Përtej fjalëve të rënda: një ngjarje që ndryshoi botëkuptimin e ofenduesit

0
332
Naser Aliu

Lis Bukuroca

Ruajtja e zemërimit është si kur një njeri pi helm dhe pret që nga ai helm, të vdesë dikush tjetër.Buda

Të shtunën e kaluar në orën 03:54 të mëngjesit, në gjendje shumë të dehur, më kishte dërguar një mesazh zanor: me ofendime, paragjykime dhe sajesa. Mesazhi ishte i gjatë katër minuta e 17 sekonda. E dëgjova në mëngjes gjatë kohës kur po pija kafen, por nuk e mora në telefon për të marrë vesh arsyen e atij shpërthimi. Shpërfillja në raste të tilla, thashë vetë me vete, është më e dobishme dhe më e vlefshme sesa kundërveprimi i njëllojtë.

Të hënën, tetë pa pesë minuta, u shfaq në zyrën time. U ndal para tryezës së shkrimit dhe po priste duke më parë drejtë e në sy disi me keqardhje. Unë e përshëndeta si gjithmonë, si çdo njeri. Në orën nëntë kisha një takim të rëndësishëm dhe mendërisht isha i përqendruar krejtësisht në një çështje tjetër dhe më një vend tjetër.

– “A bën të ulem?”, më pyeti.
– “Natyrisht,” i thashë, “e dëshironi një kafe?” shtova, gjersa po ngrihesha për ta bërë një për vete. Ai solli kryet majtas e djathtas.
– “Ju kërkoj ndjesë një mijë herë!”, – tha ai. – “Më falni ju lutem! Ajo sjellje më bën të ndihem me turp, tmerrësisht keq, qysh nga e shtuna…”

– Ah, ju lutem, nuk keni arsye!, – ia ktheva unë. Ishte një gabim foljor. Ne jemi njerëz dhe herë pas here gabojmë. Edhe unë dje gabova me bashkëshorten time dhe u desh t’i kërkoj ndjesë. Kur kërkojmë të falur, dëshmojmë pjekuri dhe mençuri, sepse kemi kuptuar gabimin, sepse nga ajo ngjarje kemi mësuar. Dhe, i nderuar, kuptoni se unë nuk u preka nga ato fjalë. Edhe unë gaboj, madje edhe duke u përpjekur për të shmangur pikërisht gabimet.

– Kjo mossharje nga ju, – më ndërpreu ai, dhe mënyra si më falni, duke i hequr vrazhdësinë sjelljes sime, më rëndon edhe më shumë.
Pse?, – e pyeta.
– Nuk kuptoj, pse nuk më ofenduat edhe ju. Ndoshta atëherë pasojat do të më kishin lehtësuar pak fajin tim. Kisha ndërtuar në mendje një skenar për përballimin e sotshëm në zyrë. Madje, pata imagjinuar edhe mundësinë e ndalimit për të hyrë brenda. Zakonisht, njerëzit ndjekin atë rrugë…

– Ju kuptoj! Edhe unë isha i edukuar të keqes t‘i përgjigjem me të keqe apo me më të keqe. Para një njeriu agresiv, duhej të tregohesha më agresiv se ai. Para budallait, të sillesha si më budalla sesa ai, para gomarit të tregohem më gomar se gomari, para derrit më derr se derri dhe para kriminelit, më kriminel sesa ai vetë. Merreni me mend këtë ju lutem: personaliteti im të jetë i ndryshueshëm dhe jo i qëndrueshëm, domethënë të jetë i komandueshëm nga jashtë: domethënë të kem një karakter laviri dhe ta ndryshoj sa herë që e dëshiron dikush, edhe atë dikush që ka probleme.

Unë mundohem të përmirësoj veten vazhdimisht. Kam pasur deficite edukative në shumë fusha. Kam ndryshuar, edhe te ai parim sesi të sillem në çaste absurde, dramatike. Pra, unë reagoj sipas mendimit tim, jo ashtu si më patën mësuar, e as si presin të tjerët. Arsyeja? Unë dua të jem vetvetja, jo ata, por vetëm unë dhe jo kopja e huaj brenda vetes sime.

