MBI VEPRËN “BILETË PËR NË QIELL” TË ODISE KOTES

0
497
Odise Kote - Biletë për në qiell

Timo Mërkuri

Sa herë që bie fjala për shkrimtarin Odise Kote pajtohemi që krijimtaria e tij ka një bukuri të veçantë, të dallueshme nga krijuesit e tjerë të kohës, madje vlerësimet kalojnë lehtas në shkallë të lartë duke e krahasuar me vepra dhe autorë të mëdhenj. Edhe unë jam një vlerësues i veprave të tij, por tej deklaratave të përgjithshme, dua të kuptoj: pse dhe ku qëndron e veçanta në prozën e Odise Kotes.

I– Porsa nis leximin e librit me tregime “Biletë për në qiell” të Odise Kotes të krijohet një ndjenjë sikur se po “ecën” nëpër rrugica të kalldrëmta, madje ndjen më shumë se sa kupton se “je duke ecur” diku te Qafa e Pazarit apo Sokaku i të Marrëve, “shkon” te Klubi i Gjuetarëve apo “ngjit” ato tetëmbëdhjetë shkallët për te Gjykata e Apelit. Mund të “jesh” duke zbritur për te Trëndafili i Erërave apo në Vasilikua, por gjithmonë do jesh brenda Gjirokastrës. Kjo ndjenjë nuk është rastësore pasi optika e shkrimit të tregimeve të Odise Kotes, pavarësisht ku zhvillohet ngjarja, është Gjirokastra. Gjirokastra si qytet është prizmi kristalor, ku përthyhet gjithçka me lehtësinë e përthyerjes së dritës, për të marrë më pas formën dhe ngjyrën e qytetërimit gjirokastrit. Ky fakt i jep veçanti këtij autori dhe e bën krejt të dallueshëm prej shkrimtarëve të tjerë.

II– Odise Kote është gjirokastrit, pjesë e atij ambienti qytetar me fillesa qysh nga koha e Zenevishëve, që jo vetëm u qëndroi trysnive të shekujve, por krijoi mënyrë dhe kulturë jetese me një dendësi të madhe përvojash në një hapësirë të vogël. Kjo dendësi përvoje, kulture dhe mënyrë jetese jo vetëm që ishte ushqyese për vetë banorët e komunitetit, por ishte e qëndrueshme ndaj faktorëve të jashtëm sa dhe rrezatuese për të ndikuar mbi këta faktorë. Në thelb arti që krijon Odise Kote mbart psikikën e këtij qytetërimi; pavarësisht ndryshimeve demografike të ndodhura nëpër vite e shekuj, kjo psikikë mbetet funksionale si një laborator ku ndërtohen idetë, këndshikimet, perceptimi mbi botën e ngjarjet, duke e bërë komunitetin gjirokastrit të ketë jo vetëm një vizion të qartë për ngjarjet dhe të ardhmen, por të shtrojë një “kalldrëm” nëpër të cilin të ecte jeta dhe progresi i saj.

Ky “kalldrëm” është komunitarizmi qytetar gjirokastrit, një ”shtresë ligjësish” ofruar nga përvojat, që përcaktojnë mënyrën e jetës të njerëzve, “kalldrëm” që nuk e gjen në qytetet e tjera. Komunitarizmi qytetar përcjell edhe flladin e humanizmit, që si një erë e lehtë pranveror shpërndan në jetën qytetare dhe në tregimet e Odise Kotes një tis të hollë humori fin, tipike e qytetërimeve, e njerëzve të ditur e inteligjentë, afinitivë me librin dhe ngjarjet e botës. Odise Kote gjatë procesit krijues eksploron kujtesën qytetare dhe kolektive të komunitetit gjirokastrit dhe “zbulimet” që bën aty apo në “zgafellet” e harresës; në tregimet e tij shtron thesaret që ai, po dhe ne i shohim e mrekullohemi me to, siç ka thënë nobelistja Nadine Gordimer: “[…] të shkruarit është gjithmonë eksplorim i vetes dhe i botës njëkohësisht; eksplorim i qenies individuale dhe kolektive”.

