Shkruan: Lekë Mrijaj
Para disa vitesh, gjatë leximit të librit të Robert Elsie-t, “Një fund dhe një fillim”, hasa në një mendim të fuqishëm të poetit Xhevahir Spahiu: “Tehut të shpatës kemi ecur rrufe, pastaj shpata ka ecur mbi ne.” Kjo frazë më të vërtetë më mbeti gjatë në kujtesë, e cila nuk është vetëm një figurë poetike apo një shprehje romantike, por një pasqyrë e dhimbshme e historisë sonë kombëtare, sa të lavdishme, aq edhe tragjike.
Shqiptarët pa dallim besimit fetar, në shumë etapa të historisë, kanë ditur të ecin të bashkuar mbi tehun e rrezikut me guxim të jashtëzakonshëm, por jo gjithmonë kanë ditur ta ruajnë atë që kanë fituar me gjak, sakrificë dhe mund. Mirëpo kur i kanë përfunduar betejat me armikun e jashtëm, shpesh kanë nisur përplasjet ndërmjet vetvetes. Kështu, shpata që dikur mbahej kundër pushtuesit, e them në kuptimin metaforik, ka filluar të rëndojë mbi ndërgjegjen, unitetin dhe të ardhmen tonë.
Sot, kjo thënie duket sikur po zbret nga faqet e një libri dhe po ecën përmes realitetit politik e shoqëror të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është një shtet i ri, i lindur pas një historie të gjatë vrasjesh, vuajtjesh, burgosjesh, përndjekjesh dhe përpjekjesh për liri. Ajo nuk është vetëm një territor i përcaktuar me kufij, por një amanet i shkruar me jetën e heronjve, martirëve, me mundin e brezave dhe me gjakun e të gjithë atyre që e dhanë jetën për liri.
Megjithatë, shteti nuk mbahet vetëm me kujtimet e luftës dhe me ceremonitë përkujtimore. Ai kërkon institucione të qëndrueshme, drejtësi të paanshme, përgjegjësi politike dhe një vetëdije të lartë qytetare.
Pikërisht këtu duket se po e marrim teporëzen dhe po çalojmë. Në vend që institucionet të jenë shtyllat e një shtëpie të përbashkët, ato shpesh po shndërrohen në fusha përplasjesh partiake të llojit të rrugaçëve. Në vend që politika të jetë arti i shërbimit ndaj qytetarit, ajo po perceptohet gjithnjë e më shumë si mjet egoje për pushtet, privilegje dhe interesa të ngushta.
Partitë politike, të cilat e marrin besimin nga elektorati, nuk duhet ta trajtojnë votën si një çek të bardhë financash për katër vjet, por si një përgjegjësi morale që duhet të dëshmohet çdo ditë. Vota e qytetarit nuk është pronë e partisë. Ajo është amanet që duhet tu plotësohet.
Kur pushteti mbyllet brenda vetvetes, qytetari mbetet jashtë dyerve të shtetit. Kur interesat personale ngrihen mbi interesin publik, demokracia e humbet kuptimin e saj.
Ndërsa, kur politika ushqehet vetëm nga përplasja, shteti fillon t’i ngjajë një anijeje, drejtuesit e së cilës zihen për timonin, ndërkohë që askush nuk kujdeset për drejtimin e saj.
Në këtë gjendje, një ndër plagët më të rënda është largimi i të rinjve dhe i kuadrove të përgatitura nga Kosova. Ata që duhej të ishin mendja, energjia dhe e ardhmja e vendit, po largohen në kërkim të një jete më të sigurt, të një pune më dinjitoze dhe të një shoqërie ku dija dhe puna vlerësohen.
Pra, çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një valixhe, por e merr një ëndërr, një profesion, një familje të ardhshme dhe një pjesë të shpresës sonë kolektive. Një vend nuk zbrazet vetëm kur njerëzit largohen fizikisht. Ai zbrazet edhe kur qytetarët humbin shpresën, kur të rinjtë pushojnë së besuari në institucionet e tyre të brishta dhe kur aftësia zëvendësohet nga lidhjet partiake, familjare apo grupore. Por edhe më shqetësues është rreziku i mbjelljes së përçarjeve ndërmjet shqiptarëve mbi baza fetare. Katolikët dhe myslimanët shqiptarë nuk janë dy brigje të huaja, por një degë të së njëjtës pemë kombëtare, të ushqyera nga e njëjta tokë, nga e njëjta gjuhë, nga të njëjtat plagë historike dhe nga i njëjti ideal i lirisë.
