditën e kthimit nuk ua them dot
Nuk e di”.[5]
Figura e atdheut dhe simbolika e kthimit
Atdheu në poezinë e Dibranit i ngjason figurës amësore. Kosova dhe Shqipëria shfaqen si entitete të gjalla, të personifikuara, që mbajnë mbi vete kujtesën dhe dhimbjen kolektive.
Në poezinë “Larg” autori shpreh dhimbjen e mërgimtarit që jeton larg vendlindjes. Kontrasti midis ‘mallit këtu e unë atje’ krijon ndjesinë e ndarjes së përhershme. Përmes Llapit dhe Dardanisë e lidh mallin me hapësirën konkrete shqiptare, ndërsa metafora “vullkan i mallit” tregon se as ujërat e ftohta nuk mund ta shuajnë dëshirën për t’u kthyer.
“Malli këtu e unë atje
Atje tek uji i ftohtë i Llapit
Që s’e shuan vullkanin e mallit
Por gjerj kur gjer kur
Larg do të jetë vendlindja
Sytë e mi mbetën nga Dardania”[6]
Në poezitë: “Do të vij” dhe “Imazh”, kthimi në atdhe nuk është vetëm dëshirë, por nevojë ontologjike. Vargu i përsëritur “Do të vij” funksionon si refren i identitetit të papërfunduar. Kthimi është rikthim te vetvetja, jo thjesht tek një vend.
Kosova paraqitet si hapësirë ku “të qeshurat dhe lotët kanë tjetër kuptim”, duke vlerësuar se, përvoja emocionale e njeriut është e kushtëzuar nga vendi i origjinës. Këtu, vendlindja shndërrohet në kategori epistemologjike të ekzistencës.
Poetikë e mallit dhe figuracioni simbolik
Poezia e mallit në krijimtarinë e Dibranit ndërtohet përmes një sistemi të pasur simbolesh: shtëpia, burimi, nëna, mali, lumi, gjaku, etj.
Burimi simbolizon origjinën dhe pastërtinë e identitetit; shtëpia përfaqëson qendrën emocionale; ndërsa nëna shfaqet si figurë arketipale e atdheut.
Malli nuk është thjesht ndjenjë, por mënyrë e të menduarit poetik në poezinë e Shefqet Dibranit.
Elegjia si forme e kujtesës
Në poezitë “Pikëllimë mbi Prizren”, “Portret i paharruar” dhe “Një tufë lule”, autori krijon një univers poetik të ndërtuar mbi mungesën, mallin dhe përpjekjen për ta mbajtur të gjallë kujtimin e njerëzve që nuk jetojnë më. Në qendër të këtij universi qëndron Maja e Pikëllimës, një nga majat e masivit të Koritnikut, e cila në tekstin poetik tejkalon funksionin e saj gjeografik dhe shndërrohet në simbol të kujtesës, të vuajtjes dhe lidhjes së pashkëputshme ndërmjet të gjallëve dhe të vdekurve.
Poeti Shefqet Dibrani e vendos lexuesin përballë një peizazhi emocional ku hapësira fizike ndërthuret bukur me hapësirën emocionale e shpirtërore të vëllezërve të të dy pjesëve të kufirit:
“Mes nesh Pikëllima
Vëlla i dhembjes së Madhe
Një det lot bore
Për mua e gjyshin
Vrarë e varrosur në Prizren”[7]
Përmes metaforës “Vëlla dhimbjes së Madhe”, autori e bën dhembjen për ndarjen e padrejtë pjesë të identitetit familjar dhe kombëtar. Figura stilistike ‘Një det bore’ bashkon dy elemente që në dukje u takojnë fushave të ndryshme semantike. Loti bart ngarkesën e vuajtjes, ndërsa bora personifikon ftohtësi, heshtje dhe qëndrueshmëri. Bashkimi i tyre krijon një peizazh të ngrirë të kujtesës, ku dhimbja është bërë pjesë natyrës dhe qenies sonë.
Hapësira gjeografike në këtë poezi deri te mali i Gjallicës, në mënyrë metaforike simbolizon historitë njerëzore dhe i plagët që bartën në kohë vëllezër e një gjuhe e gjaku të ndarë padrejtësitë me kufij, atë ndarjen e padrejtë Shqipëri – Kosovë.
Prizreni nuk paraqitet vetëm si qytet por si vend i kujtesës, ku ruhen gjurmët e jetëve të humbura.
Poezi mjaft e realizuar është edhe poezia “Portreti i paharruar” kushtuar poetit nga Kukësi, Agim Spahiut:
“Shpesh të grafullonte gjoksi si tambli në flakë
Ishe shend e verë i freskët i gjallë
Qelq i tejdukshëm si natyra pas shiut
Shpirt që lexohej në bebëz të syrit”[8
………………………………………………
“Qelq i avulluar që hesht prore
Shpirt që s’lexohej në asnjë dritë”[9]
Në këto vargje, figura e Agimit shfaqet e mbushur me energji jetësore, ndërsa përballë këtij portreti qëndron subjekti lirik i cili është tejet i realizuar.