Nga kujtesa kolektive Odise Kote na paraqet “ligjësinë” e komuntarizmit qytetar si p. sh. “ligjet” e një fqinjësie të mirë me fjalët: “Kush do ta dojë me të vërtetë gjitonin, duhet ta respektojë në tri gjëra: Ta nderojë kur është pranishëm, ta lavdërojë kur nuk është dhe ta ndihmojë kur është në hall” (f. 99). Shumë të thjeshta këto ligjësi në të kuptuar, por që kanë forcën dhe bukurinë e një diamanti.

E theksojmë karakteristikën e komunitarizmit të qytetit Gjirokastër sepse, siç shkruan Ernesto Sabbato: “Është e pamundur ta gjykosh letërsinë e kohës sonë pa e lidhur me krizën e përgjithshme të qytetërimit, krizë që nuk është thjesht e një sistemi ekonomik, po është shembje e krejt koncepcionit të njeriut dhe të realitetit”. Në rastin tonë, njohja me komunitetin qytetar gjirokastrit dhe me “ligjësinë” e jetës së tij është çelësi që “hap portën” hyrëse në prozën e Odise Kotes.

III– Gjuha në prozën e Odise Kotes të befason me shkëlqimin e saj, me tingullin plot jehonë të mistershme që përcjell, me ndenjën e një dijeje të hershme. Në një kohë që krijuesit e tjerë synojnë përdorimin e fjalëve moderne apo të huaja në krijimet e tyre, Odise Kote e ka bërë metodë të vetën përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve të marra nga fondi i fjalëve dhe shprehjeve të hartuara apo të mbetura në fondin pasiv a të vdekur të leksikut komunitar, duke u dhënë atyre jetë, vlerë e shkëlqim, feks e bukuri në frazat e tregimit. Mes fjalive, fjalë të tilla ndrijnë si monedha ari të qepura në “festet” apo “shamitë” e kostumeve të vajzave të reja që i veshin në festat e fshatit apo krahinës.

Fjalë si: “mëmëzonja”, “babazoti”, (f. 15), “jeto” (f. 19), “trushkulur”f. (21), “turifyç” (f. 25)” “ditëprerë”, “(zërin si) camunzë lofate”(f. 23), “i thiliks” (f. 31),”gjëmëmadhe”, “llokoçisin” (f. 33), “(të )”laj lumin”(f. 48), “Koçkëla” (f. 50), “pufkë” (f. 54), “Çerekdamllatë…gërmadha”, “ndërgjegjet e lerosura” (f. 67), “gjysmaku” (f. 71) , “(i qe tharë) “guxhumani” (f. 99), “thagmë thashethemesh”(f. 229) “dërdënge” (f. 177), “trishton trishtimin” (f. 177) etj. etj. Këto janë jo vetëm fjalë të një fjalori komunitar, por janë shpesh elemente tipizuese të personazheve, që ravijëzojnë qartazi një portret njeriu, po aq sa edhe një kulturë, qytetërim, kohë formimi e një mënyre jetese.

Odise Kote vazhdon të na befasojë dhe më tej: në fjalorin komunitar gjirokastrit në mënyrën më befasuese përdoren fjalë të bukura edhe për zymtësinë e jetës. “Trëndafili i erërave”quhet vendi ku janë ngritur varrezat e qytetit, “Vasilikua” (nga “vasiliko”) quhen varrezat, që jo vetëm largojnë gjer në harrim fjalën “varreza” dhe “varr”, por e zëvendësojnë me emrin e mësipërm aromëmirë, të bukur, pranveror.”Të shtatë penxheret” i quajnë gjirokastritët birucat e burgut të kështjellës, ndërkohë që vetë emri “birucë” nënkupton diçka thellë nën tokë, “shtatë palë shkallë”, ku mungon në mënyrën me të skajshme ndonjë mundësi soditjeje. Ndërkohë penxheret ndërtohen pikërisht për të soditur, për të parë jashtë shtëpisë, banesës, veç funksionit të hyrjes së dritës dhe ajrimit në shtëpi.