Historia e shqiptarëve dëshmon se besimet fetare, kur janë jetuar me ndërgjegje dhe urti, nuk e kanë penguar përkatësinë kombëtare, por e kanë pasuruar atë. Kultet fetare pra, Kishat dhe xhamitë nuk duhet të bëhen kurrë ledhe ndarëse, por vende ku njeriu mëson paqen hyjnore, mëshirën, drejtësinë dhe respektin ndaj tjetrit.
Prandaj, çdo përpjekje për ta (keq) përdorur fenë si mjet politik, për ta shndërruar atë në burim dyshimi, përçarjeje apo armiqësie, është lojë me zjarrin mbi themelet e shtëpisë sonë të përbashkët. Nëse një fenomen i tillë do të përshkallëzohej, përgjegjësia nuk do të binte vetëm mbi individët e papërgjegjshëm, por edhe mbi partitë politike dhe hierarkitë fetare, të cilat duhet të reagojnë në kohë, qartë dhe pa ekuivoke. Udhëheqja politike dhe ajo fetare duhet ta kuptojnë se fjala e tyre nuk është një tingull që humbet në ajër. Fjala mund të bëhet urë, por mund të ngrihet edhe si mur. Mund t’i qetësojë plagët, por mund edhe t’i rihapë ato. Për këtë arsye, secili udhëheqës duhet ta peshojë gjuhën e vet me përgjegjësi, sidomos në një shoqëri që ende bart kujtime të freskëta nga dhuna, pushtimi dhe përçarjet e së kaluarës.
Populli ynë ka kaluar nëpër kataklizma të njëpasnjëshme historike. Ka jetuar nën sundimin e Perandorisë Mesjetare Osmane, nën regjimet e ndryshme serbosllave, nën komunizëm dhe nën politikën e egër të pushtimit serb në vitet 90-ta. Breza të tërë shqiptarësh (katolikë dhe myslimanët) kanë përjetuar shpërnguljen, burgosjen, torturën, mohimin e gjuhës dhe të identitetit, vrasjet dhe dëbimet nga trojet e tyre. Deri në ditën e çlirimit, rruga jonë ishte e mbushur me varre martirësh, me sakrifica intelektualësh, veprimtarësh, qytetarësh të pafajshëm dhe luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Liria nuk na erdhi si dhuratë e rastësishme. Ajo u fitua me përpjekjen e popullit tonë dhe me mbështetjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët perëndimorë. Prandaj, është e pafalshme për të gjithë lidershipin tonë që një liri e fituar me kaq shumë sakrifica të dëmtohet nga papërgjegjësia, korrupsioni, egoizmi politik apo përçarja e brendshme. Nuk mund t’i nderojmë dëshmorët vetëm duke vendosur kurora mbi varret e tyre, ndërsa në jetën publike harrojmë idealin për të cilin ata ranë. Nderimi i vërtetë për ta është ndërtimi i një shteti të drejtë, demokratik dhe funksional.
Kosova nuk ka nevojë për fitues që e poshtërojnë kundërshtarin, por për udhëheqës (të llojit të Rilindësve Kombëtare) që dinë ta bashkojnë shoqërinë. Nuk ka nevojë për retorikë që hap humnera, por për fjalë që ndërtojnë ura. Ajo nuk ka nevojë për një patriotizëm të zhurmshëm, të përdorur vetëm gjatë fushatave elektorale, por për një patriotizëm të qetë e të përditshëm, që shfaqet në punë, ndershmëri, drejtësi, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.
Atdheu nuk mbrohet vetëm me pushkë, por mbrohet edhe me lapsin e mësuesit, me dijen e profesorit, me drejtësinë e gjyqtarit, me ndershmërinë e zyrtarit, me përgjegjësinë e politikanit, me lutjen e besimtarit dhe me punën e qytetarit.
Sot duhet ta pyesim veten me sinqeritet: a po ecim ende mbi tehun e shpatës për ta mbrojtur shtetin tonë, apo kemi lejuar që shpata e përçarjes, e interesit dhe e papërgjegjësisë të ecë mbi ne?
Kosova nuk duhet të bëhet një fund i dhimbshëm pas një fillimi të lavdishëm. Ajo duhet të jetë fillimi i një epoke pjekurie kombëtare dhe shtetërore. Kjo realisht kërkon që partitë politike të kthehen te qytetari, institucionet te ligji, besimet fetare te mesazhi i paqes, ndërsa shoqëria te vetëdija se, pavarësisht dallimeve, kemi vetëm një atdhe të përbashkët.
Sepse, kur shqiptarët (Katolik dhe mysliman)kanë qëndruar së bashku, historia nuk ka mundur t’i thyejë. Por, sa herë që janë ndarë, edhe fitorja është shndërruar në plagë. Pra, koha është ta ndalim shpatën, para se ajo të ecë përsëri mbi ne.
Klinë, më 4 gusht 2026











