Prend Buzhala
Isak Ahmeti, Dritë e përjetësuar, poezi, Prishtinë 2019, fq. 96.
Lirika e përshpirtshme e Isak Ahmetit ofron mundësi leximi, interpretimi e qasjesh të pasura, pikërisht për faktin se poezia e mirë krijon hapësira të tilla, siç janë: motivi i Lutjes dhe ia dhurimit, filozofia dhe teologjia në poezi me gërshetimet ndërtekstuale të tyre; prirja hyjnore dhe besimi në Zot, gërshetimi ndërtekstual i lirikës dhe liturgjisë, shprehja e besimit dhe përjetimit në poezi etj.
1.
Zaten, këto aspekte i përfshin edhe vlerësimi i Shefqet Dibranit. Autori mëshon fort sidomos tezës së përbuzjes së gjuhës amtare të lutjes nga besimtarët. Kësisoj, Shefqeti pohon: “E nëse Zoti ka falur njerëzit dhe ata i ka ngjyrosur me brushën e vet, atyre iu ka falur toka për t’i zotëruar dhe iu ka dhënë gjuhën për të komunikuar, prandaj këto Lirika në Gjuhën Shqipe, janë psalmet me të bukura lirike që poeti ynë ia përkushton Zotit. Nga ky prizëm mund të themi se Zoti nuk është fajtor pse klerikë të shumtë përbuzin gjuhën e Vet duke u lutur me gjuhën e tjetrit, gjuhë që shpeshherë besimtarët laik nuk e kuptojnë esencën e saj”. Teksti thekson PRIRJEN poetike të poetit e të kritikut për t’u lutur në shqip dhe pohimin se Zoti do të kuptojë dhe do të bekojë këto lirika. Autori shpreh bindjen se Zoti është pjesë e çdo krijese dhe se veprat e Tij janë dashuri.
2.
Ky lexim përfshin vlerësime të larta për poezinë e këtij vëllimi poetik. Kur kritiku pohon me pretencë të theksuar (me një ton të sofistikuar), nëpërmes vargjeve të Isakut se poezitë janë “njësimi i kohëve, i gjakimeve, i ëndrrave” dhe konsiderohen si “uratat më të mira lirike” në letërsinë shqipe; atëherë gjykimi kritik i tillë duhet të vijë pas një analize e korpusi të tërë të kësaj poezie të përshpirtshme në letrat shqipe… siç e thekson autori, që kanë një vlerë të veçantë dhe një kualitet të lartë në shprehjen poetike. Përgjithësisht, qasjet e interpretimit në shkrimin në fillim të tekstit të paraqitur theksojnë një kuptim të thellë dhe një vlerësim pozitiv ndaj poezisë së Isak Ahmetit, do ta ketë pasur parasysh poezinë e I. Ahmetit si Njësimi i kohëve, gjakimeve, ëndrrave; deri ne vlerësimi pohues: se kjo lirikë është “monumenti më i mirë i lirikës shqipe“.
Nuk është e thënë që lexuesi të pajtohet ose jo me këtë pohim, për arsyen e thjeshtë shpesh vlerësimet në kritikën letrare ngërthejnë tonin subjektiv vlerësues (Roland Bart thotë: SA LEXUES AQ LEXIME); për shkak se kritika letrare, përpos përvojës unike personale (pra, personale, subjektive, që ndikon në mënyrën si vlerësohen e perceptohen tekstet), si dhe për faktin se kritika letrare, në kontekstin kulturo-letrar e të kornizës së leximit; ndikon në mënyrën se si autori ndërlidhet me tekstin.
Te e fundit, secili lexues ka prirje dhe preferenca individuale për stile, tema, dhe forma letrare. Dhe klitor vlera i ka edhe përvoja e leximit kritiko-letrar të Shefqetit. Këto preferenca mund të ndikojnë në vlerësimin e tyre të një vepre. Autorin do ta ketë rrëmbyer edhe ndikimi i fuqishëm emocional i tekstit të Ahmetit PËR LUTJET SHQIP. Meqë e thashë në fillim, se lexuesit mund të bëjnë interpretime të ndryshme të subjektit dhe mesazhit të një vepre, atëherë edhe dallimet në kuptim dhe interpretim mund të takohen e të rezultojnë nga aspekti i kontekstit personal te secili lexues.
3.
Përmes motivit të filozofisë dhe teologjisë, POETI DHE KEIRIKU, e lidhin këtë poezi me traditën biblike dhe me një shkallë të thellë të refleksionit mbi jetën dhe ekzistencën. Ky motiv spikat marrëdhënien e thellë të poetit me dimensionet e mendimit shpirtëror dhe filozofik. Interpretimi dashuron të dëshmojë se poezitë e Isak Ahmetit janë të pasura me elemente të traditës fetare dhe asaj biblike. Kjo lidhje e fortë me kulturën dhe traditën e bën poezinë e tij të jetë e rëndësishme për kontekstin kulturor dhe fetar shqiptar. Një lexues tjetër, bie fjala, mund të shohë vlera të tjera të shumëfishta, me argumente, pa ia pasur nevojën të shpallë hierarki vlerësimesh ose hierarki lirike në kuadër të letërsisë sonë.