Duke e quajtur penxher birucën (nisur nga fakti se birucat ishin ndërtuar në kështjellë), zbutet efekti psikologjik për të dënuarin, por edhe për familjarët e tyre, ku vijnë t’i vizitojnë. Këto fjalë dhe emërtime dëshmojnë për një kulturë të madhe dhe të hershme qytetare, që gjallon ende, duke na ndriçuar një portret dhe pamje të kulturës së qytetit dhe të banorëve të tij. Po ashtu frazeologji të tipit: “E vërteta?… ri e fshehur, atje ku s’ia pret mendja njeriu”(f. 27), “[…] netët nuk mund t’i gënjesh”, “Fatit i tremben dhe perënditë” ( f. 51), “nëse nuk e kupton heshtjen time, si mund t’i kuptosh fjalët e mia” (f. 102), “nuk jetoj në botën ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri” (f. 122), etj. etj që “tunden” në trupin e fjalive si gjerdanë e varëse floriri në qafë dhe në gjoksin e nuseve të reja, “krijuar” në argjendarinë e përvojës jetësore.

Këto janë nga ato tip frazash që janë “kryefjala” në tregimet e Odise Kotes, ku flasin “thesaret” e fjalëve dhe frazave, ashtu si për origjinën dhe rangun familjar të nuseve flasin kostumet e qëndisura me ar, “florinjtë e ballit” dhe “florinjtë e gushës”. Duke qenë se këto thesare i gjen në esplorimin e kujtesës së vetë apo të komunitetit të tij, duke perifrazuar Xhojsin do thoshim se Odise Kote “mbyll sytë dhe shikon e shkruan”. Është vërtet metodë e bukur kjo e të shkruarit symbyllur!

IV– Është fakt se Odise Kote në krijimtarinë e tij letrare jo vetëm që ngre në mit mënyrën e jetesës dhe fjalorin gjirokastrit, por ai e përdor këtë edhe për të “pikturuar” portretin e personazheve të tij, të cilët mbartin dhe shprehin komunitarizmin qytetar. Kështu p.sh. te tregimi “Qilari” (f. 12-20), ku nxënësit e shkollës së mesme të qytetit revoltohen pse nuk u jepet në bibliotekë romanin “Bel-Ami” të Mopasanit, i cili ishte i ndaluar dhe duke qenë se nuk e “njohin” konceptin e “librit të ndaluar”(“Si? Libra të ndaluar? Ndalohet libri? Kjo nuk ka logjikë!”) f. 13, shprehin revoltën e moshës duke shkruar në korridorin e shkollës parullën: “Ndalohet Mopasani. …lejohet Rauf Kani”.

Sigurisht kjo revoltë ishte ndaj “ndalimit të librave të verdhë”, por parulla ishte hartuar në një mënyrë që të krijonte humor dhe jo debat, një humor që të shpon si majë gjilpëre dhe të shkakton mornica në trup. Humori te teksti i parullës nuk “njolloste” Mopasanin e “ndaluar dhe as që përbuzte Rauf Kanin, shkrimtarin e ri bashkë-qytetas që kishte shkruar dy libra për pionierët partizanë, ajo në thelbin e saj ishte një revoltë ndaj “lejfenizimit” të njeriut të ri që kultivonte shkolla, dhe për pasojë ishte kundërvënie ndaj një “padrejtësie” që shteti u bënte nxënësve, të cilët “kishin nevojë për përfytyrimin e botës, për zbërthimet radhë pas radhë të saj, me gjithë zhbirimet e pafundme të fantazisë” (f. 16).