Kontrasti ndërmjet “qelqit të tejdukshëm” dhe “qelqit të avulluar” është një nga figurat më të arrira të poezisë. Kjo antitezë shpreh jo vetëm dallimin mes dy karaktereve, por edhe përplasjen ndërmjet jetës dhe vetmisë, ndërmjet dritës së kujtimit , mjegullës dhe mungesës. Poeti arrin të ndërtojë kështu një portret që nuk mbështetet në përshkrime të drejtpërdrejta, por në gjendje emocionale dhe simbolike.
Në poezinë “Një tufë lule” poeti Dibrani e zhvendos vëmendjen nga kujtimi individual drejt ritualit të kujtesës kolektive. Vendosja e luleve mbi varrin e Hamdi Spahiut paraqitet si një akt simbolik që kapërcen kufijtë e kohës:
“Lulet do t’ia ujis me lot të fëmijëve”[10]
Loti zakonisht është simbol i dhembjes, që poeti mjeshtërisht në vargun e tij e shndërron në element kujtese. Përmes kësaj metafore, autori gjakon ta ruaj këtë kujtim tek gjeneratat që do të vijnë, simbolikisht te fëmijët e tij, duke i dhënë poezisë dimensionin e amanetit.
Përmes një ligjërimi të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht, poeti arrin të krijojë një elegji moderne të kujtesës familjare. Këto poezi dëshmojnë se harresa mund të sfidohet përmes fjalës poetike. Pikëllima nuk mbetet vetëm një majë e Koritnikut, por bëhet një metaforë e shpirtit që ruan, përtej kohës, emrat dhe dashurinë për ata që nuk janë më.
Mjeshtërisht, poeti i Shefqet Dibrani, artikulon përjetim e thellë të atdheut përmes figurave poetike që burojnë nga tradita, kujtesa dhe përvoja historike, duke e cilësuar Kosovën si “kënga më e bukur”. Kënga, në kulturën shqiptare, është bartëse e kujtesës kolektive, e historisë dhe e shpirtit të një populli. Përmes kësaj metafore, Kosova shndërrohet në një melodi identitare që jeton në ndërgjegjen e individit dhe të kombit.
Vargu “Qëndisur me gishtërinj nusërie” sjell një figurë të veçantë poetike. Qëndisma është simbol i punës së kujdesshme, i durimit dhe i krijimit artistik. Ndërkaq, “gishtërinjtë e nusërisë” lidhen me pastërtinë, vazhdimësinë e jetës dhe traditën. Në vazhdim, poeti shkruan se ajo është “këmishë për çdo stinë”.
“Është kënga më e bukur
Qëndisur me gishtërinj nusërie
Është këmishë për çdo stinë
E varr i hapur në zemër
Është dhembje që plas shpirtin
Unë e quaj thjesht
Kosovë”[11]
Përmbyllja e vargut me shprehjen: “Unë e quaj thjesht / Kosovë”, është një moment i fuqishëm poetik. Pas një vargu metaforash dhe simbolesh, poeti zbulon emrin që përmbledh të gjitha kuptimet e mëparshme. Fjala “thjesht” krijon një kontrast domethënës: ajo që duket e thjeshtë në emërtim, por ka në vetvete bukurinë e këngës, finesën e qëndismës, ngrohtësinë e këmishës dhe peshën e dhimbjes historike. Kosova shfaqet jo vetëm si vend, por si përvojë shpirtërore e qëndisur në kujtesën dhe zemrën e njeriut.
Motivi i amanetit dhe lidhja me vendlindjen
Në poezinë “Amanet i hershëm” shfaqet motivi tradicional shqiptar i amanetit. Subjekti lirik dëshiron që edhe pas vdekjes të mbetet i lidhur me elementet identitare të vendit të tij. Lumi Drin dhe krahina e Llapit shndërrohen në simbole të përkatësisë kulturore dhe shpirtërore.
“Nëse vdes pa lënë amanet
Me ujë Drini më lani
Më mbuloni me këngë Llapi
Dhe mos më qani
Se halli e malli lot
S’më panë kurrë
Jetën në sy e pashë
Si burrë”[12]
Poezia shpreh një qëndrim stoik ndaj jetës dhe vdekjes. Vargjet “Dhe mos më qani / Se halli e malli lot / S’më panë kurrë” paraqesin figurën e njeriut që e ka jetuar jetën me dinjitet dhe burrëri. Kjo qasje përfaqëson një vlerë tradicionale shqiptare, ku nderi dhe qëndrueshmëria morale janë kode jete dhe ekzistenciale.