Ti ishte i dehur në atë ditë?, – e pyeta në fund.
– Po! Madje shumë i dehur!, – tha ai duke tundur kokën dhe duke ngritur shikimin drejt tavanit. – Jo shumë, por tepër shumë një shishe uiski… Fatkeqësisht!
– Dhe ti prisje të ju shaja edhe unë sot?!
– Po! E prisja qysh të shtunën. E pata marrë me mend se do të ma ktheje me të njëjtën monedhë….

– Tani po gaboni edhe tri herë tjera…
– Pse?, – më ndërpreu i habitur.
– E para, ju prisnit të sillem unë mu si ju kur ishit i dehur apo jo?
– Po! Në fakt, po…
– Mirëpo, ju po e shihni se unë nuk jam i dehur?!
– Po!

– E dyta, ju po prisnit të sillem në një rol social, që nuk e kam: si gjyqtar të shpreh një dënim në përputhje me atë që e paskeni merituar dhe gabimi i tretë, ju keni ardhur sot me paragjykime.
– Pse me paragjykime?
– Sepse besonit se e dinit si do të sillesha unë sot, apo jo?

Nuk tha asgjë. Ai heshti.

– Të shohim tutje ngjarjen: ju më ofenduat sepse kishit një apo disa telashe, apo jo?!
– Po!
– Dhe ju e dini mendimin e regjisorit dhe aktorit Heinz Rühmann se “brengat nuk mbyten në alkool, sepse ato dinë të notojnë”?
– Po, e di!
– Në orën 03:54 një shishe uiski në dorë dërgon mesazhe për një apo disa probleme të mëdha. Sikur të ju kisha ofenduar unë, ashtu si ju, nuk do të kishim pasur një problem si këtu tani, por së paku katër probleme.

– Katër? Pse katër?, – pyeti ai i çuditur.
– Ja pse: sikur të ju kisha ofenduar unë, atëherë do të më kishte brejtur ndërgjegjja edhe mua. Të shtunën apo sot.

Një sharja, dy ndërgjegjja. Ndoshta në fillim hakmarrja duket e mirë, por pastaj pason analiza nga mendja e shëndoshë, nga instanca kryesore. Aty do të shfaqej pastaj ndërgjegjja ime si gjykatës kundër meje. Për të arritur në atë gjendje të dehur si ju, duhej ta absorboja shpirtërisht ato ofendime,  t’i përvetësoja dhe t’i përjetoja si diagnozë të vërtetë. Jo vetëm atë, por të ju konsideroja juve si krye-autoritet kompetent për të përkufizuar personalitetin tim. Kjo është arsyeja pse kurrë ofendimet nuk i konsideroj si diagnoza nga një ekspert, por vetëm si simptoma të ofenduesit.

Ai ka vërtetë një problem të madh, me shishe apo pa të, prandaj ai nuk ka nevojë për gjykim, por për ndihmë. Kështu e perceptoj unë botën tash e nja dy dekada. Qëndrimin tim, Buda do ta kishte quajtur dinjitoz dhe mospërgjigjen do ta merrte si refuzim të dhuratës, si dhuratë që përpiqej dikush të ma jepte me dhunë. Edhe Konfuci ka një këshillë plotësuese dhe shumë ndihmuese për këtë çështje: “Para se të ndërmarrësh rrugën e hakmarrjes, hap dy varre!“

Ai solli kokën i hutuar dhe mori frymë thellë.