Një revoltë të shprehur me finese dhe elegancë, shoqëruar me një solidaritet komunitari ndaj padrejtësisë që i bëhet një kovaçi, e shohim edhe te tregimi “Në Tiranë ka një gjyqtar të mirë” në momentin që kovaçi bërtet :-O i biri i Yzos! Do m’i japësh paratë apo t’i shkul ato kangjella nga Yzua e t’i ngul te Fatja”. Zemërimi në tekst fsheh përmasat e revoltës shpirtërore të kovaçit të dehur, por edhe fyerjen e birit të Yzos (“që kish qenë drejtor në kohë të ligë” f. 146)) për arsye se “mëhalla e dinte që Fatja i kishte vënë brirët Yzos kur ishte gjallë”(f. 147).

Realisht të birit të Yzos i duhej të jetonte me turpin e të kaluarës së prindërve të tij, (“E kaluara nuk vdes kurrë. Madje nuk është as e kaluar” thoshte Folkner), ndaj dhe përmendja e emrit të jaranit(dashnorit) të së jëmës publikisht, dhe “kërcënimi i kovaçit se do ja shkulte kangjellat nga varri i të jatit (Yzos) dhe do t’i vendoste te varri i jaranit (Fatja), ishte sikur t’i vinte brirë vetë kovaçi, madje publikisht. Realisht në fjalët e kovaçit nuk kishte asnjë fyerje me fjalë të rënda, asnjë kërcënim për dhunë fizike, me gjithë se ishte në gjendje të dehur dhe mund të arsyetohej. Kultura komunitare nuk e lejonte as një kovaç të zemëruar të kalonte caqet e etikës së të folurit publik. Madje dhe solidariteti i “mëhallës”që ndiqte ngjarjen nëpër dritare në atë prag mesnate shprehet plot finesë, me një të qeshur të përgjithshme që: “[…] e thërrmoi natën në mijëra copa. E griu”(f. 147).

V– Te tregimi “Qilari” lexojmë: “-Shpejt, atje!-mërmëriti (mëmëzonja) si në prehër durimi, më shumë me sy se me zë. Të kam shpurë dhe bukën. Atij i kanë hipur xhindet” (f. 14), ku kuptojmë se shprehja: “Shpejt, atje…” do të thotë: shpejt futu vetë në qilarin (burgun) e shtëpisë. As vendim gjykate, as policë shoqërues, as burg te “shtatë penxheret” e kështjellës, por një burgim brenda ambienteve të shtëpisë. Gjëja më normale që i shkon ndërmend lexuesit është se ky burgim na qenka “gjasme burgim”, por në fakt burgimi është më se i vërtetë, djaloshi i dënuar nga kryefamiljari izolohet në burgun (qilarin) e shtëpisë, ku qëndron pa kontakte me banorët e tjerë të familjes.

Është i vetmi qytet në vendin tonë, por besoj dhe në botë, ku çdo shtëpi kishte “burgun e saj”, ku vuanin dënimin ata familjarë që kishin bërë faj ndaj familjes apo ndaj komunitetit. Fraza: “Atij […] i kanë hipur xhindet” flet jo aq për kodin patriarkal, ku gruaja nuk i fliste në emër burrit të saj, se sa për faktin se ai ishte autoriteti i padiskutueshëm në vendim marrje në shtëpi; ishte dhe “prokuror” edhe “gjykatës”. Pra, në tre rreshta autori na ka dhënë një ngjarje familjare me një densitet dramatik, që duhet të jesh pjesëtar i komunitetit gjirokastrit ta kuptosh këtë.

Në qoftë se duhet të njohim portretin e “gjykatësit” le të lexojmë autorin: “[…] unë babazotin e mbaj mënd për gjestin e tij kalorsiak, për aktin sublim, siç e quante ai, refuzimin e kësaj bote, mosdaljen nga shtëpia […] Nga shtëpia doli vetëm kur mbylli sytë, në udhëtimin e fundit drejt Aliqeve, në Pllajën e Trëndafilit të Erërave”. (f. 17-18)].