Kulti i dëshmorëve dhe ideali i lirisë
Poezia “Në kodër të Prishtinës” i kushtohet figurave të rezistencës kombëtare Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës. Këtu poeti Shefqet Dibrani krijon një himn poetik për sakrificën dhe idealin e lirisë. Simbolika e lisit, zjarrit dhe yjeve krijon një atmosferë heroike, ku dëshmorët paraqiten si figura të pavdekshme në kujtesën kolektive. Në vargjet e autorit është portretizuar bukur figura e nënës Ajshe, nënës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës, pastaj Esat Mekulit, Aleksandër Moisiut, Adem Istrefit, e Shime Deshpalit.
Kujtesa historike dhe identiteti kombëtar
Në poezinë “Llapi” hapësira gjeografike shndërrohet në identitet shpirtëror dhe kombëtar. Llapi nuk është vetëm një vend, por trup i kombit, kujtesë e rezistencë, e këtë më së miri e dëshmojnë vargjet:
“Në zemer të Dardanisë e kemi Llapin
Llapin- palcë e kombit
…………………………………
Lapit ik barbari kah ka ardhur
Llapit del djalli i xi me shtatë sy”[13]
“Llapi – palcë e Kombit”, e ngre këtë krahinë në nivel simbolik, ku territori bëhet metaforë e ekzistencës kombëtare. Në poezi, historia dhe miti bashkohen. Armiku përfytyrohet në formë alegorike (“barbari i zi me shtatë sy”), ndërsa figurat e rezistencës përmenden si pjesë e kujtesës së gjallë.
Llapi paraqitet si hapësirë ku jeton kujtesa, ruhet dinjiteti dhe mbijeton shpresa.
Te poezia “Testament” autori edhe një herë i kthehet kodit të vjetër shqiptar amanetit apo testamentit. Këtë e shpreh në vargjet:
“Kur të vdes më ktheni në Gërdofc
Me qira të përjetshme
Më siguroni për banim
Dy pashë vend
Te Krekci plak varrin ma bëni
Ma ktheni kokën nga dielli
Në të majtë vend t’i lini babait
Dhe në mes
Një trëndafili”[14]
Amaneti i kthimit pas vdekjes në Llap dhe struktura e varrit imagjinar është realizuar bukur nga poeti Shefqet Dibrani, duke përligjur lidhjen e pandashme me vendlindjen, e gjithë kjo në një sfond artistik të simbolikës familjare (e për shqiptarët familja është e shenjtë) duke u shndërruar në ritual përjetësie e dashurie.
Është mjaft prekëse dhimbja që jepet në vargun vijues të poezisë “Testament”:
“Kujdes Nënën se më verbohet
Tërë jetën u rrita pa duart
Larg zemrës larg shpirtit të saj”[15]
Kulmi i poezisë është kthimi mitik:
“Si Konstandini në kalë të bardhë
Dhe plagët do t’ia shëroj Gjergj Elez Alisë”[16],
Duke ndërthurur figurat legjendare të Konstandinit (baladat shqiptare) dhe Gjergj Elez Alisë. Këto figura e shndërrojnë testamentin në premtim për rikthim.
Përfundim
Poezia e Shefqet Dibranit ndërtohet mbi një sistem kompleks tematik ku mërgimi, kujtesa, atdheu dhe identiteti bashkohen në një strukturë të unifikuar estetike dhe filozofike. Ajo nuk është vetëm shprehje e përvojës personale, por artikulim i një gjendjeje kolektive historike dhe ekzistenciale. Përmes një gjuhe të pasur me figura stilistike, metafora, krahasime dhe momente elegjie, ngjallë tek lexuesi emocione, dhe dashuri ndaj atdheut.
Autori ia ka arritur të krijoj poezi ku dhimbja shndërrohet në kujtesë, kujtesa në identitet dhe identiteti në formë rezistence. Në shumicën e poezive të këtij libri dominon toni epiko-lirik.
Shefqet Dibrani në librin “Ditar mërgimi” krijon ‘faqe ditari” nga jeta e mërgimtarit, ecejaket dhe qëndresën përball dhimbjes së mungesës së atdheu. Në këtë kuptim, krijimtaria e tij mund të lexohet si një arkiv poetik i përvojës së mërgatës shqiptare dhe si një dëshmi e fuqishme e lidhjes së pandashme mes mërgimtarit dhe atdheut të tij.
Prishtinë, 17 qershor 2026
[1] Shefqet Dibrani, “Ditar mërgimi”, botoi “Rilindja”, 1998, fq. 5
[2] Po aty, fq. 5
[3] Po aty, fq. 9
[4] Po aty, fq. 7
[5] PO aty, fq. 10
[6] Po aty, fq, 14
[7] Po aty, fq. 23
[8] Po aty, fq. 24
[9] Po aty, fq. 24
[10] Po aty, fq.25
[11] Po aty, 35
[12] Fq. 69
[13] PO aty, fq. 87
[14] Po aty, fq. 114
[15] Po ati, fq.114











