Me Rexhep Çullhajin, Xhepin, njihemi që para tri dekadash! Jo pak, hë! Gjithnjë më ka tërhequr ky tip social: i gjallë, aktiv e dinamik, përfshirës e ambicioz, “eksperimentues”e “eksplorues” që e përballon me sukses NDRYSHIMIN në rrugëtimin jetësor!Më qartë flasin ca shifra: sot pronar i dy librarive – një në Kodër-Kamëz dhe tjetrën ( më të madhen) në Kamëz, ku malli që tregtohet është LIBRI dhe artikujt shkollorë me të gjithë aksesorët. Libraritë kanë një emër: FLABER që shprehin inicialet e emrave të tre djemve të Xhepit!
Me shaka, Xhepi thotë: “Kam derdhur gjithçka timen për ngritjen e këtij biznesi – dijet e mia, kursimet e mia, kreditet e mia tek miqtë e mi, shqetësimet e mia këto 15-16 vite dhe ja ku jam, tani janë çunat e mi ta çojnë më tej këtë biznes, po të jenë të zot!” . Thashë “me shaka” sepse e di mirë që Xhepi do të jetë promotori i këtij biznesi me mbështetjen e çunave! Me këtë rast unë po shtoj këtu: miku im Xhepi dhe mijëra Xhepa të tjerë të tillë po hedhin rrënjët, themelet e një tradite : krijimin e bizneseve familjare që do të ruhen e zhvillohen brez pas brezi!
Kam parasysh Rizanë në Peqin, Meshinin në Këlcyrë, Lumirin tek Astiri, Prengën në Lezhë, Altinin tek Mrizi i Zanave, Mihalin e Nashon në Livadhe, Marien e Edin në Shën Vasil, Tomën e Kolën në Gorre, Malushin në Patok dhe qindra e mijëra të tjerë anë e kënd Shqipërisë: bregdet, lumenj, liqene, male e fusha e deri në Alpe!
Dikush edhe mund të bashkohet me korin e kukuvajkave,dhe është në të drejtën e vet të mos shohë se Shqipëria po LËVIZ në drejtimin e duhur! Para tri javësh hyra në një kafe tek Qafa e Pazarit në Gjirokastër. Në banak ishte një 25 vjeçar vendali që më habiti me logjikën e tij sepse fliste me gjuhën e shifrave: Ai më tha: ” Këta 3-4 vitet e fundit Gjirokastra ka një boom turistësh dhe për këtë shkak sot në qytetin tonë janë 161 hotele brenda në qytet me jo më pak se 10 shtretër secili!” Për ta ngacmuar e pyes: “Ç’ndodhi?!”.
“Ndërveprojnë shumë faktorë – më thotë ky djalë i mençur. Së pari u rrit prestigji i Shqipërisë në Botë, por më kryesorja më thotë Ai – Shqipërinë tashmë po e promovojnë Agjensitë Turistike nga më prestigjozet në Botë! Shto këtu -thotë Ai – edhe ne këtu po e përmirësojmë nga viti në vit kulturën e sherbimit!”. Unë do të shtoja po ashtu trendin e shtimit të qindra bujtinave kudo nëpër Shqipëri! Le më pastaj resortet që po thithin turizmin elitar!
Jo më kot sot Shqipërira renditet e treta në Botë në rekomandimet për turizëm!
Nuk kam dalë nga tema: është pikërisht ngritja e nivelit kulturor masivisht në mënyrë kapilare që po sjell këtë hop! Ndër ta edhe rrjeti i shtrirë i librarive kudo dhe rritja e dukshme numrit të familjeve që po krijojnë biblioteka familjare!
Por shembulli i Kamzës dhe i rrethinave të saj është domethënës dhe shpresëplotë!
Shto këtu edhe rritjen e eksporteve të produkteve të agrobiznesit që shton fuqinë blerëse në zonat rurale apo periferike! Jam i bindur që shumë e shumë gjëra duhen ndrequr e të përmirësohen më tej!
Rëndësi ka se Shqipëria më në fund ka hyrë në rrugën e duhur!
Të rikthehem tek miku im, Xhepi!
“Me këto dy librari unë kam fitime jo të pakta – thotë Xhepi. Ndoshta jo si restorantet e hotelet, por po vë re se komuniteti prej gati 200.000 banorësh ku unë operoj (Kamza me gjithë rrethinat!) po merr prej meje një sherbim të munguar! Dhe…jemi të dy palët të kënaqur! – shton Xhepi me shaka!
Të dashur miq! Merrni mundimin e shkoni deri në Kamëz, hyni në librarinë FABLER, ku do të gjeni gjithçka nga A tek ZH dhe një sherbim të kulturuar! Mua më bëri entuziast e optimist ky “biznes” i Xhepit: nuk i mjaftojnë 700 mq, së shpejti Xhepi do të rrisë edhe 400 mq të tjera sipërfaqen e kësaj librarie si dhe fondin e librave dhe inventarin e artikujve shkollorë në dobi të familjes së Tij dhe të komunitetit të atyshëm me interesa gjithnjë në rritje!
Interesant është të theksoj këtu edhe filozofinë e të jetuarit që ka përpunuar miku im, Xhepi: Puno fort për të jetuar dhe jo e kundërta! Deri më tani ka bërë 61 udhëtime jashtë Shqipërisë dhe nuk ka lënë cep të saj pa e vizituar!
Në takimin tonë sot na u bashkua edhe Durim Zalla, miku ynë i përbashkët, që i dha vlerë të shtuar takimit tonë!
Urimi im: Kush punoftë, gëzoftë!
Autori i shkrimit Eliaz Bakiu
Tiranë, më 24.05.2023
Dërgoj për publikim Ibrahim Kabili, gazetar