Nuk e di pse kur e lexova këtë frazë, që skicoi në vetëdijen time një portret plaku kokëfortë, m’u kujtua kërcënimi lemeritës që Diellit i bëri Zeusit (te Iliada) me fjalët: “Do ikij nga kjo botë, do shkoj të ndrij për të vdekurit”. Merre me mend një plak në Gjirokastër, i lodhur nga mos gjetja e normalitetit në marrëdhëniet e tij me shtetin e kohës, prapëson jetesën e tij normale dhe “vetëburgoset në shtëpi” (Prej asaj dite nuk u pa më në qytet. As në mëhallë. f. 18) Ky plak nuk është se kundërshton filozofin Seneka kur thotë: “Njeriu nuk është krijuar të jetojë i vetmuar, ai është qenie shoqërore”.

Më shumë na ngjeth shtatin fakti se ky kundërshtim ndodh në Gjirokastër,në vendlindjen e atij që drejtonte vendin dhe ishte kundërshtim ndaj mënyrës së drejtimit të shtetit. Në fakt, përkundër logjikës së gjërave, ky qytet, jo vetëm që s’kishte pasur asnjë favorizim nga ai, por kishte provuar goditjen më të fortë të diktaturës, sidomos shtresa intelektuale. Nuk e di sa pajtoheni më mua që edhe sfidën më të madhe regjimit ia bënë intelektualët e këtij qyteti. Në lidhje me “babazotin”, parafytyroni pak sikur t’i vente në vesh një gjysmë fjale për këtë plak që… refuzonte! Çfarë do ndodhte me atë, më mirë mos t’a mendojmë.

VI– Tregim”Qilari” ndonëse ka një “thesar informacioni”, ne do flasim për “thesarin” prej librash që “kushedi pse i kishte zbritur babazoti në qilar”. “Pas atij zbulimi, qilari u bë strehëza ime e preferuar. Përtej kënaqësisë së leximeve, m’u ngulit në kokë ideja që krahas jetës sime kishte edhe jetë të tjera, më interesante, më intensive”.(f. 16). Është kjo arsyeja që djaloshi e pret qetësisht qortimin e babazotit: “Në ferr o veç, djalo” (f. 20) dhe me gëzim ndëshkimin: “Kisha përfunduar vërtet në ferrin e qilarit, me libra të zverdhur, atje ku gjendej gjithë parajsa ime…” (f. 20).

Mjafton kjo frazë për të kuptuar marrëdhënien me librin në familjet gjirokastrite (“libra të verdhë” fshehur në qilar nga babazoti), marrëdhënie që kultivonte ndjenjën e “garës” për të mësuar më “shumë se shoku”. Kjo ndjenjë e “garës” ishte ajo që vinte në lëvizje shpirtin arsimdashës të familjeve gjirokastrite dhe që me metodat e tyre, si më rripa trasmensioni u përcillte fëmijëve “sedrën”dhe dëshirën për të mësuar, duke e bërë qytetin një qendër intelektuale kombëtare.

Mjafton të kujtojmë faktin se në vitet para Luftës së Dytë Botërore gjithë vendi ynë kishte 450 intelektualë gjithsej, nga të cilët 250 ishin gjirokastritë. Këtu duhet parë dhe zemërimi i babazotit për përjashtimin nga shkolla të djalit, i cili “[…] u gremis pa u nisur”, duke na dritësuar befas mendimi se Gjirokastrën e ndërtoi shpirti i “garës” i banorëve të saj, për të bërë shtëpinë më të bukur se fqinji, në atë rrëpirë vend etj. dhe jo ndonjë plan urbanistik sulltanor.

VII– Shohim te tregimet e Odise Kotes një dendësi të dhënash dhe përvojash jete të pa hasura në asnjë qytet tjetër, që autori i zbraz nga kujtesa, duke u çliruar nga pesha e tyre. Në fakt kjo është letërsia si art, siç thotë Fernando Namora “Letërsia është një proces çlirues”.