Çdo lexim-vlerësim është një shprehje e përjetimit dhe perceptimit personal të letërsisë. Nga ky aspekt, justifikohen plotësisht pohimet e Sh. Dibranit, kur e bën përshkrimin e poezive si “mrekullia e mrekullive” dhe si “thelbi i dashurisë hyjnore” me dimensionin e thellë shpirtëror dhe transendent në poezinë e Isak Ahmetit. Po ashtu, kur ky lexim thekson se vargjet e poezive shfaqin një interpretim të pasur të mesazheve biblike, kësisoj ai vë në dukje aftësinë e autorit për të kapur dhe shprehur thelbin e mësimeve fetare në një mënyrë poetike dhe origjinale.
Përligjet kjo edhe kur thekson se poeti ka një aftësi të shquar për të shprehur mesazhe të rëndësishme fetare në një formë poetike; ashtu sikundër spikatet edhe pohimi se Isak Ahmeti ka një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqipe nga kjo fushë krijimtarie, do të shtonim: edhe me studimet që i ka bërë nga kjo fusje te disa libra, siç janë: “Kleri katolik shqiptar dhe letërsia” (1994), “Bibla në letërsinë shqiptare” (1999), “Letërsia kishtare dhe filozofia e saj” (2000), “Kur’ani në letërsinë shqiptare” (2006).
Përkitazi me këtë veprimtari, dr. Dom Lush Gergji do të pohojë për I. Ahmetin: “Përgatitja e tij klasike si dhe puna e palodhshme me dekada, e bëjnë Prof.Ahmetin edhe studiues të traditës tonë të stërlashtë ilire- arbërore-shqiptare. Mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe dhe pena e tij e mprehtë, hetohet në çdo varg apo rresht, në çdo shkronjë apo faqe, në stil unik karakteristik, që e bëjnë atë krijues dhe studiues të dalluar shqiptar.”
4.
Por le t’i rikthehemi tekstit vlerësues të Shefqet Dibranit që e vlerëson vëllimin e I. Ahmetit. Sigurisht, mua, në këtë rast, më përket roli metakritik dhe kritik, vështirë i akceptueshëm, për faktin se edhe procesi i tillë është i rëndësishëm për të kuptuar dhe vlerësuar vetë procesin kritik dhe perceptimet e ndryshme që mund të dalin nga një vepër letrare e ku hyjnë edhe debatet, analizat e arsyetimeve, reflektimet e ndryshme teorike, estetike e kritike, dinamikat e procesit të vlerësimeve të ndryshëm letrare etj.
Kësaj radhe, janë të pëlqyeshme te teksti i Sh. Dibranit përmendja e “njësimit të kohëve, gjakimeve, dhe ëndrrave” në poezi e që përcakton thelbin e gjerë dhe të pasur të krijimtarisë së Isak Ahmetit. Ky njësim e bën poezinë e tij një pasqyrë e thellë të përvojave njerëzore dhe shpirtërore. Interpretimi vë në pah edhe nevojën thellësisht të ngazëllyer të poetit për të komunikuar me Zotin. Kjo nevojë shpirtërore përcakton një dimension të rëndësishëm të jetës së autorit, e cila shfaqet dhe shpërfaqet nëpërmjet poezisë së tij.
Edhe lutja, sipas interpretimit, shihet si një formë e shprehjes së ndjenjave të thella dhe të ndërlikuara. Kjo tregon për një lidhje të ngushtë midis shpirtit të poetit dhe Hyjit, duke përdorur lutjen si mjet për të shprehur emocione, vuajtje, dhe kërkesa; Lutja në këtë kontekst interpretues, shihet si mjet i drejtpërdrejtë i komunikimit dhe afërsisë me Zotin. Poeti përdor poezinë për të arritur një lidhje të thellë shpirtërore dhe për të shprehur kështu afërsinë dhe lidhjen e tij me Hyjin. Aty hyjnë, pra, sipas Dibranit, edhe dimensioni shpirtëror dhe fetar i poezisë së Isak Ahmetit, si një krijim të pasur shpirtëror dhe një shprehje e thjeshtë e nevojës së njeriut për lidhje dhe dialog me Hyjin.
Shtylla e pëlqyeshme, pra, që, krahas leximit të poezisë së tillë, të ketë edhe lexime të këtij lloji, që e pasurojnë botën shpirtërore të lexuesit.
Respekt për Dibrabin për këtë lexim vigjilent dhe Isakut për frymëzimet e tilla, ku shpreh dashurinë dhe admirimin për veprat e Zotit, duke u cilësuar ato si “dashuri të krijuara me dashuri.”
(Prishtinë, 2024)