– Ju thatë do të kishim katër probleme, i numëruat vetëm dy…
– Po. Një sharja juaj, dy sharja ime, tre ndërgjegjja ime, katër ndërgjegjja juaj. E pesta ndoshta do të duhej të ishte gjykata…

Sidoqoftë po ju tregoj një përjetim gati të përditshëm, por mos e merrni si ofendim ju lutem; nuk dua dhe nuk e kam ndërmend ta bëj. Konsiderojeni vetëm si ilustrim shtesë. Tash e tri vite pas punës eci e vrapoj mesatarisht 12 km në ditë. Nuk tymoj më cigare. Pas diku 50 cigareve në ditë. Në dalje të qytetit ngrihet një vilë përrallore me një oborr të madh. Sa herë i afrohem rrethojës së gjelbër, një bub, një qen i vogël nxiton në drejtimin tim duke lehur. Pse leh qeni? Qeni leh sepse ka frikë! Druan se po i cenohet sfera private. Pse bërtet njeriu? Njeriu bërtet sepse ka frikë ose sepse nuk e do dikë, sepse nuk ka respekt për të. Pse shan? Sepse ai ka probleme!

Humbja e kontrollit të emocioneve quhet nga Daniel Goleman, mungesë e inteligjencës emocionale. Edhe ju e dini këtë. Më besoni, kjo skenë me qenin përsëritet tash e dy a tri vite dhe e dini si reagoj unë?
– Jo!
– Unë nuk jam ndalur asnjëherë për të lehur kundër qenit! Sigurisht e pret ai lehjen time, por unë e pranoj sjelljen e tij ashtu is shfaqet, por nëse reagoj si ai, unë do t‘isha qeni i madh, kurse ai qeni i vogël! Aty dëshmohet një diferencim. E pastaj si do të shquhej dallimi mes meje dhe tij? Dhe, fundi i fundit unë duhet ta ndryshoj vetveten, por jo domosdoshmërisht të tjerët.

– A më lejoni të ju përqafoj?, – unë përkula kokë në shenj pajtimi.
– Ju falënderoj për këtë leksion dhe u nis drejtë derës.

– Ndaluni ju lutem: qëllim im nuk ishte të dëshmohem sipëror, por vetëm paqësor, miqësor, as të ju zvogëloj juve; nuk dua të them se unë jam shumë më i mirë, por vetëm desha të nënvizoj atë fjalën e urtë gjermane, se e liga sapo të shfaqet, duhet të përpiqemi për ta zvogëluar dëmin, jo për ta rritur me hakmarrje, siç na patën mësuar në shtëpi.

Ai më shtrëngoi dorën dhe doli. Pas pak hapi përsëri derën dhe futi brenda vetëm kokën: “Nuk ishte aspak mirë ajo që ndodhi, ndihem shumë keq, por edhe pakëz i lehtësuar: ju e transformuat një konflikt të mundshëm në një mësim të madh për mua. Ju falënderohem edhe një herë, nga zemra.”, – tha ai dhe e mbylli derën.

Ishe 08:43 minuta. Unë mora çantën dhe u nisa për në takimin e paraparë. Kemi disa role sociale, thashë vet me vete, ndonjë nuk e luajmë si duhet dhe mund të shfaqen kokëçarje. Një njeri mund të jetë koleg i mirë, por prind i keq, burrë i mirë, por fqinj i lig. Shok i mirë, por vëlla jo i mirë e kështu me radhë. Por do të jemi gjithmonë në anën e drejtë, nëse e pranojmë se njeriu ka dinjitet dhe se ne nuk duhet t‘ia cenojmë.

E as nuk duhet ta vlerësojmë duke u bazuar vetëm në një sjellje, në një ngjarje, në një skenë, në një fjalë. Një njeri është një botë e tërë, me plot të mira dhe me plot të meta. Prodhimi i armiqve është shumë i lehtë, i miqve shumë i vështirë. Nuk ka njeri të përkryer, por ka njerëz që vazhdimisht përmirësojnë veten dhe ata që vazhdimisht besojnë se janë të përkryer…

Ps. Ngjarja është e vërtetë dhe jam përpjekur ta prezantoj në mënyrë sa më besnike pa shtuar, as pa ndryshuar asgjë. Profesioni dhe kombësinë e zotërisë nuk e ceka për të mënjanuar paragjykimet dhe klishetë, sepse njerëz me atë qëndrim dhe edukatë ka te të gjithë popujt. Titulli i kësaj ngjarje mund të ishte edhe: Refleksione mbi tolerancën dhe inteligjencën emocionale…”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.