E veçanta e Odise Kotes është bukuria e paraqitjes së gjetjeve të këtij eksplorimi të vetvetes, paraqitje në tregime me ngjyrat dhe “format”e rombeve të “qëndisura” mbi kalldrëm, ku ngadalëson të ecurit, thjeshtë për të shijuar bukurinë e vetë ecjes në një kalldrëm të “qëndisur”.

VIII– Meqenëse përmenda rombet mbi kalldrëmin e qytetit, a e dini që tregimet e Odise Kotes “kanë” një formë “rombi” letrar? Ky “romb” është vetë struktura e tregimit, që i vëzhguar nga një distance kohore pas leximit, e sheh të pozicionuar me majat kënd ngushtë lart e poshtë, (që përfaqësojnë hyrjen dhe në përfundimin e tregimit) dhe anash cepat kënd gjerë të rombit, (që përfaqësojnë zhvillimin e subjektit). Kjo do të thotë që tregimi ka të njëjtin intensitet ngjarjeje dhe nivel artistik si në hyrje ashtu dhe në mbyllje, ndërkohë që subjekti zhvillohet në mes të tregimit me luhatjet, intensitetin dhe nivelin artistik të tij. Le ta shohim këtë fenomen p.sh. te tregimi “:Në Tiranë ka një gjykatës të mirë” (f. 144-148), që fillon me shprehjen “Retë gjithë natën fjetën mbi mal. Në mëngjes u turrën sit ë çakërdisura mbi kokë, në Qafën e Pazarit. Aty nga ora nëntë sikur ndoqën pas grumbullin e njerëzve”.

Në asimetri me këtë hyrje që paraprin rrebeshin, mbyllja është gati e njëjtë: “Rrebeshi u përplas i tëri verbërisht mbi kokat e tyre.”. Ndoshta është kjo strukturë e tregimit që të mban të “tendosur” si interesimin e leximit, madje të fton në një rikthim leximi për së dyti. Meqenëse jemi te tregimi “Në Tiranë ka një gjykatës të mirë”, kjo frazë që shërben si titull shprehet qysh në pjesën e parë të tregimit dhe lexuesi kujton se vërtet në Tiranë është ndonjë gjykatës i mirë, që peshon paditë me peshoren e drejtësisë dhe befasohemi në fund kur lexojmë se ky gjyqtar ishte i mirë për personazhin nga që…”(e)…bëri veteran në moshën pesë vjeç në kohën e luftës…”

Këtë pozicion struktural të tregimit e shohim edhe te tregimi “Shirat”, i cili fillon me frazën “kur retë nxitojnë si kuaj të hazdisur në qiell të murrmë, në qytet nisin shirat” dhe përfundon me frazën: “Mbase për këtë e kanë fajin shirat”, ndërkohë që subjekti zhvillohet në një kohë me shi. Po ashtu tregimi “E çmendura e Tiranës” vetëm në fund na tregon shkakun e çmendurisë: ”Si gëlltite dot asnjëherë, ‘moj e ngratë’ tradhtitë e babait dhe helmet e njerkës gjuhëpiper” (f. 196). Kjo mënyrë shtjellimi të mban në “tension” interesimin për tregimin, qoftë si subjekt, qoftë si vlerë artistike dhe është një gjetje fine, që sado të përdoret te pjesët e librit, ajo nuk të krijon “bezdi përsëritjeje” pasi mbetet si një fill i hollë, i padukshëm në “qepjen e kostumit” tregimtar. Lexojini në këtë këndvështrim tregimet e Odise Kotes dhe do gjeni perlat në thellësi të tyre.

IX– Dashuria në librin me tregime “Biletë për në qiell” zë një vend të dukshëm, si një prej burimeve qenësore të jetës dhe ekzistencës, por edhe në këtë sferë Odise Kote paraqet veçanti. Krijuesit bashkëkohës kur shkruajnë për dashurinë e paraqesin atë me ngjyra rozë, me mendimin se kjo ngjyrë do “reflektojë” dritë dhe pasion te lexuesi, ndërsa Odisea Kote shprehet “me ton” gati të prerë: “Dashuria është diçka e zezë”(f. 162), duke na befasuar qysh te titulli i njërit prej tregimeve, siç pohonte Xh. Xhojsi: “Pikënisjen sipas rrethanës”.Tek ngjyra e zezë zbërthehen të gjitha nuancat më të holla të ngjyrave që sheh dhe percepton syri i njeriut dhe në “asimetri” me të, themi se: dashuria gjendet në të gjitha ngjyrat e spektrit jetësor, që të bashkuara krijojnë të zezë. Kështu është dhe dashuria e tregimeve, me të gjitha ngjyrat, të zbërthyera apo të mbledhura nga/te e zeza. Në qoftë se fraza “Dashuria është diçka e zezë” ka si autor Picasso, poeti gjilanas Beqir Musliu ka vargun absurd “Bukuria asht shumë më e bukur kur asht në të zi” (Beqir Musliu”Bukuria e zezë” Prishtinë 1980), “ku ai shpërfaq abstraksionin brenda ligjërimit poetik” (Ibrahim Rugova: ”Strategjia e kuptimit” Rilindja, Prishtinë 1980 f. 95).

“Të zezën e dashurisë” Kote e shpreh në tregimin “Dërzani”, që nis në një odë morti ku vajtohet i zoti i shtëpisë “i vrarë” nga kali i tij, duke e rrëzuar nëpër gremina. Autori na paralajmëron kur thotë: Të dish historinë e një peme, duhet të mësosh më parë historinë e farës. Farë varvati” (f. 42), por ne vetëm në fund të tregimit mësojmë se gruaja xheloze, që dyshonte se i shoqi e tradhtonte në bredhjet e tij me kalë, diçka i bëri kalit “Me çfarë e ushqeu atë mëngjes, si ia nguli gozhdët në patkonj dhe si ia la të zgjidhur rripat e yzengjisë” (f. 42) dhe i mblodhi gjithë ngjyrat në një të zezë të thellë vdekjeje.

Ky tregim ndoshta e shfaq më dukshëm të “zezën e dashurisë”, ndërkohë që pikërisht tregimi “Dashuria është diçka e zezë” (f. 162) duket se bën një “lojë” dritash e ngjyrash duke treguar “krijimin” e të zezës te dashuria: “Në vitin e tretë të martesës fati e braktisi. Markoja, bashkëshorti, lodhur prej tekave të saj a ndoshta në kërkim të një aventure tjetër ia mbathi në Argjentinë”, “[…] atë mëngjes Nikolinin e kapi temperaturë e lartë” (f. 163). Në përpjekjeve e saj dhe të personelit spitalor për shërimin e të birit, nis e zbërthehet ngjyra e zezë (si në një prizëm dashurie) në ngjyrat e ylberit, ku dallohet ngjyra rozë.

Janë një sërë tregimesh te ky libër ku Odise Kote luan me ngjyrat në dashuri, ku herë i bashkon në të zezë dhe herë i zbërthen në spektër të ylbertë (“Vajtimi i grave u ngjit në qiell”, f. 28, ”Litarët e mëndafshtë” f. 69, ”Mery Zingler f. 123, ”Refuzimi” f. 155, ”Peshqit nuk kapen kur s’ka hënë” f. 179 etj.) sikur do të pohojë thellësinë e fjalës së Osho kur thotë: “Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën”.

Odise Kote e dashuron jetën me të gjitha ngjyrat e saj dhe këtë e shpalos më së miri te libri me tregime “Biletë për në qiell”.

Sarandë, shkurt 2022

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet dhe shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.